Përsiatje shkencore rreth ajeteve të agjërimit (1)


"O ju besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu siç u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat."(1) (El Bekare, 183).
Ky është ajeti i parë i ajeteve të agjërimit, i cili nis me thirrjen ndaj besimtarëve, gjë që nënkuptohet sepse janë besimtarët, ata, që i pranojnë urdhëresat e Tij dhe i zbatojnë ato. Kurse mësimet kryesore që nxjerrim nga ky ajet mund të përmblidhen në tri pika, siç vijojnë:


• Agjërimi si adhurim është obligim i prerë për besimtarët - farz


Siç dihet, agjërimi (i Ramazanit), njëherësh është edhe një nga pesë shtyllat e Islamit. Fjala "saum" gjuhësisht nënkupton lënien apo abstenimin, kurse në terminologjinë islame, nënkupton abstenimin nga gjërat që e prishin agjërimin (ngrënia, pirja, intimiteti, e të ngjashme), nga koha kur dallohet bardhësia e agimit të vërtetë nga errësira e natës, e deri në perëndimin e diellit.
Në këtë ajet nuk përcaktohet se për cilin agjërim bëhet fjalë, dhe për këtë ka disa interpretime: A është për qëllim agjërimi i muajit Ramazan; apo tri ditë nga secili muaj siç ishte më herët obligim para se të bëhej obligim Ramazani në formë të prerë, që i bie që ky ajet të jetë i abroguar nga ajeti 184 i kësaj sureje; apo interpretimi i tretë që është thjesht agjërimi në esencë si lloj ibadeti, e që duket të jetë më i sakti.(2)


• Agjërimi nuk është veçori e këtij ymeti, sepse ishte obligim edhe i popujve të më hershëm


Komentuesit e Kuranit, japin tri mendime se cilët mund të jenë të mëhershmit për qëllim në këtë ajet. Një pjesë e dijetarëve thonë se janë të krishterët, të tjerët mendojnë se janë ithtarët e Librit,(3) dhe mendimi i tretë është se janë të gjitha ymetet e mëhershme të urdhëruara me agjërim, pejgamber pas pejgamberi që nga Ademi a.s..(4) Sido që të jetë, kjo e shfaq rëndësinë e këtij adhurimi si pjesë e përbashkët e sheriateve të zbritura nga Allahu i Madhërishëm. Gjithashtu ky krahasim jep një ndjesi lehtësimi, pasi që dihet se gjërat jo të lehta, siç mund të konsiderohet edhe agjërimi, përballohen më lehtë kur kuptohet fakti se ato ishin obligim i të gjithëve, sesa po të mbetej vetëm obligim i veçantë për ne. Po ashtu, kjo gjë nxit në kryerjen e tij dhe i shtyn besimtarët ta marrin atë me seriozitet, pse jo që t'i tejkalojnë edhe popujt e mëhershëm.(5)


