Këshillimi nga faktet e Zotit

 


"...Ata kanë zemra me të cilat nuk kuptojnë, ata kanë sy me të cilët nuk shohin dhe ata kanë veshë me të cilët nuk dëgjojnë...". (El-A'raf, 179).


Karakteri i njeriut është i lidhur ngushtë edhe me besimin e tij. Sa më i fortë të jetë besimi, aq më i fortë bëhet edhe karakteri. Njerëzit me besim të thellë në Zotin dhe fenë e Tij, janë ata më të mirët, më të dashurit, më të dobishmit dhe më të përulurit. Ata janë më modestët, në radhë të parë ndaj Allahut e pastaj edhe ndaj krijesave të e Tij. Prandaj, Allahu i përshkruan, krahas atyre tipareve të tyre që kemi pasur rastin t'i mësojmë deri tash, edhe me këtë cilësi: nënshtrimin dhe dorëzimin para fakteve të Allahut dhe këshillimin prej tyre."Edhe ata që, kur këshillohen me ajetet e Kur'anit të Zotit të tyre, nuk u kthejnë shpinën si të shurdhët e të verbër". (El-Furkan, 73)
Sepse, përndryshe, nëse karakterin e njeriut nuk e përcakton besimi, apo ai nuk është i ndërtuar prej tij, atëherë çfarëdo fakti t'i sillet njeriut, përsëri do ta mohojë dhe do të shfaqë kryelartësi ndaj tyre. Mu për këtë arsye, Allahu në Kur'anin e madhërishëm njerëzit e kësaj kategorie, me gjithë dijen dhe shëndetin fizik që kanë, i përshkruan me të meta shumë të mëdha. "... Ata kanë zemra me të cilat nuk kuptojnë, ata kanë sy me të cilët nuk shohin dhe ata kanë veshë me të cilët nuk dëgjojnë...". (El-A'raf, 179).
Pra, njerëzit, me gjithë titujt e shumtë akademikë që mund të kenë, me gjithë njohuri të shumta që mund të zënë, nëse dija e tyre nuk i shpie në nënshtrimin para allahut dhe përfitimin nga faktet e Tij në natyrën dhe në vetë qenien e tyre, atëherë mundi i tyre ka shkuar huq. Me një fjalë, mungesa e besimit të mirëfilltë bën që karakteri i njeriut të ketë një pamje monstruoze dhe t'i ngjajë më shumë një gërmadhe. Për të kuptuar më shumë për këtë cilësi të pëlqyer të besimtarëve të sinqertë, për t'u njohur më hollësisht me domethënien dhe esencën e saj, dhe pse jo edhe me pasojat e zhveshjes eventuale prej saj, sot ligjërata jonë në fokus do të ketë ajetin 73 të kaptinës el-Furkan: "Edhe ata që, kur këshillohen me ajetet e Kur'anit të Zotit të tyre, nuk u kthejnë shpinën si të shurdhët e të verbër".


Esenca e këtij tipari dhe domethënia e tij


Se çfarë paraqet në të vërtetë kjo cilësi e tyre dhe ç'kuptim ka përkujtimi apo këshillimi nga faktet e Allahut, do të mundohemi ta kuptojmë nëpërmjet shtjellimeve dhe komenteve që kolosë të tefsirit i kanë bërë/dhënë ajetit në f jalë. Imam Taberiu, Allahu e mëshiroftë, në koment të këtij ajeti, ka thënë: "E (besimtarë të sinqertë janë) ata që, kur ndokush u kujton argumente të Allahut, nuk bëhen sikur janë të shurdhër e nuk dëgjojnë, apo si të verbër që nuk shikojnë, por janë me zemra të zgjuara, me mendje që kuptojnë; kuptojnë atë me të cilën Allahu i përkujton, kuptojnë atë për se u tërhiqet vërejtja, kuptojnë këshillën që veshët e dëgjojnë dhe zemrat e kuptojnë". Ndërsa Ibni Kethiri, Allahu e mëshiroftë, këtë ajet e sheh si një argument shtesë, që vërteton se kjo cilësi është burimore dhe origjinale tek besimtarët e vërtetë, siç është f.v. ajeti 2 në kaptinën El Enfal apo edhe ajetet 124-125 nga kaptina Et Teubeh.
Kjo cilësi mund të ketë edhe kuptimin e asaj përgjegjësisë që besimtari ndien për veprimet e tij. Apo, thënë më qartë, veprimin në bazë të një logjike dhe arsyeje të shëndoshë. Thjesht, bën atë që di dhe duhet bërë, ndërsa për gjërat e tjera, qofshin edhe të mira por që nuk i di përse bëhen, nuk i bën. Me një fjalë, nuk është oportunist. Ibni Kethiri citon Sha'biun, i cili, kur qe pyetur nga një njeri: "A duhet të bëj sexhde nëse i shoh njerëzit se kanë bërë sexhde pa e ditur shkakun për se?", i kishte dhënë përgjigjen duke lexuar pikërisht këtë ajet, duke aluduar tek fakti se nuk bën sexhde ngase ai nuk e ka medituar çështjen e sexhdes dhe se besimtarit nuk i lejohet të bëhet oportunist, po duhet të veprojë në bazë të argumenteve dhe bindjes së qartë. Pastaj, kjo si cilësi, shpreh edhe besimin e thellë në Ditën e Llogarisë, ngase, siç komenton Imam Kurtubiu: "Kur besimtarëve t'u lexohet Kur'ani, ata kujtojnë ahiretin dhe vendkthimin e tyre duke mos u bërë shpërfillës për asnjë çast, në mënyrë që të mos zbresin në nivelin e atij që nuk dëgjon".


