Dhurimi - transplantimi i organeve në islam

 


Ligji islam është ligj hyjnor, që është i zbatueshëm në çdo kohë dhe në çdo vend. Çdo normë, rregull, në ligjin islam është e nxjerrë nga burimet e sheriatit që janë të shumta, e sidomos nga kryesoret e që janë: Kurani, suneti, ixhmai dhe kijasi.


Në të gjallë të të Dërguarit tonë, Muhamedit a.s., burimet e vetme të sheriatit ishin Kurani (fjala e Zotit) dhe Suneti i të Dërguarit a.s .. Për çdo çështje apo ndodhi të re, ishte Allahu xh. sh. që me shpallje e rregullonte normën e saj.
Me vdekjen e Muhamedit a.s. përfundoi shpallja, Kurani u përmblodh i tëri, mirëpo problemet dhe sfidat e ndryshme që ndodhnin kërkonin zgjidhje. Me zgjidhjen e këtyre problemeve të reja u morën shokët (sahabët) e Pejgamberit a.s., si dhe dijetarët e shumtë pas tyre, që lëviznin çdo gur dhe shter ën çdo argument vetëm e vetëm për të arritur tek e vërteta, duke u mbështetur gjithmonë në Kuran dhe Sunet.
Ndodhi të reja vazhduan të paraqiteshin çdoherë, në çdo kohë dhe në çdo vend, ndërsa argumentet, ajetet dhe hadithet përfunduan dhe nuk zbrisnin
më (ajetet dhe hadithet janë të përfunduara, kurse ndodhitë dhe ngjarjet ende vazhdojnë), prandaj kërkohet nga dijetarët e çdo kohe që, duke u bazuar në Kuran dhe Sunet dhe në rregullat e përgjithshme të fikhut, ta japin mundin e tyre, për t'ia dhënë normën çdo ndodhie të re.
Njëra ndër ndodhitë, çështjet, për të cilat kërkohet një fetva - përgjigje e për të cilën nuk ka ndonjë përgjigje nga dijetarët e mëhershëm, e që është ndodhi e shekullit XX - XXI, pa dyshim është edhe "Dhurimi i organeve të njeriut".
Duke pasur parasysh përparimin e madh që ka bërë mjekësia në këtë fushë, si dhe nevojën e madhe të njerëzve për shërim e gjithashtu kujdesin e besimtarëve se a lejohet një mjekim i tillë apo jo në Islam, i shtyri dijetarët e shumtë të merren me këtë problematikë, dhe duke u bazuar në rregulla të përgjithshme të fikhut islam, u munduan ta rregullojnë me norma islame këtë çështje, myslimanët, të urdhëruar që t'i pasojnë udhëzimet e islamit dhe të ballafaquar me një situatë të tillë, shtruan shumë pyetje, ndër to mund të përmendim:
- Cili është qëndrimi i jurisprudencës islame për dhurimin e organeve?
- Cilat organe lejohen të dhurohen?
- A u lejohet trashëgimtarëve dhurimi i organeve të të vdekurit?
- A bie ndesh ky dhurim me shenjtërinë e kufomës, dhe se a është trupi pronë e Allahut xh.sh.?
Parime të përgjithshme


Pa dyshim se trajtimi i kësaj teme duhet të bëhet pas një rishikimi të pajimeve dhe rregullave të përgjithshme të jurisprudencës islame, parime dhe rregulla që përputhen me këtë temë, si:(1)


1. Dinjiteti i njeriut, respektimi i personalitetit të tij, si dhe paprekshmëria (pacenueshmëria) e shenjtërisë së tij, i gjallë apo i vdekur, është një nga parimet e sheriatit, jurisprudencës islame. Allahu xh. sh. thotë në Kuran: "Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit) ... " (El - Isra: 70) "Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur." (Et - Tin: 4) Po ashtu Pejgamberi a.s. ka thënë: "Çdo mysliman e ka të ndaluar gjakun, pasurinë dhe nderin e myslimanëve të tjerë."(2) "Thyerja e ashtit të të vdekurit, është njësoj sikurse thyerja e ashtit të të gjallit."(3)
Nisur nga ky parim, ndalohet tregtimi i organeve të njeriut dhe duhet larguar nga çdo vepër e cila shpie deri te gjymtimi dhe masakrimi i njeriut.