• Agjërimi si synim ka devotshmërinë dhe frenimin nga punët e këqija


Nga definicionet më përmbledhëse të devotshmërisë është se të jesh i devotshëm, do të thotë të vësh pengesë ndërmjet teje dhe dënimit të Zotit, duke i zbatuar urdhëresat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij. Prandaj, i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Agjërimi është mburojë…." (Buhariu, 1894),(6) pra në kuptimin metaforik të fjalës, që e mbron agjëruesin nga mëkatet.
"(Agjërimi zgjat) disa ditë (të caktuara), por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë mundësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini." (El Bekare, 184).
Ky ajet, gjuhësisht, është i ndërlidhur me ajetin paraprak, meqë fillon me "disa ditë (të caktuara)"; dhe si rrethanor kohe (ose edhe si kundrinor i drejtë), plotësohet kuptimisht me ajetin paraprak. Shpjegimin dhe normat që nxjerrim nga ai, mund t'i përmbledhim në pikat vijuese: Rreth fjalëve "disa ditë", ka dy mendime se çka është për qëllim me to. Shumica e tefsirologëve mendojnë se janë për qëllim ditët e Ramazanit.(7) Madje, Imam Taberiu, thotë se nuk ka argument të prerë që të dëshmojë mjaftueshëm se ka pasur agjërim tjetër të obliguar për këtë ymet përveç Ramazanit.(8) Më tutje, ajeti shpjegon se të sëmurët dhe udhëtarët mund t'i kompensojnë më vonë ditët e pa agjëruara gjatë Ramazanit. Për sa i takon sëmundjes nga e cila lejohet të prishet agjërimi, sipas mendimit më të saktë është për qëllim, ajo sëmundje që sjell vështirësi të mëdha për agjëruesin, si dhe sëmundja që e dëmton trupin apo e shton - eskalon sëmundjen.(9) Kurse për udhëtarin, se kush konsiderohet i tillë, ka po ashtu mospajtime ndërmjet dijetarëve. Por, sipas shkollës hanefite, me udhëtim është për qëllim distanca që e kalonte njeriu për tri ditë e tri net me mjete udhëtimi primitive.(10) Sot kjo distancë përllogaritet diku së paku 85 kilometra.
Më pas vjen fjalia "Ata që kanë mundësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi", për të cilën ka disa interpretime dhe nga e cila varet edhe interpretimi i pjesës tjetër të ajetit, më saktësisht bëhet fjalë për fjalinë (يُطِيقُونَهُ) - ata që kanë mundësi për të agjëruar. Kjo fjali recitohet me dy kiraete të njohura dhe ka disa mendime për domethënien e saj.(11) Shumica e tefsirologëve, duke u bazuar në kiraetin e xhumhurit, e që është mutevatir, dhe siç e kemi të shkruar në mus'hafe (يُطِيقُونَهُ), janë të mendimit se kuptimi i kësaj fjalie është: ata që munden (të agjërojnë).(12) Sipas mendimit më të saktë, në mënyrë specifike, për qëllim janë të moshuarit/at, që mund ta përballojnë agjërimin, ata/ato mund të agjërojnë ose ta kompensojnë. Rrjedhimisht, sipas këtyre dy interpretimeve, i bie se ajeti është abroguar me ajetin pasues "...pra, kushdo nga ju që e arrin këtë muaj, le të agjërojë!...", me të cilin obligohen të gjithë, përveç atyre që nuk munden. Kurse interpretimi i tretë është se ajeti nuk është abroguar, dhe kuptimi i kësaj shprehje është: ata që munden të agjërojnë sa janë të rinj, ta bëjnë atë, e kur plaken, të japin kompensim ushqim të varfërve.(13)
Mendimi tjetër bazohet në kiraetin tjetër (يُطِيقُونَهُ), që transmetohet se kështu e ka lexuar Ibën Abasi r.a., me kuptimin: ata që me vështirësi e agjërojnë. Nga kjo janë për qëllim të shtyrit/at në moshë dhe bashkëngjiten me ta gratë shtatzëna dhe gjidhënëset.(14)
Për të dyja mendimet, komentuesit argumentohen me tekste të përcjella nga gjeneratat e para, por mendimin e parë e mbështet transmetimi i Aishes r.a., ku thotë: "Më herët, agjërohej dita e Ashures, e kur zbriti obligueshmëria e Ramazanit, kush donte agjëronte dhjetë ditët e para të Muharremit, e kush donte, nuk agjëronte." (Buhariu, 4502).(15)
