Veshja-mbulimi në përgjithësi është një prej bekimeve të Zotit që i dhuroi njeriut qysh prej zanafillës së tij të parë. Ajo është bërë e domosdoshme në jetën e njeriut, dhe kjo është njëra prej kërkesave të nevojshme që njerëzimi e ndien gjatë jetës së tyre, e cila hyn në kategorinë e njëjtë me nevojën e ushqimit dhe me nevojat bazë për jetën.
Të qenët i mbuluar dhe kërkimi për mbulim është instinkti i natyrshmërisë së njeriut dhe një gjë parësore që ai ndien në shpirtin e tij. Këtë nevojë na e përshkruan ajeti kuranor që tregon për ngjarjen kur Ademi dhe gruaja e tij Hava pasi u zhveshën për shkak të mëkatit të bërë, ata filluan të mbulojnë veten e tyre me gjethe "…e filluan ta mbulojnë veten e tyre me gjethe që i mblidhnin nëpër xhenet." (Ta ha, 121).
Nga ky ajet kuptojmë që zbulimi i vend turpërisë është prej çështjeve të mëdha dhe se mosmbulimi ka qenë dhe mbetet i papranueshëm në karakter dhe i pakapshëm në mendje.
Andaj themi që trashëgimia e parë që njerëzimi trashëgoi nga pejgamberi dhe njeriu i parë është veshja, e cila na jep të kuptojmë se kjo ka domethënie të veçante në jetën e njeriut, e cila ka për qëllim nderimin e tij, dhe se mbulimi apo veshja konsiderohet prej shfaqjeve të para të civilizimit.
Qysh me ardhjen e njeriut të parë në tokë me të zbriten edhe dy çështje; ajo çka e përmirëson brendësin e njeriut-shpirtin nëpërmjet shpalljes hyjnore, dhe e dyta ajo çka e përmirëson, rregullon dhe zbukuron pamjen e jashtme nëpërmjet veshjes.(1) Këto dy çështje janë të lidhura njëra me tjetrën të cilat japin një personifikim të njeriut të denjë të devotshëm nëse i praktikon ato ashtu siç kërkohet.
Për këtë islami ka bërë thirrje dhe ka porositur njerëzit që të jenë të kujdesshëm ndaj veshjes, Allahu thotë: "O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk që ju mbulon vend turpërinë dhe petk zbukurues. Por petku i devotshmërisë, ai është më i miri." (El-Araf, 26).
Cilat janë karakteristikat kryesore që dallojnë popujt nga njëri-tjetri? Përbërësit më kryesorë që e dallojnë një popull nga një popull tjetër është gjuha dhe veshja.(2) Ajo që para së gjithave që tërheq vëmendje në radhë të parë është veshja, nëpërmjet saj dallon kulturën e një populli apo personi dhe identitetin e tij.
Pa dyshim se çdo popull ka traditën dhe kulturën e vet të veshjes, e cila konsiderohet pjesë nga trashëgimia që është element për tregimin e kulturës dhe identitetit, nëpërmjet saj formon pamje që shpreh kulturë, histori dhe civilizimin e një populli.
Sipas përkufizimeve njerëzit kanë katër arsye për veshje; për mbulimin e trupit, për mbrojtje të veçanta nga ndikimi i klimës, për identitet dhe për zbukurim.
Sa u përket këtyre përkufizimeve të gjitha këto veshje përcaktojnë mënyra dhe stile të ndryshme të veshjes, të cilat shfaqen si nevoja për t'i praktikuar ato, por secila ka një formë komunikimi që prezanton veten.
Sipas kësaj dihet çartë që tema e veshjes është një temë që ndërlidhet me jetën e njeriut, i cili e merr për bazë për shkak të mbrojtjes, për shkak të mbulimit apo zbukurimit, e që kjo nëpërmjet saj reflekton personalitetin e shoqërisë, po ashtu pasqyron edhe shkallën e jetesës nga shtresat e pasura në ato të varfra, nga një person me karrierë dhe pozitë tek një person jo i tillë.
Si e percepton shoqëria veshjen?
Siç shihet, çdo shoqëri ka një perceptim të veçantë për veshjen dhe kjo tregon shumëçka për botëkuptimin e njeriut. Kjo për arsye që ata dëshirojnë të ruajnë kulturën, traditën dhe mënyrën e veshjes.
Në përputhje me etikën e secilës shoqëri, veshja reflekton dhe ka domethënie dhe qëllime të ndryshme. Disa shoqëri, siç është anglezi, nëpërmjet veshjes rregullon dhe stolis veten, francezi, duke qenë i përpiktë në veshmbathje i bën vetes një vend te tjetri. Përderisa në botën perëndimore veshja ka domethënien e shfaqjes së bukurisë, ndërkaq bota lindore përgjithësisht mundohet të fshehë bukurinë, të mos bjerë në sy e që kjo e fundit ka kuptimin e pasqyrës që reflekton botën shpirtërore të njeriut. Përderisa njerëzit dëshirojnë të duken ndryshe, ku shtresat e larta dëshirojnë të dallohen nga shtresat e ulëta të cilët i imitonin, këtu erdhi edhe larmia e veshjeve, thënë më ndryshe filluan modernizimin nëpërmjet modës sepse sipas konceptit pro modë, " të ndjekësh modën do të thotë të jesh i bukur, tërheqës dhe atraktiv". (3)
Ndjekja e modës nuk ndikon vetëm tek veshja, ajo futet në çdo punë, në të shumtën e rasteve mbizotëron dhe këput lidhjet me logjiken e shëndoshë, duke i habitur dhe bërë ndjekësit e saj t'i rrotullojë nga një fuqi mendore, punëtore e fizike në një fuqi stiliste e modernizuar e kjo më së shumti ndodh në botën e femrave.
Për njëfarë kohe, bukuria e femrës është përcaktuar nga fuqia dhe vyshmëria e saj e jo nga stili dhe moda e saj e veshjes. Duhet ditur se bukuria e të qenit i bukur nuk është çdo herë të veshurit bukur, sepse dikush edhe kostumet e shkurtra apo veshje lakuriqe i quan bukuri, por çelësi i bukurisë është gjendja shpirtërore nëpërmjet së cilës reflekton te kodi i veshjes me elemente njerëzore.
__________________________
1. https://www.hespress.com/writers.
2. https://www. marefa.org/.
3. Fatma Karabiyik Barbarosoglu /Moda dhe mendësia në procesin e modernizimit / e përkthyer nga turqishtja: Ali Pajaziti, Istanbul 2002/ f.9,11,153.