2. Kujdesi ndaj jetës së njeriut dhe denoncimi nga çfarëdo që e dëmton dhe i shkakton telashe atij. Islami rregullon edhe shpagimin apo dënimin nëse dikush mbytet apo ia dëmton ndokujt ndonjë organ, e njohur në sheriat si: dispozitat e shpagimit dhe shpagimi i gjakut.
Nga ky parim, nxjerrim lejimin dhe shfrytëzimin e gjërave të tjetrit, në qoftë se nuk dëmtohet i shfrytëzuari, sepse në Islam e drejta për jetë është njësoj për të gjithë. Rregullat e përgjithshme të fikhut që e mbështesin këtë parim janë:
• Dëmi nuk largohet me dëm, dhe
• Largimi i dëmeve është më primar sesa prurja e dobive.(4)


3. Sheriati Islam nxit për kërkim të shërimit e që formulë të vetën ka "Çdo sëmundje ka shërim", prandaj i mbetet njeriut që të kërkojë ta zbulojë sëmundjen dhe ilaçin e saj.
Prej qëllimeve primare të sheriatit islam është përkujdesja ndaj interesave të përgjithshme dhe arritja e lumturisë në këtë botë dhe botën tjetër. Kjo përkujdesje arrihet atëherë kur vendosen të domosdoshmet para nevojave dhe vihet në konsideratë rregulla e fikhut: "Domosdoshmëria e lejon të ndaluarën".
Gjithashtu respektimi i vullnetit të njeriut, në veten e tij apo atë që ai" e posedon, si dhe në familjen e tij është obligim i patjetërsuar. Patjetër duhet të merret pëlqimi i individit, kur bëhet fjalë për prekjen e trupit apo pasurisë së tij, apo siç njihet ndryshe ruajtja e pesë gjërave të domosdoshme të njeriut si: feja, trupi, mendja, pasuria dhe familja.


