Shpifja ndaj njerëzve të pastër

 


Transmetohet nga Aisheja r.a. se ka thënë: "Pasi zbriti (ajeti i Kur`anit) pafajësia ime, hipi i Dërguari a.s. në minber, theksoi atë (pafajësinë e saj) dhe citoi ajetin e Kur`anit. Pasi zbriti nga minberi, urdhëroi të ndëshkoheshin dy burra dhe një grua".(1)


Gjykimi për shkallën e hadithit Tirmidhiu thotë: "Shkalla e këtij hadithi është hasenun-garibun dhe nuk dimë rrugë tjetër përveç rrugës së Muhammed ibn Is`hakut. Për sa i përket Muhammed ibn Is`hakut, disa dijetarë hadithin e kanë vlerësuar të saktë, kurse disa të tjerë e kanë akuzuar si të dobët, disa e kanë vënë në mes të saktëve dhe të dobëtve. Biografia e tij është e gjatë, por vlen të theksohet mendimi i Dhehebijut në librin "El Mijzan", ku thotë: "Tek unë, Ibn Is`haku është hasenu hadith (Hadithi i tij është i shkallës së mirë). Pozita e tij është e meritueshme dhe i takon shkallës i besueshëm. Kur është i vetëm në transmetim, përmban dobësi, kurse në të mbajturit mend ka diçka. Dijetarët kanë argumentuar edhe me të".(2) 
Sipas asaj që thanë dijetarët, shihet se hadithi vlerësohet i shkallës së mesme dhe me të mund të argumentohet, në veçanti kur dihet se Muhamed bin Is`hak, në transmetimin e El Bejhekijt, është shprehur në formën më ka treguar.(3) Në fushën e terminologjisë së hadithit është e njohur se transmetuesi (ai që ndryshon në transmetim), kur shprehet në formën: E kam dëgjuar, ose Më ka treguar. - transmetimi i tij pranohet.


Fjalët e panjohura


Fjala e saj: "Pasi zbriti pafajësia ime", d.m.th. ajetet që u shpallën për pafajësinë e Aishes, të cilët gjenden në kaptinën (En-Nur, 11-18).Këtu ngjarja e saj është krahasuar me fjalën "pafajësi", ngase vetëm kjo e pastron të pandehurin nga krimi. Thënia e saj d.m.th.: "I ka lexuar ajetet e Kur`anit që kishte për qëllim Aishja, duke filluar "S`ka dyshim se ata që trilluan shpifjen, janë një grup prej jush". (Nur, 11) deri në ajetin e tetëmbëdhjetë. Fjalët e saj: d.m.th. "Urdhëroi ndëshkimin e tyre ose sjelljen e tyre". Ata ishin: Hasan bin Thabit, Mistah bin Uthathe dhe Ham ve bint Xhahsh.
Fjala e saj d.m.th.: Ndëshkimi i tyre, për shkak të shpifjes dhe të trillimit ndaj Aishes.


