Pejgamberi Muhamed a.s. paraqet shembullin më të përkryer të moralit dhe karakterit njerëzor në historinë e njerëzimit. Kur bashkëshortja e tij, nëna e besimtarëve, Aisheja r.a., u pyet për moralin e tij, ajo dha një përgjigje shumë domethënëse: "Morali i tij ishte Kurani."(1)
Allahu xh.sh. e edukoi dhe e përgatiti atë në mënyrën më të përsosur, duke e bërë një model të gjallë të Kuranit që ecte mes njerëzve. Përsosmëria e tij shfaqej në çdo aspekt: në besim, në moral, në marrëdhënie ndërnjerëzore dhe në udhëheqje. Lidhur me këtë, Allahu xh.sh. në Kuran thotë: "Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, dhe e përmend shumë shpesh Allahun." (El Ahzab, 21).
Jeta e Pejgamberit a.s. karakterizohet nga një ekuilibër i mrekullueshëm në të gjitha sferat e jetës. Si udhëheqës shpirtëror, ai ishte shembulli më i lartë i devotshmërisë. Si bashkëshort, kultivonte dashurinë dhe respektin më të thellë. Si baba, shfaqte dhembshurinë dhe kujdesin më të madh. Si udhëheqës, mi shëronte drejtësinë dhe mëshirën në harmoni të përkryer.
Një aspekt veçanërisht i rëndësishëm i moralit të tij ishte sjellja brenda familjes. Ky aspekt meriton vëmendje të veçantë, sepse sjellja e njeriut në shtëpi është pasqyra më e vërtetë e karakterit të tij. Ndryshe nga shumë njerëz që shfaqin edukatë në publik dhe janë krejtësisht ndryshe në privatësi, Pejgamberi a.s., ruante të njëjtin standard të lartë moral në çdo situatë. Sjellja e tij në shtëpi ishte një model i përkryer për ndërtimin e marrëdhënieve familjare.
Në vijim do të shqyrtojmë më hollësisht aspektet e ndryshme të moralit të Pejgamberit a.s. në familje, duke u fokusuar në mënyrën se si ai sillej me bashkëshortet dhe familjarët e tij. Përmes këtij punimi, do të zbulojmë një model që na ndriçon rrugën drejt ndërtimit të shtëpive të qëndrueshme dhe të lumtura, të bazuara në besim dhe devotshmëri.
Rregulli profetik në marrëdhëniet familjare
I Dërguari i Allahut xh.sh., Muhamedi a.s., ishte njeriu më i mirë që ka njohur ndonjëherë njerëzimi. Ai mishëroi përsosmërinë e moralit njerëzor dhe mbetet një model i shkëlqyer për të gjithë njerëzimin përgjatë shekujve. Në veçanti, ai vendosi një shembull të pakrahasueshëm në fushën e marrëdhënieve familjare. Mësimet e tij për trajtimin e familjes, veçanërisht të bashkëshorteve, u bënë gurthemel për vlerësimin e karakterit të një burri të mirë në Islam. Ai ka thënë: "Më i miri prej jush është më i miri për familjen e tij, dhe unë jam më i miri prej jush për familjen time."(2)
Ky hadith përçon një mesazh të thellë që pasqyron moralin e lartë të Pejgamberit a.s. dhe rëndësinë themelore të familjes në jetën e një besimtari. Koncepti i "familjes" në këtë kontekst shtrihet përtej kuptimit të ngushtë, duke përfshirë jo vetëm bashkëshorten dhe fëmijët, por edhe të afërmit dhe madje edhe anëtarët e komunitetit të gjerë që ishin pjesë e rrethit të tij social.(3)
Më deklaratën e tij "Unë jam më i miri prej jush për familjen time", Pejgamberi a.s. nuk ofroi vetëm një këshillë teorike, por vetë u bë një model i gjallë, një dritë udhëzuese për çdo burrë mysliman që aspiron të ndërtojë një familje të shëndetshme, të qetë dhe të mbështetur në besim e dashuri. Urdhërimi për t'i trajtuar mirë gratë nuk buroi nga një boshllëk shoqëror, por përkundrazi ishte një korrigjim i statusit të gruas në kohën e xhahiljetit. Këtë transformim thelbësor e përshkruan më së miri Umer ibën el Hattabi r.a. me fjalët e tij plot domethënie: "Pasha Allahun, në kohën e xhahiljetit, ne nuk i konsideronim gratë të rëndësishme derisa Allahu zbriti për to atë që zbriti dhe u ndau atyre atë që u takon."(4)
Islami vendosi një sistem të plotë që kërkon nga burrat të respektojnë gratë në të gjitha rolet e tyre - si nëna që duhen nderuar, si bashkëshorte që duhen dashur dhe respektuar, si motra dhe bija ndaj të cilave duhet treguar dhembshuri dhe mbrojtje. Mbi të gjitha, Islami ndaloi në mënyrë kategorike çdo formë të keqtrajtimit apo padrejtësisë ndaj grave.(5)
Shembuj të sjelljes së pejgamberit Muhamed a.s. me bashkëshortet e tij
Sira profetike dhe burimet historike na ofrojnë një pasqyrë të qartë dhe gjithë përfshirëse të sjelljes shembullore të Pejgamberit Muhamed a.s. me bashkëshortet e tij, si në shtëpi ashtu edhe gjatë udhëtimeve dhe në çdo situatë tjetër. Ai përfaqësonte një bashkëshort ideal, të dashur, të drejtë dhe të kujdesshëm. Më poshtë do të paraqesim disa shembuj nga jeta e të Dërguarit të Allahut, Muhamedit a.s., që ilustrojnë moralin e tij të shkëlqyer si bashkëshort.
