Ekspozitë e rrallë me artefakte islame hapet në Scunthorpe, Angli

 


Në Shkollën St Lawrence Academy në Scunthorpe, Angli, u organizua një ekspozitë unike e artefakteve islame që datojnë mbi 700 vjet më parë. Ngjarja tërhoqi vëmendjen e komuniteteve lokale dhe vizitorëve të interesuar për historinë dhe kulturën islame.
Pjesa më e veçantë ishte një pëlhurë 9 metra e gjatë, e njohur si Kiswat al-Kaaba, e cila dikur mbulonte Qabën e Shenjtë në Mekë. Përveç kësaj në ekspozitë janë shfaqur edhe artefakte të lidhura me dhomat e Profetit Muhamed a.s., pjesë të tjera historike të mbulesës së Qabës nga periudha të ndryshme, si dhe relikte të rralla të sjella nga vendet më të shenjta të Islamit, të cilat zakonisht nuk ekspozohen jashtë Arabisë Saudite.
Objektet u siguruan nga 'Kiswa Arts and Culture Gallery', një organizatë e specializuar në ruajtjen e trashëgimisë islame.
Vizitorët e përshkruan përvojën si emocionuese. Disa e panë si një mundësi të rrallë për të prekur nga afër një pjesë të historisë së fesë islame, ndërsa të tjerë theksuan se ekspozita i ndihmoi të kuptonin më mirë traditat dhe kulturën islame.
Kiswat al-Kaaba ka qenë simbol i rëndësishëm i Islamit për më shumë se një mijë vjet. Mbulesa e Qabës ndryshohet çdo vit gjatë pelegrinazhit të Haxhit, dhe pjesët e mëparshme ruhen si artefakte të shenjta. Ekspozita në Scunthorpe ofroi për herë të parë mundësinë që komuniteti jashtë botës islame të shihte nga afër këto thesare historike.
"Organizatorët thanë se ekspozita kishte si qëllim ndarjen e trashëgimisë islame me publikun e gjerë, duke nxitur mirëkuptim ndërfetar dhe respekt për kulturën islame."