Xhamia e re e lagjes Tophanë në Shkodër është përuruar zyrtarisht të premten, më 14 gusht 2026, duke hapur dyert për besimtarët myslimanë të zonës dhe të qytetit.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, drejtori i "Qatar Charity", Kerem Ali, Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, imamë dhe përfaqësues të institucioneve, si dhe një numër i madh besimtarësh e banorësh të lagjes.
Xhamia e Tophanës ka një histori të hershme dhe lidhet me fillesat e zhvillimit të qytetit të ri të Shkodrës. Objekti i parë i kultit në këtë vend daton në vitin 1617, duke e bërë atë një prej dëshmive të rëndësishme të historisë fetare dhe urbane të qytetit.
Zona e Tophanës ka pasur një rol të veçantë në zgjerimin e Shkodrës, ndërsa prania e një objekti fetar në këtë hapësirë prej shekujsh dëshmon rëndësinë që ajo ka pasur në jetën e komunitetit vendas.
Xhamia e re është ndërtuar për t'u shërbyer besimtarëve të lagjes Tophanë dhe komunitetit më të gjerë të Shkodrës. Ndërtimi i saj është bërë i mundur falë financimit të organizatës humanitare nga Katari, "Qatar Charity".


