(Morali i shëndoshë, dëshmi e besimit të vërtetë)
Me moralin e shëndoshë është për qëllim vlera e përsosur e njeriut, stabile dhe e vazhdueshme në çfarëdo situate a gjendje.
Ç'vend zë morali në fenë islame?
Në Kuran dhe në traditën profetike morali zë një vend të posaçëm, sepse është një nga katër komponentët bazë të Islamit, bashkë me besimin, adhurimet dhe transaksionet.
Ka një lidhje të ngushtë në mes besimit dhe moralit, prandaj ai që ka humbur besimin, e ka humbur edhe moralin, dhe anasjelltas. Pejgamberi a.s., ka thënë: "Besimi dhe morali janë krahas njëri-tjetrit, kur ngrihet njëri, ngrihet edhe tjetri, kur bie njëri, bie edhe tjetri", apo: "Besimtari me iman më të plotë është ai që ka moralin më të mirë". Po ashtu, ky moral është më i shpërblyeri edhe në botën tjetër, siç thotë i Dërguari a.s.: "Nuk ka gjë që në Ditën e Gjykimit peshon me shumë sesa morali i mirë", si dhe: "Më së shumti që i fut njerëzit në Xhenet është devotshmëria dhe morali i mirë".
Edhe pse disa i japin përparësi kryerjes së namazeve dhe agjërimeve nafile, si mekanizëm për afrim tek Allahu xh.sh., në Islam, realisht, pas adhurimeve obligative, çmohet sjellja dhe morali i besimtarit, siç thotë edhe Pejgamberi a.s.: "Besimtari do të arrijë gradën e agjëruesit vullnetar dhe namazfalësit vullnetar (nafile) me një moral të mire".
Morali, qëllim i ardhjes së Muhamedit a.s.
Vetë ardhja e Tij, s.a.v.s., kishte si mision këtë gjë: "Vërtet jam dërguar që t'i plotësoj vlerat e moralit", ndonëse edhe para mesazhit të tij në mesin e njerëzve ekzistonin morale, që ose respektoheshin nga tradita e pejgamberëve paraprakë, ose ishin formuar si të tilla nga nevojat njerëzore. Por, ato ishin të devijuar dhe cunguara, për çka duhej përsosur dhe vënë në binar të shëndoshë. Kurse, përditshmëria në jetën e Muhamedit a.s., plotësisht është e mbushur me shembuj të moralit të përsosur, e që buron nga edukimi hyjnor. Kur e pyeten Aishen r.a., për sjelljen e Pejgamberit a.s., ajo tha: "Morali i tij është Kurani". I Dërguari ynë në Kuran nuk u lavdërua për namazin e tij të gjatë, e as për agjërimin e shpeshtë, por mbi të gjitha për moralin e tij: "Vërtet ti je në një shkallë të lartë të moralit!" (El Kalem, 4).
Ai shpesh edhe lutej: "O Allah, më oriento drejt moralit të mirë, në të cilin nuk orienton askush pos Teje, dhe largoje prej meje moralin e keq, e nga i cili nuk largon kush pos Teje". Po ashtu, kur shikohej në pasqyrë, lutej: "O Zoti im, ashtu si me ke zbukuruar pamjen time të jashtme, ma zbukuro edhe moralin tim!"
Ibadeteti në shërbim të moralit
Pa moral ibadeti mbetet vetëm si ritual dhe si lëvizje në të cilën nuk ka kurrfarë vlere, e as dobie? Në fenë islame nuk ka mospërputhje mes adhurimeve dhe sjelljeve. Ato janë të lidhura shumë ngushtë mes vete, prandaj vërejmë se ibadetet obligative në Islam marrin peshën e vet kur vihen në funksion të përsosjes së moralit të besimtarit. Farzet me të cilat Islami i obligoi pasuesit e tij, janë "ushtrime" sistematike për ta adoptuar njeriun në jetësimin e moralit të vërtetë, dhe të vazhdojë t'i qëndrojë këtij morali, pa marrë parasysh ndryshimet e rrethanave para tij.(2)
Allahu i Madhërishëm për namazin thotë: "...fale namazin, se vërtet namazi ndalon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat" [El Ankebut, 45). Po ashtu, zekati është një prej formave më të mira të pastrimit të shpirtit nga egoizmi dhe dorështrëngimi: "Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë që t'i pastrosh me të dhe t'u shtosh (të mirat)!" (Et Tevbe, 103). Agjërimi nuk është thjesht një ritual i abstenimit nga ushqimi e pija. Ai synon që njeriu ta ngrejë në nivelin e koshiencës mbi veprimet e tij në skajshmëri: "Nëse dikush prej jush është agjërueshëm, mos të flasë fjalë të këqija. Nëse dikush të fyen apo të lufton thuaj: Unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm." Edhe haxhi, një nga obligimet madhore islame, që kryhet në një mjedis të dendur me besimtarë nga katër anët e botës, kulturash e nivelesh shoqërore të ndryshme, sfidon individin në ballafaqim me situata të paimagjinueshme në jetën e tij të përditshme, andaj edhe me kohë i është bërë vërejtje që, krahas respektimit të dispozitave të adhurimit, të ketë kujdes sjelljet e tij me njerëzit (Shih: El Bekare, 197).
