Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava viziton Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve në Ankara

 


Në vijim të vizitës zyrtare në Ankara, myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, qëndroi edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve të Republikës së Turqisë, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ku u prit nga drejtori i përgjithshëm, z. Sinan Aksu.
Me këtë rast, myftiu Tërnava falënderoi Drejtorinë për kontributin e çmuar në restaurimin dhe ruajtjen e objekteve të trashëgimisë islame në Kosovë, të cilat bartin vlera të rëndësishme monumentale, kulturore dhe historike në shumë qytete dhe lokalitete të vendit. Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për projekte të reja që synojnë avancimin e mëtejmë të kësaj fushe.
Myftiu Tërnava theksoi nevojën e vazhdueshme për mbështetje në restaurimin dhe rifunksionalizimin e objekteve të trashëgimisë, shumë prej të cilave janë dëmtuar nga koha dhe mungesa e kujdesit institucional në periudha të caktuara.
Nga ana e tij, drejtori Aksu shprehu gatishmërinë e plotë të institucionit që drejton për të vazhduar programet restauruese në Kosovë. Ai bëri të ditur se në të ardhmen e afërt pritet të fillojë restaurimi i disa objekteve të rëndësishme, përfshirë Xhaminë e Atikut në Gjilan, Xhaminë Gazi Ali Bej në Vushtrri dhe Xhaminë e Hasan Agës në Rogovë të Hasit, të cilat përfaqësojnë vlera të veçanta kulturore, artistike dhe arkitektonike, si dhe një trashëgimi të pasur historike.
Në përmbyllje, myftiu Tërnava shprehu falënderime të veçanta për mbështetjen e vazhdueshme që Drejtoria e Vakëfeve i ka ofruar edhe Shoqatës Humanitare "Bereqeti".





Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Toleranca ndërfetare - intervistë me Myftiun e Republikës së Kosovës - Naim ef. Tërnava