Pirja e verës (alkoolit) është një ves i madh, e Islami absolutisht e ndalon verën, si edhe pirjen a marrjen drogash që shkaktojnë dehje, si: opiumi, heroina, hashashi etj.
Disa njerëz janë aq të rreptë në interpretimin e ligjit islam, në këtë drejtim, saqë edhe pirjen e duhanit e fusin nën këtë ndalim. Sidoqoftë, konsumimi i pijeve dehëse nuk është mëkat që do ndëshkuar vetëm në botën tjetër, por gjithashtu paraqet kundërvajtje të ndëshkueshme edhe në këtë botë.
Fjala e përdorur në Kuran në ajetin 219 të kaptinës së dytë është “hamr”. Kjo fjalë është e derivuar nga fjala “hamere” që do të thotë të pengohesh a të bllokohesh [Sepse alkooli bllokon mendjen (shën. i përkthyesit)]. Kështu, ajo paraqet çdo substancë a gjë dehëse, përdorimi i së cilës bllokon ose mbulon intelektin. Që këtu, ndalimi i pijeve dehëse i nxjerrë nga ky ajet nuk është i kufizuar thjesht vetëm në pijet alkoolike, por në të ngërthehen edhe drogat që kanë efekt të ngjashëm. Kjo është pikëpamje e bazuar në shumë hadithe autentike, sipas të cilëve Pejgamberi [alejhi selam] është transmetuar të ketë thënë: “Çdonjë pije dehëse është e ndaluar!”; “Çdonjë pije alkoolike është e ndaluar!”; “Çdonjë pije dehëse është “hamr” dhe çdonjë pije dehëse është e ndaluar!”.
Pejgamberi i Islamit [alejhi selam] gjithashtu është transmetuar të ketë thënë: “Vera është e bërë prej shurupit të rrushit, të rrushit të thatë, të hurmave të thata, të grurit, të elbit, të melit, e unë ju ndaloj çdo pije dehëse!”.
Sipas një hadithi tjetër, Pejgamberi i Allahut ndalonte nga çdo pije dehëse dhe nga gjithçka që shkaktonte lëngatë shpirtërore. Pejgamberi [alejhi selam] gjithashtu ka mbyllur derën e konsumimit të verës, duke e quajtur atë ndryshe, me të thënë: “Disa prej popullit tim do të pinë verë, sigurisht, duke i dhënë asaj emër tjetër.” Vera po kështu nuk mund të shndërrohet në uthull e të përdoret. Omeri [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] transmetohet ta ketë definuar “hamr-in” si “gjithçka që mpin aftësinë e të menduarit”.
S’ka përligjje për atë se një sasi e vogël vere nuk deh dhe, së këndejmi, nuk ka dëm nëse e konsumon. Parimi bazë i formuluar nga Suneti është si vijon: “Ajo që deh në sasi më të madhe është e ndaluar të merret edhe në sasi të vogël!”.
Asnjë pretekst a arsyetim nuk mund të përligjë konsumimin e verës a të cilësdo pijeje tjetër dehëse. Është transmetuar se një shok i Pejgamberit [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] ka pyetur Pejgamberin [alejhi selam] se a është e lejuar të përdoret vera si ilaç, kurse ai [alejhi selam] i ka thënë: “Jo, ajo nuk është ilaç – sëmundje është!”. Një njeri tjetër ka pyetur: “Njëmend ne jemi në tokë të ftohtë dhe duhet të punojmë shumë aty. Vera na jep fuqi në punën tonë dhe si mbrojtje nga ftohtësia e qyteteve tona. Pejgamberi [alejhi selam] e pyeti: “A deh?”. Personi ia ktheu: “Po.” Pastaj Pejgamberi [alejhi selam] i tha: “Hiqni dorë nga ajo!”
Megjithëkëtë, juristët islamë mbajnë qëndrimin se përdorimi i verës [lexo: alkoolit] mund të përligjet në dritën e ajetit të tretë të kaptinës së pestë të Kuranit, i cili haramin e bën hallall nën detyrime të caktuara, kur kemi të bëjmë me rrezik të atypëratyshëm ndaj jetës së ndonjë njeriu të sëmurë.
Sidoqoftë, vera është nëna e të këqijave (umul habaith). Të pish atë, pra, paraqet një prej mëkateve më të mëdha. Sipas një hadithi të Pejgamberit të Islamit, nuk është besimtar ai njeri në kohën kur konsumon verë (alkool). Parajsa, më tej, i është ndaluar një alkoolisti të zakonshëm. Zoti pranon pendesën e një pirësi alkooli vetëm tri herë, e nëse pi edhe për të katërtën herë, pasi që është penduar, atëherë nuk i pranohet namazi më atij, e as duaja më nuk i pranohet.
