Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Ankara. Në kuadër të kësaj vizite, ai u prit në selinë qendrore të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) nga kryetari i saj, z. Abdullah Eren, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë takimit, kryetari Eren e informoi myftiun Tërnava për aktivitetet, projektet dhe programet që TIKA ka realizuar dhe po realizon, duke theksuar veçanërisht projektet e zbatuara në Kosovë dhe ato që pritet të nisin në të ardhmen e afërt. Ai gjithashtu e falënderoi myftiun për vizitën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.
Nga ana e tij, myftiu Tërnava shprehu mirënjohjen e tij të thellë për kontributin e TIKA-s në Kosovë, duke vlerësuar lart mbështetjen në fusha të rëndësishme si trashëgimia kulturore, arsimi, shëndetësia dhe zhvillimi ekonomik. Bashkëbiseduesit diskutuan në mënyrë të veçantë për projektet e ardhshme, me fokus në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë materiale me vlera të rëndësishme kulturore dhe historike.