Dispozitat e hadithit


Fjala - El Kadhf do të thotë: gjuajtje e fuqishme, kurse në terminologjinë fetare nënkuptohet: akuzë a shpifje për marrëdhënie (intime), ose diçka si kjo, për se ndëshkimi i shpifësit është i detyrueshëm. Këtu turpi bie mbi të shpifurin (jo mbi shpifësin), prandaj për t`u mbrojtur kundër këtij turpi, ndëshkimi është i detyrueshëm.(4)
1. Hadithi vë në pah pafajësinë dhe ndodhinë e Aishes r.a. të cilën disa qëllimkëqij e kishin akuzuar si lavire. Këtë pafajësi e ka deklaruar edhe Kur`ani famëlartë.
2. Hadithi tregon për vërtetësinë e ndëshkimit për shpifje, si përforcim i ajetit të Kur`anit (Shih: En-Nur, 4).
3. Kuptimi i hadithit, sipas tekstit, tregon se për Aishen kishin shpifur tre veta, por është vërtetuar se shpifësi kryesor ishte Abdullah bin Selul, i cili e kishte zmadhuar këtë çështje dhe ndizte vazhdimisht fitilin.
4. Hadithi vë në pah se ndëshkimi për shpifje ishte vetëm për tre veta, të përmendur më parë, porse Abdullah bin ebi Seluli nuk u ndëshkua. Mirëpo, në një transmetim të El Hakimit, i cili është mursel, ceket se nga i Dërguari a.s. ishte ndëshkuar për shpifje edhe Abdullah ibn Seluli.
Ibn el Kajjim thotë: "I Dërguari a.s. nuk e ka ndëshkuar Abdullah Ibn Selulin për disa arsye: Ndëshkimet janë lehtësim dhe pastrim për ata që bëjnë vepra të tilla. Ky i pandershëm (hipokrit) nuk meriton lehtësim dhe pastrim, ngase atij i mjafton kërcënimi i Allahut xh.sh. me dënim në Botën tjetër. Thuhet se ndëshkimi nuk zbatohet, përveç nëse e pranon vetë ose ka ndonjë fakt, por ai nuk e kishte pranuar asnjëherë se kishte bërë shpifje, dhe askush nuk kishte fakt të drejtpërdrejtë dëshmie për të, sepse këtë e bënte ndër ashabët, në një mënyrë tejet dinake. Thuhet se ndëshkimi për shpifje është e drejtë njerëzore dhe nuk mund të aplikohet, përveçse me kërkesën e tij. Nëse konsiderohet e drejtë e Allahut xh.sh., atëherë i shpifuri patjetër duhet të kërkojë ndëshkimin e shpifësit, mirëpo Aishja vetë nuk e kishte kërkuar këtë ndaj Abdullah ibn Selulit. Thuhet se ndëshkimin e tij e kishte lënë për ndonjë çështje të madhe (dënim mizor në Botën tjetër), ashtu siç e kishte lënë mbytjen e tij, sepse, për hipokrizinë e tij , ai meritonte të mbytej disa herë. Kjo metodë e tij ishte për përfitim dhe afrim zemrash të njerëzve, të afërmve të tij, por edhe nxitje për të mos u larguar nga feja islame. Ai kishte pozitë ndër ta, ishte udhëheqës, kështu që ndëshkimi i tij nuk siguronte mbrojtje nga përçarjet që mund të paraqiteshin. Ndëshkimi ndaj atyre të treve ishte pastrim, lehtësim, po edhe falje për ta, sepse ata ishin besimtarë të drejtë. Ky farë Abdullahu nuk e meritonte një gjë të tillë, pra as pastrimin dhe as faljen.(5)
5. Thënia e transmetuar nga El Hakimi se i Dërguari a.s. kishte ndëshkuar Abdullah ibn Selulin, siç i kishte ndëshkuar të tjerët, përputhet me veprën e të Dërguarit s.a.v.s. dhe me deklaratën e tij të qartë: "Vërtet janë shkatërruar beni Israilët, ngase kur personi autoritativ meritonte ndëshkim, e lëshonin dhe nuk e ekzekutonin, por, kur meritonte ndëshkim i dobëti, e ekzekutonin. Sikur të ishte Fatimja, e bija e Muhamedit, do ta ndëshkoja (do t`ia prisja dorën)".
Sikur transmetimi i el hakimit të ishte i vërtetë, atëherë komentimi i Ibn el Kajjimit nuk do të kishte vend dhe arsye të bëhej, prandaj nëse jo, atëherë vërtet komentimi i tij është i arsyeshëm dhe i fortë.
6. Hadithi vë në pah ndershmërinë dhe pozitën e Aishes, moralin e saj të lartë, pastërtinë, rreptësinë dhe shpirtdëlirësinë e saj. Kjo nuk është çudi, sepse ajo ishte nënë e besimtarëve dhe një nga gratë më të ndershme në tërësi.
7. Të gjithë dijetarët janë të një mendimi për vërtetësinë e ndëshkimit për shpifje, por edhe të gjithë pajtohen se ndëshkimi i tij është tetëdhjetë goditje me shkop, ashtu sikur ceket në tekstin e Kur`anit.
8. Hadithi tregon se Kur`ani zbriti për të zgjidhur çështje që ishin realitet i kohës.
9. Ngjitja e të Dërguarit s.a.v.s. në minber vë në pah rëndësinë e madhe që ka ndëshkimi për shpifje, dhe një çështje të tillë nuk e linte pa përkujdesje dhe pa e sqaruar.
10. Hadithi tregon se ashabët r.a. nuk janë të mbrojtur nga mëkatet dhe nga gabimet, dhe mbrojtja është cilësi kushtuar vetëm të Dërguarit a.s. (dhe të dërguarve në përgjithësi).
11. I Dërguari a.s. është udhëheqës legjitim në cilësinë e zbatuesit të Ligjit të Allahut xh.sh. në Tokë (pushtet ekzekutiv). Përmbarimi i ndëshkimit për shpifje është vetëm zbatim i urdhrit të Allahut xh.sh..
12. Halifja, udhëheqësi legjitim i myslimanëve, është ai që merr përsipër gjykimin suprem dhe përmbarimin e ndëshkimeve kundër fajtorëve.
13. Ndëshkimet bëhen në prani të njerëzve, në mënyrë që edhe ata t`i gjykojnë këto vepra negative, t`ua komunikojnë të tjerëve dhe, në këtë mënyrë, të kufizohet shkalla e kriminalitetit.


