Mësuesi i mbarë njerëzimit, Pejgamberi a.s. që ishte i pajisur me cilësi hyjnore, me sinqeritet dhe me fisnikëri; ai shumë herë, me vepër dhe me sjellje, ka dëshmuar zemërgjerësi të pakrahasueshme, por ka treguar edhe brengosje për Ymetin e tij. Muhamedi a.s. u dërgua te njerëzit pikërisht në kohën kur ata kishin më së shumti nevojë, njësoj sikurse shkretëtira e ndezur flakë që ka nevojë për shumë shi.
Cili ishte misteri që e bëri këtë personalitet të jetë më i famshmi dhe më i ndershmi? Sa të pastra dhe madhështore që janë ato duar që ai i ngrinte drejt qiejve, kur i hapeshin të gjitha portat e mëshirës, të udhëzimit dhe të begative? Pra, çfarë feje, besimi, dëlirësie dhe pastërtie kishte në të? Por, çfarë nënshtrimi kishte ndaj së vërtetës dhe si e manifestonte respektin ndaj jetës dhe të jetuarit? Përgjigjja është se Allahu xh.sh. e kishte pajisur me fuqi dhe e kishte bërë të denjë për ta bartur bajrakun e Tij. Ai e bëri që të fliste në emrin e Tij dhe e bëri të Dërguarin e Tij të fundit mëshirë për mbarë botën. Për këtë shkak mund të thuhet se Allahu xh.sh. ndaj tij ka qenë shumë i dhurueshëm, për se krijesa e quajtur njeri është e paaftë të bëjë një përshkrim të personalitetit të tij, sado që shumë pena kanë shkruar për të. Prej kur Allahu xh.sh. e krijoi jetën në këtë botë, ka bërë që gjithçka, madje edhe pjesa më e vogël e kësaj bote, t`i gëzohet ardhjes së të Dërguarit a.s.. Allahu xh.sh. ka dërguar Pejgamberë te të gjithë popujt dhe në të gjitha kohët. Ata i kanë transmetuar themelet e thirrjes së lartësuar, kanë treguar mësimin e së vërtetës. ata e kanë përmendur madhështinë e Zotit dhe kanë paralajmëruar mëshirën e të gjitha botëve, pra të Dërguarin e fundit, Muhamedin a.s..
Çfarë e nxiti parinë e popullit të tij që t`i besonin fjalët e tij dhe të pasonin fenë e tij, - burrat më të famshëm, si: Ebu Bekri, Umeri, Aliu, Talha, Zubejri, Uthman ibn Afani, Abdurrahman ibn Aufi, Sad ibn Ebi Vekasi etj., të cilët hoqën dorë shumë shpejt nga pasuria e fama që i rrethonte në shoqërinë paraislame dhe pranuan barrën e rëndë e jetën përplot me brenga dhe me vështirësi.
Cila ishte arsyeja që njerëzit e pafuqishëm në shoqërinë ku jetonte ai,të kërkonin mbrojtjen e tij? T`i pranonin parimet që i kishin zbritur, po dhe udhëzimin e tij , edhe pse e panë se ai ishte njeri pa pasuri, pa fuqi dhe pa mbrojtje. Çka ndikoi që njeriu paraislamik, me gjuhë të mprehtë, me natyrë të dashur e të vendosur, sikur ishte Umer ibn Hatabi, të kthehej, të pendohej dhe ta pranonte fenë e re islame? Megjithëse më përpara ai ishte nisur me shpatën e tij që t'i priste kokën fisnike të tij (të Muhamedit a.s.).
Pra, ai që ndikoi për të gjitha këto, është djali i Abdullahut, i dërguari i Allahut. Vallë, kush tjetër do të mund të bënte një gjë të tillë? Populli i tij me sytë e vet shihte virtytet e tij dhe të gjitha cilësitë nga të cilat dallohej. Ata ishin dëshmitarë të dëlirësisë, të pastërtisë, të sinqeritetit dhe të guximit të tij. Të gjitha këto janë dëshmuar në madhështinë dhe në mëshirën e tij, po edhe në intelektin dhe në elokuencën e tij. Ndërsa sahabët, pra shokët dhe nxënësit e tij, janë gjenerata e parë dhe më e mira që kanë sakrifikuar pasurinë dhe jetën e tyre, në rrugën e All-llahut xh.sh., bile me sinqeritetin më të madh. Allahu xh.sh. në Kuran ka thënë: "Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë All-llahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi".(El-Ahzab,23)
Kush konsiderohet Sahabij?
