Aspekte të filleve të filozofisë dhe kulturës perëndimore në kontekstin shoqëror, politik dhe kulturor të kohës(1)
Paraqitja dhe shtrirja e Krishterimit në Evropën Perëndimore
Kontaktet e para të myslimanëve me territorin e Mediteranit kanë ndodhur qysh në pjesën e dytë të shekullit VII, kurse nga fillimi i shekullit VIII ato kontakte u shndërruan në bashkëjetesë dhe bashkëpunim, që me variacione do të zgjasin deri në ditët tona. Këto kontakte e pastaj edhe jeta në fqinjësi, shtrihej nga Spanja prej vitit 710 e më pastaj, nëpër ujdhesat e Mediteranit, Sicilinë e Italinë Jugore dhe pjesët tjera në juglindje, lindje etj.. Paganizmi në fikje dhe Krishterimi ende i brishtë, iku drejt Perëndimit dhe Veriut, i pafuqishëm për t’i bërë ballë frymës së re islame. E vetmja pikë pozitive e kësaj kohe në Perëndim, ishte prania e mbretit Charlemagne (vd. 814)(2), i cili ndihmoi shkencën e artin dhe nga kjo kohë kemi disa figura të njohura, si John Scotus Eriugeni, Alcuini etj..
Vështirësi tjetër për Perëndimin ishte edhe depërtimi avar(3) dhe sllav(4) në Ballkan, në Evropën lindore dhe natyrisht në trojet ilire, me tendenca për t’u shtrirë në tërë Perëndimin. Numri më i madh i tyre (avarëve dhe sllavëve), me kalimin e kohës, do të krishteroheshin.
Mirëpo, këto ndryshime do të ishin të pavlefshme apo të zbehta, sikur të mos shfaqej Islami, i cili do ta ringjallte tërë këtë territor të gjerë, do ta dinamizonte dhe, për shumë shekuj, do t’u jepte vulën zhvillimeve me ndikime deri në ditët tona,(5). Megjithëkëtë, ardhja e Islamit në Evropë nuk çrrënjosi dhe as asimiloi Evropën e Krishterimin.(6) Historiani Henri Pirenne thotë: “Islami ka prishur unitetin e pellgut të Mesdheut, që pushtimi gjermanik nuk kishte mundur ta shkatërronte. Kjo është ngjarja më madhore e historisë së Evropës, që prej Luftërave punike. Ajo shënon fundin e Lashtësisë dhe, në çastin kur Evropa po shpejtonte të bëhej bizantine, fillimin e Mesjetës .” Marrjen e territoreve deri atëherë evropiane nga myslimanët, disa e quajtën “kohë e artë”. Përse kështu? Mendoj se kalimthi duhen analizuar arsyet përse prania e myslimanëve të quhej e artë, edhe pse do të duhej quajtur okupim, pushtim etj..
Transmetimi i traditës islame
Transmetimi i traditës dhe shkencës islame, në fazën e parë nëpërmjet përkthimit, e më vonë edhe me vepra origjinale, tradita perëndimore filozofike dhe shkencore mori hovin vendimtar. Këtë e kanë vërejtur edhe perëndimorët, duke thënë se “absorbimi i filozofisë aristoteliane nga ana e shkencëtarëve latinë është shumë i lidhur me zbulimin e tyre të mendimit arab.” Me rënien në dorë të të krishterëve, të dy qyteteve me traditë të pasur myslimane, të Toledos dhe Saragosës, në 1085 dhe 1118, dhe me rënien e Sicilisë më 1091, shumë, pothuaj, të gjitha dorëshkrimet, ranë në duar të pushtuesve evropianë.
Edhe pse deri atëherë evropianët kishin një qëndrim anti-shkencë, ata shpejt ndërruan bindje. U dhanë pas leximit dhe pastaj edhe pas përkthimit të trashëgimisë greke në gjuhën arabe, apo edhe trashëgiminë myslimane origjinale. Nga ata që u dalluan në këtë angazhim, është Raymond de Sauvetat, kryeipeshkv në Toledo në periudhën 1126-1151. Përveç Spanjës, ku u shquan qytetet Barcelona, Pamplona, Segovia dhe Leon, në këtë angazhim u dalluan edhe shtetet e Mesdheut, pastaj Sicilia, respektivisht qytet-shtetet që ranë në duar të tyre kohët e fundit. Nga ata që u dalluan është Herman Dalmatini, Robert Ketenezhani dhe Rodolphusi nga Brizhi, i cili ishte nxënës i Hermanit. Interesimi më i madh ishte për filozofinë (felasifa), kurse qendra kryesore ishte Toledo. Këtu vepronin dy grupe njerëzish, njëri me Dominicus Gundisalvus-in në krye, dhe i dyti me Gerardusin nga Kremona në krye. “Kështu në fund të shekullit XII Evropa ... ka mundur ta lexojë El-Kindiun, El-Farabiun, Ibn Sinain, madje edhe El-Gazaliun.” Ndikimi i filozofëve myslimanë dhe i veprave të tyre ishte shumëpërmasash, dhe sidomos në fushën e filozofisë, klasifikimin e shkencave etj. Kjo ishte forma e organizuar dhe e sistemuar e studimeve myslimane nga ana evropiane, sepse kontaktet e ndërsjella dhe mësimet e tyre i kemi edhe më herët, por në nivel primitiv dhe të paorganizuar.
