Pejgamberi Muhamed a.s. – burim i pakontestueshëm i normave juridike islame

 


Hyrja


Pejgamberi Muhamed a.s. përbën figurën qendrore të besimit islam dhe burimin themelor të ligjësimit pas Librit të Allahut. Ai nuk është vetëm bartës i shpalljes hyjnore, por edhe interpretues, sqarues dhe zbatues i saj në realitetin praktik të jetës së myslimanëve. Në shkencën e Usul el fikh, Suneti i Pejgamberit a.s. zë vendin e dytë në hierarkinë e burimeve të Sheriatit, duke qenë referencë e pakontestueshme për nxjerrjen e normave juridike islame, në harmoni dhe plotësim të dispozitave kuranore. Rëndësia e kësaj teme qëndron në faktin se në epokat e ndryshme historike, përfshirë edhe kohën bashkëkohore, janë shfaqur mendime që nënvlerësojnë ose vënë në dyshim autoritetin normativ të Pejgamberit, duke pretenduar mjaftueshmërinë e Kuranit si burim i vetëm. Një qasje e tillë bie ndesh me konsensusin (ixhmanë) e dijetarëve të metit(1) dhe me parimet themelore të jurisprudencës islame. Për këtë arsye, sqarimi i bazës tekstuale, teorike dhe historike të autoritetit të tij në fushën e legjislacionit është domosdoshmëri për çdo studiues të Sheriatit.


Përkufizimi i sunetit në jurisprudencën islame


Duke qenë se autoriteti i Pejgamberit Muhamed a.s. në ligjësimin islam manifestohet kryesisht përmes Sunetit të tij, është e domosdoshme të sqarohet kuptimi i termit Sunet në disiplinat e ndryshme islame, në mënyrë që të kuptohet saktësisht roli i tij si burim i normave sheriatike. Termi Sunet përbën një nga konceptet themelore të "السنة " jurisprudencës islame dhe ka rëndësi qendrore në studimet e Usul el fikh. Përdorimi i tij nuk është njëdimensional; përkundrazi, kuptimi ndryshon sipas disiplinës shkencore dhe kontekstit metodologjik. Prandaj, para trajtimit të autoritetit të Sunetit si burim i normave sheriatike, është e domosdoshme sqarimi i përkufizimeve të tij në fushat kryesore të dijes islame.


Kuptimi gjuhësor


Në gjuhën arabe, fjala 'sunnet' nënkupton rrugë, metodë ose praktikë e ndjekur,(2) pavarësisht nëse është e mirë apo e keqe.(3) Ky kuptim përfshin çdo model sjelljeje të përsëritur dhe të pranuar nga një grup apo komunitet. Shembull i këtij përdorimi gjendet në hadithin profetik: "Kush vendos në Islam një rrugë të mirë (سنة حسنة), ai do të ketë shpërblimin e saj dhe shpërblimin e atyre që veprojnë sipas saj pas tij..."(4) (Muslimi, 1017), ku termi nuk ka domethënie të kufizuar juridike, por nënkupton metodë ose traditë të ndjekur. Apo hadithi tjetër: "Patjetër do t'i ndiqni rrugët e atyre që kanë qenë para jush, pëllëmbë për pëllëmbë dhe krah për krah, madje edhe nëse do të hynin në strofkën e hardhucës, do t'i ndiqnit ata."(5) (Buhariu, 3456, Muslimi, 2669).


Kuptimi në terminologjinë fetare


Kuptimi te dijetarët e hadithit (muhaddithët)


Në terminologjinë e muhadithëve, Suneti përfshin gjithçka që i atribuohet Pejgamberit a.s., nga thëniet, veprimet, miratimet, si dhe cilësitë e tij morale e fizike, qoftë para shpalljes, qoftë pas saj.(6) Ky përkufizim është përfshirës dhe nuk kufizohet vetëm tek aspekti normativ, por shërben si bazë për regjistrimin dhe klasifikimin e transmetimeve profetike.