Sipas shumicës së burimeve dhe literaturës islame, "Sahabij" (shok i dashur i Pejgamberit a.s.) konsiderohet ai person që ka jetuar në kohën e Pejgamberit a.s. dhe ka arritur ta shohë atë. Ai që ka qenë bashkëkohës me Pejgamberin a.s., po nuk e ka parë ose nuk ka pasur komunikim me Pejgamberin a.s., ai nuk konsiderohet "sahabij". Pra, "sahabij" quhet ai që ka jetuar në kohën e Pejgamberit a.s., që e ka parë Pejgamberin a.s. dhe që ka besuar në mesazhin e tij. Disa dijetarë islamë parashohin edhe një kusht tjetër, që dikush të konsiderohet "sahabij". Sipas tyre sahabij konsiderohet ai që kishte arritur fazën e pubertetit kur e kishte parë Pejgamberin a.s..(1) Sahabët pra janë ata që jetuan, dëgjuan dhe përfituan drejtpërdrejt nga dijet e Pejgamberit a.s.. Ata u edukuan me moralin më të lartë dhe na i përcollën detajet më të imëta nga jeta e Pejgamberit a.s.. Ishin ata që ushtruan dhe zbatuan Islamin e pastër dhe të freskët, ashtu siç e kishin marrë nga Profeti a.s., dhe e kuptuan nga Kur'ani famëlartë, shpalljen e të cilit e përjetuan vetë. Kur'ani shpallej sipas rrethanave prezente dhe shpeshherë për të zgjidhur një problem që shqetësonte ndonjërin prej sahabëve dhe myslimanëve të asaj kohe.
Shumë gjenealogë dhe jetëshkrues kanë vërtetuar që numri i sahabëve në kohën kur vdiq Pejgamberi a.s., arrinte në njëqind mijë. Ndërkohë që të tjerë këtë numër e çojnë në njëqind e katërmbëdhjetë mijë.(2)
Pas vdekjes së Pejgamberit a.s. shokët e tij u shpërndanë në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme, për të mbartur dhe përcjellë mesazhin hyjnor dhe njëkohësisht për të hedhur themelet dhe bazat e civilizimit islam. Vendet dhe rajonet ku u përqendruan sahabët, ishin kryesisht në Gadishullin Arabik, në Egjipt, Sham, Irak dhe në rajone të tjera.(3) Ata njerëz që jetuan me sahabët e Pejgamberit a.s., quhen "Tabi`inë". Pejgamberi a.s., duke i vlerësuar këto dy gjenerata, thotë: "Brezat më të mirë janë brezi im, pastaj ata që i pasojnë e pastaj ajo që vjen pas tyre (tabi tabiinët). Më pas do të vijnë njerëz që do të dëshmojnë, por që në dëshminë e tyre nuk bën të mbështetemi, njerëz të cilët do të anojnë nga mashtrimi dhe do të jenë të pabesueshëm, që premtojnë, po nuk plotësojnë (premtimet), dhe në mesin e tyre do të paraqitet majmëria (barku i madh-trashësia)".(4)
Vlera e shokëve të Pejgamberit a.s. Dhjetë të përgëzuarit me Xhennet
Në kuadër të brezit të artë të sahabëve bëjnë pjesë edhe Dhjetë sahabët e përgëzuar me Xhennet. Është shumë tërheqëse dhe e rëndësishme që të njihesh me jetëshkrimin dhe biografinë e Dhjetë të përgëzuarve me Xhennet, me jetëshkrimin e sahabëve të tjerë dhe me familjet e tyre. Prandaj qëllimi i këtij shkrimi është që dashuria për sahabët - të na shtohet. Ndërkohë që flasim për Dhjetë të përgëzuarit me Xhennet, i konsiderojmë ata si një shkollë nga e cila vetëm mësohet dhe nxihet dije. Dhjetë të përgëzuarit me Xhennet i përmend Pejgamberi a.s. në një hadith të transmetuar nga Seid ibn Zejd, i cili e ka dëgjuar Pejgamberin a.s. të ketë thënë: "Dhjetë persona janë në Xhenet: Ebu Bekri është në Xhenet, Umeri është në Xhenet, Uthmani është në Xhenet, Aliu është në Xhenet, Talha është në Xhenet, Zubejri është në Xhenet, Abdurrahman ibni Aufi është në Xhenet, Sad ibni Maliku është në Xhenet, Ebu Ubejde ibni Amir ibnul Xherrahu është në Xhenet". Këtu transmetuesi i hadithit Seid ibnu Zejdi heshti për një çast. Të pranishmit e pyetën: "Kush është i dhjeti"? Ai u tha: "Seid ibnu Zejdi", për veten e tij. Më pastaj u tha: "Një moment i tyre me të dërguarin e Allahut, ku u pluhurosej fytyra, është më i dobishëm se e gjithë jeta juaj, e mbuluar me vepra të mira, edhe sikur të jetonit sa Nuhu a.s.".(5) lidhur me sahabët, dijetarët myslimanë pohojnë: "Çdo e mirë rrjedh prej tyre".(6) Kjo nuk do të thotë, siç mendojnë disa thirrës, që brezat e fundit janë brezi i së keqes, degjenerimit dhe korrupsionit. Lidhur me këtë, Pejgamberi a.s. thotë: "Shembulli i Ymetit tim është si shembulli i shiut, të cilit nuk i dihen dobitë, nëse i ka në fillim apo në fund". Nëse e mira e islamit dhe e myslimanëve është në brezin e parë të këtij Ymeti, atëherë ata janë shokët e Muhamedit a.s.. Edhe pse jemi të bindur që sahabët janë brezi më i mirë që ka ekzistuar në sipërfaqën e Tokës, kjo nuk do të thotë që ne i përkasim brezit më të keq, sepse Pejgamberi a.s., ashtu siç lavdëroi brezin e tyre, na ka lavdëruar edhe ne. Pra, Pejgamberi a.s. ka lavdëruar edhe brezat e mëvonshëm, kur në një hadith ka thënë: "Do të vijë një kohë kur, të zbatosh normat islame - do të jetë si të mbash prushin në dorë".(7) Sigurisht që ky vlerësim i Pejgamberit a.s. është një lavd për ata breza që do të përjetojnë një kohë të tillë. Ndërkaq, në një hadith tjetër Muhamedi a.s. na quan si të dashurit e tij. Ne nuk duhet të pajtohemi me konstatimet e shpeshta, sikur myslimanët po devijojnë në kontekstin negativ dhe sikur sot nuk ekziston e mira. Ky konstatim nuk është i drejtë, pasi ne si myslimanë jemi të urdhëruar që, ashtu siç shohim anën e errët të medaljes, të shohim edhe anën e saj të ndritur. Çdo e mirë që dimë dhe veprojmë sot, regjistrohet në regjistrat e veprave të mira të atij brezi të nderuar dhe fisnik.
