Lindja si mesazh hyjnor dhe proces natyror
Lindja, si vendim hyjnor dhe si proces natyror, ngërthen në vete mesazhe të fuqishme për intelektin e njeriut, të cilat duhet të lënë gjurmë në zemrën dhe jetën e tij, në formimin e personalitetit të tij, në botëkuptimet dhe konceptet e tij, rreth vetes së tij dhe rreth çdo gjëje që ekziston rreth tij.
Kjo ngase pa pikënisje nuk ka proces, e pa proces nuk ka as finalizim, e udhëzimi hyjnor na i sqaron më së miri ligjet hyjnore në natyrë. Kjo në njërën anë tregon madhështinë e Krijuesit dhe të krijimtarisë së Tij dhe në anën tjetër tregon se çdo krijesë, e cila jeton në përputhshmëri me ligjet e Krijuesit në natyrë, do të arrijë mirëqenien dhe lumturinë e saj dhe çdo tentim-largimi nga kjo harmoni, shkakton devijim dhe shkatërrim.
Fjalët hyjnore pa reshtur ia rikujtojnë qenies njerëzore këto parime, sa që Zoti e emërtoi Kuranin edhe si Rikujtues (Dhikr), ia sqaroi dobinë e rikujtimit duke thënë: "Rikujto, sepse sigurisht rikujtimi u bën dobi besimtarëve." (Dharijat 55), ashtu siç i sqaroi konsekuencat e atyre që i shmangen këtij rikujtimi hyjnor: "E kush i shmanget rikujtimit Tim, ai do të ketë jetë të vështirë..." (Ta Ha 124).
E pasi që Kurani është multidimensional në mësimet e tij, po ashtu edhe rikujtimet e tij janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga krijimi i këtij universi, që ende shkencëtarët vazhdojnë të mbesin gojëhapur para këtij fakti, e gjer te gjallesat më të thjeshta: "A nuk e dinë mohuesit, se qiejt dhe Toka kanë qenë një tërësi, e Ne i kemi ndarë ato; e nga uji Ne kemi krijuar çdo gjë (të gjitha gjallesat)? Dhe vallë, nuk po besojnë ata?" (Enbija 30).
Ai flet edhe për pikënisjen e njeriut, si qenie e dalluar nga të tjerat: "(Rikujtoju atyre) kur Zoti yt u tha engjëjve: "Me të vërtetë, Unë do ta krijojë një (krijesë) njeri prej balte." (Sad 71); Flet edhe për origjinën e qenieve paralele që jetojnë mbi sipërfaqen e tokës: "E xhindet i krijoi prej flakës së zjarrit." (Rrahman 15).
Shembuj të krijimit dhe profetët
E një vëmendje të veçantë ia kushtoi njeriut të parë Ademit a.s., duke e bërë krijimin e tij në formë të përkryer dhe vazhdimin e racës së tij njerëzore si një ndër argumentet më të fuqishme të ekzistimit të Krijuesit absolut: "Dhe, prej argumenteve të Tij (Zotit), është që ju u krijuat prej dheut, pastaj përnjëherë jeni bërë njerëz dhe jeni shpërndarë në të gjitha anët." (Rrum 20); Hodhi dritë edhe mbi fazat e zhvillimit të embrionit: "O ju njerëz, nëse dyshoni për ringjalljen, atëherë (mendoni krijimin tuaj). Ne u krijuam ju prej dheu, pastaj prej uji, pastaj prej një gjaku të ngjizur, pastaj prej një sa kafshatë mishi, që është krijesë e formuluar ose e pa formuluar, në mënyrë që t'ju sqarojmë. Ne e përqendrojmë në mitër deri në një afat të caktuar, e mandej u nxjerrim foshnje dhe ashtu të arrini pjekurinë tuaj. Ka që dikush prej jush vdes herët, e dikush të jetojë deri në pleqëri të thellë, në mënyrë që mos dijë asgjë nga dija që ka pasur. E ti e sheh tokën e thatë-të vdekur, e kur Ne ia lëshojmë asaj ujin ajo gjallërohet, shtohet dhe nga të gjitha llojet rritë bimë të këndshme. Këtë (që ta dini) se Allahu është Ai i vërteti dhe se Ai ringjallë të vdekurit dhe Ai ka fuqi për çdo gjë." (Haxh 5).
