Nga datat më të rëndësishme në historinë e njerëzimit është edhe Hixhreti i të Dërguarit të Allahut, Muhamedit a.s.. Mërgimi i tij nga familja e nga vendlindja, duke e pasuar Shpalljen e Krijuesit, shënon pikën kryesore në historinë e ngritjes së Islamit. Sigurisht që Hixhreti ishte një rrugë e mundimshme e plot sfida, të cilat i Dërguari i Allahut i mbijetoi dhe, në këtë mënyrë, u bë shembull për pasuesit e tij në kohë e në kontekste të ndryshme shoqërore.
Modeli i përballjes së të Dërguarit të Allahut me vështirësitë në misionin e tij të përhapjes së Islamit, jehoi fuqishëm dhe ishte përgjigje për shumë situata në të cilat u ndodhën popujt e ndryshëm të botës. Edhe shqiptarët, jo një herë gjatë historisë shekullore, u ballafaquan me situatën e largimit të detyruar nga vendi i tyre i lindjes dhe i origjinës. Madje, mund të thuhet se fati i shqiptarëve ishte tepër tragjik, ngase asnjëherë nuk arritën të ktheheshin në tokat e tyre stërgjyshore, të cilat u detyruan t'i braktisnin para rrezikut të zhdukjes si komb, si fe dhe si kulturë. Mërgimi i tyre mbeti i përhershëm dhe me pasoja si për përmasat e shtrirjes sonë etnike në hapësirën ballkanike, ashtu edhe kur bëhet fjalë për hapësirën kulturore. kujtojmë se si në dhjetëra mijëra kilometra katrorë të banuar nga shqiptarët sot nuk mund të gjenden shenja identifikuese kulturore e fetare të tyre. Objektet e kultit të shqiptarëve të krishterë janë përvetësuar, ndërsa ato të shqiptarëve të besimit islam janë rrënuar, ndonëse të dhënat e kohës flasin për qindra sosh, për ekzistencën e tyre edhe në qendrat e sotme kryesore të Serbisë, si në Beograd, nish, Leskoc etj..
Paqja e Shën-Stefanit dhe Kongresi i Berlinit e kthyen një pjesë të mirë të tokës shqiptare në tokë sllave, ndërsa banorët e tyre, shqiptarët e besimit islam, nga një popullsi pronare e atyre viseve, u kthyen në një lumë të madh muhaxhirësh dhe në fusha të tëra varresh. Përmasat e njëmendta të kësaj tragjedie të madhe kombëtare shpërfaqen si në dokumente autentike të kohës, ashtu edhe në kujtesën popullore të transmetuar në trajta të ndryshme deri në ditët e sotme, e veçmas nëpërmjet këngës popullore historike.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se muhaxhirët tanë nuk e patën largimin si zgjidhje të parë, ngase, pavarësisht nga vendimet e fuqive të Mëdha, shqiptarët e këtyre viseve organizuan një rezistencë të fuqishme vetjake ndaj pushtuesve serbë. Mirëpo, kur kundërshtimi me armë, si rezultat i raporteve të pabarabarta të forcave luftarake dhe i mungesës së aleatëve, nuk dha fryte, atëherë shqiptarët, duke mos u pajtuar të mbeteshin nën një sovranitet që nuk u garantonte jetë të dinjitetshme dhe të sigurt për identitetin e tyre, migruan pasivisht jashtë zonës së kontrolluar nga Serbia e asokohshme.
Ata pak shqiptarë që mbetën në vendet e tyre, ose u masakruan nga forcat serbe, ose u detyruan të konvertoheshin kombëtarisht dhe fetarisht, për një kohë të shkurtër. Me një fjalë, u zhbënë. Gjithsesi pjesa dërrmuese e popullsisë shqiptare, që pati fatin të shpëtonte para mësymjeve gjakatare të ushtrisë serbe, vijoi jetën në një kontekst të ri social, në një ambient të ri e plot sfida (ngase muhaxhirët nuk ishin gjithnjë të mirëpritur as nga popullata vendëse, së cilës doemos me ardhjen e tyre i ngushtohej hapësira për jetë), por në përputhje me identitetin e tyre, me traditën kulturore kombëtare e me udhëzimet fetare islame.
Sakrifikimi i këtillë i dimensionit jetësor material
Kuptohet, ka një dallim esencial ndërmjet hixhretit të të Dërguarit të Allahut, Muhamedit a.s., largimi i të cilit nga Meka, përveçse shmangie e rrezikut për të dhe besimtarët e tjerë islamë, në rend të parë ishte në funksion të përhapjes së Islamit dhe të themelimit të shtetit të parë islam, nga njëra anë, dhe shqiptarëve të dëbuar nga trojet e tyre shekullore, nga ana tjetër, ngase ata po largoheshin nga rreziku, nga e keqja, duke lënë pronën e tyre, shenjat e kulturës së tyre materiale, varret e të parëve, me qëllimin e vetëm që të shpëtonin identitetin e tyre kombëtar, fetar dhe kulturor. Popullsia shqiptare, pjesë e shumë qyteteve dhe rreth 600 fshatrave të Sanxhakut të nishit e të viseve të tjera etnike, që ranë atëbotë nën sundimin serb, u detyruan të braktisnin pronat e tyre, arat bukëdhënëse, për t'u vendosur në pjesën e mbetur të vilajetit të kosovës, kryesisht nëpër vende pasive, nëpër toka të djerra, me një fjalë, në hapësirën në të cilën më parë nuk ishte bërë jetë aktive.
Sakrifikimi i këtillë i dimensionit jetësor material, me qëllim të mbrojtjes së dimensionit shpirtëror, kombëtar, fetar e kulturor, është tejet domethënës dhe nuk ka se si të mos vihet në ndërlidhje me shembullin e veprimit të të Dërguarit të Allahut xh.sh.. Lënia e pasurisë personale, e tokave, e shtëpive, e bagëtisë dhe e gjithë pasurisë tjetër të tundshme e të patundshme, duke marrë me vete vetëm rrobat e trupit dhe identitetin e tyre, është sakrificë e padiskutueshme e aspekteve individuale për hir të interesit të përgjithshëm, për hir të interesit kolektiv. Është edhe sakrifikim i dimensionit material për ta ruajtur të pacenuar dimensionin shpirtëror. ngarendja e sotme e njeriut modern pas të mirave materiale, pa çarë kokën për aspektet e jetës shpirtërore, e bën edhe më të qartë faktin se sa e madhe ishte kjo sakrificë.
Mospajtimi me robërinë, me imponimin e pushtuesit dhe largimi i asokohshëm i muhaxhirëve shqiptarë nga konteksti dhunues e asimilues, është hapi i parë dhe më i rëndësishmi i përqafimit të lirisë. Në historinë tonë të mëpastajme u përsërit shpesh situata e migrimit të këtillë, shumë toka shqiptare u zhbënë, por, megjithatë, si rezultat i vetëdijes kombëtare dhe të asaj fetare, u ruajt bërthama e identitetit tonë të veçantë.
Dituria Islame 280