Kuptimi te juristët (fukahatë)


Sipas juristëve mysliman, Suneti është një kategori veprimi fetar që është i ligjësuar nga Sheriati, por nuk është obligativ (farz ose vaxhib).(7) Kryerja e tij sjell shpërblim nga Allahu, ndërsa lënia nuk sjell ndëshkim.(8) Sipas hanefive, Suneti përkufizohet si: "Atë (veprim) që Pejgamberi a.s. e ka kryer rregullisht, ndërkohë që ndonjëherë e ka lënë pa ndonjë arsye penguese."(9) Ky dallim tregon se megjithëse Suneti ka një status të fortë rekomandues, lënia e tij e rastësishme nuk konsiderohet mëkat, ndryshe nga farzi ose vaxhibi. Ky kuptim i Sunetit ka natyrë vlerësuese, jo burimore, pra nuk e trajton Sunetin si burim ligjësimi, por si një shkallë të caktuar të dispozitave fetare brenda klasifikimit juridik islam.


Kuptimi tek usulistët


Në shkencën e Usul el fikh, Suneti përkufizohet si gjithçka që është transmetuar nga Pejgamberi a.s., përveç Kuranit, e që ka vlerë në nxjerrjen e dispozitave sheriatike.(10) Ky përkufizim është qendror për studimin tonë, pasi e vendos Sunetin në funksionin e tij si burim ligjësimi, me autoritet të plotë detyrues, duke përfshirë thëniet, veprimet dhe miratimet e tij, me kusht që të kenë lidhje të drejtpërdrejtë me normat juridike. Ky përcaktim siguron koherencë në analizë dhe shmang konfuzionin me kuptimet e tjera terminologjike, duke e pozicionuar Sunetin në vendin që i takon brenda hierarkisë së burimeve të Sheriatit.


Rëndësia e burimeve të usul el fikh në nxjerrjen e normave sheriatike


Shkenca e Usul el fikh përcakton rregullat dhe metodologjinë për nxjerrjen e dispozitave juridike nga burimet autentike të Sheriatit. Burimet themelore janë të pranuara unanimisht nga dijetarët: Kurani, Suneti, ixhmaja (konsensusi) dhe kijasi (analogjia). Në këtë hierarki, Kurani qëndron në krye si shpallja e drejtpërdrejtë e Allahut, ndërsa Suneti, i përcjellë në formë të thënieve, veprimeve dhe miratimeve të Pejgamberit a.s., pason si burim i dytë me autoritet të plotë detyrues. Rëndësia e këtyre burimeve qëndron në funksionin e tyre të ndërthurur: Kurani përmban parimet themelore, ndërsa Suneti i shpjegon, i detajon ose i kufizon ato sipas urtësisë së shpalljes. Ixhmaja përfaqëson konsensusin e dijetarëve në çështje të caktuara, duke garantuar unitetin e interpretimit juridik, ndërsa kijasi ofron zgjidhje për çështje të reja përmes analogjisë me dispozita të ngjashme të bazuara në tekstet hyjnore.
Vendosja e Sunetit menjëherë pas Kuranit nuk është rezultat i një preference historike, por rrjedhojë e drejtpërdrejtë e urdhërimeve kuranore për bindje ndaj Pejgamberit a.s., si në ajetin: "Ajo që i Dërguari ua jep (nga urdhrat) merreni; dhe nga ajo që ju ndalon, ndalohuni!" (El Hashër, 7).
Ky tekst kuranor e vendos autoritetin profetik në një shkallë detyrueshmërie të barasvlershme me vetë shpalljen e Kuranit në fushën e ligjësimit. I Dërguari e vërteton këtë kur thotë: "Vërtet, mua më është dhënë Kurani dhe bashkë me të diçka e ngjashme me të."(11) (Tirmidhiu, 2664). Për rrjedhojë, mohimi i autoritetit të Sunetit nënkupton prishjen e rendit metodologjik të Usul el fikh dhe cenimin e vetë strukturës së legjislacionit islam.