Legjitimiteti i dhurimit - transplantimit të organeve
Dijetarët e hershëm islamë, duke u bazuar në parimin e njohur sheriatik: "Njeriu nuk posedon të drejtën të veprojë në trupin e tij asgjë, ta dhurojë apo ta shesë atë, sepse ai është në pronësi të Allahut dhe të askujt tjetër"(5), mendojnë se dhurimi apo transplantimi i organeve është i ndaluar.
Allahu xh. sh. thotë në Kuran: "Allahu është krijuesi i çdo sendi dhe Ai është mbikëqyrës i çdo gjëje" (Ez Zumer: 62) "Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur." (Et - Tin: 4)
Argumenti kryesor që dijetarët e mëhershëm kanë përdorur për ndalimin e dhurimit apo transplantimit të organeve është se ndalohet shtrembërimi i trupit dhe prerja e organeve të tij, duke e ruajtur jetën e individit, apo duke pamundësuar rrezikimin e shkatërrimit të njeriut. Allahu xh. sh. thotë: "Dhe jepni për në rrugë të Allahut e mos e hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë, se me të vërtetë Allahu i do bamirësit." (El- Bekare: 195)
Dhuruesit nuk lejohet që t'i shkaktohet dëm qoftë i madh apo i vogël e për këtë kemi argumentin nga tradita profetike, i Dërguari i Allahut a.s. thotë: "Mos dëmtoni e as mos u dëmtoni."(6)
Gjithashtu këta dijetarë ndalimin e dhurimit apo transplantimit të organeve e mbështesin në rregullin e fikhut: " Largimi i dëmeve është me primar sesa prurja e dobive."(7)
Dhe këto janë argumente të qarta se nuk lejohet marrja apo dhurimi i një gjymtyre të trupit për ta mbjellë apo vendosur në trupin tjetër qoftë për mjekim apo për diçka tjetër.
Ndërsa dijetarët bashkëkohorë islamë, duke i shqyrtuar edhe një herë këto argumente dhe duke u bazuar në rregullat e përgjithshme të vendosura nga juristët islamë, arritën në një përfundim se lejohet dhurimi i organeve të trupit të njeriut me kushte dhe rregulla të posaçme.
Lejohet transplantimi i një organi nga një vend i trupit në një vend tjetër të të njëjtit trup, duke treguar kujdesin që dobia e këtij operacioni të jetë më e madhe sesa dëmtimi i mundshëm, dhe me kushtin që ky operacion të kryhet me qëllim të vendosjes së një organi të humbur, kthimit të formës normale, për ta vënë në funksion përkatës, për ta larguar një të metë apo një gjymtim që shkakton dëmtim fizik apo kokëçarje psikike.
Lejohet transplantimi i organit nga një trup në trupin tjetër, nëse ai organ ripërtërihet, sikurse lëkura dhe gjaku, apo organet pa të cilat njeriu mund ta vazhdojë jetën normale. Por, duhet të kihet parasysh kushti që dhuruesi të jetë kompetent që të vendosë vetë për veten e tij.
Lejohet transplantimi i një organi nga një njeri i vdekur për një të gjallë, i cili organ është kyç për jetën e njeriut apo për funksionimin e shëndoshë të një organi të rëndësishëm, por gjithnjë me kushtin që i vdekuri ta ketë lënë testament këtë ose me lejen e trashëgimtarëve apo prijësit të myslimanëve.
Duhet theksuar se dijetarët islamë lejimin e transplantimit të organeve në rastet e sipërpërmendura e kanë kushtëzuar që të mos bëhet me shitje apo me dhunë dhe me kushtin që të vërtetojnë dy mjekë se personi, të cilit i merret organi, mund ta vazhdojë jetën normale edhe pa të. Sa i përket dhuratës që dikush mund të japë për personin që ka dhuruar organin, Jusuf Kardavi potencon se lejohet që personi që ka transplantuar një organ t'i japë dhuratë dhuruesit, mirëpo kjo të mos ketë qenë e kushtëzuar para transplantimit, e, nëse ka qenë e kushtëzuar, atëherë nuk lejohet.
Ndalohet transplantimi i organit që është kyç për jetën e njeriut, sikurse që është zemra, po ashtu ndalohet edhe transplantimi i spermatozoideve, sepse mund të krijojë përzierje të trashëgimtarëve.(8)
Argumentet në të cilat mbështeten këta dijetarë për lejimin e dhurimit apo transplantimit të organeve, janë ajeti kuranor, ku Zoti thotë: "E kush shtrëngohet (të hajë nga këto) duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, për të nuk është mëkat. Vërtet Allahu fal, është mëshirues." (El- Bekare: 173)
Duke u bazuar në këtë ajet të Kuranit, nxjerrin rregullën: "Domosdoshmëria e lejon të ndaluarën."
E po ashtu rregulla: "Nevoja zë vendin e të domosdoshmes, qoftë ajo e përgjithshme apo e posaçme."
Allahu thotë: "E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t'i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit." (El - Maide: 32)
E, sa u përket argumenteve me të cilat dijetarët e hershëm kanë argumentuar se nuk lejohet dhurimi apo transplantimi i organeve, për shkak se vihet jeta e tij në rrezik, dijetarët bashkëkohorë kanë thënë se operacionet që bëhen në kohën e sotme zhvillohen me mjetet më të sofistikuara dhe nuk shkohet deri te masakrimi dhe gjymtimi i organeve të tjera, por në qoftë se vjen puna deri te shkatërrimi i personit me anë të këtyre operacioneve, atëherë edhe këta dijetarë e ndalojnë.
Këto mendime i mbështet Asambleja e Akademisë së Fikhut Islam, e cila në sesionin e mbajtur në Mekë me datë 19 - 28.01.1985, ka marrë vendim se lejohet marrja, dhurimi i organeve të njeriut dhe transplantimi në trupin e njeriut tjetër, i cili gjendet në një situatë domosdoshmërie për ta shpëtuar jetën apo për ta kthyer në funksion një organ tjetër. Kjo nuk bie ndesh me fisnikërinë e njeriut të cilit i është marrë kjo pjesë.(9)
Gjithashtu Akademia Evropiane për Kërkime dhe Fetva mbështet plotësisht vendimin e Asamblesë së Fikhut Islam për dhurimin dhe transplantimin e organeve prej një njeriu në tjetrin qoftë i gjallë apo i vdekur.
Edhe qëndrimi i dijetarëve të "Al Azhar"-it është i njëjtë, lejojnë dhurimin apo transplantimin e organeve qoftë nga i gjalli apo i vdekuri, porse pjesa dërmuese e këtyre dijetarëve thonë se vdekja e personit nuk, llogaritet si vdekje e vërtetë kur i ndërpritet zemra apo truri (vdekja klinike). Ndërsa Jusuf Kardavi vdekjen e llogarit me mosfunksionimin të zemrës dhe të trurit.
Po ashtu të këtij mendimi se lejohet dhurimi dhe transplantimi i organeve, janë edhe dijetarët Vehbetu Zuhejli dhe Jusuf Kardavi, i cili thotë: "S'ka dyshim se dhurimi i organeve të njeriut lejohet dhe është shumë i pëlqyer nëse bëhet sipas kushteve të vendosura për këtë operim. Kjo llogaritet në kuadër të sadakasë, nëse dikush jep sadaka për ta shpëtuar një të varfër, atëherë dhurimi i organeve për ta shpëtuar një të sëmurë, pa dyshim është një sadaka më e madhe."(10)


