Kriteret Minimale për Therje/Prerje të shtazëve dhe shpezëve

 


Rryma elektrike, voltazhi dhe koha duhet të caktohen dhe të verifikohen nga organizata që bën certifikimin hallall në vendin përkatës, duke pasur parasysh llojin dhe peshën e shtazëve.


Bazuar ne vendimin e Këshillit të akademisë islame të fikhut në sesionin e 10, mbajtur në Xhedë (Arabia Saudite), më 28 qershor 1997, dhe në standardet ndërkombëtare rreth therjes së shtazëve/ shpezëve dhe përgatitjes së ushqimit për certifikim Hallall, në vijim do të përmenden kriteret që duhet të plotësohen, me disa figura dhe tabela ilustruese:


I: Për t'u konsideruar e ligjshme, therja duhet të bëhet në një prej metodave në vijim:
1. Prerja e qafës së shtazës (Dhebh) është prerja që ndërpret kanalin e frymëmarrjes, kanalin në të cilin kalon ushqimi, arteriet kryesore dhe venat, të cilat bartin oksigjenin në kokë, - për të shkaktuar gjakrrjedhjen dhe vdekjen te shtazët. Kjo metodë rekomandohet për prerjen e lopëve, dhenve, dhive dhe shpezëve.
2. Therja (Nahr): kjo bëhet duke e therur me thikë nëqafë. Kjo metodë rekomandohet për therjen e deveve dhe shtazëve të ngjashme.1
3. Dëmtim/lëndim ('akr): kjo bëhet duke lënduar shtazën, kur të mos ketë zgjidhje tjetër, në cilëndo pjesë të trupit. Kjo mënyrë praktikohet për shtazët e egra në gjueti, të cilat janë të lejuara për t'u ngrënë, ose për shtazët shtëpiake që janë bërë shumë të rrezikshme dhe është e pamundshme therja normale e tyre. Mjeti i lëndimit duhet të shkaktojë patjetër gjakrrjedhje dhe kjo të jetë shkak i vdekjes së shtazës apo shpezës. Nëse shtaza kapet derisa është ende e gjallë, duhet të theret në qafë sipas rregullave të përmendura.


II: Prerja Hallall e shtazës duhet të plotësojë edhe këto kushte:
1. Personi që bën therjen/prerjen, duhet të jetë në moshë të rritur dhe mendësisht i shëndoshë, duhet të jetë mysliman ose t'i takojë njërës prej feve të shpallura (ehlul kitab).
2. Prerja/therja duhet të bëhet me një mjet të mprehtë, të hekurt a të ndonjë metali tjetër, i cili është në gjendje të shkaktojë gjakrrjedhje të madhe. Dhëmbet, fildishi dhe thonjtë nuk mund të përdoren për prerje.
3. Është e ndaluar ngrënia e mishit të një shtaze që mbytet nga ngulfatja, ose që është qëlluar me ndonjë objekt (gur, dru etj.) apo është mbytur nga ndonjë rrëzim nga lart ose është therur me brirë të ndonjë shtaze tjetër. Por, nëse shtaza kapet ende e gjallë dhe theret sipas rregullave të përmendura më lart, edhe pse lëndimi është bërë nga ndonjë prej kategorive të përmendura, lejohet për t'u ngrënë.
4. Personi që bën therjen, duhet të përmendë Emrin e Allahut, Bismillah - Allahu Ekber, në fillim të këtij akti. Por, nëse personi harron të përmendë Emrin e Allahut, po këtë nuk e bën me qëllim, mishi është i lejuar për t'u ngrënë.


III: Prerja e shtazës duhet të bëhet në mënyrë korrekte, sipas rregullave të Sheriatit, si p.sh. të tregohet mëshirë dhe të ketë sjellje të mirë ndaj shtazës para, gjatë dhe pas prerjes. Mprehja e thikës nuk duhet të bëhet para syve të shtazës dhe shtaza nuk duhet të pritet në prani të shtazëve të tjera. Është e ndaluar të mbytet një shtazë me ndonjë mjet jo të mprehtë. Shtaza që do të pritet, nuk duhet të torturohet, nuk lejohet t'i këputet ndonjë pjesë e trupit, t'i hiqet lëkura ose të futet në ujë të vluar para se të vërtetohet se shtaza nuk është më e gjallë.



IV. Shtaza që do të pritet, duhet të mos jetë e prekur nga ndonjë sëmundje e cila të ketë depërtuar në mishin e saj dhe mund të dëmtojë shëndetin e konsumatorit. Plotësimi i kritereve sanitare, është domosdoshëm për sa i përket mishit.