Rëndësia e këshillimit dhe fakte këshilluese


Përkujtimi apo këshillimi nga faktet e Allahut dhe argumentet e Tij, është me rëndësi të veçantë, për shkak të pasojave pozitive, në rast të këshillimit, dhe atyre negative - në rast të arrogancës dhe kryeneçësisë. Allahu tregon se këshillimi, perceptuar nga këndvështrimi i asaj se njeriu patjetër do të ketë fund dhe se do të dalë për të dhënë llogari para Allahut për çdo vepër që ka bërë, të madhe e të vogël, pra vështruar nga ky pozicion, këshillimi me faktet e Allahut paraqet diturinë dhe mençurinë e vërtetë. "...përveç të mençurve këtë nuk e kupton kush." (El-Bekare, 269. Shih po ashtu ajetet 17-18 në suren Ez-Zumer). Këshillimi është cilësi e të penduarve, e atyre që kthehen me përulje tek Allahu, e atyre që zemrat u janë ngjallur me besim - iman dhe veprat u janë qëndisur me sinqeritet. (Shih Gafir, 13 dhe Kaf, 8). Këshillimi në fakt është i obliguar, sepse me të synohet arritja dhe realizimi i bindjes për Njëshmëri - monoteizëm të pastër të Zotit të botëve. Sa bukur është përshkruar kjo në biografinë e Ibrahimit, alejhi's selam, i cili, pasi gjeti të vërtetën, përmendi arsye të shumta pse nuk iu bashkua kurrë popullit të vet në idhujtari; një prej tyre ishte edhe ajo e krijimit të qiejve dhe Tokës. (Shih El-En'am, 79). Kjo, krijimi i qiejve dhe i Tokës, është vetëm një fakt, sepse fakte të tilla këshilluese dhe përkujtuese ka shumë, madje njeriu nuk mund t'i numërojë kurrë ato. Siç thotë poeti:


Në çdo gjë Ai ka fakt 
Që aludon se Ai është Një


Ka dëshmi konkrete, siç është p.sh. ndërrimi i ditës dhe i natës, krijimi i njeriut, krijimi i botës shtazore, por ka edhe dëshmi të tjera, si mirësitë e shumta të Allahut ndaj njerëzve, apo edhe fati i popujve të tjerë mohues dhe përbuzës të të mirave.


Pasojat e moskëshillimit nga faktet e Allahut të Madhëruar apo të mospërkujtimit të tyre


T'u kthesh kurrizin këtyre fakteve, kjo nënkupton refuzimin e udhëzimit në rrugën e drejtë, në besimin e pastër, kështu që për pasojë jeta e njeriut do të ngrihet mbi themele që në asnjë rrethanë nuk i sigurojnë lumturi shpirtërore. mund të ketë ndoshta pasuri shumë, pallate, vetura, e shumëçka tjetër, por i lumtur nuk do të jetë kurrë. Jo rrallë dëgjojmë e lexojmë se një i pasur bëri vetëvrasje, e vari veten, kërceu nga ura, nga pallati, etj.. (Shih, Taha, 124).
Ndërsa në botën tjetër, njeriun e këtillë e pret ndëshkim i madh. (Shih Es-Sexhde, 22).
E për shkak të ambientimit me parime të tilla, atyre e vërteta dhe udhëzimi u bëhen të paqarta dhe realisht të paarritshme. Kjo sepse Allahu refuzon që me nurin e udhëzimit të Tij të ndriçohen zemrat e ndyta. (Shih El-Kehf, 57). Mu për këtë shkak, rrugët e besimtarëve janë të ndara nga rrugët e këtyre arrogantëve. Njerëzit që, me gjithë qartësinë e këtyre fakteve, prapëseprapë nuk pranojnë t'i nënshtrohen Allahut, janë më të urryerit, janë kriminelë dhe njerëz që nuk meritojnë aspak shoqërinë tonë. (Shih El-Kehf, 28).


(Të shurdhrit dhe të verbrit e vërtetë)


Në përfundim të kësaj ligjërate, dua të kthehem tek fillimi, respektivisht, tek fakti që përmendëm se njerëzit që nuk i nënshtrohen Allahut, sado të ditur që të jenë, prapëseprapë janë të humbur dhe thuajse sikur ato ndjenjat që kanë, dhe sidomos shqisat e shikimit dhe dëgjimit të tyre, nuk u funksionojnë fare. Allahu i Madhëruar në Kur'anin famëlartë, sikurse edhe i Dërguari i Tij, Muhamedi, a.s., në thëniet e tij, problemet i kanë trajtuar në thelbin, në esencën e tyre, e jo në aspektin sipërfaqësor. Nuk është me të meta ai që për këtë apo atë shkak nuk e ka shqisen e të dëgjuarit apo të shikuarit të zhvilluar, po i verbër dhe i shurdhër është ai që sheh dhe dëgjon faktet e Allahut, e nuk pranon t'i nënshtrohet Atij. (Shih El-Haxh, 46). Pra, syri nuk verbohet, ose verbohet vetëm atëherë kur sheh të vërtetën dhe nuk e pranon atë.
O Zoti ynë! Na bëj prej robërve të Tu të sinqertë, prej atyre që Të duan dhe i do, prej atyre që, kur këshillohen me fjalët dhe faktet e Tua, këshillohen. Mos lejo që zemrat tona të bëhen të vrazhda dhe të verbra para fakteve dhe dëshmive të Tua, përkundrazi, na bëj prej atyre që Të përulen dhe qëndrojnë në sexhde me dashuri, kënaqësi dhe sinqeritet!


 


Dituria Islame  253


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë filloi trajnimi dyditor me imamë, hatibë dhe muezinë (VIDEO)