Fejesa tradicionale në peshojën e jurisprudencës islame (2)


Qartësimi i dallimeve esenciale


Fejesa në konceptin islam nënkupton vetëm paraqitjen e ofertës për martesë nga cilado palë, qoftë drejtpërdrejt qoftë duke autorizuar dikë për një detyrë të tillë. Koncepti i fejesës në traditën tonë, thënë troç, nuk është ekuivalent dhe i plotpërputhshëm me fjalën fejesë të sheriatit islam.


Ceremoniali i fejesës në traditën tonë realizohet në një formë solemne, dhe me prezantimin e një numri të mysafirëve që janë edhe dëshmitarë të një akti në mes familjes së vajzës dhe djalit, e i cili respektohet me përpikëri pothuajse në të gjitha fejesat që mund të konsiderohen si tradicionale. 
Në ceremoninë e të ashtuquajturës fejesë, të cilën zakonisht e organizon familja e djalit, domosdo marrin pjesë ndërmjetësi ose iniciuesi i fejesës (i cili zakonisht është i afërm i ndonjërës palë), ndërsa me vete ka edhe dikë nga familjarët e palës tjetër, mision dhe detyrë e të cilëve është përcjellja e aprovimit të plotë dhe pëlqimit legjitim se vajza ka pranuar të bëhet bashkëshorte e djalit që ka kërkuar martesë, ose e kundërta.
Dorëzimi i fjalës (i ashtuquajturi "përhajri" për fejesën e vajzës me djalin) bëhet edhe me shprehje të caktuara, e të cilat kanë domethënien e lejimit të martesës së tyre me pëlqimin e dyanshëm familjar dhe vetë çiftit. Kjo zakonisht përcillet edhe me gosti për të ftuarit, si shenjë gëzimi për "fejesën" në fjalë.
Sa i përket asaj që në traditën tonë njihet si "fejesë tradicionale", kjo është thelbësorja.
Por, se çfarë peshe juridike dhe legale marrin veprimet e tilla dhe ceremonia e tillë në këndvështrimin islam, për këtë do të kuptojmë gjatë shtjellimit të kushteve të ligjshmërisë së aktit të kurorëzimit në pikëpamjen juridike islame.


Akti i kurorëzimit (Nikahi) dhe kushtet e pranueshmërisë të tij në Islam


Meqë gjykimi për një çështje duhet të burojë nga perceptimi i drejtë i saj, atëherë duhet theksuar se akti i kurorëzimit është: "Akt me anë të të cilit bëhet e ligjshme lidhja martesore e një çifti dhe, rrjedhimisht, më pas lejohet edhe intimiteti bashkëshortor në mes tyre".(1)
Pra, ekzistimi i një akti të tillë është esencial për legalizimin e lidhjes bashkëshortore të një çifti. Mirëpo, për të qenë i kompletuar juridikisht akti i kurorëzimit, duhet plotësuar disa kushte. Gjithsesi, logjika e kërkesave dhe kushtëzimeve të ndryshme që bëhen në aktin e kurorëzimit, në jurisprudencën islame është e ndërlidhur fuqishëm me vetëshënjtërinë e këtij akti. Meqë ky akt synohet nga Ligjvënësi, pra të jetë i përjetshëm, atëherë duhen siguruar edhe kushtet që ia sigurojnë jetëgjatësinë, ose eventualisht përjetësinë. Madje edhe gjërat që i paraprijnë këtij akti (si shikimi i palëve, përshtatshmëria, paraqitje e ofertës-fejesa etj.) i shërbejnë të njëjtit qëllim.
Që kushtet e këtij akti të jenë sa më të kristalizuara, juristët i kategorizuan këto kushte në disa kategori, por esencialisht të rëndësishme janë ato që konsiderohen kushte të ligjshmërisë së aktit të kurorëzimit (nikahit). Janë të theksuara edhe në forma të ndryshme nga juristët myslimanë, por ne do t'i shkoqisim që të jetë më i mundshëm krahasimi i tyre me ceremoninë e fejesës tradicionale.


Kushtet e ligjshmërisë së kurorëzimit (nikahit)


