Edhe pse Muadhi është falur dhe e ka zgjatur namazin, gjë që sipas tij sa më shumë të zgjatësh namazin me xhemat, arrin kënaqësinë e Allahut më shumë. Muhamedi a.s. e sqaron se qëllimi është lehtësimi. Nëse zbatimi i urdhrave të dërgon deri te moszbatimi i tyre për shkak të teprimit, ose nëse vazhdohet me këtë veprim duke u bërë dëm njerëzve, atëherë dije se ke dalë nga objektiva e sheriatit që e ka vendosur Allahu xh.sh..
Konfirmimi i objektivave të legjislacionit islam nga Kurani dhe Suneti
Dihet se Legjislacioni islam është një burim gjithë përfshirës dhe vërtetues i së pakontestueshmes në të cilën bashkohen të gjithë hulumtuesit, studiuesit dhe shkollat juridike. I asaj të vërtete të cilën e njeh logjika e njeriut, tradita dhe zakoni i çdo kohe dhe i çdo vendi. Kjo e vërtetë universale është se ky legjislacion i shenjtë përmban në vete objektivat e tij, përderisa qëllimi i këtyre objektivave është promovimi i mirëqenies për njerëzit në të dy botërat.(1)
Legjislacioni islam dallohet nga legjislacionet e tjera nga fakti se dispozitat e tij nuk janë të një kategorie, por dallojnë nga vërtetësia(قطعي ثبوتي), argumentimi i qartë (الدلالة) nxjerrja, vendosja dhe konkluza e tyre(2) الاستنباط.
Nisur nga ky fakt edhe objektivat e sheriatit dallojnë nga konfirmimi i tyre sipas burimeve të tij siç janë: Kurani, syneti, ixhmai etj... Që të jetë më e qartë kjo i sjellim disa shembuj shkurtimisht:
Lehtësimi në dispozita, ky objektiv është marrë në formë të prerë dhe të qartë nga Kurani (3) Fisnik: "Allahu dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju." (El Bekare, 185)
Në një ajet tjetër: "Allahu nuk dëshiron t'ju sjellë ndonjë vështirësi." (El Maide, 6)
Tregohet për Muadh bin Xhebelin r.a., që dikush është ankuar te Muhamedi a.s. se Muadhi r.a. po e zgjat shumë namazin (po e lexon suren el Bekare, en Nisa...) e unë me vështirësi po e fal, Muhamedi a.s. i drejtohet Muadhit: "O Muadh! trazues- dëmtues po bëhesh a?! Sikur të faleshe me Sebih hisme Rabike, ve shemsi ve duhaha, vel-lejli idha jagsha! Përderisa pas teje falet i moshuari, i dobëti dhe ai që ka ndonjë nevojë."(4)
Edhe pse Muadhi është falur dhe e ka zgjatur namazin, gjë që sipas tij sa më shumë të zgjatësh namazin me xhemat, arrin kënaqësinë e Allahut më shumë. Muhamedi a.s. e sqaron se qëllimi është lehtësimi. Nëse zbatimi i urdhrave të dërgon deri te moszbatimi i tyre për shkak të teprimit, ose nëse vazhdohet me këtë veprim duke u bërë dëm njerëzve, atëherë dije se ke dalë nga objektiva e sheriatit që e ka vendosur Allahu xh.sh.. Duke e sqaruar edhe më mirë se adhurimi në këtë mënyrë është shndërruar në fitne, ndërsa dispozitat fetare asnjëherë nuk reflektojnë fitne, por vetëm mëshirë dhe lehtësi.
Uniteti i ymetit dhe mospërçarja e tij është objektiv i sheriatit dhe këtë duhet ta dijë çdo mysliman detyrimisht(5). "Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara." (El Maide, 2) dhe ajeti: "Praktikoni fenë e drejtë e mos u përçani në të." (Esh Shura, 13)
Mos nxitimi në diç para se të jetë koha e tij, ky objektiv jo në formë të prerë, mund të merret nga dispozita e ndalimit të trashëgimisë së vrasësit i cili tenton të marrë pasurinë trashëguese nga i vrari(6).
Argumentimi i të gjitha objektivave nga Kurani dhe suneti kërkon studim të gjerë, derisa Ibni Kajimi ka thënë: Citatet që tregojnë dhe konfirmojnë objektivat e sheriatit janë më shumë se një mijë dhe ata ndahen në kon f irmim të përgjithshëm dhe konfir mim të veçantë(7)p.sh.