I dërguari Muhamed a.s., si burim i normave sheriatike


Autoriteti i Pejgamberit Muhamed a.s., në nxjerrjen e dispozitave sheriatike është i rrënjosur në vetë tekstin e Kuranit dhe në praktikën e pandërprerë të ymetit. Kurani urdhëron qartësisht bindje ndaj Pejgamberit a.s., duke e bërë ndjekjen e tij kusht të besimit: "Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut." (En Nisa, 80) dhe "Merrni atë që ju jep i Dërguari dhe largohuni nga ajo që ai ju ndalon." (El Hashër, 7). Këto ajete e vendosin Sunetin në pozitën e një burimi detyrues, dhe pjesë e shpalljes hyjnore në kuptimin e udhëzimit dhe normativitetit. Nga këndvështrimi usulist, veprimet dhe urdhrat e Pejgamberit a.s.
Në traditën profetike, hadithet autentike dëshmojnë se ai a.s., nuk fliste nga pasioni personal, por në bazë të shpalljes: "Ai nuk flet nga dëshira e tij; nuk është tjetër veçse shpallje që i shpallet." (En Nexhm, 3-4). Kjo nënkupton se dispozitat e formuluara prej tij, kur janë të lidhura me ligjësimin, kanë të njëjtën detyrueshmëri si tekstet kuranore.
Nga këndvështrimi usulist, veprimet dhe urdhrat e Pejgamberit a.s. ndahen në ato që kanë funksion legjislativ dhe ato që i përkasin natyrës së tij si individ ose udhëheqës politik. Kriteri dallues është që vetëm veprimet dhe thëniet e tij të lidhura me udhëzimin fetar dhe normat e adhurimit e të marrëdhënieve juridike kanë vlerë obliguese. Kjo qasje siguron ruajtjen e kuptimit të pastër të Sunetit si burim i dytë i Sheriatit, duke shmangur interpretimet e gabuara ose aplikimet jashtë kontekstit të tij origjinal.
Në këtë mënyrë, Pejgamberi a.s. nuk është vetëm transmetues i Kuranit, por edhe burim i drejtpërdrejtë i ligjësimit përmes Sunetit, duke e bërë atë shtyllë të pazëvendësueshme në strukturën e burimeve juridike islame. Mohimi i këtij roli do të nënkuptonte rrëzimin e një prej themeleve të Usul el fikh dhe zbehjen e unitetit metodologjik të legjislacionit islam.
Detyrimi për ta ndjekur dhe pasuar Pejgamberin Muhamed a.s. fillimisht iu drejtua sahabëve, të cilët ishin dëshmitarë të drejtpërdrejtë të shpalljes dhe praktikës së tij, e më pas ky detyrim u shtri për të gjithë gjeneratat pasuese të ymetit. Ajetet kuranore shpesh zbritnin në formë të përgjithshme dhe pa detaje të hollësishme; këto detaje i sqaronte dhe i demonstronte praktikisht i Dërguari a.s.. Kështu, urdhri për faljen e namazit u përmend në Kuran pa përshkrimin e numrit të rekateve dhe mënyrës së kryerjes, të cilat u sqaruan nga Pejgamberi a.s. me fjalën dhe veprën e tij, siç dëshmohet në hadithin: "Faluni siç më keni parë mua të falem."(12) (Buhariu, 6008). Urdhri për dhënien e zekatit u shoqërua me sqarimin e sasisë dhe kategorive përmes Sunetit të tij. Po ashtu, agjërimi i Ramazanit u detajua në aspektet e kushteve, gjërave që e prishin dhe rregullave praktike përmes udhëzimit profetik.
Edhe haxhi, me kushtet dhe ritet e tij, u sqarua nga Pejgamberi a.s. përmes praktikës së tij, i cili tha: "Mësoni prej meje mënyrën e kryerjes së riteve tuaja (të haxhit)"(13) (Muslimi, 1297), duke u bërë kështu shembull referues për ymetin.
Ky funksion i Pejgamberit a.s. si shpjegues i shpalljes është theksuar qartë në fjalën e Allahut: "Dhe Ne të shpallim ty rikujtuesin (Kuranin), që t'u shpjegosh njerëzve atë që u është zbritur." (En Nahl, 44). Po ashtu, Allahu i urdhëron besimtarët të kthehen tek i Dërguari a.s. për sqarim dhe gjykim në çdo çështje të paqartë: "Dhe Ne nuk kemi dërguar të dërguar vetëm që të i binden (atij) me lejen e Allahut. Por jo! Pasha Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë derisa të të marrin ty për gjykatës në atë që kanë mosmarrëveshje mes tyre..." (En Nisa, 64-65).
Gjithashtu, Allahu e ka përmendur bashkë me shpalljen edhe "urtësinë", që dijetarët e kanë shpjeguar si Sunetin profetik(14) "Allahu u ka dhënë juve Librin dhe Urtësinë..." (Ali Imran, 164).
Autoriteti i Pejgamberit a.s. si gjykatës dhe burim legjislacioni shihet edhe në hadithin e njohur të Muadh b. Xhebelit, ku vihet në pah Suneti si burim i normave sheriatike dhe ixhtihadi i Muadhit në rastet kur tekstet mungojnë.
Ky autoritet i pakontestueshëm i Pejgamberit a.s. është një shtyllë e besimit dhe e Sheriatit. Ata që nuk e pranojnë atë si gjykatës dhe burim vendimmarrjeje bien në kundërshtim me urdhrin hyjnor për bindje të plotë ndaj tij, siç thotë Allahu: "Thuaj: Binduni Allahut dhe të Dërguarit! Por nëse ata kthejnë shpinën, Allahu, me të vërtetë, nuk i do mohuesit." (Ali Imran, 32). Kështu, mosbindja ndaj Pejgamberit a.s. nuk është thjesht mosrespektim i tij, por një akt që bie ndesh me vetë themelet e besimit. Këto argumente tekstuale tregojnë se praktika dhe udhëzimet e Pejgamberit a.s. janë jo vetëm plotësuese të shpalljes, por edhe pjesë e saj tërësore, me autoritet të barabartë në vendimmarrjen juridike islame. Kushtet e Sunetit për t'u konsideruar burim i normave juridike islame
Në shkencën e Usul el fikh, autoriteti normativ i Sunetit nuk është i pakushtëzuar, por bazohet në disa kritere themelore që garantojnë vlefshmërinë e tij si burim ligjësimi. Këto kushte synojnë të sigurojnë që dispozitat e nxjerra nga Suneti të jenë të mbështetura në transmetim autentik, të kenë përmbajtje me relevancë ligjore dhe të jenë në përputhje me parimet e Sheriatit.


