Në historinë e njerëzimit jo rrallë herë gjenden ndodhi që flasin se palë të caktuara me mish e me shpirt janë munduar që të diktojnë në masë një opinion të caktuar për një popull dhe për evenimentet e tij më të rëndësishme, gjegjësisht kanë plasuar dyshimet për atë që mund të quhet “teatër kukullash” ku lëvizja e gjymtyrëve të kukullave nuk bëhet nga vetë kukullat, por bëhet nga persona të cilët qëndrojnë në prapaskenë, pas perdeve, dhe përmes perit i lëvizin pjesët e kukullave.
Logjika e “teatrit të kukullave” nuk është ndalur së vepruari në botë, jo vetëm në kuptim të zhvillimit të këtij arti dhe teatrit, por edhe në kuptim të angazhimit të megatrafikantëve të shpifjeve dhe manipulimeve me opinionet publike për ta thyer kurrizin e lavdisë së popujve dhe nëpërkëmbjes së historisë dhe ndodhive që ndryshuan historinë dhe pozitën e popujve përkatës në arenën ndërkombëtare.
Megalomanët që mundohen të bëjnë aventura me historinë dhe dinjitetin e popujve, për qëllime të caktuara, që sido që të cilësohen nuk dalin nga vlerësimi se janë të pista, nuk kanë pushuar së gjurmuari pas kukullave të cilave do t’u vejnë penj dhe përmes tyre do të demonstrojnë lojë sa të turpshme aq edhe të rrezikshme për historinë dhe lavdinë e një populli, duke formuar në këtë mënyrë një teatër të mbrapshtë ku gjejnë prehje vetëm shtrigat dhe plangprishësit që paaftësinë e tyre nuk pritojnë ta mbulojnë me çfarëdo shfaqje komprometuese, edhe nëse ua prek dinjitetin si pjesëtar të një populli.
Çdo popull ka historinë e vet të lavdishme, datat dhe ngjarjet që e kanë shënuar ekzistimin dhe mbijetesën e tij nëpër periudha historike plot me stuhi e rreziqe, dhe me këtë memorie dhe çantë të historisë ata dalin para brezave të rinj për t’i hapur para tyre momentet e rëndësishme të etërve e katragjyshërve të tyre, të cilët dhanë çdo gjë që këta sot të mund të kultivojnë ndjenja për një të ardhme të ndritshme, të dëgjojnë për ta, për trimërinë, nderin, burrërinë dhe mençurin e tyre që e vunë në shërbim të mbrojtjes së kauzës së drejtë të popullit të tyre. Por, nga ana tjetër, dorët e zgjatura të çobanëve të ngelur pa kope dhe pa fyell, vazhdojnë të zgjaten për të hedhur baltë mbi ato fletë të bardha të historisë që duhet të jenë simbol krenarie e burim guximi dhe fuqie, e jo shenjë turpi dhe pesimizmi.
Në hapësirat ballkanike, pa mos përjashtuar hapësirat tjera, në të gjitha periudhat, e në veçanti pas luftës së dytë botërore, si rezultat i laramanisë etnike, religjioze, politike dhe rëndësisë gjeopolitike të rajonit dhe gërshetimit të interesave të fuqive të mëdha, kanë qenë mjaft aktive shërbimet sekrete të spiunimit, dhe këtë gjë e kanë ditur bile edhe fëmijët, ngase prindërit si zakonisht i kanë porositur që të jenë të kujdesshëm çka flasin nga shkaku se ka shumë spiunë dhe argat të huaj të cilët u çojnë informata tjerëve. Dhimbjen e këtyre shërbimeve të spiunazhit më së tepërmi e kanë ndier shqiptarët, të cilët kanë qenë cak numër një i pushteteve komuniste, shumica sllave, në hapësirat ballkanike.
Ndoshta aktivizimi i shërbimeve të këtilla në dëm të popullit shqiptar mund të kuptohet kur flitet për periudhën e monizmit, por, aktivizimi i shërbimeve të këtilla edhe në dekadën e parë të shekullit XXI, përmes argatëve shqipfolës në planin historik, është dukuri që do qasje më serioze.