Nga argumentet e përgjithshme أدلة إجمالية: "Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë." (Edh-Dharijat, 56) dhe ajeti: "Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t'ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi." (El Mulk, 2)
Të dy ajetet në përgjithësi tregojnë se Allahu krijoi të gjitha elementet për të jetuar njeriu dhe për të vdekur, ashtu siç sqaron shkakun e krijimit në formën më të qartë e ajo është: Adhurimi i sinqertë ndaj Allahut dhe përpjekja për të vepruar gjithherë mirë dhe drejt.
Ndërsa nga hadithet kemi zgjedhur: "Nuk është dërguar asnjë i dërguar para meje e të mos e kishte të obliguar t'i drejtonte njerëzit në të mirën të cilën e dinte dhe t'i këshillonte për largimin nga e keqja që do t'u kanosej atyre."(8)
Muhamedi a.s. në këtë hadith tregon qartë objektivin e dërgimit të pejgamberëve duke u shprehur se pejgamberët kanë qenë drejtues dhe këshillues të ymeteve të tyre. Por ajo çka i jep vlerë edhe më shumë këtu është se kjo detyrë e tyre ka qenë obligative dhe nuk është lënë në ndërgjegjen e tyre.
Nga argumentet e veçanta: أدلة تفصيلية "Vërtetë namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat."(El Ankebut, 45)
Në këtë ajet përveçqë tregohet vlera e namazit, gjithashtu Allahu tregon objektivë tjetër e ajo është largimi nga të këqijat. Dhe ajeti: "Mendjelehtëve (të papjekurve) mos u jepni pasurinë tuaj që Allahu e bëri për ju mëkamje." (En Nisa 5)
Përmes kësaj dispozite Allahu tregon edhe objektivin që ngërthen në vete ky ajet e ai është: ruajtja e pasurisë dhe mosvënia e saj në dorën e keqdrejtuesit apo shkatë rruesit të saj.
Dhe ajeti: "E ju përgatituni sa të keni mundësi, forcë (mjete luftarake) e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të, (me përgatitje) ta frikësoni armikun e Allahut, armikun tuaj dhe të tjerët, të cilët ju nuk i dini (se kush janë), e Allahu i dinë ata." (El Enfal, 60)
Përgatitja profesionale, përparimi në mjete luftarake dhe paraqitja sa më madhështore në prezencë të armikut është objektiv i këtij ajeti.
Në përmbyllje të kësaj pjese po sjellim një çështje me rëndësi qe e ka cekur imam Shatibiu në librin e tij Muvafakat ku ka thënë(9): "Shtrohet pyetja:... si mund të kuptojmë atë që është objektiv i legjislacionit dhe atë që nuk është objektiv? Përgjigjja është, ato mund ti kuptojmë nëpër mjet disa mënyrave:
Mënyra e parë: Objektivat kuptohen në çdo urdhër apo ndalesë të qartë. Dihet se çdo urdhër që ka zbritur në Kuran është bërë për t'u vepruar ajo vepër me të cilën janë urdhëruar, ndërsa realizimi i atij veprimi në kohën kur është urdhëruar konsiderohet objektiv i legjislacionit. Gjithashtu edhe ndalesa kuptohet me mosveprimin e saj apo largimin nga ajo, përderisa veprimi në këtë mënyrë konsiderohet objektiv i legjislacionit. Moslargimi konsiderohet kundër synimit të legjislacionit....
Menyra e dytë: Objektivat kuptohen duke marrë në konsideratë shkaqet العلة e urdhëresave dhe ndalesave… Mënyra e tretë: Allahu xh.sh. ka vendosur në dispozita të legjislacionit të Tij objektiva bazike dhe ndihmëse).
Roli i mendjes, natyrshmërisë dhe eksperiencës në vendosjen e objektivave apo kufizimin e tyre
Sa vlerë dhe rëndësi ka mendja në fenë islame? Këtë mund ta kuptojmë nëse shikojmë se si Allahu i Lartësuar nuk ia drejton fjalët e Tij veçse të mençurve, sepse ata e kuptojnë fenë e Tij, shumica e ajeteve në Kuran referohen për të zotët e mendjes. Thënë ndryshe, dihet se një ndër gjërat prej të cilave varet obligimi me detyrat fetare është mendja, përderisa ai që nuk e posedon nuk është i obliguar.