Po ashtu transmetimi i Seleme ibën Ekues r.a., që thotë: "Ne kohën e Pejgamberit a.s., kush donte nga ne agjëronte në Ramazan, e kush donte nuk e bënte dhe jepte kompensim ushqim një të varfëri." (Muslimi, 1145).(16) Këto dy tekste përforcojnë variantin se agjërimi ka qenë obligim, por me mundësi zgjedhjeje ndërmjet tij dhe kompensimit; kuptohet se është fjala për ata që kanë mundur ta agjërojnë, meqë nuk përmenden pleqtë apo kategoritë e tjera. Për më tepër, ky mendim përkon me frymën e Sheriatit që gjërat e vështira t'i obligojë apo ndalojë gradualisht.
Kur jemi tek ata që nuk kanë mundësi të agjërojnë për shkak të shtyrjes në moshë, si dhe për shkak të sëmundjes nga e cila nuk pritet shërimi, ata e kompensojnë agjërimin me ushqim të të varfërve. Kurse gratë shtatzëna dhe gjidhënëset, të cilat kanë frikë se agjërimi i dëmton ato ose foshnjat e tyre, si dhe të sëmurët me sëmundje nga e cila pritet shërimi, i agjërojnë më vonë kaza ditët e lëna, sipas mendimit më të zgjedhur, duke mos ua kushtëzuar të gjitha ditët përnjëherë një pas një, e as menjëherë pas Ramazanit, ngase në ajet nuk kërkohet një gjë e tillë.(17)
Për sa u përket shtatzënave dhe gjidhënëseve, disa dijetarë janë të mendimit se duhet edhe të kompensojnë me ushqim përveç kazasë, duke u bazuar në mendimin e dytë për kuptimin e fjalisë (يُطِيقُونَهُ), siç u sqarua më lart, dhe meqë me këtë obligohet i shtyri në moshë. Kurse mendimi i shkollës hanefite dhe i shumë dijetarëve të tjerë është se nuk mund të obligohen dy zëvendësime për të njëjtën gjë, të shtyrët në moshë obligohen vetëm me kompensim si zëvendësim për agjërimin, sepse nuk ka kuptim t'i obligosh ata me kaza, kurse udhëtarët dhe të sëmurët e përkohshëm obligohen vetëm me kaza, siç e shpjegon ajeti tekstualisht, si dhe duke u bazuar në mendimin e parë për kuptimin e fjalisë (يُطِيقُونَهُ). E rasti i grave shtatzëna dhe gjidhënëseve i ngjason kategorisë së dytë (të sëmurëve), dhe meqë obligohen me një zëvendësim, ai u mjafton, e që duket të jetë mendim më i saktë.(18)
Pjesa tjetër e ajetit, na bën me dije se ata që kanë mundësi të japin më tepër, se sa ushqimi i një të varfëri për një ditë, është më mirë për ta. Kurse në fund thekson se agjërimi është më i dobishëm, porse për kë është më mirë të agjërojë, ka disa mendime dhe ato lidhen me interpretimin e pjesës paraprake të ajetit. Sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, që shpjegojnë se agjërimi në fillim ishte me mundësi zgjedhjeje për të gjithë në mes tij dhe kompensimit, kjo është e qartë se agjërimi është më i mirë sesa kompensimi, dhe këtu nuk ka dilema. Ata pastaj potencojnë se nuk mund të konsiderohet më i mirë për ata që i dëmton, të sëmurin, sepse e ka të ndaluar ta ekspozojë veten ndaj shkatërrimit, shtatzënat dhe gjidhënëset po ashtu, meqë agjërimi i dëmton ose ato ose foshnjat e tyre.
Kurse, për sa i përket agjërimit gjatë udhëtimit, se a është më mirë të agjërohet apo jo, ka transmetime nga Pejgamberi a.s. se ka agjëruar si udhëtar, por ka gjithashtu transmetime se e ka prishur dhe se ka udhëzuar të mos agjërohet. Një gjë e tillë mund të shpjegohet se varet nga gjendja e agjëruesit dhe mundimi që mund t'i shkaktojë agjërimi atij. E nëse flasim për normën në parim, një pjesë e madhe e dijetarëve janë të mendimit se agjërimi për udhëtarin është më i mirë, duke u argumentuar me fundin e këtij ajeti.(19) Kurse Rraziu, përveç kategorive të përmendura, e përkrah mendimin se është me kuptim të përgjithshëm, duke përfshirë edhe të sëmurin,20 e Allahu e di më së miri!