1. Autenticiteti i transmetimit (صحة السند واملنت)


Kushti i parë dhe më themelor është që hadithi të jetë i saktë, me zinxhir transmetimi të pandërprerë, me transmetues të drejtë dhe të besueshëm, dhe me përmbajtje të pastër nga kundërshtitë e brendshme ose të jashtme. Shkenca e hadithit ka zhvilluar kritere të rrepta për këtë qëllim, duke e bërë Islamin unik në ruajtjen e burimeve të tij ligjësore. Parimi bazë në këtë kusht mbështetet në fjalën e Pejgamberit a.s.: "Kush gënjen (duke u referuar) mbi mua me vetëdije, le ta përgatisë vendin e tij në zjarr."(15) (Buhariu, 107, Muslimi në parathënie).


2. Përcaktimi i burimit profetik


Përmbajtja e Sunetit duhet t'i atribuohet drejtpërdrejt Pejgamberit a.s, qoftë si thënie, veprim apo miratim. Transmetimet që i atribuohen sahabëve ose tabiinëve mund të kenë vlerë në fikh, por nuk përbëjnë Sunet profetik në kuptimin usulist. Këtë parim e orienton qartë edhe Kurani Fisnik, ku Allahu i Madhëruar thotë: "Merrni atë që ju jep i Dërguari dhe largohuni nga ajo që ai ju ndalon." (El Hashër, 7).


3. Përmbajtje me vlerë normative


Suneti duhet të ketë përmbajtje me funksion ligjësues (të përcaktojë, të sqarojë, të plotësojë ose të përjashtojë një dispozitë të Sheriatit). Veprimet e Pejgamberit a.s. që lidhen vetëm me zakone personale, preferenca individuale apo specifika të misionit të tij nuk kanë efekt normativ për të gjithë ymetin. Këtë parim e mbështet edhe hadithi i Muadh b. Xhebelit, i cili, kur u dërgua nga Pejgamberi a.s. në Jemen, u pyet prej tij: "Me çfarë do të gjykosh?" Ai u përgjigj: "Sipas Librit të Allahut." Pejgamberi a.s. e pyeti: "Po nëse nuk gjen aty?" Ai tha: "Sipas Sunetit të të Dërguarit të Allahut." Ky dialog dëshmon qartë se Suneti ishte burim i drejtpërdrejtë i vendimmarrjes juridike, menjëherë pas Kuranit, dhe se kjo metodë u miratua nga vetë Pejgamberi a.s..


4. Të mos kundërshtojë Kuranin


Suneti i saktë nuk mund të jetë në kundërshtim real me Kuranin, sepse të dy janë shpallje nga Allahu. Në rastet ku Suneti kufizon ose sqaron dispozita kuranore, kjo konsiderohet shpjegim dhe jo kundërshtim. Allahu e pohon këtë parim kur thotë: "Ai nuk flet nga dëshira e tij; nuk është tjetër veçse shpallje që i shpallet." (En Nexhm, 3-4). Ky ajet konfirmon se Suneti autentik është pjesë e shpalljes hyjnore dhe, për rrjedhojë, assesi nuk mund të jetë në kundërshtim me Kuranin. Nëse në shikim të parë duket se ekziston kundërshti midis Sunetit dhe Kuranit, kjo është vetëm perceptim njerëzor; pasi analiza e kujdesshme tekstuale dhe metodologjike tregon se midis tyre nuk mund të ketë mospërputhje reale, pasi të dy burojnë nga i njëjti burim hyjnor.