E nga rikujtimi i fuqisë absolute të Allahut ishte edhe krijimi i Isait a.s., vetëm nga një femër e virgjër, duke i thyer ligjet e zakonshme në të cilat zhvillohet jeta njerëzore: "Ai (Xhibrili) tha: "Ja, kështu ka thënë Zoti yt; ajo për Mua është lehtë, e për ta bërë atë (djalin e krijuar pa babë) argument për njerëzit e edhe mëshirë nga ana e Jonë. Kjo është çështje e kryer!" (Merjem 21).
E Isai a.s. ishte mirënjohës ndaj kësaj dhuntie hyjnore, për këtë thoshte: "Dhe, le të jetë selami (paqja, shpëtimi) mbi mua në ditën që kam lindur dhe në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!" (Merjem 33).
E gjithë kjo dëshmon se besimtari është mirënjohës dhe falënderues ndaj Krijuesit të tij, kurse profetët e Zotit a.s. ishin falënderuesit dhe lavdëruesit më të mirë të Zotit të madhërishëm dhe shëmbëlltyra më e mirë për pasuesit e tyre.
Lindja e Muhamedit a.s. dhe mesazhi i saj
Muhamedi a.s., si përmbyllës i pejgamberisë dhe shpalljes hyjnore, mbetet modeli më fisnik për ne, se si të madhërohet e falën derohet Krijuesi Fuqiplotë për mirësitë e Tij në përgjithësi dhe mirësinë e jetës në veçanti.
Ai a.s., për ta shprehur përuljen ndaj Zotit të Tij dhe mirënjohjen e thellë për mirësitë e tij, agjëronte çdo të hëne, saqë shokët e tij, kureshtar për ta njohur këtë sekret të këtij adhurimi javor të Muhamedit a.s. e pyetën dhe i thanë: "O i Dërguar i Zotit, ne po të shohim që po agjëron çdo të hëne, a na e tregon arsyen e agjërimit tënd? Ai u përgjigj: "Unë agjëroj të hënave, sepse në këtë ditë kam lindur, në këtë ditë jam përzgjedhur si Pejgamber dhe në këtë ditë më është shpallur Kurani."(1)
Muhamedi a.s. e llogariste përzgjedhjen e tij si Pejgamber dhe shpalljen e Kuranit si një jetë të dytë të tij, për këtë ishte falënderues ndaj Allahut sa herë që vinte ajo ditë, por ky falënderim nuk do të ishte i përmbushur nëse nuk do ta falënderonte Krijuesin edhe për jetën e tij të parë, pra për lindjen e tij.
E për lindjen e tij, ai thoshte me krenari: "Unë jam lutja e babait tim Ibrahimit a.s., paralajmërimi dhe përgëzimi i Isait a.s. dhe nëna ime kishte parë (në ëndërr) se po dilte nga ajo një dritë madhështore e cila i ndriçoi edhe pallatet e Damaskut."(2)
Po ashtu, ai në mënyrë praktike ua mësonte shokëve të tij një lutje tejet të bukur dhe mbresëlënëse, duke e quajtur atë edhe si "zonja e lutjeve", e në të cilën, duke e rikujtuar pikënisjen e tij, thoshte: "Zonja e lutjeve është të thuash: "O Allah, Ti je Zoti im, nuk ka Zot tjetër pos Teje, më ke krijuar mua dhe unë jam robi yt, unë do të qëndroj në besën tënde dhe premtimin tënd aq sa të kem mundësi..."(3)
E familja e Pejgamberit a.s., të edukuar nën pishtarin hyjnor, dinin se si të ishin të mirësjellshëm në raste gazmore, sidomos atëherë kur ndodhte ndonjë lindje në një shtëpi. Husejni r.a., nipi i Muhamedit a.s., i përgëzonte ata prindër që ishin begatuar me fëmijë me këto fjalë: "Begatia e Allahut qoftë mbi dhuratën tuaj, e falënderofshi Dhuruesin tuaj, u rrit me shëndet të plotë dhe u furnizofshi me mirësjelljen e tij!"(4)
Kështu besimtari i gëzohet lindjes së çdo foshnje, ngase çdo foshnje është një shpresë e ardhmërisë sonë të përbashkët. Autorja e mirënjohur amerikane, Eda J. Leshan, e përshkruan lindjen e një foshnje në këtë formë: "Një foshnje e porsalindur është si një fillim i çdo gjëje, është një mrekulli, një shpresë dhe një ëndërr e të gjitha mundësive."
E lindja, e cila e bëri të ndryshojë rrjedhën e historisë njerëzore, padyshim, është lindja e ndritur e Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s., të cilën Zoti i Madhërishëm në mënyrë përkëdhelëse ia rikujtonte atë atij duke i thënë: "A nuk të gjeti ty jetim, e të siguroi vendstrehim?!" (Duha 6).