Gjykimi i shpifjes


Meqenëse prostitucioni është nga krimet më të rënda në shoqëri, njollos drejtpërsëdrejti dinjitetin dhe autoritetin e njeriut dhe e turpëronte tejmase, ndalimi i shpifjes për kurvëri ka qenë urtësi e veçantë e Allahut xh.sh.. Parashikimi i dënimit, nëse nuk është në gjendje t`i sjellë katër dëshmitarë të drejtë, është barrikadë ndaj gjuhëve që shkelin dhe akuzojnë nderin dhe dinjitetin e njerëzve, pa fakte, të shtyrë nga urrejtja dhe nga edukata shumë e ulët.
Mbështetje për ndalimin e shpifjes gjejmë në Kur`an, Synet dhe në Ixhma (konsensus).
Argumentimi me Kur`an. Allahu xh.sh. thotë (Shih: En-Nur, 4).
Nuk ka dallim për shpifjen nëse shpifësi dhe i shpifuri janë burra apo gra. Mirëpo, Allahu xh.sh. i ka cekur veçanërisht burrat si shpifës dhe gratë si të shpifura, në ajetin: "Edhe ata (burrat) që bëjnë shpifje për gratë e ndershme…" (En-Nur, 4), ngase vërtet burrat janë ata që nuk kursejnë fjalë për shpifje.
Përkundrazi, te gratë mbizotëron turpi dhe ato nuk shpifin haptazi për kurvëri. Kjo sepse dëmi i prostitucionit më së shumti bie mbi to, për t'u bartur edhe në familjet e tyre. Në këtë mënyrë ato i godet një turp shumë i rëndë dhe i pashërueshëm e me pasoja për të ardhmen e tyre. Me shprehjen "ata që shpifin", nënkuptohet se qëllim është më së shumti "që shpifin për prostitucionin". Këtë e mbështetim në faktin se Allahu xh.sh. në ajet, pas fjalës shpifje, ka përdorur shprehjen "gratë e ndershme".Kjo tregon se me thashemeve synohet të shpifet kundër grave dhe atyre t`u njolloset ndershmëria. Allahu xh.sh. thotë: "Pastaj nuk i sjellin katër dëshmitarë". Dihet shumë mirë se ky numër dëshmitarësh nuk është kusht përveçse për prostitucionin. Mu për këtë arsye, nëse dikush do t`i thoshte tjetrit: "O ti i pakujdesshëm", ose "O ti i pandershëm", ose diçka tjetër që është e ngjashme me këto e nuk i përket shpifjes për prostitucion, - atëherë ky nuk ndëshkohet për shpifje, po dënohet ose qortohet në masën që udhëheqësi e parasheh si të mjaftueshme për të. Argumentimi me Synet: I Dërguari a.s. thotë: "Largohuni nga shtatë mëkatet e rënda". Ata i thanë: "O i Dërguari i Allahut, cilat janë ato"? Ai tha: "Politeizmi, magjia, mbytja e njeriut që është e ndaluar nga Allahu xh.sh., përveç me të drejtë, marrja e kamatës, marrja e pasurisë së jetimit, dezertimi kur je para armikut, shpifja kundër grave të ndershme besimtare e të pastra".(6) Argumenti me Ixhma: I gjithë Ymeti i të Dërguarit a.s.,. është i një mendjeje se shpifja ndaj besimtarit është e ndaluar dhe konsiderohet mëkat i madh.


Shprehjet e shpifjes dhe ndarja e tyre


Shpifje është t`i thuhet ndokujt: "O i përdalë, ti je i përdalë, fëmijë i përdalë (kopil), o djalë i lavires së njëqind..., o djalë i lavires së një mijë...". etj., duke i mohuar prejardhjen dhe etninë.
Këto dhe shumë shprehje të tjera të qarta, që nxjerrin në dritë përdaljen.


