Notë proteste e parisë fetare të Shkodrës dërguar Konferencës së Paqes në Paris më 1919

 


Hyrje


Në janar të vitit 1919 në Paris, fuqitë fituese të Luftës së Parë Botërore, Anglia, Franca, SHBA, por edhe Italia dhe Japonia, edhe pse këto dy të fundit nuk kishin rol në këtë konferencë sa të fuqive si Anglisë, ShBA-së dhe Francës, u mblodhën në Paris për të caktuar, vendosjen e një rendi në botë në rrethanat e reja të krijuara.
Siç dihet, Shqipëria kishte mbajtur qëndrim neutral gjatë këtyre viteve. Por, shpresa nga ana e shqiptarëve, se në këtë mbledhje do të bëhej korrigjimi i padrejtësive të ndodhura në kongreset e dhe konferencat e mëhershme ndërkombëtare si ajo e vitit 1878 dhe 1912, nuk ndodhi. Pra, parimi i kombësisë dhe i vetëvendosjes nuk u morë parasysh në rastin e shqiptarëve. Rrjedhimisht, u lanë hapësirë ambicieve dhe pretendimeve të vendeve fqinjë të Shqipërisë, të cilët në këtë periudhë si Greqia, Italia, Jugosllavisë ishin shumë aktivë në zgjerimin e territoreve tyre në dëm të tokave shqiptare. Ambicieve të Greqisë, Italisë dhe Jugosllavisë ndaj tokave shqiptare ju ndihmonte edhe fakti se këto shtete ishin në krahun e fitueseve të luftës.(1)
Nga janari i vitit 1919 e deri në mbarim të punimeve të konferencës, më 1920 nga shtetet fituese të luftës u hartuan programe e projekte në dëm të ndarjes së tokave shqiptare, si ngushtimi i territoreve e deri te zhdukja e Shqipërisë si shtet i pavarur. Me një fjalë, Greqia, futi në dorë Gjirokastrën dhe po diskutonte për Korçën me rrethinë, Italia do ta merrte Vlorën me rrethinë, ndërsa Mbretëria Serbe Kroate Sllovene do ta siguronte daljen në Detin Adriatik, një synim ky i kahershëm i pan sllavizmit, së bashku me këto lojëra në dëm të territoreve shqiptare, po bëhej planë që edhe Shkodra të kalohej me një pjesë të konsiderueshme të Shqipërisë së Veriut nën Mbretërinë Serbe Kroate Sllovene, gjë e cila kishte hasur në kundër shtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fatmirësisht, këto plane nuk u realizuan, në tërësinë e tyre.