Përfundim
Për të vërtetuar vlerat e sahabëve të Pejgamberit a.s. dhe dashurinë që All-llahu xh.sh. ka për ta, do të mjaftonte lëvdata eVetë Krijuesit të Madhërishëm në Kur'an, ku thotë: "Allahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (emigruesve) dhe prej ensarëve (ndihmëtarëve) dhe me ata që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Atyre u ka përgatitur xhennete, në të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetë. E ky është fitimi i madh". (Et-Tevbe, 100)
Duke u bazuar në vlerat që ka ky brez i sahabëve të lavdishëm, është obligim i të gjithëve që, me respekt, të ndjekim shembullin dhe rrugën e tyre. Ideja e të pasurit një model dhe shembull, është një filozofi e ndërtuar dhe e themeluar nga vetë Pejgamberi a.s.. Ndërkohë që ai i mësonte rregullat e fesë dhe obligimet një beduini, Profeti a.s. tha: "Faluni siç më keni parë mua të falem".
Me këtë Muhamedi a.s. deshi të na mësonte që ai është modeli dhe shembulli ynë më i mirë. Po ashtu edhe Katër Halifët e drejtë dhe të gjithë sahabët e tjerë janë modeli ynë. Ymeti islam është një nga ymetet më të pasura për sa u përket modeleve të mira. Është për të ardhur keq që, me gjithë këtë fakt të qartë, ne vazhdojmë të importojmë ide dhe vlera të huaja. Ajo që kërkohet prej nesh, është që këto vlera t`i kërkojmë në jetëshkrimin e Pejgamberit a.s. dhe sahabëve të tij, t`i studiojmë dhe t`i bëjmë të njohura për shoqërinë dhe opinionin publik. Pejgamberi a.s. në një hadith sahabët e tij i ka përshkruar si yjet në qiell. Në cilindo prej tyre të orientohemi me vepra të mira, do të udhëzohemi në rrugën e drejtë, të vërtetë dhe të suksesit.
Gjendja jo e kënaqshme e myslimanëve sot i referohet faktit që ne myslimanët imitojmë dhe ndjekim modelet e të tjerëve, duke shpërfillur modelet tona islame. jemi dëshmitarë të përditshmërisë sonë dhe të faktit që myslimanët po ndjekin Perëndimin me punë dhe veprime të ndryshme në shumë çështje. Këtu duhet të theksojmë se ne nuk jemi kundër imitimit dhe ecjes rrugës së tyre, por jemi kundër imitimit të verbër të rrugës së tyre, sidomos në gjërat që kanë të bëjnë me moralin negativ. Nëse Perëndimin do ta kishim shembull dhe model të zhvillimit dhe përparimit, në fakt ky do të ishte model dhe shembull i mirë. Ndërkohë që, duke imituar dhe pasuar modelet më negative të Perëndimit, ne vetëm sa vazhdojmë të thellojmë injorancën dhe prapambetjen në mesin e shoqërisë sonë.
________________________________________
(1) Xhasim Mutava, Të përgëzuarit me xhennet (nga arabishtja përktheu Elmaz Fidaj, Shkup, Furkan, 2010, f.10
(2) Po aty, f.9.
(3) Tarik Suvejdan, Nga jeta e tabi injëve, SHB "Furkan ISM", Shkup 2009, f.8.
(4) Buhariu, Muslimi, Ahmedi.
(5) Xhasim Mutava, Ibidf. 8-9.
(6) Po aty, f.12.
(7). Po aty.
Dituria Islame 253