Rreziku i mospërputhjes mes adhurimit dhe moralit
Sa njerëz veten e konsiderojnë religjiozë, madje dhe predikojnë religjionin, kurse për nga sjellja e morali janë materialistë të përbetuar.(3) Ka prej besimtarëve që në të kuptuarit dhe zbatuarit e normave islame, sa i përket adhurimit dhe moralit, kanë një veprim të kundërt. Ndodh që të jetë shumë i përpiktë në namazin e tij në xhami, por jashtë saj është tërësisht tjetër. Ky ndryshim nuk është produkt i të kuptuarit të drejtë të Islamit, e me të as që përfaqësohet personaliteti i myslimanit.
Njerëzit në këtë çështje ndahen në dy grupe:
1. Adhurues, por me moral të dobët; dhe
2. Me moral të mirë, por jo adhurues.
Që të dy tipat janë të papranueshëm. Muhamedi a,s. ka thënë: "Pasha Allahun, nuk ka besuar, pasha Allahun, nuk ka besuar, pasha Allahun, nuk ka besuar!" I thanë: "Kush, o i Dërguari i Allahut?" Ai tha: "Ai, prej të këqijave të të cilit nuk është i sigurt fqinji i tij."
Erdhën disa njerëz te i Dërguari i Allahut a.s., dhe i thanë: "Filanja përmendet për namazin, agjërimin dhe sadakanë e shumtë, përkundrazi që ajo i bën keq fqinjëve të saj." Ai tha: "Ajo është në zjarr." Pastaj e përmendën tjetrën, të njohur me pak namaz, agjërim e sadaka, por që nuk u bënte keq fqinjëve të saj. Ai tha: "Ajo është në Xhenet." Gjithashtu, i Dërguari ka thënë: "Njeriu me pozitën më të keqe në Ditën e Gjykimit është ai prej të cilit njerëzit largohen duke iu ruajtur sherrit të tij." Me një rast iu tha të pranishmëve: "E dini ju kush është i falimentuari?", I thanë: "Ai që nuk ka dirhem e asgjësend." Tha: "I falimentuar është ai që në Ditën e Gjykimit vjen me namaz, agjërim e zekatë, por që ka ofenduar këtë, e ka rrahur atë, ka derdhur gjakun e këtij, ka ngrënë pasurinë e atij. Ky ia merr të mirat e tij, derisa t'i përfundojnë ato, pastaj u merren të këqijat e tyre, i hedhen atij, dhe hedhet në zjarr bashkë me to".
Shëmbëlltyra me moral, ftesa më e mirë për në Islam
Sa më shumë që shfaqen shembujt e myslimanit të vërtetë, aq me shumë mbesin nën hije dhe pa ndikim shembujt e myslimanit jokorrekt, të tillëve siç i përmendëm më lart (adhurues, por me moral të keq).
Sjellja dhe virtytet e larta janë një mekanizëm mjaft efikas në plasimin e Islamit te masat, ashtu siç ishte edhe shembulli i Pejgamberit tonë, i cili aq sa ftonte njerëzit në besim me fjalët e tij, po aq e shtrinte ndikimin tek ata me karakterin e lakmueshëm për miqtë dhe armiqtë sa nuk ngurronin të tregonin gjendjen e tyre para se ta takonin të Dërguarin a.s., që e mendonin si njeriun më të keq në fytyrë të tokës. Mirëpo, pas takimit me të ai iu dukej njeriu më i pranuar dhe më i dashur për ta. Disa madje shpreheshin: "E kemi parë Islamin në fytyrën e Tij a.s., para se të dëgjonim me fjalë nga goja e Tij a.s."
Nga thirrësi islam kërkohet që ai, në radhë të parë, të llogaritë veten e tij para se t'i llogaritë të tjerët, të edukojë veten e tij para se të vihet në veprim për edukimin e të tjerëve.(4)
S'do mend se sot sjelljet jokorrekte të pjesëtarëve të kësaj feje, të cilat u kundërvihen parimeve bazë të saj, kanë bërë që opinioni joislam të ketë një bindje të gabuar ndaj vetë Islamit. Madje, disa vetëm me të dëgjuar fjalën "Islam", u vjen ndërmend: dhuna ndaj femrës dhe kufizimi i lirive të saj; vrasjet dhe terrori; prapambeturia, e kështu me radhë. Kjo si pasojë e propagandës mediatike të fokusuar në grupe të caktuara nga mesi i myslimanëve, të cilët edhe pse thirren në emër të Islamit janë shumë larg nga ai.