Shkodra dhe krerët fetarë të saj


Çështja e diskutimit të lënies së qytetit të Shkodrës me rrethinë nën Jugosllavinë, bëri që disa shtresa të shoqërisë shqiptare të reagonin. Në mesin e këtyre reagimeve, ndaj këtyre padrejtësive, ishte edhe ajo e krerëve fetarë, myslimanë, katolik, ortodoksë të Shkodrës.
Përkitazi me këtë, paria e krerëve fetarë të Shkodrës, më 2 korrik të vitit 1919 i nis një notë proteste "Konferencës së Paqes në Paris".
Ka disa arsyeje pse kemi menduar t'i bëjmë një vështrim kësaj tematike, por dy janë me kryesoret:
E para, ky peticion këtë vit, mbush 100 vjet nga viti kur u dërgua në muajin korrik të vitit 1919;
E dyta, problemet e kufijve në hapësirën shqiptare akoma po vazhdojnë të jenë aktual.
Peticioni fillon më këtë përmbajtje: "Na kleri mysliman, kleri katolik e kleri ortodoks shqyptar e Parisë e Shqypniës së Syperme, muerem vesht prej perfaqsuesve t'onë n'atë Konferencë, se Jugoslavt mundohen gjithnji, me të tana dredhiet me na marrë Shkodren me gjith nahie të krahit të djathtë të Drinit e me ja njitë mbretniës Serbo-Kroato-Slovene.
Krahi i djathtë i Drinit gjithmarë asht njajo kerthiez e Shqypnëes qi peruan Shtetin shqyptar per gjuhe, për gojthanë, per historië, për ndiesië atdhetare, per adete, për besim e qi e shtrëngon më nji lidhnië të pa dame me tjetrin krah të shmangtë të Drinit"- theksohet në mes tjerash në këtë peticion.
Dërguesit janë të bindur, se Shkodra dhe rrethina jo se nuk duhet t'u jepen Jugosllavisë, por Shko
dra duhet të jetë kryeqyteti i shqiptarëve ashtu siç ka qenë edhe më herët. "Flamuri i jonë, shembull force e lirije, do të përhidhet lirisht kand e kand neper Shqypnië të bashkuese e të lirë"- potencohet në peticion.
Sikurse dihet, fetë monoteiste, apo siç njihen në terminologjinë religjioze ndryshe, fetë e shpallura, si parim e kanë kontributin për paqe. Mirëpo, në rastin e krerëve fetarë shqiptarë përmes këtij peticioni të dërguar, ata, në rastin e rrezikut të tokave të atdheut të tyre, si opsion për t'i dal zot dheut të tyre nuk e përjashtojnë edhe përdorimin e armëve "Ne kleri mysliman, kleri katolik e kleri Orthodoks e Parië n'ëmen të gjith vendasve e gjytetasvet t'onë shqyp tarë, tuj perbuzë pakicen e trathtarvet të tutun e të shitun per mbase arit të huej, betohemi faqe shekullit marë, qi me armë në dorë, kemi me luftue per lirië e per njisië t'Atmës, der sa të kemi jetë e të rrjedhim gjak neper dej t'onë. Birtë t'onë, nipat t'onë brez pas brezit, kshtu kan per të punue der sa krahnorvet t'onë të dalin ngadhnyesa tjerë ma të lum, qi të mrrijnë me coptue barbarin mizuar t'Atmes s'onë. Bushtat, 2 korrik 1919".(2)
Për të qenë me korrektë me lexu esin ne po e prezantojmë në tërësi këtë dokument, pa hequr dhe pa shtuar asgjë.
"Na kleri mysliman, kleri katolik e kleri ortodoks shqyptar e Parisë e Shqypniës së Syperme, muerem vesht prej perfaqsuesve t'onë n'atë Konferencë, se Jugoslavt mundohen gjithnji, me të tana dredhiet me na marrë Shkodren me gjith nahie të krahit të djathtë të Drinit e me ja njitë mbretniës Serbo-Kroato-Slo vene. Krahi i djathtë i Drinit gjith marë asht njajo kerthiez e Shqypnëes qi peruan Shtetin shqyp-tar per gjuhe, për gojthanë, per historië, për ndiesië atdhetare, per adete, për besim e qi e shtrëngon më nji lidhnië të pa dame me tjetrin krah të shmangtë të Drinit.
Të dhanut e kësaj krahine Jugoslaveve don me thane të shqymunt e Shqypnies per hater të do grupeve etnike ma të vogjel, me të cilit jena krejt të dam e nuk shifëna mirë aspak per arrsyë gjuhe, adetesh, gojthanje e interesje si materjalisht si moralisht. Me kondendim të nji uje të perpijshme jugosllave kishte me u shkelë principi nacjonal, principi i drejtsiës e i barabacimit e i gjytet nimit, per të cillit e n'emen të cillvet gjytetasit e marrveshtjes luftuen e duelen ngadhnyes e fituesa.
Jena per të vertetë mushë mendjet, se Konferenca, perfaqsuesja e thjeshtë e ktyne principeve, nuk ka me ju pervue dredhiëve hajnesha e të pashpirt, të lypurave grabitqare t'an miqvet t'onë. Bajmë me dije që kurr e kurr s'kena me ju prulun të shko qunit të perdhunshem t'asnji pllamë vend t'Atdheut t'onë. Na duem me kenë të bashkuem e të lirë prej Nordit e në Sud, prej Est e n'Ovest. Duem qi gjytet t'ona ma të bukurat të gjitha bashkë me kryegjytet Shkodren, sikurë kjenë perpara, të jenë prap per kohë t'ardhshme drita e gjytetniës, e gjuhës e ndiesiëvet, e dhanmarrjes s'onë. Na s'duem të perjashtem në shpië të tonë e nuk durojmë qi ata të na përlyejnë vendet e Atdheut t'onë. Të perjashtem per ne janë Serb, Kroat e Sloven, të cillit i kercnohen liriës e veturdhnimit t'onë. Ata s'kan me mrrijtë kurr me na poshtnue e me na pushtue, me sa mujten tjerë per sa qindvjeta. Mendojmë se kjo luftë ngadhnyese i dha shkas e jetë demokraciës s'pergjithshme.
Prej Konferencet e prej popujve të gjytetnuem të gjith botës na presim e lypim gjygj drejtësije. Mendojmë edhe qi pikat e Willsonit nuk kjenë çpallë per me rrejt popujt, të cillit kshtuktej do të mbas parimeve etnike e të mbledhun bashkë per vullnet të lirë. Nji Serbie e vogel, e coptueme çrej tjervet, kje shkrija e nji luftës së pergjithtë. Na bijtë trima të fushavet e të malëvet betohemi, qi s'kemi kurr per t'ulë kryet atyne urdhanve, qi të perkasin veturdhnimin tonë e ma të voglat të shkoquna e të dame të tokës s'onë. Flamuri i jonë, shembull force e lirije, do të përhidhet lirisht kand e kand neper Shqypnië të bashkuese e të lirë.
Ne kleri mysliman, kleri katolik e kleri Orthodoks e Parië n'ëmen të gjith vendasve e gjytetasvet t'onë shqyptarë, tuj perbuzë pakicen e trathtarvet të tutun e të shitun per mbase arit të huej, betohemi faqe shekullit marë, qi me armë në dorë kemi me luftue per lirië e per njisië t'Atmës, der sa të kemi jetë e të rrjedhim gjak neper dej t'onë. Birtë t'onë, nipat t'onë brez pas brezit kshtu kan per të punue der sa krahnorvet t'onë të dalin ngadhnyesa tjerë ma të lum, qi të mrrijnë me coptue barbarin mizuar t'Atmes s'onë. Bushtat, 2 korrik 1919".(3)


