Mëshira e Pejgamberit a.s. ndaj bashkëshorteve
Pejgamberi a.s. shfaqte një kujdes të veçantë ndaj bashkëshorteve të tij, veçanërisht kur ato ishin të pikëlluara apo të sëmura. Kjo mund të shihet në rastin e nënës së besimtarëve, Aishes r.a., kur asaj ju paraqit cikli gjersa po kryente haxhin, ajo u pikëllua dhe filloi të qante. Pejgamberi a.s. kur hyri tek ajo dhe e pa duke qarë, e pyeti: "Çfarë ke? A të është paraqitur cikli?" Ajo u përgjigj: "Po." Ai tha: "Kjo është diçka që Zoti e ka caktuar për bijat e Ademit. Bëj çdo gjë që bën haxhiu, përveç tavafit rreth Qabesë."(1)
Ky veprim i Pejgamberit a.s. është shembull i qartë i dhembshurisë dhe mirëkuptimit për gjendjen fizike dhe emocionale të gruas. Ai nuk e qortoi për ndjenjat e saj, por përkundrazi e qetësoi, ia sqaroi me butësi dhe e ndihmoi të përmbushë adhurimin e saj në mënyrën më të mirë.
Ndër gjërat të cilat burrat duhet t'i kenë në konsideratë ndaj bashkëshorteve të tyre, është mirëkuptimi për ndryshimet që ato përjetojnë në sjellje dhe gjendje shpirtërore, si pasojë e ciklit, lindjes dhe lehonisë. Këto janë periudha në të cilat gruan e shoqëron lodhja, shqetësimi dhe dhimbjet fizike dhe emocionale.
Kur bashkëshortet e tij sëmureshin, Pejgamberi a.s. lutej për to dhe i përshkonte me dorën e tij. Nga Aisheja r.a., transmetohet se kur ndonjëra prej grave të Pejgamberit a.s. sëmurej, ai i lexonte diç dhe e përshkonte me dorën e djathtë duke thënë: "O Zot, Zot i njerëzimit, largoja sëmundjen, shëroje atë, sepse Ti je Shëruesi. Nuk ka shërim tjetër përveç shërimit Tënd, jepja një shërim që nuk lë pas sëmundje."(2) Kur një burrë ndien dhimbjen e gruas së tij dhe tregohet i kujdesshëm ndaj saj, kjo do të ketë një ndikim të madh në shpirtin e gruas, edhe pse dhimbja nuk zhduket ose sëmundja mbetet. Ajo e ndien se ai e kupton atë dhe kjo ndjesi është më e vlefshme për gruan sesa vetë ilaçi.
Një shembull tjetër i dhembshurisë së tij është rasti i nënës së besimtareve, Safije bint Hujej-it r.a.. Kur deveja e saj u sëmurë gjatë rrugës për në haxh, edhe pse ishte një nga devetë më të mira për hipje, ajo u pikëllua dhe filloi të qajë. Kur i Dërguari i Allahut a.s. u informua për këtë, ai erdhi dhe filloi t'ia fshinte lotët me dorën e tij.(3) Fshirja e lotëve nga burri është një gjest i thellë ngushëllimi dhe tregon vlerësim për ndjenjat dhe emocionet e gruas. Prandaj, ky gjest i Pejgamberit a.s. është model i përkryer për çdo bashkëshort që dëshiron të ndërtojë një marrëdhënie të mbështetur në dashuri, respekt dhe dhembshuri të ndërsjellë.(4)
Ky është një shembull i mëshirës, ndjesh mërisë dhe kujdesit të Pejgamberit a.s. për ndjenjat e bashkëshortes së tij, edhe për gjëra, që ndoshta të tjerët do t'i konsideronin të vogla ose të parëndësishme.
Dashuria dhe argëtimi në jetën familjare të Pejgamberit a.s.
Pejgamberi a.s. nuk e ndalonte familjen e tij prej gjërave të cilat Zoti i Plotfuqishëm i ka lejuar. Përkundrazi, ai inkurajonte argëtimin dhe aktivitetet që sillnin gëzim dhe hare në familje. Autoriteti i tij nuk e pengoi të garonte me gruan e tij, Aishen r.a., edhe pse atëkohë ai ishte i Dërguari i Zotit për mbarë njerëzimin dhe zotëria i njerëzimit.
