Agjërimi ibadet dhe edukim shpirtëror

 


Muaji i Ramazanit është detyrim dhe kushti i tretë i fesë islame. Ai është një kusht me të cilin ishin të obliguar, së bash ku me popujt e tyre, të gjithë të dërguarit e Allahut xh.sh.. Agjërimi është durim, i cili të çon tek durimi i vazhdueshëm, një fitore e cila të çon nga fitorja definitive dhe e plotë.
Nëse agjërimi të bën të jesh i durueshëm, atëherë do të jesh më i aftë dhe më i gatshëm për durim edhe në fatkeqësi, në vështirësi dhe në raste të tjera... Ky pra, është rezultati i devotshmërisë që përmban edukimi i agjërimit. Prandaj muslimanët, me kënaqësinë më të madhe, e presin agjërimin e porositur nga ana e Zotit xh.sh., sepse ai sjell të mirat që ata i shfrytëzojnë dhe për përmbushjen e të cilit ata do të shpërblehen në Botën tjetër. Agjërimi i Ramazanit ofron gjallëri më të këndshme, përjetime të larta duke i liruar agjëruesit nga presionet e përditshme në të cilat dominojnë epshet.
Në anën tjetër, gjatë këtij muaji të bekuar, agjëruesi takohet dhe ballafaqohet me veten e tij, mundohet ta pastrojë vetveten nga intrigat e shejtanit që qarkullon në trupin e tij. Për këtë arsye, muslimanët e falën derojnë Zotin xh.sh., i Cili ua bëri detyrim agjërimin, sikurse ua kishte bërë edhe popujve të tjerë që na kanë paraprirë, me të vetmin qëllim që të jemi të devotshëm dhe të sjellshëm. Shumë dijetarë të fushave të ndryshme kanë shkruar dhe shpjeguar për agjërimin dhe të mirat e tij, dhe kjo është plotësisht e natyrshme, kur dihet se dobitë e agjërimit janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme. Agjërimin e kanë trajtuar nga pikëpamja sociale, morale, fetare, pedagogjike, shoqërore, shëndetësore etj..


Ç'është agjërimi


Sikurse u tha, agjërimi i Ramazanit është nga shtyllat themelore të fesë islame, të cilin duhet ta kryejnë çdo musliman e muslimane, që janë të rritur dhe që psikikisht e fizikisht janë të shëndoshë. Fjala agjërim në aspektin etimologjik nënkupton largim, abstenim nga veprimi i diçkaje, ndërsa, sipas shpjegimit që na ofron Pejgamberi a.s., këtu qëllimi është të përmbajturit prej çdo ushqimi e pijeje, nga marrëdhëniet seksuale prej agimit e deri në rënien e muzgut, gjatë tërë muajit të Ramazanit. Ky ibadet bazën e ka në Kuranin famëlartë, ku Zoti xh.sh. besimtarëve u drejtohet: "O ju që besuat, agjërimi ju është bërë detyrim sikurse ishte detyrim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. (Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfri, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të. Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju. (Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramazanit në të cilin (filloi të) shpallej Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) që të plotësoni numrin, ta madhëroni Allahun për shkak se ju udhëzoi dhe që të falënderoni". (El Bekare, 183-185). Nga ajetet kuranore shihet qartë obligueshmëria e agjërimit dhe se agjërimi nuk është risi vetëm me dërgimin e Muhamedit a.s., porse ishte njohur dhe ishte praktikuar edhe nga pejgamberët dhe popujt e mëhershëm.


Qëllimi i agjërimit


Për agjërimin në Islam nuk mjafton të vihet në dukje vetëm ana pasive, materiale, e jashtme, e cila manifestohet me heqjen dorë nga ushqimi dhe pija. Agjërimi në radhë të parë është veprim aktiv shpirtëror, me të cilin ai që e plotëson, ka dëshirë të arrijë qëllimin, cakun që i ka vënë përpara Sheriati islam. Me këtë rast, të rikujtojmë se Allahu xh.sh., me anë të agjërimit, nuk dëshiron vuajtjet dhe mundimet tona, tek Ai nuk arrin lodhja dhe rraskapitja e trupit tonë. Qëllimi kryesor i agjërimit është: "Që të bëhemi të devotshëm". Pra, qëllimi i agjërimit është edukimi i shpirtit të njeriut, ngritja shpirtërore drejt engjëllores, drejt arritjes së shkallës më të lartë të humanitetit islam. Pra, kjo duhet të jetë ajo devotshmëria dhe pasuria shpirtërore që duhet të jetë produkt i agjërimit. Agjërimi duhet të na mësojë të jemi të përmbajtur, që dikush të mos qortohet e të ofendohet, por edhe të mos u përgjigjemi provokimeve nga ana e dikujt. Agjërimi është durim i cili shpie tek durimi i vazhdueshëm, fitore që shpie nga fitorja definitive dhe e plotë. Nëse agjërimi të mëson të jesh i durueshëm në kohën që e karakterizon siguria dhe mirëqenia, do të jesh më i aftë dhe më i gatshëm për durim edhe në fatkeqësi, vështirësi, gjatë sfidave dhe në të gjitha rastet e tjera. Nëse agjërimi të mëson se si ta mposhtësh sot veten, nesër me siguri do ta mposhtësh shejtanin. Ky është rezultati i devotshmërisë që përm ban institucioni i agjërimit.