Përfundim


Nga materialet dhe literatura e shfletuar, mund të përfundojmë se krerët fetarë në përgjithësi e të Shkodrës në veçanti, pazaret e shteteve fituese të luftës në kurriz të toka ve shqiptare i pritën me shqetësim. Këto padrejtësi bën që krerët fetarë pa dallime fetare të Shkodrës të nisin peticionin, duke u shprehur edhe me tone nacionaliste. Për ta është e pa tolerueshme që "kërthiza e Shqipërisë" Shkodra me rrethinë, e njohur për vlerat kulturore, historike etj., t'i falej Jugosllavisë së atëhershme.
Ky peticion, është një tregues, se pavarësisht dallime fetare dhe mos-pajtimeve që mund t'i kenë pasur krerët tanë fetarë ndonjëherë për çështje të ndryshme, kur është fjala për aspekte madhore, reagimi është i njëzëshëm. Në këtë peticion, theksohet se "muerem vesht prej perfaqsuesve t'onë n'atë Konferencë", dhe është e natyrshme kur dihet se disa nga klerikët katolik në këtë konferencë ishin aktiv si Gjergj Fishta e Luigj Bumçi.(4)
Ky peticion, ketë vit, siç e poten cuam edhe më herët mbush 100 vjet nga dita e dërgimit, por problemet te shqiptarët me çështjen e kufijve akoma po dalin se nuk kanë marrë fund, ndoshta ky peticion duhet të jetë një model i reagimit të përbashkët të krerëve tanë kur është fjala edhe për çështje madhore të kombit tonë.


_____________________
1. Historia e popullit shqiptar III, ASHSH-IH, Toena, Tiranë, 2007, f. 129-138. 2. Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë (më tej: AMPJ), D. 10, V. 1919, Fl. 10-11. Note e parisë fetare të Shkodrës kundër pretendimeve sllave.
3. AMPJ, D. 10, V. 1919, Fl. 10-11. Notë e parisë fetare të Shkodrës kundër pretendimeve sllave.
4. Duka, Valentina, "Roli i klerit katolik në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1920)", Krishtërimi ndër shqiptarët, (Simpozium), Konferenca Ipeshvore e Shqipërisë, Shkodër, 2000, f. 297-302; Peters, Maruks W.E., Përballja e historisë së kishës katolike në Shqipëri 1919-1996, (Përktheu nga Gjermanishtja Klaudia Darragjati), Ylber, Tiranë, 2010


Nuridin Ahmeti
Dituria Islame 362


Artikulli i kaluar
Hixhreti dhe Shqiptarët
Nuk ka artikull pas ketij.