Aisheja r.a., tregon duke thënë: "I Dërguari i Allahut a.s. ishte ulur, ndërkohë dëgjuam një zhurmë dhe disa zëra fëmijësh. I Dërguari i Allahut a.s. u ngrit në këmbë dhe vërejti abisinasit duke luajtur me shtizat e tyre. Me këtë rast, ai tha: "Oj Aishe, eja dhe shiko!" Unë shkova dhe e vura mjekrën time mbi shpatullën e të Dërguarit të Allahut a.s. dhe vazhdova të shikoja përmes hapësirës mes shpatullës dhe kokës së tij. Pastaj, ai më tha: "A nuk u ngope? A nuk u ngope?" Vazhdova të thosha: "Jo", për të parë vlerën time tek ai".(5)
Kjo ngjarje tregon moralin e lartë të Pejgamberit a.s. dhe sjelljen e tij të bukur ndaj familjes së tij.(6)
Në lidhje me këtë hadith, Ibën Bettali ka thënë: "Në këtë hadith tregohet morali i mirë i Pejgamberit a.s., dhe se si duhet të jetë sjellja e një njeriu me familjen e tij, duke u dhënë përparësi dëshirave dhe gëzimeve të tyre, në ato gjëra ku nuk ka ndalim (fetar) për ta.(7)
Pejgamberi a.s. na ka lënë shembuj të shumtë të mirësjelljes së tij të lartë në marrëdhëniet e tij me gratë e tij. Ai bënte shaka me disa prej tyre, luante me disa prej tyre dhe qeshte me disa prej tyre. Prej këtyre rasteve është edhe hadithi i njohur i garës ndërmjet Pejgamberit a.s. dhe zonjën Aishe r.a., në të cilin ajo thotë: "Dola me Pejgamberin a.s. në një nga udhëtimet e tij. Isha e re, e hollë dhe nuk kisha shtuar peshë. Ai u tha njerëzve: "Ecni përpara." Kështu ata vazhduan. Pastaj ai më tha: "Eja të garojmë!" Garova me të dhe e fitova garën, e ai heshti. Kur shtova në peshë dhe harrova (garën e mëparshme), dola me të në një nga udhëtimet e tij. Ai u tha njerëzve: "Ecni përpara", dhe ata vazhduan. Pastaj më tha: "Eja të garojmë!" Garova me të dhe ai më mundi. Ai filloi të qeshte, dhe tha: "Kjo është për atë."(8)
Hadithi përmban disa pika të denja për meditim. Ndër to është se ai zgjodhi bashkëshorten e tij mes gjithë shokëve për ta ushtruar këtë lloj loje, edhe pse numri i shokëve të tij nuk ishte i vogël, pasi kjo ndodhi pas kthimit të tij nga Beteja e Benu el Mustalik. Pastaj, ai deshi që ky moment familjar argëtues të plotësohej me përgatitjen e vendit, kur u tha sahabëve r.a.: "Ecni përpara", për t'i dhënë më shumë liri në argëtimin e lejuar gruas së tij, zonjës Aishe r.a..(9)
Gjatë udhëtimeve, i Dërguari i Allahut a.s. tregonte kujdes të veçantë për gratë që e shoqëronin. Ai kalonte kohë me to, shkëmbente biseda me to natën dhe u kushtonte vëmendje të veçantë nevojave të tyre. Aisheja r.a. tregon: "Kur ishte nata, i Dërguari i Allahut a.s., ecte me të dhe bisedonte me të."(10)
Një shembull i bukur i përkujdesjes së tij për gratë gjatë udhëtimit është këshilla që i dha Enxheshes, ngasësit të deveve, duke i thënë të ngasë më ngadalë, për hir të grave. Nga Enes ibën Maliku r.a., transmetohet se: "I Dërguari i Allahut a.s. ishte në një nga udhëtimet e tij dhe i tha Enxheshes - që këndonte për t'i nxitur devetë të ecnin më shpejt: "O Enxheshe, ngadalëso ngasjen (e deveve). Kujdes ndaj gotave të qelqta!"(11)
Një metaforë e bukur që i krahasonte gratë me enët delikate të qelqit, që kërkojnë kujdes dhe trajtim të veçantë. Gratë janë quajtur "gota të qelqta" për shkak të ndjeshmërisë së tyre, duke u krahasuar me enët prej qelqi, të cilat thyhen shpejt dhe lehtë.