__________________________________________
1 Përkthimi i ajeteve në këtë shkrim është bazuar në përkthimin e Hasan ef. Nahit, me disa ndryshime.
2 Rrazi dhe Ibën Ashuri anojnë kah mendimi i fundit, Muhammed Omer err Rrazi, Mefatihu'l-gajb Et-tefsiru'l-kebir, botimi i tretë, Bejrut, Daru Ihjai't-Turathi'l-Arabij, V/239-140; Muhammed Tahir ibën Ashur, Et tahriru ue't-tenuir, Tunizi, Daru't-Tunusije li'n-Neshr, 1984, II/156.
3 Këtë zgjedh Taberiu, Muhamed Xherir et Taberi, Xhamiu'l-bejan an te'uil aji'l-Kur'an, botimi i parë, Kajro, Daru Hixhr, 2001, III/135.
4 Këtë mendim ka Zemahsheriu, Muhamed Amr ez Zemahsheri, El keshshaf an hakaiki gauamidi't-tenzil, botimi i tretë, Bejrut, Daru'l Kitabi'l-Arabij, 1987, I/225; Shiko: Taberi, vepra e cekur, III/154-155.
5 Rrazi, vepra e cekur, V/239; Ibën Ashuri, vepra e cekur, II/152-153.
6 Muhamed Ismail el Buhari, Sahihu'l-Buhari, botimi i parë, Daru Tuki'n Nexhah, 2001, III/24.
7 Ndër ta Taberiu dhe Rrazi, Taberi, vepra e cekur, III/159; Rrazi, vepra e cekur, V/241-242.
8 Taberiu, vepra e cekur, III/159.
9 Shiko: Rrazi, vepra e cekur, V/243; Muhamed Ahmed el Kurtubi, El xhamiu li ahkami'l-Kur'an, botimi i dytë, Kajro, Daru'l-Kutubi'l Misrije, 1964, II/276-277.
10 Ahmed Ali el Xhessas, Ahkamu'l-Kuran, botimi i tretë, Bejrut, Daru'l Kutubi'l-Ilmiye, 2007, I/213.
11 Shiko: Taberi, vepra e cekur, III/161-179; Rrazi, vepra e cekur, V/247-249.
12 Ndër ta: Taberiu, Zemahsheriu, Bejdaviu dhe Nesefiu, Taberi, vepra e cekur, III/178; Zemahsheri, vepra e cekur, I/226; Abdullah Omer el Bejdavi, Enuaru't-tenzil ue esraru't-te'uil, botimi i parë, Bejrut, Daru Ihjai't-Turathi'l-Arabij, 1997, I/124; Abdullah Ahmed en Nesefi, Medariku't-tenzil ue hakaiku't-te'uil, botimi i parë, Bejrut, Daru'l Kelimi't-Tajjib, 1998, I/158.
13 Shiko: Taberi, vepra e cekur, III/169; Rrazi, vepra e cekur, V/247-249; Ali Muhamed el Mauerdi, En-nuket ue'l-ujun, Bejrut, Daru'l-Kutubi'l Ilmiye, I/238-239.
14 Mauerdi, vepra e cekur, I/238; Ismail Omer ibën Kethir, Tefsiru'l Kur'ani'l-adhim, botim i dytë, Daru Tajjibe, 1999, I/501; Ibën Ashuri, vepra e cekur, II/167.
15 El Buhari, vepra e cekur, VI/24.
16 Muslim el Haxhaxh, Sahihu Muslim, Bejrut, Daru Ihjai't-Turathi'l Arabij, II/802.
17 El Xhessas, vepra e cekur, I/220-222, 253-254.
18 Gati për të gjitha çështjet e dy paragrafëve të fundit ka detaje të tjera dhe ndryshim mendimesh ndërmjet dijetarëve, por nga pamundësia për t'u zgjeruar më tepër këtu u mjaftuam me pikat kryesore dhe mendimin më të saktë. Për më tepër shiko: El Xhessas, vepra e cekur, I/220-223; Rrazi, vepra e cekur, V/248; El Kurtubi, vepra e cekur, II/276-290.
19 Kështu mendojnë Imam Ebu Hanife dhe dy nxënësit e tij, Imam Maliku dhe Imam Shafiu. Kurse Imam Euzai dhe Imam Ahmedi mendojnë të kundërtën, El Xhessas, vepra e cekur, I/261; Rrazi, vepra e cekur, V/246. 20 Rrazi, vepra e cekur, V/250.


 


Mr. Samir Zullufi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kur profesioni bëhet mision - Dr. Qazim Qazimi - 46 vite në shërbim të arsimit