Si mund ta përsosim moralin?
Meqë morali është një gjë që te njeriu ndryshon varësisht nga fuqia e besimit, pjekuria e tij intelektuale, edukata familjare dhe rrethi ku jeton, me ndryshimin e këtyre faktorëve edhe mund të vijmë te një standard i dëshiruar i moralit. Për këtë qëllim Allahu xh.sh., dërgoi Pejgamberët e shumtë, dhe atë në çdo popull, që të ndryshojnë dhe avancojnë për të mirë sjelljet e njerëzve, Rol të madh në këtë drejtim luan edhe këshilla, ligjërimi fetar, hytbet dhe tubimet edukative. Në shërbim të kësaj janë vendosura edhe ligjet shtetërore, sanksionet e ndëshkimet për sjelljet devijante, e po ashtu edhe institucionet korrektuese, në mënyrë që të arrihet te korrigjimi apo edhe izolimi i të keqes.
Nuk ka dyshim se ligji është më se i domosdoshëm për të rregulluar marrëdhëniet në shoqëri, vetëm se ai nuk mjafton për të formuar sjelljet e njeriut. Kjo ngaqë pushteti i tij është mbi të dukshmen, jo mbi të padukshmen, ndërsa efekti i tij ndihet në marrëdhëniet shoqërore e jo në interesat personale.(5)
Mbi të gjitha duhet vullnet dhe dëshirë që njeriu të ndryshojë veten e tij drejt një morali fisnik, siç ka thënë edhe Muhamedi a.s.: "Kush kërkon dëlirësinë, Allahu ia jep dëlirësinë. Kush kërkon pasurimin, Allahu ia jep pasurinë. Dhe kush kërkon durimin, Allahu ia jep durimin."
Për korrigjimin dhe ngritjen e moralit individual do të ishin mjaft të rëndësishme edhe këto këshilla:
1. Njohja me parimet islame dhe rëndësinë që ka morali në besim. Leximi i Kuranit dhe komentit të tij, me qëllim që të kuptohen sa më thellë kërkesat kuranore për një moral që kërkohet nga myslimani;
2. Njohja me normat e moralit të kërkuar, siç është: drejtësia, sinqeriteti, besnikëria, mbajtja e fjalës së dhënë, mëshira, bujaria, ndihma dhe solidariteti, trimëria dhe guximi, vendosmëria, modestia, mbajtja e zemërimit, falja, etj.;
3. Njohja e rrezikut nga morali i keq, dhe largimi prej këtyre veprave si: padrejtësia, mendjemadhësia, rrena, shpifja, tradhtia, mashtrimi, frika, arroganca, koprracia, nënçmimi, përgojimi, përtacia, etj.;
4. Njohja me jetën e të Dërguarit a.s., me anën praktike dhe të sjelljes së tij në situata të ndryshme dhe me njerëz të ndryshëm, duke u munduar që ato sjellje të përvetësohen për aq sa ka mundësi: (Shih: El Ahzab, 21);
5, Leximi i jetës së sahabëve, që ishin ndjekësit më besnikë të Pejgamberit a.s., dhe shembujt më të mirë pas tij;
6. Dëgjimi i ligjëratave dhe i këshillave që trajtojnë vlerën e sjelljes së mirë dhe rrezikun nga devijimet morale;
7. Krijimi i atmosferës familjare, ku përkrahet dhe stimulohet morali i mirë, kurse gjykohet dhe sanksionohet rreptë e keqja;
8. Shoqërimi me njerëz që janë të stolisur me moral të lartë, për të përfituar nga praktika e tyre e përditshme dhe e natyrshme;
9. Vetëllogaria e kohëpaskohshme e sjelljes personale në raport me të tjerët, shpejtimi në ndryshimin e veprave të gabuara dhe avancimi i atyre që janë të mira;
10, Lutjet e vazhdueshme që Allahu të na stolisë me moral dhe edukatë të mirë, dhe të na mbrojë nga veset e liga që çojnë në uljen e karakterit.
____________
(1) Fet'hi Jeken, Ç'do të thotë përkatësia ime në Islam, SHB "Furkan ISM", Shkup, 2005, f. 34.
(2) Muhamed El Gazali, Hulukul muslim, Darul kalem, Damask, 1994, f. 7.
(3) Alija Izetbegoviq, Islami ndërmjet lindjes e perëndimit, Përpjekja rinore, Prishtinë, 1999, f. 180.
(4) Fet'hi Jeken, Barkat e shpëtimit në jetën e thirrësve, Forumi Rinor Islam, Shkup, f, 63.
(5) Dr. Jusuf Kardavi, Besimi dhe Jeta, Furkan ISM, Shkup, 2010, f. 205.
Dituria Islame 296