Qëllimi i Pejgamberit a.s. ishte të ecej me butësi dhe ngadalë, sepse devetë, kur dëgjojnë këndimin, fillojnë të ecin më shpejt dhe e shijojnë këtë gjë, por kjo e shqetëson dhe e lodh udhëtarin. Prandaj, ai e ndaloi atë ta bënte këtë, sepse gratë dobësohen kur lëvizin shumë dhe ekziston frika se mos dëmtohen ose bien.(12)
A ka krahasim më të bukur e me të thellë që mund të bëhet se sa ky? Të gjithë e dinë se qelqi kërkon kujdes dhe trajtim të veçantë. Nëse qelqi gërvishtet ose dëmtohet, ai humbë shkëlqimin e tij, dhe nëse thyhet, nuk mund të kthehet më siç ka qenë më parë.
Kjo është gjendja e bashkëshortes, e cila kërkon një trajtim të veçantë njësoj si më një shishe të qelqtë. Sjellje e butë me të, duke shmangur shikimet dhe gjuhët që mund ta gërvishtin bukurinë e saj.
Thjeshtësia dhe përkushtimi i Pejgamberit a.s. në jetën shtëpiake
Pejgamberi a.s. na ka dhënë një shembull të shkëlqyer të jetës familjare përmes sjelljes së tij të përkryer në shtëpi. Trajtimi i tij i mrekullueshëm ndaj grave të tij arriti në një shkallë të tillë sa ai t'i ndihmonte ato në punët e shtëpisë.
Ai kujdesej për gratë e tij dhe nuk i lodhte me nevojat e tij personale. Ai ishte i butë, i thjeshtë dhe i ndihmonte në punët e shtëpisë. Kur e pyesin njerëzit Aishen r.a.: "Cila ishte sjellja e Pejgamberit a.s. me gratë e tij? Si e trajtonte Pejgamberi a.s. familjen e tij? Dhe çfarë bënte ai në shtëpinë e tij?" Ajo u përgjigjej me një përshkrim të shkurtër dhe elokuent:
"I Dërguari i Zotit a.s., ishte më i buti dhe bujari i njerëzve. Ai ishte një burrë si burrat tuaj, përveç se ishte shumë i buzëqeshur dhe i qeshur.(13) Ai ishte një njeri si gjithë njerëzit. Ai pastronte rrobat e tij, milte delen e tij dhe i shërbente vetes.(14) Ai qepte rrobën e tij, arnonte sandalet e tij dhe bënte atë që bëjnë burrat në shtëpitë e tyre.(15) Ai ishte në shërbim të familjes së tij. Kur vinte koha e namazit, ai dilte për namaz."(16)
Nëna e besimtarëve e përshkroi më pak fjalë, por me thellësi të jashtëzakonshme. Përmes këtyre përshkrimeve, ajo na hap një dritare të veçantë në shtëpinë e Profetësisë, duke na mundësuar të shohim se si ishte në jetën private, me familjen e tij, veçanërisht brenda mureve të shtëpisë së tij - aty ku vërtet matet morali i një njeriu. Ajo e përshkroi atë në këtë mënyrë koncize dhe elokuente. Kjo na mëson shumë gjëra për jetën familjare profetike: butësi në sjellje, buzëqeshje e vazhdueshme, pjesëmarrje aktive në punët e shtëpisë, modesti dhe thjeshtësi e skajshme, si dhe ndërgjegje e lartë për kohën e adhurimit, pa e neglizhuar jetën familjare.
