Me emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit


"Lexo, në emër të Zotit tënd i Cili krijoi. Krijoi njeriun prej një rrecke. Lexo! Se është fisnik Zoti yt. I Cili e mësoi me pendë; E mësoi njeriun çka nuk e kishte ditur. " (El Alak, 1-5.)


Allahu e veçoi njeriun nga krijesat e tjera duke i dhënë mendjen, i dhuroi atij edhe shqisat për të njohur botën. Kështu, nëpërmjet mendjes njeriu merr perceptimet, kupton dhe mediton, nxjerr konkluzione. Mirëpo, krahas kësaj, Allahu i Madhërishëm nëpërmjet pejgamberëve njeriut i dërgoi shpallje dhe i furnizoi ata me dije mbi qëllimin e jetës, vlerat dhe mbi kualitetet etike dhe ua besoi detyrën që Shpalljen Hyjnore t'ua komunikojnë njerëzve duke ua treguar rrugën e vërtetë. Përmes pesë shqisave (shikimi, dëgjimi, nuhatja, shijimi dhe prekja), që i ka si pesë dritare që i janë hapur për të parë botën lëndore, njeriu merr ndijimet. Njeriu përdor edhe teknika të ndryshme shkencore për të njohur më shumë botën lëndore. Me përparimin e shkencave, njeriu i ka avancuar këto teknika me të cilat e kupton më mirë natyrën, e studion dhe e njeh më shumë ndërtimin dhe funksionimin e ligjeve në të.
Mirëpo, përkufizimi i njohjes vetëm në atë që është materiale, duke e privuar nga pranimi i botës së shpirtit, shpalljes dhe të parit përtej botës fizike, është një përkufizim i gjymtë dhe i jo i drejtë. Të deklarohet se s'mund të njihet diçka, veçse ajo që mund të kapet përmes shqisave, nëse shihet, dëgjohet, nuhatet, shijohet dhe preket është një pretendim që mbase do t'i shkonte mendjes fëmijërore.
Sipas sentencës islame bota mund të kuptohet në saje të përputhshmërisë dhe inkorporimit të burimeve diturore të shumëllojshme. Njohja dhe dija nuk mund të reduktohen në një burim të vetëm. Mendja, pesë shqisat dhe vrojtimi janë burime të dijes që nuk konfrontohen me shpalljen hyjnore (vahjin).
Prandaj, dijetarët myslimanë konstatojnë se njeriu mund të arrijë të dijë dhe të njohë edhe nëpërmjet të njohurit apriori dhe natyrës së pastër (fitre), nëpërmjet mendjes dhe të menduarit e të logjikuarit, nëpërmjet fuqisë shpirtërore, inspirimit dhe shpalljes hyjnore.
Pra, njohja mund të arrihet nëpërmjet shqisave, mendjes dhe nëpërmjet shpalljes. Aftësia e mendjes së njeriut, ndonëse është më shumë se njohja e mjeteve për të ar ritur qëllimet, megjithatë ajo është e limituar dhe nuk mund të kuptojë të vërtetën rreth botës metafizike. Vetëm nëpërmjet Shpalljes, njeriu duke përdorur mendjen, arrin të mësojë të vërtetën për Zotin.


 


Editorial
Dituria Islame 344-345


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

500 vjet xhami, 500 pajtime gjaku - Sadri Zeka hoxha i pajtimit, flamurit dhe kufirit