Drejtësia dhe kujdesi i Pejgamberit a.s. ndaj bashkëshorteve
Pejgamberi a.s. mishëronte shembullin më të përkryer të drejtësisë dhe sjelljes së mirë ndaj njerëzve, veçanërisht ndaj familjes së tij. Ai tregonte kujdes të veçantë për gratë e tij dhe interesohej për gjendjen e tyre. Rutina e tij e përditshme përfshinte vizita të rregullta pas namazit të sabahut dhe ikindisë. Transmetohet nga Ibën Abbasi r.a., të ketë thënë: "Kur i Dërguari i Allahut a.s. falte namazin e sabahut, qëndronte ulur në vendin ku falej dhe njerëzit uleshin rreth tij derisa lindte dielli. Pastaj hynte te gratë e tij, një nga një, i përshëndeste dhe lutej për to. Kur ishte dita e njërës prej tyre, qëndronte tek ajo (atë natë)."(6)
Kështu që çdo ditë, në fillim të ditës, ai kalonte pranë secilës, e përshëndeste dhe lutej për të. Ndërsa në fund të ditës, ai bisedonte dhe i bënte shoqëri. Aisheja r.a. ka thënë: "Kur i Dërguari i Allahut a.s. kthehej nga namazi i ikindisë, ai hynte te gratë e tij dhe i afrohej ndonjërës prej tyre."(7)
Këto vizita, edhe pse të shkurtra, ishin plot dashuri dhe konsideratë, duke u dhënë atyre ndjenjën e vlerësimit dhe respektit. Bedrudin el Ajni, në lidhje me hadithin, ka thënë: "Ajo që ndodhte në fillim të ditës ishte vetëm përshëndetje dhe lutje, ndërsa ajo që ndodhte në fund të saj ishte ndejë, afërsi, shoqërim dhe bisedim. Ose mund të themi, ai nganjëherë e bënte këtë në fillim të ditës, e nganjëherë në fund të saj, dhe nuk ishte i qëndrueshëm vetëm në njërën prej këtyre kohëve."(8) Ai i trajtonte gratë e tij në mënyrë të barabartë, duke mos favorizuar asnjërën mbi tjetrën në trajtimin e tij. Këtë e dëshmon edhe Aisheja r.a., duke thënë: "I Dërguari i Zotit a.s. nuk favorizonte asnjërën prej nesh në ndarjen e kohës së qëndrimit te ne. Rrallë kalonte ndonjë ditë pa na vizituar të gjithave, i afrohej secilës grua pa e prekur (pa marrëdhënie intime), derisa arrinte tek ajo që ishte në ditën e saj dhe flinte tek ajo."(9)
Ai e bënte këtë për t'u dhënë atyre ndjesinë e afërsisë dhe për t'i qetësuar zemrat e tyre, në mënyrë që të ndahej prej tyre i dashur dhe i mirëpritur, për të kaluar më pas natën tek ajo që i përkiste radha në atë ditë, duke lënë secilën me një zemër të kënaqur dhe të qetë.(10)
Pavarësisht përgjegjësive të shumta si udhëheqës shpirtëror dhe shtetëror, Pejgamberi a.s. gjente kohë për t'u kujdesur për familjen e tij. Një shembull është rasti i nënës së besimtarëve, Aishes r.a., e cila i tregoi të Dërguarit a.s. një tregim të gjatë dhe interesant, të njohur si "rrëfimi i Ummu Zera'ut". Në të përmendeshin njëmbëdhjetë gra të cilat ishin betuar të mos fshehin asgjë për burrat e tyre dhe secila përshkroi marrëdhënien me burrin e saj. Ajo që e përshkroi burrin e saj më së miri dhe i numëroi më shumë mirësitë e tij ishte gruaja e Ebu Zarut. Pas këtij rrëfimi, Pejgamberi a.s. iu drejtua Aishes dhe i tha: "Unë jam për ty si Ebu Zera' për Ummu Zera-n."(11) Ky hadith tregon dashurinë, butësinë dhe vëmendjen që i Dërguari i Allahut a.s. tregonte ndaj bashkëshortes së tij.