Sikur ky citat kuranor na aludon në atë, se secili person, i cili ndjehet jetim, i vetmuar, i braktisur, i huaj në këtë botë, do të gjej vendstrehim dhe prehje në jetëshkrimin e Muhamedit a.s., që nga lindja e tij e gjerë në ato momente kur ia dorëzoi shpirtin e tij të dëlirë Zotit të Lartësuar dhe se lindja e tij është dritë që duhet ta ndriçoj çdo pallat dhe çdo shtëpi, ashtu siç e ëndërroi edhe nëna e tij dhe ashtu siç e përshkroi Zoti i Madhërishëm atë në librin e Tij: "O ti Profet, ne të dërguam ty si dëshmitar, përgëzues e paralajmërues dhe thirrës për tek Allahu me lejen e Tij si dhe kandil ndriçues." (Ahzab 46).
Lindja e Musait a.s. ishte paralajmërim për fundin e Faraonit dhe tiranisë së tij, fundin e robërisë së popullit të tij, fundin e mizorisë, mashtrimit dhe padrejtësisë, për këtë ai i tmerruar nga kjo mundohej t'i shmangej këtij fundi duke i mbytur foshnjat e porsalindura, por urtësia e Zotit është mbi çdo dredhi të njeriut.
Po ashtu, edhe lindja e Muhamedit a.s. ishte paralajmërim i ngadhënjimit të dritës së udhëzimit kundrejt errësirës së devijimit, i ngadhënjimit të diturisë kundrejt injorancës, i ngadhënjimit të dinjitetit njerëzor kundrejt shfrenimit shtazor dhe i ngadhënjimit të drejtësisë hyjnore kundrejt padrejtësisë njerëzore.
Shkatërrimi i Abrahas dhe ushtrisë së tij gjigante nga zogj të vegjël para lindjes së Muhamedit a.s., si dhe lëkundjet dhe rrëzimet e idhujve për toke,(5) ishin një paralajmërim dhe manifestim shtesë që ndodhi pikërisht në momentet që lindi ai, ngase lindja e tij ishte hapi i parë drejt ndryshimit të cilin e priste me shekuj shoqëria njerëzore në përgjithësi dhe besimtarët në veçanti.
Lindja, jeta dhe veprimtaria e Muhamedit a.s. mbetet frymëzimi më i mirë i çdo besimtari/e, në çdo kohë dhe në çdo vend, ngase ajo na mëson se si ta vlerësojmë jetën tonë, se si t'i njohim potencialet tona e t'i shfrytëzojmë ato në të mirë të vetes e të shoqërisë, se si të mos dekurajohemi para sfidave të jetës dhe të mos gjunjëzohemi para presionit të injorancës, ngase Zoti asnjëherë nuk i braktisë robërit e Tij, se si ta ndërtojmë jetën tonë dhe familjen tonë mbi parime hyjnore, të cilat na sigurojnë dinjitet në këtë botë dhe në botën e përhershme, se si të unifikohemi në rrugën e tij, se si ta shijojmë ëmbëlsinë e besimit, ëmbëlsinë e paqes dhe drejtësisë, se si t'i mëshirojmë krijesat e Zotit, që përmes saj ta fitojmë mëshirën e të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit, ashtu siç i edukonte Pejgamberi i mëshirës shokët dhe pasuesit e tij duke u thënë: "Të mëshirshmit i mëshiron i Gjithmëshirshmi, mëshironi ata që janë në tokë, do t'ju mëshirojë Ai që është në qiell."
______________________________
1 Muslim b. Haxhaxh, Sahih Muslim.
(2, Kajro, Shtypshkronja Isa el Babij , 1955), 819. 2 Ahmed b. Hanbel, Musned Imam Ahmed. (36, Muesesetu Risaleh, 2001), 596.
3 Muhamed Ismail El Buhari, Sahih el Buhari. (5, Damask, Dar ibën Kethir, 1993), 2323.
4 Jahja b. Sheref Neveviu, El Edhkar. (Bejrut, Dar el Fikr, 1994), 289.
5 Ibën Kethiri në librin e tij "El Bidaje ve Nihaje" thotë: "E kanë regjistruar shumë autorë të biografisë profetike se janë rrëzuar idhujt në momentet e lindjes së tij fisnike dhe kjo është një mrekulli më kuptimplote dhe më e fuqishme se sa thyerja e një idhulli me dorë".
6 Sulejman b. Eshath Ebu Davud, Sunen Ebi Davud, (7, Dar er Risaleh 2009), 298.