Argumente nga Kurani
1) “Të pyesin ty për verën e bixhozin. Thuaj: “Që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi në to (të pakta) për njerëzit, por dëmi i tyre është më i madh se dobia e tyre. Të pyesin ty edhe se ç’do të japin. Thuaj: “Tepricën”! Kështu Allahu jua sqaron argumentet, ashtu që të mendoni (çka është mirë e çka është keq)!” (Kuran, 2: 219).
2) “O ju që besuat, mos iu afroni namazit duke qenë të dehur, derisa të dini se ç’flitni, e as duke qenë xhuhubë (të papastër) derisa të laheni, përpos kur jeni udhëtarë. Nëse jeni të sëmurë, jeni në ndonjë udhëtim, ose ndonjeri prej jush vjen nga ultësira (nevojtorja), ose keni takuar gratë, e nuk gjeni ujë, atëherë mësyjani dheut dhe fërkoni me të fytyrat dhe duart (tejemmum). Allahu shlyen e fal mëkatet!” (Kuran, 4: 43).
3) “O ju që besuat, s'ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi ndërmjet jush, t'ju pengojë nga të përmendurit Zotin dhe t'ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)?” (Kuran, 5: 90-91).
Argumente nga Suneti
1. Abdullah ibën Amri [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ndalonte nga pijet dehëse, lojërat e fatit, lojën me letra dhe “gubejre-n” [origj. “gobairah”] dhe thoshte: “Çdo pije dehëse është e ndaluar!”
[Shënon ebu Davudi]
2. Ibën Omeri [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Ka tre veta të cilëve u është ndaluar Parajsa: pirësit të zakonshëm të alkoolit, ai që nuk u bindet prindërve dhe bashkëshortit neglizhent që fut papastërti në shtëpinë e vet!”
[Shënon Ahmedi dhe Nisai]
3. Xhabiri [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Ajo që deh në sasi më të madhe është e ndaluar të merret edhe në sasi të vogël!”
[Shënon ibën Maxhe, Tirmidhiu dhe ebu Davudi]
4. Dejleme el-Humejri [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen: “Pyeta: O i Dërguari i Allahut, njëmend ne jemi në tokë të ftohtë dhe duhet të punojmë shumë aty. Ne përgatisim verën nga gruri, sepse na jep fuqi në punën tonë dhe si mbrojtje nga ftohtësia e qyteteve tona. Pejgamberi [alejhi selam] pyeti: “A deh ajo?” Ia ktheva: “Po.”. Pastaj Pejgamberi [alejhi selam] tha: “Hiqni dorë nga ajo!” Unë i thashë: “Me të vërtetë njerëzit nuk munden të heqin dorë nga ajo!”, kurse ai ma ktheu: “Luftojini, nëse nuk heqin orë!”
[Shënon ebu Davudi]
5. Enesi [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] transmeton se Pejgamberi [alejhi selam] ka mallkuar dhjetë vetat që kanë të bëjnë me verën (alkoolin): shtrydhësin (shtrydhjen e lëndës së parë), të angazhuarin për shtrydhjen, pirësin, mbajtësin, atë për të cilin mbahet/dërgohet, servuesin, shitësin, vënësin e çmimit, blerësin dhe atë për të cilin blehet.
[Shënon Tirmidhiu dhe ibën Maxhe]
6. Vail el-Hadremi thoshte se Tarik ibën Suvejdi [Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve!] pati pyetur Pejgamberin [alejhi selam] rreth verës dhe se ky ia ka ndaluar atë. Kur i ka treguar se e ka bërë vetëm si ilaç, ai [alejhi selam] ia ka kthyer: “Nuk është ilaç ajo – sëmundje është!”
[Shënon Muslimi]
7. Ebu Hurejra [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Nuk është besimtar ziniqari, në kohën kur është duke bërë zina; nuk është besimtar as personi në kohën kur është duke pirë alkool; dhe as vjedhësi nuk është besimtar, në kohën kur është duke vjedhur!”
[Shënon Buhariu]
Përktheu nga anglishtja: Arsim Jonuzi, 24.01.2011
Shkëputur nga libri Kodi Social dhe Moral në Islam
Autor: Muhamed el-Kudri