Të gënjesh do të thotë të flasësh diç të pasaktë ose të pavërtetë me vetëdije; të shprehësh atë që është e rreme ose të përcjellësh një përshtypje të rreme.
Gënjeshtra është një e pavërtetë e qëllimshme. Ajo është një deklaratë e rreme me qëllim për të mashtruar. Sinonimet e saj janë: mashtrimi, trillimi, shtrembërimi, dëshmia e rreme, fshehja (e së vërtetës) etj.
Islami ndëshkon të pavërtetën në mënyrën më të ashpër të mundshme dhe Kurani, libri i shpallur i tij, i urdhëron pjesëtarët e vet t’u shmangen ndyrësisë së idhujve dhe gënjeshtrave. Kështu, adhuruesit e idhujve dhe gënjeshtarët në një mënyrë janë të barabartë në mëkat, sipas Kuranit. Allahu nuk udhëzon gënjeshtarin, jomirënjohësin e shkapërderdhësin, siç edhe është theksuar në Kuran. Gënjeshtarët janë njerëz që nuk besojnë në Zot dhe shpikin gënjeshtra kundër Tij. Gënjeshtra dhe dyfytyrësia janë të njëjta, gjithashtu. Sipas Pejgamberit të Islamit, gënjimi është mëkat i njëjtë si shirku dhe mosbindja ndaj prindërve. Më tej, agjërimi është i pakuptimtë nëse flet gënjeshtra gjatë agjërimit. Të gënjesh, domethënë, është një prej karakteristikave të dyfytyrësisë. E vërteta shpie në Xhenet, kurse e pavërteta në Zjarr. Të rrëfesh gjëkafshë pa konstatuar të vërtetën e saj përbën gënjim, gjithashtu.
Prapëseparë, Islami është fe e natyrshme dhe praktike. Në situata kritike, si në luftë, gënjimi përligjet, nëse ndihmon në shpëtim jete a që i shërben ndonjë interesi të luftës. Ngjashëm, lejohet të gënjesh nëse i shërben ndonjë kauze fisnike, si: të bësh pajtim a të paqësosh dy muslimanë të zënë ndërmjet vete a nëse i ndihmon bashkëshortes a bashkëshortit të kënaqë tjetrin.
Argumente nga Kurani
1) “Kush është më mizor se ai që ndaj Allahut shpif gënjeshtra apo ka përgënjeshtruar faktet e Tij? S'ka dyshim, shpifësit dhe gënjeshtarët nuk kanë shpëtim!” (Kuran, 6: 21).
2) “Ai (krijoi) edhe nga devetë dy (lloje) dhe nga lopët dy (lloje). Thuaj: “A dy meshkuj i ka ndaluar (haram), a dy femra, ose çka mban mitra e dy (llojeve të tyre) femrave?” A mos ishit të pranishëm kur Allahu ju porositi me këtë (hallall apo haram)?” E kush është më mizor se ai që trillon rrenë për Allahun dhe ashtu t'i devijojë njerëzit në mungesë të dijes. Allahu nuk vë në rrugë të drejtë mizorët!” (Kuran, 6: 144).
3) “Gënjeshtrën e trillojnë vetëm ata që nuk i besojnë argumentet e Allahut; të tillë janë ata gënjeshtarët.” (Kuran, 16: 105).
4) “Mos i thuani asaj gënjeshtrës së gjuhëve tuaja: “Kjo është hallall e kjo është haram” e të shpifni ndaj Allahut. Vërtet ata që shpifin gënjeshtër ndaj Allahut nuk kanë shpëtim!” (Kuran, 16: 116).
5) “Pra, kështu: kush madhëron atë që Allahu e bëri të shenjtë, ajo është më e dobishme për te Zoti i vet. Juve u janë lejuar kafshët, pos atyre që u lexohen (në Kur'an), pra largohuni nga ndytësitë e idhujve dhe largojuni fjalës shpifëse!” (Kuran, 22: 30).
6) “Përse ata nuk sollën katër dëshmitarë për këtë? E derisa nuk sollën dëshmitarë, mu ata pra te Allahu janë gënjeshtarët!” (Kuran, 24: 13).
7) “Vini re! Adhurim i sinqertë është vetëm ai për Allahun! Ndërsa ata që në vend të Tij adhurojnë miq të tjerë (duke thënë): Ne nuk i adhurojmë ata për gjë, vetëm që të na afrojnë sa më afër Allahut, s'ka dyshim se Allahu do të gjykojë mes tyre për atë që ata ishin në kundërshtim. E është e sigurt se Allahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë atë që është rrenës, jobesimtar!” (Kuran, 39: 3).
8) “Një njeri besimtar nga familja e faraonit që fshehte besimin e vet, tha: “A doni ta mbytni një njeri vetëm pse thotë zoti im është Allahu, derisa prej Zotit tuaj u ka sjellë argumente? Nëse ai është rrenës, për vete e ka rrenën, e nëse është i drejtë, juve do t'ju godasë diçka nga ajo që ai ua premton. S'ka dyshim se Allahu nuk udhëzon në rrugë atë që e tejkalon dhe që është rrenës!” (Kuran, 40: 28).