V. Praktikat e therjes në vende të ndryshme, dhe kriteret minimale për t'u konsideruar mishi i tyre i lejuar për ngrënie:
1. Therja hallall në parim duhet të bëhet pa e goditur/tronditur shtazën, meqë rregullat e therjes sipas metodës islame janë më të mëshirshme dhe e bëjnë që shtaza të ketë më pak vuajtje. Prandaj kërkohet nga autoritetet relevante të zhvillojnë mjete për therjen e shtazëve të mëdha, në mënyrë që ato të jenë plotësisht në ujdi me këto kërkesa.
2. Duke i plotësuar kriteret e paragrafit të mësipërm, lejohet të hahet mishi i një shtaze e cila është therur në mënyrë të lejuar, edhe nëse është goditur, mirëpo duhet të vërtetohet që shtaza ka qenë e gjallë edhe pas goditjes. Kjo procedurë është përshkruar nga ekspertët si më poshtë:
a) aplikimi i dy elektrodave elektrike në ballë apo në pjesët anësore të kokës;
b) voltazhi duhet të jetë ndërmjet 100 e 400 voltësh (për më shumë detaje, shih tabelën më poshtë);


Parametra udhëzues për trullosje elektrike për pula dhe dema (3)



Parametra udhëzues për trullosje elektrike për shtazët tjera



Shënim: rryma elektrike, voltazhi dhe koha duhet të caktohen dhe të verifikohen nga organizata që bën certifikimin hallall në vendin përkatës, duke pasur parasysh llojin dhe peshën e shtazëve. 



c) rryma elektrike duhet të jetë ndërmjet 0.75 deri në 1 amper për dele dhe ndërmjet 2.00 deri 3.50 amperë - për gjedhë/dema (për më shumë detaje, shih tabelën më poshtë); 
d) shoku elektrik duhet të zgjasë 3 deri 6 sekonda (për më shumë detaje, shih tabelën më poshtë);
e) është e ndaluar të goditet shtaza me ndonjë shtizë, sëpatë, çekiç apo me fryrje ajri, sikurse është metoda angleze;
f) është e ndaluar të futen shpezët në shok elektrik, duke pasur parasysh studimin që ka vërtetuar se shumë prej shpezëve ngordhin para se ato të theren;
g) është e lejuar të hahet mishi i shtazëve të therura pasi të jenë goditur me përdorim të përzier të dyoksidit të karbonit dhe ajër/ oksigjen, apo me përdorimin e pistoletës për trullosje, e cila nuk rrezikon ta vrasë shtazën para se të theret;


VI. Myslimanët që jetojnë në vende islame, duhet ta rregullojnë infrastrukturën ligjore në bashkëpunim me qeverinë ku jetojnë, dhe të pajisen me mjete më efikase për therje të shtazëve sipas metodave islame, pa i goditur dhe pa i torturuar ato.


VII. Myslimanët që udhëtojnë jashtë vendit ose ata që jetojnë në vende ku myslimanet janë pakicë, lejohet të konsumojnë mishin e shtazëve që janë të lejuara për t'u ngrënë, nëse ato shtazë janë të therura nga Ehlul Kitab (pasues të librave të shenjtë), pasi të sigurohen se ai mish nuk përmban diçka të ndaluar. Ky mish është i ndaluar nëse vërtetohet se shtaza është mbytur apo therur duke përdorur ndonjë metodë të ndaluar sipas sheriatit.


VIII. Në parim, therja e shpezëve ose edhe e shtazëve të tjera, duhet të bëhet në mënyrë manuale, si metoda më e parapëlqyer, por për prerjen e shpezëve lejohet të përdoren instrumente mekanike, nëse përmbushen kriteret e përmendura më lart.
Lejohet të shqiptohet Emri i Zotit një herë, para se të bëhet prerja e shumë shtazëve, duke siguruar se nuk ka ndonjë pengesë në proces. Nëse procesi ka ndonjë ndërprerje, duhet të përsëritet Emri i Zotit (Bismilah, Allahu Ekber).


IX. Mishi i importuar nga vendet ku myslimanët janë pakicë
1. Nëse mishi është i importuar nga vendet ku shumica e popullsisë janë Ehlul Kitab dhe shtazët theren në thertore moderne, duke përdorur ndonjë prej metodave të lejuara sipas përshkrimit të mëhershëm dhe duke i plotësuar kriteret e sheriatit, konsumimi i këtij mishi është i lejuar në përputhshmëri me fjalët e Kuranit: "... Ushqimi i Ehlul Kitab (pasuesit e librit) është i lejuar për ju...". (El Maide, 6)
2. Mishi i importuar nga vendet ku shumica e popullsisë nuk i takojnë Ehlul Kitab-it, është i ndaluar, sepse ekziston një dyshim i madh se personi që ka bërë therjen e shtazëve, nuk i ka plotësuar kriteret që kërkohen sipas rregullave të sheriatit.
3. Konsumimi i mishit të importuar nga vendet ku shumica e popullsisë nuk i takojnë Ehlul Kitab-it, lejohet për t'u ngrënë, nëse procesi i therjes është mbikëqyrur nga ndonjë institucion islamik i autorizuar dhe nëse personi që bën therjen, është mysliman apo i takon Ehlul Kitab-it.


_________________________________________
(1) Mohammad Mazhar Hussaini, Islamic Dietary Concepts and Practices (Bedford Park: The Islamic Food and Nutrition Council of America, 1993) f.21.
(2)Islam Hasani, Ushqimi Hallall: Prodhimi, Përgatitja, Menaxhimi dhe Deponimi, (Prishtinë: Dituria Islame, 2012), f. 20. (3)Ibid, f. 22.


 


 


Dituria Islame 273


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Përurohet projekti i mobilimit të bibliotekës së Xhamisë “Sylejman Hadum Aga” në Gjakovë