Është e vërtetë se shërbimet kanë pasur argatë çdo herë, por ajo që ndodh sot është shumë më e tmerrshme se ajo që ka ndodhur në të kaluarën.
Më herët, kukullat e teatrit të spiunimit kanë pasur detyrë që të spiunojnë njerëz në kuptimin klasik që t’i ndjekin se çka bëjnë dhe pastaj të raportojnë në polici, edhe pse nuk mohohen edhe format tjera të sofistikuara të spiunimit, ndërkaq sot, jemi përballë shërbimeve të cilat duan ta thyejnë lavdinë dhe krenarinë e një populli, ta njollosin historinë dhe të arriturat e tij dhe të futin dyshim në çdo figurë që ka lënë gjurmë në historinë e tij.
Funksionarët e lartë të shërbimeve të huaja sekrete në ditët e sotme mundohen të futin dyshim te pjesëtarët e një populli për historinë dhe të arriturat e tij, përmes duarve të atyre që janë të gjakut po të këtij populli duke nxjerrur në opinion letra me shkronja që disa herë janë të fotokopjuara e disa herë me ngjyra, për të treguar se të parët tuaj që ju u keni shkuar pas, në fakt kanë qenë njerëzit tanë dhe kanë vepruar me insturksione nga ne. Këto letra opinioni i njeh me emrin dosje.
Edhe pse në shikim të parë duket biznes dhe përfitim material, kjo dukuri i tejkalon këto kufij dhe shkon shumë më larg se kaq. Në fakt, në këtë mënyrë palë të caktuara mundohen ta mposhtin një popull, të tregojnë se ju nuk keni histori tuajën autoktone të pastër, por çdo gjë që e keni arritur është bërë nga ne. Duan të tregojnë se ky popull nuk ka burra të mençur të bëjnë punë, por ata i kanë trajnuar për të bërë diçka; se historia e këtij populli dhe ngjarjet më të lavdishme të tij, në fakt janë të gatuara në kuzhinat e huaja, në këtë rast të armiqve më të mëdhenj të këtij populli, sllavëve të jugut. Çdo gjë që e paskemi bërë, e kemi bërë sipas skenarit të shërbimeve sekrete që më së tepërmi na kanë dhunuar, dhe figurat që ngritën penën për t’u shkruar historia e moderne e këtij populli në një faqe të re, qenkan të gdhendur në punëtori të huaja. Thënë ndryshe, me këtë tentohet të na thuhet neve se nuk vlejmë kurrgjë dhe nuk kemi kurrgjë, por ato gjëra që ne i konsiderojmë të arritura, në fakt tjerët na i kanë planifikuar dhe menaxhuar, gjegjësisht shërbimet sekrete sllave.
Nuk mund të mohohet kategorikisht se shërbimet sekrete nuk kanë argat të tyre edhe të gjakut tonë. Por, assesi këta shërbime nuk janë hartues të historisë tonë dhe nuk janë mbështetës të kauzës tonë dhe skenar të ngjarjeve më të rëndësishme të këtij populli. Ky popull, gjysh i Ballkanit, ka pasur dhe ka koka të mençura që të mendojnë për të ardhmen e tij dhe të brezave të ardhshëm, ta zgjedhin atë që është ma e drejtë për ta dhe të punojnë në drejtim të ngritjes dhe favorizimit të tij në rajon dhe më gjerë në botë.
Është çmenduri të mendosh se shërbimet që kanë punuar ta shuajnë edhe zërin më të ulët të bijve të këtij populli, kanë punuar për ta ngritur dhe faktorizuar këtë popull në rajon. Luftërat çlirimtare në trojet shqiptare në Ballkan, nuk u planifikuan nga qendrat sllave, por u nisën nga bijtë e këtij populli që u shtyp nga dora sllave me vite.
Ata që kanë pranuar të luajnë në këto teatre të turpshme, le ta venë gishtin në mend dhe le të mendohen mirë, se për qëllime meskine nuk i bëhet shërbim armikut për ta njollosur historinë dhe ngjarjet e lavdishme të popullit tënd.