Të mirat e agjërimit


Po përmendim disa nga format e ndikimit të agjërim it në edukimin shpirtëror dhe ndërgjegjësimin e njeriut, edhe pse, edhe sikur të donim t'i numëronin të gjitha të mirat e agjërimit, nuk do t'ia dilnim dot:
Agjërimi e pajis njeriun me një vetëdije të gjallëruar e të shëndoshë, për arsye se agjëruesi agjërimin e tij e mban edhe fshehurazi edhe publikisht.
Agjërimi është mjet për edukimin e dëshirës, unit, nefsit, egos, sepse agjëruesi nuk dominon vetëm mbi kënaqësitë e lejuara, por edhe mbi atë të ndaluarën.
Agjërimi i mëson njeriut durimin, sepse ai, kur agjëron, ndien dhembjet e mërzisë dhe të shqetësimit, por duron. Kjo përvojë e bën atë që t'i kuptojë efektet dhe pasojat serioze të dhembjeve të tilla tek të tjerët, të cilët mund të jenë të privuar nga të mirat elementare me ditë, javë, muaj e vite.
Agjërimi ia mëson njeriut burrërinë e vërtetë që dominon mbi instinktet dhe dëshirën e lartë që funk sionon vullnetarisht. Sa mirë do të ishte sikur Ramazani t'i bashkonte njerëzit me agjërimin që përmban në vete burrëri të proklamuar dhe dëshirë të lartë.
Agjërimi tek njeriu inicion frymën e vërtetë të përkatësisë sociale, unitetit të vëllazërisë, të barazisë para Zotit. Agjërimi është një urdhër i Zotit për rivërtetim të së vërtetës dhe për vetëkontroll, për ruajtjen e dinjitetit dhe lirisë njerëzore. Kur njeriu agjëron në mënyrë të duhur, është në gjendje ta kontrollojë vetveten, të ushtrojë një komandë të plotë ndaj epsheve të veta, t'i disiplinojë dëshirat e tij dhe t'u rezistojë presioneve qëllimkëqija.
Gjatë agjërimit, edhe pse njeriu qëndron i uritur, shpirti i tij ushqehet. Besimtari gjen kohë për ta lutur Allahun, për të lexuar Kuran, dëgjon fjalët e Allahut që e ftojnë për bamirësi e adhurim dhe e largojnë nga mëkati dhe e keqja.
Agjërimi është i fshehtë, dhe mbikëqyrës i vetëm i tij është Allahu xh.sh.. Në këtë mënyrë tek agjëruesi duhet të zhvillohet ndjenja dhe bindja e mbikëqyrjes së Allahut xh.sh. dhe që Ai përcjell gjithmonë veprimet e tij. Për këtë arsye, muslimani i drejtë agjërimin e merr si mjet me të cilin e pastron shpirtin e vet. Ndërkaq, nëse e kundërshton këtë të vërtetë të agjërimit dhe nuk e njeh urtësinë e tij, atëherë agjërimi nuk do të sjellë kurrfarë të mire shpirtërore dhe për agjëruesin do të paraqesë vetëm lodhje dhe kotësi.
I Dërguari a.s., lidhur me këtë, ka thënë: "Kush nuk i largohet gënjeshtrës dhe veprimit me të, nuk ka nevojë të largohet nga ngrënia dhe pija". (Buhariu). Të gjitha punët që ndërmerr besimtari, janë për atë, përveç agjërimit dhe pagesa për agjëruesin mbetet ekskluzivisht e Allahut xh.sh.. Këtë më së miri na e vërteton Allahu xh.sh. në një hadith kudsij, ku thotë: "Allahu i Madhëruar ka thënë: Biri i Ademit (njeriu) çdo vepër e bën për vete, përveç agjërimit, që është vetëm për Mua dhe Unë shpërblej për të".



_____________________________________
1. Kurani - përkthim me komentim në gjuhën shqipe. Përktheu dhe komentoi: Sherif Ahmeti, i botuar në Medinë, viti 1415 h.
2. Mustafa Ashur, Es-sijam, Kajro 1992.
3. Sejid Sabik, Fikhus-Sunneh, Tiranë, 2005. 4) Mr. Zekerija Bajrami, Agjërimi pse dhe si, Shkup. 1999.


 


Xhafer Fejziu
Dituria Islame 287


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kur profesioni bëhet mision - Dr. Qazim Qazimi - 46 vite në shërbim të arsimit