Kompania australiane e teknologjisë financiare islame Hejaz ka bërë të ditur se po përgatitet për lansimin global të aplikacionit "Wahda", një super-aplikacion i dedikuar për nevojat e komunitetit mysliman në mbarë botën.
Sipas kompanisë, projekti është themeluar nga Hakan Ozyon, themelues i grupit financiar islam Hejaz Financial Services, së bashku me djalin e tij Ali Ozyon. Ata e përshkruajnë platformën si një "shtëpi digjitale" për më shumë se dy miliardë myslimanë në botë, duke bashkuar në një platformë të vetme shërbime që sot janë të shpërndara në aplikacione të ndryshme.
"Wahda", që në arabisht do të thotë "unitet", synon të integrojë në një platformë të vetme një sërë funksionesh, përfshirë komunikim me mesazhe të koduara, thirrje zanore dhe video, rrjet social, si dhe mjete për organizimin e komuniteteve dhe eventeve.
Aplikacioni do të ofrojë gjithashtu një paketë mjetesh islame, si oraret e namazit, drejtimi i Kiblës, kalendari islam dhe leximi i Kuranit. Sipas njoftimit të kompanisë, në platformë është parashikuar edhe një asistent i bazuar në inteligjencën artificiale, i quajtur "Sheikh Wahda", i cili do të ofrojë përgjigje për çështje fetare dhe praktika islame, duke u bazuar në burime islame të përzgjedhura nga zhvilluesit.
Hejaz deklaron aplikacioni nuk do të përdorë algoritme që nxisin varësinë ose përmbajtje të papërshtatshme, ndërsa komunikimi do të jetë i koduar për të garantuar privatësinë e përdoruesve. Platforma synon gjithashtu të mbështesë krijuesit e përmbajtjeve dhe bizneset, duke u ofruar mundësi monetizimi dhe reklamimi në një mjedis të ndërtuar mbi vlera etike.
Sipas kompanisë, "Wahda" është aktualisht në fazën e regjistrimeve paraprake, ndërsa data e lansimit global nuk është bërë ende publike. Në fazat e ardhshme, platforma pritet të zgjerohet me shërbime të reja, përfshirë edhe produkte financiare në përputhje me parimet e financës islame.
Zhvilluesit synojnë që platforma të shndërrohet në një ekosistem të plotë digjital për myslimanët në mbarë botën, duke kombinuar komunikimin, shërbimet komunitare, mjetet fetare dhe zgjidhjet financiare në një aplikacion të vetëm.