Kushtet e ligjshmërisë së kurorëzimit (nikahit) janë:
a) Të mos ekzistojë asnjë pengesë-ndalesë për martesën e atyre dy personave, siç janë ndalesat në martesë, qofshin ato të përhershme për shkak të afërsisë së gjakut, qumështit, miqësisë, ose të përkohshme, siç është martesa e gruas që është në kohën e pritjes-idetit pas shkurorëzimit të saj nga burri tjetër, e të ngjashme. E nëse ekziston ndonjë pengesë e kësaj natyre, është e ndaluar edhe paraqitja e ofertës për martesë-fejesa, e lëre më martesa.
b) Ekzistimi i dy dëshmitarëve, përveç familjarit të femrës. Dëshmitarët duhet të jenë të moshës së rritur dhe myslimanë, si dhe të mençur mentalisht. Roli esencial i dëshmitarëve është përhapja e lajmit të lidhjes së re në mes çiftit të ardhshëm, por edhe dëshmia e mundshme në të ardhmen, në rast të mospajtimeve mes tyre. Gati të gjithë dijetarët janë pajtuar se është jolegal dhe jo i vlefshëm ai kurorëzim kur çifti është marrë vesh për mbajtjen sekret të tij. Kjo ngase Muhamedi s.a.v.s. ka thënë: "Nuk ka kurorëzim pa kujdestar të vajzës dhe dy dëshmitarë të drejtë."(2) Sipas hanefive në aktin e kurorëzimit lejohet edhe dëshmia e femrës, por me kusht që në vend të njërit dëshmitar mashkull të jenë dy femra, siç është theksuar edhe në një ajet kuranor: "...Kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj, e në qoftë se nuk janë dy burra, atëherë një burrë e dy gra, nga dëshmitarët që i pëlqeni. (Dy gra në vend të një burri) Për atë se nëse njëra prej tyre gabon, t'ia përkujtojë tjetra...." (El Bekare, 282).
Ajeti në fjalë flet për dëshmitarët në çështjet e shitblerjes dhe borxhit, porse sipas hanefive dhe një transmetimi të Imam Ahmedit mund të merret argument edhe në çështjen e martesës.(3)
Për kushtëzimin e dëshmisë së dëshmitarëve u pajtuan edhe Imam Shafiu dhe Imam Ahmedi, ndërsa Imam Maliku mendonte se prezenca e dëshmitarëve nuk është e domosdoshme por preferohet, ndërsa i domosdoshëm është vetëm publikimi i lajmit, qoftë edhe me një gostitje të mysafirëve, ose me rrahje të defit.(4)
Këto dy kushte janë unanime pothuajse tek të gjithë dijetarët, dhe pa plotësimin e tyre akti i kurorëzimit konsiderohet i paligjshëm.
Mirëpo, për legjitimim të aktit të kurorëzimit shumi ca e dijetarëve e kushtëzojnë edhe lejen e kujdestarit të vajzës, ngase sipas tyre femra nuk mund ta martojë veten e saj. Këtë gjë nuk e kushtëzon Imam Ebu Hanifeja.
Sipas tij, vajza e moshërritur dhe mentalisht e shëndoshë ka të drejtë që vetë ta zgjedhë bashkëshortin e vet, qoftë edhe pa miratimin e prindit apo kujdestarit, edhe pse kjo nuk është e preferuar. Madje, prindi nuk ka të drejtë ligjore që pa lejen e saj ta martojë vajzën e vet, e cila ka hyrë në moshë madhore. Të dy mendimet janë mbështetur në argumente të shëndosha, e që s'është e mjaftueshme hapësira për t'i shoshitur në tërësi ato.
Mirëpo, nëse vajza nuk e ka zgjedhur atë që është i nivelit të saj, në fisnikërinë familjare të saj, bukurinë, moralin e fenë, atëherë ligjërisht, edhe sipas Ebu Hanifës, kujdestari ka të drejtë që të kërkojë ndarjen e saj nga ai bashkëshort, dhe gjykata doemos duhet t'i përgjigjet pozitivisht kërkesës së tillë për ndarje, edhe pa dëshirën e vajzës.(5)
Nga detajizimi i fundit del në pah se hendeku ndarës në mes të dy mendimeve vjen duke u ngushtuar, ngase para aktit të kurorëzimit shumica i japin të drejtë vendimmarrëse kujdestarit, ndërsa sipas Ebu Hanifës ai e fiton të drejtën e prishjes së kurorës së vajzës së vet në rast se martesa e saj ndikon në prishjen e imazhit të saj ose familjes së saj. Por, duhet thënë një gjë se, në tra ditën tonë ka qenë thellë i ngulitur parimi se për vajzën prindi i saj duhet ta japë fjalën e fundit, dhe kjo është si rrjedhojë e mishërimit të kësaj tradite me parimet islame, të artikuluara në mënyrë të drejtpërdrejtë nga vetë Muhamedi s.a.v.s..
Ndërsa sa i përket përcaktimit të mehrit-pajës së nusërisë, ai pa dyshim është një obligim që burri duhet t'ia japë bashkëshortes së tij. Është e drejtë ekskluzive e femrës, që burri nuk ka të drejtë t'ia mohojë apo ta privojë nga ajo. Mirëpo, nuk kushtëzohet doemos që mehri të përcaktohet në aktin e kurorëzimit. Përcaktimi i sasisë-shumës së mehrit mund të shtyhet edhe për më vonë, dhe kjo vonesë në ligjshmërinë e aktit të kurorëzimit është pa kurrfarë efekti negativ. Nëse këto kushte janë plotësuar paraprakisht, tashmë ka mbetur vetëm lidhja e aktit të kurorëzimit. Me këtë lidhje nënkuptojmë paraqitjen e ofertës në formë të qartë nga njëra palë, dhe përgjigjen e plotpërputhshme me fjalë po ashtu të qarta ndaj kërkesës, e në të njëjtin vend, nga pala tjetër. Kjo është shtylla procedurale legjitime (rukn) e aktit të kurorëzimit te hanefitë. E nëse shkruhet dhe regjistrohet nga personi zyrtar (ose imami), një gjë e tillë vetëm se ia shton garancinë dhe plotfuqishmërinë aktit, edhe pse një gjë e tillë nuk konsiderohet kusht i legjitimitetit. Prezenca e imamit në raste të tillë ka më shumë karakterin sqarues të rregullave martesore e të aktit të kurorëzimit, sesa që ndërlidhet me legjitimitetin e aktit. Në atë rast ai do ta luste Allahun e Lartmadhëruar edhe me ndonjë lutje-dua të veçantë që t'u begatohet jeta e tyre martesore, dhe që Allahu t'u falë pasardhës të mirë, siç është transmetuar se bëri edhe Muhamedi a.s.(6)