Rregullat që duhen përmbushur për dhurimin e organeve


Njeriu për të dhuruar organet pa dyshim se duhet t'i plotësojë disa kushte e që janë:


1. Që të ketë trupin e shëndoshë, pjesën apo organin që dhuron ta ketë të shëndoshë, por edhe pjesët e tjera të jenë të shëndosha, që të mos dëmtohet personi që e dhuron.
2. Lejohet dhurimi i organeve që janë çift dhe pa njërin organ të të cilit çift jeta është e mundur. Nga kjo nënkuptohet se nuk lejohet dhurimi i organeve që janë teke, siç është zemra, rregulla e sheriatit thotë: "Dëmi largohet aq sa ka mundësi."
3. Nuk lejohet të dhurohet diçka për të-cilën ti ke nevojë. Rregulla thotë: "Dëmi nuk largohet me dëm të ngjashëm ose me dëm më të madh." "Atruizmi në gjëra që kemi nevojë është mekruh, ndërsa në të tjerat është i pëlqyer."
4. Nuk lejohet dhurimi i organeve nga ata që nuk kanë të drejtë, si fëmija apo i çmenduri, pra duhet të jetë i moshës madhore dhe të jetë i mençur, po ashtu nuk lejohet që kujdestari të dhurojë organin e tjetrit e as udhëheqësi i myslimanëve.(11)


Marrja e organeve nga i vdekuri


Akademia e Fikhut Islam në Xhide ka marrë vendim se lejohet marrja e organeve nga i vdekuri dhe transplantimi në trupin e të gjallit vetëm atëherë kur nuk gjendet diçka çka e zëvendëson këtë. Kjo duke u bazuar në rregullat e përgjithshme të fikhut.(12)
Gjithashtu kjo duhet të ndodhë atëherë kur për këtë vendos mjeku mysliman i besueshëm se organi i marrë nga i vdekuri mund të funksionojë pa problem. Por, paraprakisht duhen bërë analiza për këtë, si grupin e gjakut nëse e kanë të njëjtë apo jo, nëse ka ndonjë sëmundje që mund të përhapet tek i gjalli etj ..
Marrja e organeve bëhet vetëm atëherë kur i vdekuri, para vdekjes ka qenë dhurues, ka lënë testament për dhurimin e organeve, trashëgimtarët në këtë rast nuk kanë të drejtë të ndryshojnë testamentin. E, sa i përket asaj që i vdekuri nuk lë ndonjë testament, atëherë e drejta për dhurimin apo jo të organeve u takon trashëgimtarëve dhe udhëheqësit të myslimanëve.
Pothuajse të gjithë dijetarët janë të mendimit se lejohet marrja e organeve të të vdekurit, mirëpo kanë dallime në përcaktimin e vdekjes.
Marrja e organeve nga i vdekuri nuk bie ndesh me shenjtërimin e kufomës, ngase ky operim sot bëhet me mjete që nuk e dëmton as të gjallin e as të vdekurin.
Se a e posedon njeriu trupin e tij, a është pronar vetëm njeriu apo trupi është pronë e Allahut, dr. Jusuf Kardavi thotë: "Çdo gjë që është në këtë gjithësi i takon Allahut, është pronë e Allahut." Allahu në Kuran thotë:
"Vetëm të Allahut janë gjithë çka ka në qiej e gjithë çka ka në tokë ... " (El- Bekare: 284)
Njeriu nuk është pronar i vërtetë as i parasë, pasurisë së tij. Allahu është Ai që e ka dërguar pasurinë, e ka krijuar, pasuria është krejt e Allahut. Allahu xh.sh. thotë: "Dhe jepni nga pasuria që Allahu ju ka dhënë juve" (Nur: 33)
Siç na ka lejuar Allahu xh. sh që të dhurojmë apo shpenzojmë me kujdes pasurinë tonë, në të mirën tonë dhe njerëzimit, na e lejon të sillemi me trupin tonë me kujdes. A lejohet dhurimi i gjakut për të shpëtuar miliona njerëz? Ashtu lejohet edhe dhurimi i organeve tona edhe pas vdekjes sonë që ta shpëtojmë një njeri. Trupi dhe gjithçka që kemi është i Allahut, por Allahu na ka dërguar mëkëmbës të Tij në tokë.
Dhënia apo marrja e organeve nga jomyslimanët Të gjithë myslimanët që jetojnë në vendet joislame ballafaqohen me këtë problem. Ata janë të detyruar të marrin organe nga spitalet që i mbajnë këto organe, në të shumtën e rasteve dhuruesit e këtyre organeve janë jomyslimanë.
Jusuf Kardavi thotë: "Lejohet marrja e organeve nga jomyslimanët, sepse organet nuk kanë të bëjnë me përkatësinë mysliman apo jomysliman, organet e njeriut janë krejt myslimane, ato të gjitha i bëjnë tesbih Allahut xh.sh .. Gjithashtu lejohet dhurimi i organeve tona jomyslimanëve, ashtu siç lejohet t'u jepet sadaka jomyslimanëve."(13)
Allahu në Kuran thotë: "Ata janë që për hir të Tij u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të zënëve robër" (Insan: 8)
Të burgosurit në kohën e Pejgamberit a.s. kanë qenë mushrikë-jobesimtarë dhe prapë se prapë Allahu i ka urdhëruar që t'i ushqejnë ata.