Kurani ka përmendur dhe ka nxitur për shumë procese logjike që i kryen njeriu p.sh. mendimi, meditimi, vëzhgimi etj... Në ajetet që vijojnë, Allahu i Lartësuar ka thënë: "A nuk e studiojnë me vëmendje Kuranin?(Muhamed 24). Në një ajet tjetër Allahu xh.sh. thotë: "Ne pra, jua kemi sqaruar faktet nëse ju i kuptoni"(Ali Imran 118)
Gjithashtu Allahu xh. sh. i ka lavdëruar ata që përdorin logjiken për njohjen e së vërtetës. Allahu në Kuran ka thënë: "Ndërkaq, ata qe u larguan prej adhurimit të idhujve dhe ju drejtuan Allahut, ata kanë gëzim të madh, e ti përgëzoji robërit e Mi! Të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të mirën prej tyre. Të tillët janë ata që Allahu i udhëzoi në rrugën e drejte dhe të tillët janë ata të mençurit"(Ez Zumer, 17-18)
Duke u bazuar në këto citate dhe shumë të tjera të ngjashme me to, kuptojmë se: Njeriu me mendjen e tij ka aftësi t'i kuptojë e t'i njohë gjërat dhe se gjykimet e tij logjike që janë të sakta, të qarta e të padiskutueshme, nuk mund të bien ndesh me sheriatin. Në mënyrë të përgjithshme njeriu me mendjen e tij të shëndoshë e dallon atë që është e shëmtuar dhe e keqe dhe e dallon atë që është e bukur dhe e mirë. Duke e ditur se Mendja- Logjika është burim dytësor.
Në vazhdim do t'i përmendim disa shembuj ku faktori njeri ka bërë që të vendoset, kufizohet apo të ruhet një objektiv i sheriatit(10).
Tregohet se Omeri r.a. ka urdhëruar disa nga komandantët e tij të mos ekzekutohen vendimet e tyre menjëherë ndaj ushtarëve që kanë bërë ndonjë vepër penale apo ndonjë mëkat që dënohet dhe sanksionohet. Por të vonohet derisa të mbarojë misioni i ushtrisë, sepse nëse veprohet ashtu është mundësia që të ndikohet nga qëllimet e këqija tek të akuzuarit dhe ata të largohen e të bashkëngjiten me jobesimtarët. Kjo natyrisht ka qenë nga largpamësia e Omerit r.a. sepse veprimi i tillë do të sillte probleme të shumta si: përçarja dhe ndarja e ushtrisë myslimane, largimi i ushtarëve nga radhët e myslimanëve dhe bashkëngjitja e tyre në radhët e jobesimtarëve, e nga kjo do të shpërndaheshin edhe sekretet e ushtrisë myslimane.
Disa dispozita të cilat Allahu xh.sh. i ka vendosur dhe janë të lejuara, vërejmë se disa nga shokët e Muhamedit a.s. i kanë ndaluar ato për ndonjë arsye edhe pse në esencë janë të lejuara. Ata e konfirmojnë dhe e pranojnë një gjë të tillë, por për shkak të ndonjë të keqeje të mundshme, e cila do të ndodhte dhe do të prishte rendin e objektivave dhe synimeve të sheriatit ata e kanë ndaluar.
Siç është rasti ku transmetohet se Omeri r.a. e ka urdhëruar Hudhejfen r.a. të shkurorëzonte një jehude me të cilën ishte martuar. Kur ishte pyetur nga Hudhejfja r.a. se a është haram që është martuar me të? Ishte përgjigjur se jo, por se ka frikë se mund ta pasonin myslimanët në këtë veprim dhe për bashkëshorte të tyre të zgjedhin gratë e ehlu-dhimmes dhe t'i lënë myslimanet, mjafton kjo sprovë për bijat e myslimanëve.
Në kohen e Omer ibn Abdulazizit guvernatori i Egjiptit i shkruan Omerit se Ehlu-Dhimmeh(11) po e pranojnë islamin me shumicë dhe këtij i shkon mendja se ata po e pranojnë islamin për shkak të tatimeve që i kanë e jo me dëshirë, atëherë i thotë Omerit r.a.: "Të këshilloj t'ua shkruash një lloj tatimi tjetër, sepse ata po ikin prej xhizjes. Omeri r.a. Ia kthen: Allahu e ka dërgua Muhamedin a.s. thirrës e jo koleksionist-mbledhës e, kur të arrin ty kjo shkresë, atëherë zbatoje atë. (objektivin e islamit)
Roli i mendjes, eksperiencës në këtë aspekt është frytdhënës duke u bazuar në atë çka u citua më herët, por duhet pasur parasysh se mendja e njeriut mund të japë kontribut në disa nga objektivat e sheriatit që kanë të bëjnë me këtë dynja e nuk ka mundësi për ndërhyrje në objektivat e sheriatit që kanë të bëjnë me ahiret, për shkak të kapacitetit të pamundshëm për ndërhyrjen e mendjes-logjikes në këtë.