Ky shembull i të Dërguarit të Allahut a.s. na mëson se përkushtimi ndaj familjes dhe ndihma në punët e shtëpisë janë shenja të karakterit të mirë dhe të moralit të lartë. Edhe ndihma më e vogël sjell gëzim në shtëpi dhe i bën gratë të ndihen të vlerësuara. Pejgamberi a.s., edhe pse ishte i zënë me drejtimin e shtetit dhe me misionin hyjnor, nuk e shihte të ulët të merrte pjesë në punët e shtëpisë dhe të ndihmonte gratë e tij. Ai me këtë na tregoi se përgjegjësitë e mëdha jashtë shtëpisë nuk duhet të jenë kurrë justifikim për të neglizhuar detyrat familjare.
Përfundimi
I Dërguari i Zotit a.s. jetoi me gratë e tij një jetë të lumtur, një jetë që ishte zbatim praktik dhe i përpiktë i fjalëve të Zotit të Plotfuqishëm: "Dhe jetoni me to në mirësi."(En Nisa, 19).
Këtë urdhër hyjnor Pejgamberi a.s. e zbatoi në formë të përkryer në jetën e tij familjare. Ai dha shembullin më të mrekullueshëm të marrëdhënieve bashkëshortore. Ai ishte vërtet bashkëshorti më i mirë për gruan e tij dhe më i miri i njerëzve për familjen e tij. Pse jo, kur vetë ai e bëri kriter të vlerësimit të burrave të mirë, sjelljen e mirë më bashkëshortet, siç tha: "Më i miri prej jush është ai që është më i miri ndaj familjes së tij, dhe unë jam më i miri prej jush ndaj familjes sime." Sjellja e tij ndaj tyre ishte sjellje profetike fisnike, e mbushur me respekt, mirësjellje dhe ndjeshmëri. Kurrë, asnjëherë, ai nuk e goditi askënd me dorën e tij të pastër dhe të ndershme. Ai a.s. ishte i sjellshëm me to, gjithmonë i buzëqeshur, i dashur në sjellje dhe i butë, i trajtonte me edukatë dhe moral të lartë, me dashuri, drejtësi, mëshirë dhe besnikëri, dhe gjithçka tjetër që kërkon jeta bashkëshortore në të gjitha rrethanat e saj.
Kjo që kemi përmendur më sipër është vetëm një pikë nga oqeani, shembuj të paktë që shpjegojnë se si Pejgamberi a.s., kujdesej për gratë e tij. Përmes sjelljes së tij ai e udhëzoi umetin e tij drejt asaj se si duhet të jetë edukimi dhe shoqëria e mirë familjare përmes fjalëve dhe veprimeve të tij.
____________________
1 El Buhari, nr: 294, 1/66, Muslimi, nr: 1211, 2/873.
2 El Buhari, nr: 5675, 7/121, Muslimi, nr: 2191, 4/1722.
3 Ahmedi, nr: 26866, 44/435. Dijaudin el Makdesi, në "El Ehadith el Muhtare", 5/106, ka thënë: "Senedi i tij është i mirë".
4 Kejfe amelehum salallahu alejhi ve selem, f. 61.
5 Et Tirmidhi, nr: 3691, 6/62-63, dhe thotë: "Ky hadith është i mirë sahih".
6 Umdetu el Karij, 4/221.
7 Sherh Sahih el Buhari, 2/548.
8 Ahmedi, nr: 26277, 43/313, Shejh Shuajbi thotë: "Senedi i tij është i mirë".
9 Ahlakijatu et Teamul el Useri, f. 94.
10 El Buhari, nr: 5211, 7/33, Muslimi, nr: 2445, 4/1894.
11 El Buhari, nr: 6161, 8/38, Muslimi, nr: 2323, 4/1811.
12 Sherh en Nevevi ala Sahihi el Muslim, 15/81.
13 Musned Is'hak bin Rrahivijeh, nr: 1750, 3/1008, Mekarim el Ahlak i Ibën Ebi Dunjas, fq.120. El Menavi, në "Et Tesir bi sherhi el Xhami es Sagir", 2/246-247, thotë: "Senedi i tij është i dobët".
14 Ahmedi, nr: 26194, 43/263, Shejh Shuajbi thotë: "Hadithi është sahih".
15 Ibën Hibani, nr: 5677, 12/490-491, Shejh Shuajbi thotë: "Senedi i tij është sahih sipas kritereve të dy shejhave".
16 El Buhari, nr: 676, 1/136.
Dituria Islame 419