Mirësjellja e Pejgamberit a.s. ndaj bashkëshorteve
I Dërguari i Allahut a.s. e dallonte nëse gratë e tij janë të kënaqura apo të pakënaqura me të. Në një nga bisedat e bukura mes tij dhe Aishes r.a., ai i thotë asaj: "Unë e di kur ti je e kënaqur me mua dhe kur je e zemëruar me mua." Ajo pyeti: "Si e di këtë?" Ai u përgjigj: "Kur je e kënaqur me mua, thua: "Jo, për Zotin e Muhamedit." Dhe kur je e zemëruar me mua, thua: "Jo, për Zotin e Ibrahimit." Ajo e pranoi: "Po, për Zotin, o i Dërguar i Zotit, unë vetëm emrin tënd e braktis."(12)
Në jetën e përditshme, i Dërguari i Allahut a.s. demonstronte një nivel të lartë modestie dhe respekti. Ai ndante momentet më intime me familjen e tij, duke pirë nga e njëjta enë dhe duke ndarë ushqimin me bashkëshortet e tij. Aisheja r.a. transmeton: "Ndodhte të pija diç gjatë ciklit, pastaj (të njëjtën) ia jepja Pejgamberit a.s. dhe ai vendoste gojën e tij në vendin ku unë kisha vendosur gojën time dhe pinte. Gjithashtu, ka pas raste kur haja ndonjë pjesë të mishit të mbetur në kockë duke qenë me cikël, pastaj të njëjtin ia jepja Pejgamberit a.s. dhe ai vendoste gojën e tij në vendin ku kisha vendosur unë gojën time."(13)
Ky akt tregon përsosmërinë e përulësisë së të Dërguarit a.s.,(14) si dhe respektin dhe dashurinë e tij për gruan e tij.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm i virtytit të tij ishte butësia dhe mirësjellja e vazhdueshme. I Dërguari i Zotit a.s. gratë e tij i nderonte dhe kurrë nuk i poshtëronte. Ai i udhëzonte dhe i këshillonte, por kurrë nuk i ofendonte apo lëndonte me fjalë apo vepra. Gratë e tij jetuan me të në një jetë dinjitoze. Asnjëra prej tyre nuk e përjetoi ndonjëherë, as edhe një herë, që ai ta kishte fyer, qoftë edhe me një fjalë. Aisheja r.a. ka thënë: "I Dërguari i Allahut a.s. kurrë nuk e ka goditur ndonjë shërbëtor, as ndonjë nga gratë e tij, as nuk ka goditur diçka me dorën e tij, përveç kur luftonte në rrugën e Allahut."(15)
Ky hadith thekson bukurinë, mëshirën dhe moralin e lartë të të Dërguarit të Allahut a.s. në mënyrën si ai sillej me të tjerët, sidomos me anëtarët e familjes së tij dhe ata nën kujdesin e tij.