Institucionet arsimore
Kontakti dhe fërkimi i Perëndimit me traditën myslimane dhe përkthimi i saj rezultuan edhe me shfaqjen e institucioneve të para arsimore e kulturore.
Duket se në këtë rrafsh prinë Universiteti i Oksfordit (Oxford, 1190) dhe ai i Kembrixhit (Cambridg, 1209).
Së pari studiohej matematika e astronomia, pastaj edhe filozofia, por edhe algjebra e gjeometria, mjekësia e Ibn Sinait. Në këtë angazhim u dallua mjaft edhe Universiteti i Parisit (1215). Me këtë institucion janë të lidhura personalitetet më të njohura, si: Toma Akuini, Roger Bacon, Sent Bonaventure dhe Duns Scotus. Ata lanë gjurmë të thella në shekujt vijues. Më vonë, më 1257, do të themelohej edhe Sorbona. Në atë periudhë e kemi edhe Universitetin e Bolonjës në Itali.
Këto lëvizje intelektuale rezultuan edhe me ngjarje në rrafshin politik. Monarkët anglezë dhe francezë triumfuan kundrejt Papatit. Po ashtu ndikuan edhe në formimin e disa shteteve të reja nacionale. Kjo ngritje e Perëndimit dhe rënia përfundimtare e myslimanëve në Spanjë, më 1492, ndikoi edhe në angazhimet e reja të Perëndimit. Këto ishin pushtimet e vendeve të reja, si zbulimi i Amerikës, zbulimi i rrugëve të reja detare si ajo për Indi etj.. Izolimi i Evropës kundrejt botës myslimane e bën Evropën të varfër, shterpe e fanatike dhe hapja e saj për Evropën ishte rruga e zhvillimit ekonomik, por dalëngadalë edhe e fushave të tjera, për të vazhduar deri në ditët e sotme. Këto pushtime bëheshin, si për nevoja politike, fetare, kulturore, ashtu edhe ekonomike, siç e kemi edhe shfaqjen dhe ngritjen e merkantilizmit. Në këtë frymë, pak a shumë, kemi edhe zhvillimin filozofik dhe shkencor në Perëndim, i cili ka mbetur deri në ditët tona.
Përfundim
Historiani me nam botëror, Gibbon, shfaqjen dhe përhapjen e Islamit i përshkruan si një nga revolucionet më të rëndësishme, që mbëltuan një frymë të re dhe të përhershme tek të gjithë popujt e botës. Ky konstatim konsiston në të dhënat shkencore, të cilat provojnë se Perëndimi i ka borxh botës myslimane, sidomos:
1. Inicimin e lëvizjes humaniste;
2. Futjen e shkencave historike;
3. Futjen e metodës shkencore;
4. U dha ndihmesë skolastikëve për ta harmonizuar filozofinë me besimin;
5. Stimulimin e misticizmit perëndimor dhe
6. Vuri bazat e rilindjes italiane dhe nëpërmjet saj edhe të mendimit modern evropian ...
Pavarësisht nga përbuzjet dhe inatet, luftërat dhe konfliktet, shkëmbimi dhe
respekti i ndërsjellë kristiano-mysliman, hapja dhe konkurrenca miqësore, kanë pasur për botën një dobi të pakufishme. Do të përfundojmë se “urrejtja dhe intoleranca fetare kanë qenë gjithmonë këshilltarët më të këqij të popujve, nxitja e tyre për luftë, armiku i jetës dhe përparimit.”
(1) Shkrimi ka për qëllim që shkurtimisht të shtrojë disa aspekte kryesore të shfaqjes dhe shtrirjes së filozofisë dhe shkencës në Evropën Perëndimore. E gjithë kjo duke pasur parasysh faktorët politiko-shoqërorë dhe kulturor, po edhe moral. Shkrimi pretendon të shtrojë edhe pikat konvergjente që kanë dhënë cytje në shfaqjen e fenomenit të filozofisë dhe shkencës perëndimore. (2) wikipedia.org
(3) Xhorxh Holms (ed.), Oksfordska istorija srednjoevropske Evrope, Beograd, 1998, sidomos f. 84 e tutje. Shih: http://hr.wikipedia.org; Ibid., 445.
(4) Shih: http://hr.wikipedia.org/wiki/Slaveni.
(5) Nexhat Ibrahimi, Vepra 10, Logos-A, Shkup, 2009, f. 33-81. Krhs.: John Esposito, Oksfordska historija islama, Zivinice, BH, 2005/1428 h, f. 283 e pas.
(6) Islami e shpëtoi jo vetëm Evropën nga errësira intelektuale, por këtë e bëri edhe me vetë Kishën, të cilën e shpëtoi përfundimisht nga humbja e sigurt. Këtë e përshkruan kështu Singrid Hunke: “Islami e detyroi Kishën e krishterë që të pajisej, si nga ana intelektuale ashtu edhe ajo ushtarake, në mënyrë që t’i rezistonte më të rrezikshmit nga të gjithë kundërshtarët e tij.” Sipas: Sigrid Hunke, Dielli i Allahut shkëlqen mbi Perëndimin,Tiranë, 2007, f. 416-417.