Marrja e organeve nga shtazët


Nëse e vërtetojnë mjekët se kjo është e mundur dhe e nevojshme, atëherë duke u nisur nga rregulla: "Domosdoshmëria lejon të ndaluarën" dhe nga ajeti kuranor: "E kush shtrëngohet (të hajë nga këto) duke mos pasur për qëllim shijen dhe duke mos e tepruar, për të nuk është mëkat. Vërtet Allahu falë, është mëshirues." (El-Bekare: 173).
Dijetarët bashkëkohorë kanë arritur në përfundimin se lejohet marrja e organeve të kafshëve, pa marrë parasysh a janë të pastra apo jo, se në fakt ato të gjitha janë të ngordhura ..
Nga gjithë kjo që u përmend më lart, mund të përfundojmë se lejohet dhurimi apo transplantimi i organeve të trupit, nëse kjo bëhet sipas rregullave të caktuara nga dijetarët bashkëkohorë islamë.


 


(1) Ahmed Hasen, Kadaja fikhijetu muasiretu, 2003, fq. 197.
(2) Muslimi, 2564.
(3) Ebu Davudi, 3207.
(4) Es - Sujuti, Ibn En-Nuxhejm, El-eshbe ve en-nedhair.
(5) Vehbetu Zuhejli, fiqh.islammessage.com.
(6) Ibn Maxhe, 2341.
(7) Ibn Nuxhejm, El-eshbai ve-nedhair.
(8) www.drabdulsalamalabbadi.com.
(9) www.fiqh.islammessage.com.
(10) www.aljazeera.net.
(11) Ahmed Hasen, Kadaja fikhije rnuasire, fq. 197.
(12) www.themwl.org.
(13) www.aljazeera.net



Literatura:


1. Kurani i madhërishëm, mbështetur në përkthimin e Hasan Nahit (2013), Tiranë,
2. Sahihu Muslim, Sherh En-Nevevi, Kairo.
3. Sunen Ebu Davudi, Kairo.
4. Ibn Nuxhejm, El - eshbah ve en-nedhair.
5. Es - Sujuti, EI- eshbah ve en-nedhair.
6. Ahmed Hasen, Kadaja fikhije muasire (2003), Damask.
7. Muhamed Seid El Buti, Kadaja fikhije muasire (2001), Damask.
8. Muhamed Zuhejli, Hukuk el-insan fil-Islam (2004), Damask.
9. Vehbetu Zuhejli, Kadaja fikhije (2007), Bejrut.
10. www.themwel.org.
11. www.fiqh.islammessage.com.
12. www.vb.khutabaa.com.
13. www.aljazera.net.
14. www.drabdulsalamalabbadi.com