9) “Ata prej jush që bëjnë “dhihar” (epërsia ime ndaj teje është haram si epërsia ndaj nënës sime) ndaj grave të veta, në të vërtetë ato nuk janë nënat e tyre, nënat e tyre janë vetëm ato që i kanë lindur ata, ndërsa ata janë duke thënë fjalë irrituese dhe gënjeshtra, por Allahu është që lë shumë pa marrë në përgjegjësi dhe shumë fal!” (Kuran, 58: 2).
10) “Kur të erdhën ty hipokritët, të thanë: “Ne dëshmojmë se vërtet ti je i dërguar i Allahut!” E Allahu e di se ti je i dërguar i Tij, por Allahu dëshmon se hipokritët janë rrenacakë (kur thonë ashtu)!” (Kuran, 63: 1).
Argumente nga Suneti
1. Ibën Omeri [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Kur ndonjëri gënjen, engjëlli i largohet një milje prej tij, për shkak të aromës së keqe që prodhohet si pasojë!”
[Shënon Tirmidhiu]
2. Sufjan ibën Esad el-Hadremi [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Është tradhti e madhe t’i tregosh diç të pavërtetë vëllait tënd në ç’kohë ai është duke të besuar!”
[Shënon ebu Davudi]
3. Amari [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Ai që është dyfytyrësh në këtë botë do të ketë dy gjuhë prej zjarri në Ditën e Llogarisë!”
[Shënon Darimi]
4. Ibën Mesudi [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “E vërteta shpie në devotshmëri, e devotshmëria shpie në Xhenet. Njeriu vazhdon së foluri të vërtetën derisa te Allahu regjistrohet si i sinqertë. Ndërkaq, e pavërteta shpie në mëkat, e mëkati shpie në zjarrin e Xhehenemit. Njeriu vazhdon së foluri të pavërtetën derisa te Allahu regjistrohet si rrenacak!”
[Shënon Buhariu dhe Muslimi]
5. Abdullah ibën Amër el-Asi [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Çdonjëri që posedon këto katër veti është hipokrit i plotë, ndërsa ai që posedon njërën nga këto ka një veti të hipokrizisë derisa të heqë dorë nga ajo, edhe atë: kur flet, gënjen; kur jep besën për diç, tradhton; kur diskuton, devijon nga e vërteta (fillon të abuzojë e të shajë)!”
[Shënon Buhariu dhe Muslimi]
6. Ibën Omeri [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Gënjeshtra më e keqe është ajo kur njeriu pretendon të ketë parë atë që s’e ka parë!”
[Shënon Buhariu]
7. Ebu Hurejra [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Mjafton për një njeri të dëshmohet si gënjeshtar që të vazhdojë të rrëfejë çfarëdo që dëgjon!”
[Shënon Muslimi]
8. Semura [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Ai që më mvesh diç që nuk është e vërtetë, vetëm në bazë të dijenisë së vet, ai është një prej gënjeshtarëve!”
[Shënon Muslimi]
9. Enesi [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Ai që braktis gënjimin, duke mos qenë me të vërtetën, do të ketë një kështjellë të ndërtuar për të menjëherë me të hyrë në Xhenet; ai që braktis polemikën, duke qenë me të vërtetën, do të ketë një kështjellë të ndërtuar për të mu në mes të Xhenetit; e ai, karakteri të cilit është i mirë do të ketë të ndërtuar një sosh në pjesën më të lartë të tij!”
[Shënon Tirmidhiu]
10. Ebu Bekreh [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “A nuk doni t’ju tregoj për mëkatet më të mëdha? Vini re! T’i përshkruani rival Allahut, të mos u bindeni prindërve dhe të gënjeni.”
[Shënon Buhariu dhe Muslimi]
11. Esma bin Jezidi [Allahu qoftë i kënaqur prej saj!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Gënjimi nuk lejohet, përveç se në tri raste: gënjimi i një bashkëshorti ndaj bashkëshortes së vet, në mënyrë që ta kënaqë, gënjimi në situatë lufte dhe gënjimi për të rikthyer paqen ndërmjet njerëzve!”
[Shënon Ahmedi dhe Tirmidhiu]
12. Behaxh ibën Hakim transmeton prej babait të vet e ai nga babai i vet [Allahu qoftë i kënaqur prej të gjithëve!] se e ka dëgjuar Pejgamberin [alejhi selam] duke thënë: “Mallkuar qoftë ai që flet e që gënjen që t’i bëjë të tjerët të qeshin prej saj! Mallkuar qoftë!”
[Shënon Tirmidhiu, Ahmedi, ebu Davudi dhe Darimi]
13. Safvan ibën Sulejmi [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se është pyetur Pejgamberi [alejhi selam] se a ka mundësi një musliman të jetë frikacak, dhe se ai [alejhi selam] i është përgjigjur: “Po!”; pastaj se është pyetur se a ka mundësi të jetë koprrac, e se ai është përgjigjur: “Po!”; dhe se a ka mundësi të jetë gënjeshtar i madh, e se ai është përgjigjur: “Jo!”
[Shënon Maliku dhe Bejhakiu]
Përktheu nga anglishtja: Arsim Jonuzi, 18.01.2011
Shkëputur nga libri Kodi Social dhe Moral në Islam
Autor: Muhamed el-Kudri