5. Qartësia e kuptimit dhe zbatueshmëria


Për të qenë burim normativ, Suneti duhet të ketë kuptim të qartë dhe të jetë i zbatueshëm në realitetin juridik. Hadithet e paqarta ose me kuptim të dyshimtë kërkojnë interpretim përmes parimeve të Usul el fikh.(16)
Përmbushja e këtyre kushteve garanton që Suneti të mbetet burim autentik dhe i pakontestueshëm i normave sheriatike. Në fakt, mosnjohja ose injorimi i këtyre kritereve është arsyeja kryesore pse lëvizja e njohur si kuranistët dhe disa studiues të orientalistikës e kanë refuzuar Sunetin si burim të dytë të Sheriatit. Ata kanë ngritur dyshime mbi autenticitetin e haditheve dhe kanë pretenduar se legjislacioni islam duhet të mbështetet vetëm në Kuran. Megjithatë, verifikimi i rreptë i zinxhirëve të transmetimit, roli i pazëvendësueshëm i Sunetit në detajimin e dispozitave kuranore dhe konsensusi i pandërprerë i ymetit në pranimin e tij, e bëjnë këtë qëndrim të papranueshëm si në planin tekstual, ashtu edhe në atë metodologjik.


____________________________________________
1 Shih: Abdulganij Abdulhalik, Huxhijjetu es Sunneh, (Ed dar el alemije lil-kitab el islami, Riad, bot. 1, 1986), f. 21-22.
2 Ismail b. Hammad el Xhevherij, Es Sihah Taxh el lugah ve sihah el arabije, (rec. Ahmed Abdulgafur Attar), f. 8312, lënda سنن
3 Shih: Dr. Mustafa es Siba'i, Es Sunnetu ve mekanetuha fi et-teshri' el islamij, (El mekteb el islamij, dar el verrak, bot. 2), f. 65.
4 Muslim b. El Haxhaxh b. Muslim en Nejsaburi, Sahih Muslim, (Bejt el efkar ed duvelije, Riad), libri i zekatit, f. 392, nr. 69-1017.
5 Muhamed .b Ismail, Sahih el Buhari, (El Bushra, 2016), Kitab el enbija, f. 1591, nr. 3456. Dhe: Muslimi, po aty, Kitab el ilm, f. 1071, nr. 2669.
6 Shih: Dr. Mustafa es Siba'i, Es Sunnetu ve mekanetuha fi et-teshri' el islamij, po aty, f. 65.
7 Po aty, f. 66.
8 Shih: Abdulganij Abdulhalik, Huxhijjetu es Sunneh, po aty, f. 52, sipas El Bejdavi.
9 Po aty, f. 54, sipas El Kemal ibën el Humam.
10 Po aty, f. 68.
11 Muhamed b. Isa et Tirmidhi, El Xhami' el kebir, (rec. Dr. Beshar Maruf Avvad, dar el garb el islami, bot.1, 1996), vëll. 4, f. 399, nr. 2664, dhe të tjerë.
12 Muhamed b. Ismail, Sahih el Buhari, po aty, Kitab el edeb, f. 2681, nr. 6008.
13 Muslim b. El Haxhaxh b. Muslim en Nejsaburi, Sahih Muslim, po aty, nr. 1297.
14 Shih: Dr. Mustafa es Siba'i, Es Sunnetu ve mekanetuha fi et teshri' el islami, po aty, f. 68.
15 Muhamed b. Ismail, Sahih el Buhari, po aty, Kitab el ilm, kapitulli i ndalimit të gënjeshtrës ndaj të Dërguarit a.s., f. 189, nr. 107. Muslimi, po aty, në parathënien e Sahihut të tij, f. 3.
16 Shih kushtet e të punuarit me Sunet në Usul el fikh te: Ebu Hamid Muhamed b. Muhamed el Gazali, El Mustasfa, (rec. dr. Ahmed Zekij Hammad), f. 200 e tutje.