Analogjia mes fejesës tradicionale dhe kurorëzimit sheriatik islam


Nga kushtet e ligjshmërisë së kurorëzimit (nikahit) që u theksuan më sipër, dhe përshkrimit të formës praktike që praktikohet në traditën tonë për ceremoninë e fejesës tradicionale, del në shesh se fejesa jonë tradicionale i plotëson kushtet e një akti të kurorëzimit.
Nëse në aktin e kurorëzimit islam plotësohet konfirmimi se nuk ka kurrfarë pengese për martesë në mes të çiftit, pastaj edhe prezantimi i dëshmitarëve, leja e prindit, që është kusht jounanim por gjithsesi i shumicës së dijetarëve, si dhe kërkesa dhe aprovimi të jenë bërë publikisht dhe pa kurrfarë presioni e në të njëjtin vend, atëherë vërejmë se elementet e tilla në tërësi gjenden edhe në fejesën tonë tradicionale.
Kjo bënë që fejesa jonë tradicionale në këndvështrimin e sheriatit islam të marrë tretmanin dhe peshën e një kurorëzimi legal, dhe të jetë plotësisht me vlerë të barabartë me të.
Por, duhet tërhequr vërejtjen se, edhe nëse kjo fejesë tradicionale ka peshën e një kurorëzimi në aspektin sheriatik, është e udhës dhe e moralshme që të ruhet etika dhe kodi i sjelljeve i trashëguar nga shoqëria jonë, që nënkupton se jeta martesore në mes çiftit, në kuptimin e plotë të fjalës, fillon vetëm pas ceremonisë së martesës, e jo menjëherë pas një fejese të tillë tradicionale. Ruajtja e një etike të tillë në mënyrë absolute nuk bie ndesh me sheriatin islam e as me dispozitat martesore të tij, përkundrazi dëshmon përkushtimin e myslimanëve që ta ruajnë me sinqeritet çdo traditë të mirëfilltë të shoqërisë tonë. Madje, për fund, do ta përmbyllja këtë temë me një rregull të shëndoshë të jurisprudencës islame, në të cilën thuhet: "Ajo që është e pranuar dhe e njohur me traditë e zakon, është sikur ajo që është e kushtëzuar me kusht." Ky rregull juridik islam dëshmon edhe peshën juridike që ka tradita e mirëfilltë e popujve të ndryshëm në ligjësimin e dispozitave islame në përgjithësi.


___________________________________
(1) Ebu Zehre, "El-Ahval Esh-shah'sijjeh", f. 19, Bot. i Darul Fikril-Arabijj, Kairo, 2005.
(2) Transmeton Daru Kutniu në "Sunenin" e tij, Nr. i hadithit: 3521, Bot. i parë, Err-rrisaleh, Bejrut, 2004.
(3) Ebu Zehre, "El-ahval esh-shah'sijjeh", f. 52-53, Bot. Darul-Fikril-Arabij, Kair, 2005.
(4) Ibn Shas "Akdul-Xheva hiruth-themineh", 18\2, Bot. i parë, Darul-Garbil-slamij, Xhedë, 1995.
(5) El-Mejdanij "El-Lubab fi sherhil-kitab", 9\3, Bot. i parë, Err-rrisaleh, Bejrut, Pa vit botimi. Pastaj Ibn Kudameh, "El-Mugnij", 345\9, Bot. i gjashtë, Daru Alemil-kutub, Riad, 2007.
(6) Transmeton Tirmidhiu, Nesaiu e të tjerë, se Muhamedi a.s. në rast të kurorëzimit e martesës së çifteve thoshte: "Zoti ju dhashtë bereqet-begati në jetën tuaj dhe të atyre që vijnë prej jush, dhe ju bashkoftë gjithmonë në të mira!". Suneni i Ebu Davudit, Hadithi Nr. 2130.


 


 


Dituria Islame 294


Artikulli i kaluar
Burimet e njohjes
Artikulli radhës
Shpifja për moral

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

500 vjet xhami, 500 pajtime gjaku - Sadri Zeka hoxha i pajtimit, flamurit dhe kufirit