Dijetari i njohur El-Iz bin Abdu selam thotë: Dobitë, interesat dhe të këqijat e Ahiretit nuk njihen përveçse me bazë sheriatike, ndërsa dobitë dhe të këqijat e kësaj bote njihen edhe me eksperiencë dhe traditë.(12)
Rolin e mendjes në vendosjen apo kufizimin e objektivave e kanë apro vuar, parashikuar shumë nga dijetarët e shkencës së Mekasidit, me dallime të pakta në hapësirën ku mendja mund të manovrojë si e vetme apo duke u bazuar në ndonjë bazë sheriatike dhe të japë kontributin e saj. Në këtë rast marrim disa nga bazat e sheriatit që janë të pranuara te shumë nga Usulistët e Fukahatë, ato janë Kijasi, Istihsani, Istis-habi, Istislahi, Urfi etj..me të cilat dalim në përfundimin se mendja ka hapësirë në objektivat e sheriatit me ato kufizime që i parashohin dijetarët e Mekasidit, Usulit, Fikut etj(13)
________________________________________
1. Muhamed Seid Ramadan El Buti, Davabitu El Maslahati fi Sheriati El Islamijeti, sh.b. Muesesetu Err Rrisaleti ( f. 73).
2. Mekasidu Esh-Sheriati el-Islamijeti(f. 231-238); Ilmu El-Mekasidi Esh-sheriati (f. 73).
3. Mekasidu Esh-Sheriati el-Islamijeti (f. 235-236); El-Mekasidu el-A'meti lish-sheriati el-Islamijeti Bejnel Esaleti vel Muasereti (f. 71).
4. Transmeton Buhariu me nr.673, Kapitulli Xhemati dhe Imami- Kur ankohen për imamin që e zgjat namazin, (v1, f 249). Muslimi me nr. 465 Kapitulli i Namazit- Leximi në namazin e Jacisë (v1, f 339).
5. El-Mekasidu el-A'meti lish-sheriati el-Islamijeti Bejnel Esaleti vel Muasereti (f. 71).
6. Mekasidu Esh-Sheriati el-Islamijeti (f. 237),El-Mekasidu el-A'meti lish-sheriati el-Islamijeti Bejnel Esaleti vel Muasereti (f. 72).
7. Ibni Kajim El Xhevzi, Miftah Dar Es Seade, sh.b. Dar Ibni Affan, Botimi i I 1996,( v.2 f 363-365); Shatibiu, El Muvafakat, sh.b. Dar Ibni Affan, Huber - Saudi, botimi i parë 1997, ( v.3 faqe 165…); El-Mekasidu el-A'meti lish-sheriati el-Islamijeti Bejnel Esaleti vel Muasereti (f. 85).
8. Transmeton Muslimi me nr. 184, Kapitulli Udhëheqja- Obligueshmëria në zbatimin e Betimit ndaj Halifes, (v3, f 1472).
9. El Muvafekat ( v3, f 132-139).
10. Për më shumë kthehu tek: Abdurrahman Salih Babeker, Dirasat Tatbikije Havle Felsfeti Mekasid Esh Sheriati El Islamijeti, sh.b. Tajf Lil Ibd'a El Fenij -Algjeri, 2002, (f. 17-22).
11. Jo myslimanët që jetojnë në shtetin islam.
12. El-Fevaid fi Ihtisar el-Mekasid ev el-Kavaid es-Sugra, (f. 41).
13. El-Fevaid fi Ihtisar el Mekasid ev el Kavaid Es - Sugra (f. 41,74); El-Mustesfa min Ilmil Usul ( v1, f.88....); El-Muvafakat (v1, f. 27), (v2, f 77-78); Mekasidu esh-Sheriati el-Islamijeti (f. 259-267), (f. 371 375) ); Al-lal El-Fasi, Mekasidu Esh Sheriati el-Islamijeti ve Mekarimiha, (f. 62-68).
Dituria Islame 356