Në çështjet e përditshme, si për shembull në lidhje me ushqimin, Pejgamberit a.s. tregonte mirësjellje. Nëse i pëlqente, e hante, përndryshe e linte, pa e kritikuar kurrë ndonjë ushqim. Këtë e dëshmon Ebu Hurejra r.a., i cili ka thënë: "Pejgamberi a.s. kurrë nuk e ka kritikuar ndonjë ushqim. Nëse i pëlqente, e hante, përndryshe e linte."(16)
Ky hadith tregon për moralin e lartë të Pejgamberit a.s., thjeshtësinë dhe mirënjohjen e tij në të gjitha situatat. Dashuria e tij shprehej edhe në mënyrën se si u drejtohej bashkëshorteve të tij, duke përdorur emra përkëdhelës. Ai tregohej i dashur me gratë e tij dhe zgjidhte emrat më të bukur për t'i thirrur ato. Për shembull, bashkëshorten e tij Aishen r.a. e thërriste me emra të dashur, si: "O Aish!"(17), që është formë e shkurtuar e emrit Aishe. Ai gjithashtu, e thërriste me emrin: "Oj Humejra! ",(18) që është një përkëdhelje e butë e përdorur për të përshkruar lëkurën me një nuancë të lehtë të kuqërremtë. Në lidhje me këtë, Kadi Ijad ka thënë:
"Ky është një zvogëlim (i emrit) që shpreh dhembshuri, mëshirë dhe dashuri."(19) Herë të tjera e nderonte atë duke e thirrur me emrin e babait të saj, si p.sh. duke i thënë asaj: "Oj bija e të sinqertëve!".(20)
Prandaj, kjo mënyrë e të folurit dhe përkëdheljes nga ana e Pejgamberit a.s. është shprehje e dashurisë së thellë, butësisë dhe kujdesit ndaj bashkëshorteve të tij, dhe është shembull i bukur për marrëdhëniet bashkëshortore të ndërtuara mbi respekt, afërsi dhe dashuri të ndërsjellë.
Këta shembuj të sjelljes së tij të përkryer në familje na mësojnë se sa i vëmendshëm ishte Pejgamberi a.s. ndaj emocioneve dhe ndjeshmërisë së bashkëshorteve të tij. Edhe pse ai ishte i preokupuar me përgjegjësitë dhe shqetësimet e shtetit, luftës, thirrjes në fe, udhëheqjen e ymetit, atë nuk e shpërqendroi nga marrja e ndjenjave të gruas së tij në konsideratë. Pavarësisht të gjitha këto, ai nuk harroi kurrë të jetë bashkëshort i dhembshur, i ndjeshëm dhe i kujdesshëm ndaj ndjenjave të gruas së tij.
Këta janë shembuj madhështor të ekuilibrit mes jetës publike dhe jetës familjare, një model i përjetshëm për çdo burrë e çdo bashkëshort që dëshiron të ndërtojë një familje të shëndetshme dhe të lumtur, të bazuar në dashuri, respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë.
_______________________________________
1. Ahmedi, nr: 25302, 42/183, Shejh Shuajbi thotë: "Senedi i tij është sahih sipas kritereve të dy shejhave".
2. Ebu Davudi, nr: 1977, 1/636, Et Tirmidhi, nr: 3895, 6/192, dhe thotë: "Ky hadith është i mirë sahih".
3. Mirkatu el Mefatih, 5/2125.
4. El Buhari, nr: 4913, 6/157, Muslimi, nr: 1479, 2/1108.
5. Ahlakijatu't-Teamuli'l-Useri, fq.88-89.
6. El Muxhem el Evsat, nr: 8764, 8/324.
7 El Buhari nr: 5216, 7/34.
8 Umdetu el Karij, 20/244.
9 Ebu Davudi, 2135, 2/242, El Mustedrek, nr: 2760, 2/203. Hakimi ka thënë: "Senedi i këtij hadithi është sahih". Këtë e miraton edhe Dhehebiu.
10. El Mufhim i Kurtubiut, 13/9.
11. El Buhari nr: 5189, 7/28, Muslimi, nr: 2448, 4/1896.
12. El Buhari, nr: 5228, 7/36, Muslimi, nr: 2439, 4/1890.
13. Muslimi, nr: 1/245 ,003.
14. Mirkatu el Mefatih, 2/494.
15. Ahmedi, nr: 25923, 43/92, Shejh Shuajbi thotë: "Senedi i tij është sahih sipas kritereve të dy shejhave".
16. El Buhari, nr: 3563, 4/190.
17. El Buhari, nr: 3768, 5/29.
18. Sunen el Kubra i Nesaiut, nr: 8902, 8/181. Ibën Haxheri, në Fet'hu el Bari, 2/444, thotë: "Senedi i tij është sahih".
19. Mesharik el Envar ala Sihahi el Athar, 1/358.
20. Musned el Humejdi, nr: 277, 1/298, Et Tirmidhi, nr: 3175, 5/180.