Mohammad Adam Mohamed nga Çadi është shpallur fitues i vendit të parë në edicionin e 45-të të Garave Ndërkombëtar të Kuranit "Mbreti Abdulaziz" për Memorizim, Recitim dhe Interpretim, duke fituar çmimin madhor prej 500,000 riali sauditë.
Ky aktivitet i rëndësishëm, i zhvilluar nën kujdesin e Ministrisë së Çështjeve Islame të Arabisë Saudite, mblodhi pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës islame.
Gara përfshiu pesë kategori të recitimit dhe memorizimit të Kuranit, ku konkurruan disa prej hafëzëve dhe recituesve më të talentuar në nivel global.
Ceremonia përmbyllëse u zhvillua me një atmosferë madhështore, ku u nderuan fitues nga disa vende.
Në vendin e dytë u rendit Anas bin Majid Al Hazmi nga Arabia Saudite me një çmim prej 450,000 riali, ndërsa S. Bukhari Idrees nga Nigeria zuri vendin e tretë duke fituar 400,000 riali.
Fituesit e tjerë të pesë vendeve kryesore ishin:
• Mansoor Al Harbi nga Arabia Saudite (vendi i katërt, 300,000 riali)
• Mohamed Shoye nga Jemeni (vendi i pestë, 275,000 riali)
Garat, të cilat konsiderohen nga më prestigjiozët në botën islame, u vlerësuan për standardet e larta të gjykimit. Kandidatët iu nënshtruan disa fazave të eliminimit, ku u testuan mbi saktësinë e memorizimit, teknikën e recitimit (texhvidin), bukurinë melodike dhe aftësinë interpretuese.
Një juri ndërkombëtare me ekspertë të njohur të Kuranit mbikëqyri dhe vlerësoi performancat e pjesëmarrësve.
Shuma totale e çmimeve këtë vit arriti në 4 milionë riali sauditë, një rritje e konsiderueshme krahasuar me vitet e kaluara. Ngjarja u transmetua drejtpërdrejt në mbarë botën dhe u ndoq nga miliona shikues.