Sikur njerëzimi t'i vinte tërë kapacitet e veta në shërbim të paqes, humanizmit e fisnikërisë, s'do të ngelte më forcë tek ai për intriga, keqbërje e as vullnet për brutalitet e krime në tokë. Por, ta imagjinosh botën se ajo u dashka të jetojë në paqe, respekt të ndërsjellë e harmoni, tanimë duket më shumë se naivitet dhe një gjë e tillë tingëllon thjesht një utopi. Për dikë tjetër mund të jetë ndryshe, veçse për myslimanët, paqja në mësimet fetare mbetet ndër postulatet më të kristalta që s'do mund të madh për ta kuptuar. Zoti ynë tha: "Nëse ata tregojnë prirje për paqe, trego edhe ti prirje për të dhe mbështetu te Zoti, se Ai, me të vërtetë, i dëgjon të gjitha dhe di çdo gjë." (El Bekare, 61).
Ne bijtë e këtij nënqielli ballkanik, të rreshkur nga flakët e luftërave shekullore, dhe të ndrydhur nga ambiciet e shthurura ekspansioniste të fqinjëve tanë, e kuptojmë më së miri çmimin e gjenocidit dhe e ndiejmë shijen e hidhur të betejave me ata që aspiruan mizorisht trojet tona. Ne edhe po të donim, kurrë s'mund të mbetemi të varfër në ndjenjën e empatisë me të përvuajturit kudo në botë. Mund të hiqemi si indiferentë, ama thellë në shpirt, bashkëndiejmë vuajtjet me të shtypurit.
Duke shikuar me paanësi ngjarjet që ndodhin sot, e kuptojmë një fakt që bota, sikur edhe më parë, po aq sa vuan nga një pakicë njerëzish që kanë prirje keqbërëse e vandale, po aq vuan nga shumica tjetër që tragjeditë dhe krimet i shohin me indiferencë po sikur të ishin shfaqje teatrale.
Është e natyrshme që ne, të dalë nga një konflikt gjenocidal, të mos e kemi as luksin kombëtar e as peshën gjeopolitike për të gjykuar luftërat nëpër botë, por megjithatë kjo s'na bën të mos ndiejmë dhimbje për tragjeditë që iu ndodhin sot njerëzve të pafajshëm, sado larg nesh që ata mund të jetojnë.
Pamjet filmike dhe imazhet e tmerrshme që na shfaqen para syve tanë nga Gaza, por ngjashëm me to edhe nga Ukraina, ani pse jo në të njëjtën shkallë, të bëjnë të harrosh faktin se je i parëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Ato zgjojnë ndërgjegjen e thellë njerëzore dhe të bëjnë të ndiesh dhimbje për ata mijëra fëmijë, gra e pleq që vriten mizorisht e i nënshtrohen çdo ditë një aparteidi të frikshëm në planetin tonë. Ajo që ndodhë me popullin e ngujuar brenda një rripi toke të ngushtë, është klasifikuar nga gjithë organizmat relevantë ndërkombëtar si tendencë shfarosjeje të një populli të tërë, dhe si gjenocid i kulluar. Andaj, nuk është më dilema se çka është duke ndodhur atje, por çështja është se si po reagojmë dhe cilat janë rrugët e shërimit të kësaj krize.
E për reagimin e vobektë të botës përballë kësaj vuajtjeje, i drejtpërdrejtë ishte edhe Antonio Guterres - sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ku mënyrë eksplicite deklarohet: "Nuk kam asnjë koment për atë se sa moskokëçarëse e sa neglizhente është bashkësia ndërkombëtare, pos mungesës së humanizmit e mungesës së solidarizimit me vuajtjet palestinezëve në Gazë. Kriza në rrip, nuk është thjesht një krizë njerëzore, ajo për më tepër është krizë morale që përbën një sfidë për ndërgjegjen botërore, dhe ne do të vazhdojmë të ngremë zërin në çdo rast që e kemi."
Këtyre zërave racional që kërkojnë ndaljen e menjëhershme të gjenocidit ndaj popullatës së pambrojtur, i janë bashkuar liderët botërorë e evropianë dhe së fundi edhe presidentja e shtetit tonë. Është kështu, ngase uria e paprecedentë, lufta shfarosëse, përndjekja e një populli të tërë atje, përbëjnë arsye të fuqishme që ndjenja e empatisë të ngjallet në shpirtin e secilit njeri, pa përjashtim, nëse veç nuk e kemi harruar faktin se jemi njerëz. Ndoshta duket ironike, por organizata SIPRI (Stockholm International Peace Research Institute) raporton se shpenzimet ushtarake globale tejkalojnë 2 trilionë dollarë në vit (rreth 2 - 2.3 trilionë USD). Ndërkaq, sipas vlerësimeve te institucioneve si UN, konsiderojnë se duhen rreth 300 400 miliardë dollarë në vit, për një periudhë dhjetëvjeçare për të eliminuar varfërinë ekstreme në botë. Këto të dhëna na tregojnë se njerëzimi ka burimet e begata për të zhdukur vuajtjen dhe mjerimin, por mungon vullneti i përbashkët për ta bërë këtë realitet. Në vend që pasuritë të përqendrohen në përmirësimin dhe ruajtjen e dinjitetit të njeriut, ato sot më shumë investohen në mekanizma shkatërrimi e kaosi në tokë.
Editoriali
Dituria Islame 417