Shprehjet e shpifjes ndahen në:


1. Deklarative - Këto janë të qarta dhe nuk kanë kuptim tjetër. P.sh., nëse dikush i thotë tjetrit: "O i përdalë" - ose gruas: - "Ti je lavire", "Ke bërë kurvëri me filanin" - , "Ti je prostitutë"
Për këto fjalë miratohet ekzekutimi i ndëshkimit për shpifje. Të këtij mendimi janë të gjithë dijetarët.
2. Metonimike - "Këto janë thashetheme me shprehje të tjera të shpifjes për kurvëri". P.sh. t`i thuhet tjetrit: "Ti nuk je i filanit" , "O ti i pandershëm" - "O ti e pandershme" -, "O ti e pandërgjegjshme" - Këto shprehje nuk konsiderohen shpifje të drejtpërdrejta, përveç nëse thuhen me qëllim shpifjeje. Thënia shoqërohet me betim, nëse thotë: "Kam pasur për qëllim të shpif". Ndëshkimi për të është i detyrueshëm (vaxhib), nëse nuk vërtetohet me fakte legjitime, me katër dëshmitarë. Nëse nuk thuhet me qëllim shpifjeje, nuk ndëshkohet po qortohet, për shkak se me të ofendohet dikush.
3. Aluzione. Këto janë thënie me kuptim të fshehtë, që lë të kuptosh dikë a diçka. P.sh., kur njëri i thotë tjetrit: "Për ty janë përpjekur shumë" - . "Shumë janë përpjekur për ty" ose: "Nuk kam bërë prostitucion"- , "Unë jam i ndershëm, shpirtërisht dhe me trup".
- Për këtë dijetarët kanë mospajtime.(7) Hanefinjtë dhe Shafiinjtë, në një mendim, thonë: Për aluzione nuk ka ndëshkim, edhe nëse qëllim e kanë shpifjen, ngase këto shprehje qenkan dhe nuk qenkan shpifje. Bazë në këso rrethanash është pastërtia dhe jo shpifja, nuk bën të mbështetemi në dyshime, po ndëshkimi të jetë sipas nevojës që parasheh udhëheqësi: Malikinjtë dhe hanbelinjtë, në një transmetim, kanë thënë: Ndëshkimi është i detyrueshëm (vaxhib), nëse qëllim e kanë shpifjen, veçanërisht kur lidhet me prostitucionin, ngase kjo gjendje është dëshmi se qëllimi është shfajësimi nga keqbërësi nëpërmjet shpifjeve për prostitucion. Këtë e themi duke u mbështetur në të drejtën e pastrimit të shpifësit nga kjo traditë dhe nga edukata e tij e smirës. Këtë mendim e mbështet edhe ky transmetim, kur dy njerëz përpiqeshin të ofendonin njëri tjetrin në kohën e Omerit r.a.:"Njëri prej tyre i tha tjetrit: Për Zotin, babai dhe nëna ime nuk janë të përdalë, Omeri u konsultua me shokët për këtë. Njëri tha: "I ka lavdëruar babanë dhe nënën e vet. Të tjerët thanë: "Babai dhe nëna e tij kanë tjetër lavdërim e jo këtë". Atëherë Omeri e ndëshkoi me tetëdhjetë goditje.


Dënimi për shpifje


Nëse vërtetohet ndonjë shpifje dhe i shpifuri kërkon të ndëshkohet shpifësi, po nëse shpifësi nuk i sjell katër dëshmitarë të besueshëm për atë që synohet, ky veprim u nënshtrohet tri dispozitave:
1. Dënohet me 80 goditje me shkop,
2. Dëshmia e tij është e papranueshme,
3. Gjykohet si i pandershëm, derisa të pendohet.


Mbështetje e këtyre tri dispozitave është ajeti i Kur`anit i përmendur në kaptinën Nur (ajeti i katërt i kësaj kaptine), të cilin e kemi theksuar më sipër.


___________________________
(1) Sunen Ebi Davud, Kitabul Hudud, v.4, f. 225
(2) Mijzanul iatidal fi nakdi rrixhal, v.3, f.75
(3) Es-Sunen el Kubra lil Bejhekij,v. 8, f. 250
(4) Tuhfetul ahfedhi, v. 9, f.37. Fet`hul Bari, v. 10, f. 95. Zadul mead, v. 2, f. 114-116.
(5) Zadul Mead, v.2, f. 114-115
(6) Fet`hul Bari, v. 6, f. 322. Sahihu Muslim v.1, f. 144.
(7) Bedai es-sanai , v.9, f. 41743. Tekmiletul Mexhmua , sherh el muhedheb , v. 18, f. 287. Fikh Es sunen , v. 2, f. 443, xheraimul hudude, f.43


 



Dituria Islame 271


 


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Shkolla Verore mirëpret fëmijët nga data 6 korrik