Perceptimi dhe reflektimi i ibadeteve

Ibadeti (adhurimi) është metodologji e përkryer e ndarë në etapa dhe kapituj. Është sistem i qartë para të cilit qëndrojnë shenjat në rrugë, ndërkohë që objektivi kryesor është arritja e përsosurisë njerëzore, dëlirësimi i ndërgjegjes njerëzore nga paragjykimet dhe devijimet pavarësisht rrafshit nga burojnë.

Synimi është të fituarit e meritës për të qenë afër Zotit dhe veprat që kryhen të jenë në përputhshmëri me pëlqimin e Tij.
Me fjalë të tjera, ibadeti në Islam është rruga që shpie tek Allahu Lavdiplotë, është faktori kryesor përmes së cilit arrihet shpërblimi i Zotit. Ndonëse ibadetet në Islam janë të shumta shikuar përgjithësisht, ato janë të mjaftueshme dhe garancë e madhe që përmes ndikimit dhe perceptimit të tyre të njëmendtë sigurojnë përsosurinë e shoqërisë njerëzore, ndikojnë në ngritjen e vlerës së njeriut si qenie fisnike e Zotit, përforcojnë idealin e tij për të shtegtuar rreth qëllimit final – që të meritojë epitetin (khalifetullah fil erd) ‘’Mëkëmbës i Allahut në tokë’’, të fitojë kënaqësinë e të qenët rob i Allahut.


Ngritja morale, shpirtërore dhe fizike përmes ibadeteve

Njeriu në të kaluarën është munduar të arrijë te Zoti në forma dhe mënyra të ndryshme, pa u futur në analizimin e tyre, të sakta apo të gabuara, por që në qenien dhe shpirtin e vet ndiente nevojën që duhet adhuruar Fuqia supreme, apo Perëndia sic më herët e quanin filozofët, shkencëtarët e njerëzit e shtresave të ndryshme! Por, çdo herë duhet shtruar pyetjen: “Cila është rruga më e mirë për të arritur te Zoti?”; “A thua vallë kjo i lihet ndërgjegjes së njeriut apo ka rregulla të përcaktuara në mënyrë eksplicite?” Ndaj, mënyra më e mirë për të arritur te Zoti është ndjekja e udhëzimit dhe porosive që burojnë nga vetë Allahu Lavdiplotë. Ibadetet në Islam janë mi’raxh (ngritje fizike) në të cilën shtegton qenia njerëzore, etapë pas etape, derisa të arrijë dëlirësimin e shpirtit, pa mbetur asnjë njollë. Njeriu përmes tij mund të arrijë të perceptojë edhe botën tjetër, të ndiejë thellë në shpirt realitetin e ekzistencës. Objektivi kryesor i ibadeteve në Islam është pastrimi dhe dëlirësimi i shpirtit, i egos, largimi dhe dërrmimi i cinizmit, mendjemadhësisë, krekosjes e arrogancës. Vese të cilat janë të papranueshme për muslimanin e aq më tepër nuk guxojnë të jenë fasadë e imamit dhe predikuesit të fesë. Gjithashtu ibadetet luajnë rol të rëndësishëm në sferën e etikës, në ndërtimin e karakterit, dhe në raportet e ndryshme njerëzore. Shton dozën e aktiviteteve të ndryshme, që muslimani të bëhet më fleksibil, më aktiv dhe më produktiv në shoqëri, të kontribuojë në ndërtimin e vlerave të mirëfillta njerëzore, duke evituar përtacinë, dembelinë dhe të jetuarit në kurriz të të tjerëve. Ky ishte edhe mesazhi i vërtetë të cilin realisht e kishte konceptuar kalifi i dytë në Islam – Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) kur kishte takuar në xhami disa të rinj pasi që kishin kryer faljen e namazit, ishin ulur në xhami për të kaluar kohën, dhe kur i pyet se nga ishin dhe se çfarë bënin në xhami pas namazit, ata i ishin përgjigjur se janë mbështetur në Zotin! Omeri i pyeti sërish se kush kujdesej për ushqimin e tyre, ndërsa njëri prej tyre kishte thënë se të afërmit apo ndonjëri nga muslimanët e tjerë. Omeri (r.a.) kur dëgjon këtë qasje të gabuar të këtyre djelmoshave u përgjigjet se ata janë më të vlefshëm se këta dhe se qasja e këtyre është e gabuar.


Karakteri human dhe social i ibadeve

Me fjalë të tjera, ibadetet e nxisin njeriun të shtojë akoma më tepër aktivitetin fizik. P.sh.: njeriu përmes namazit pastron shpirtin dhe egon nga mendjemadhësia, egoizmi dhe cinizmi, në shpirtin e tij kultivon dhe mbjell modestinë dhe dashurinë për të tjerët, takohet me Zotin duke iu lutur Atij për faljen e gjynaheve dhe gabimeve, shtegton rrugës për ngritje të vlerave njerëzore. Agjërimi si ibadet e ndihmon të mposhtë epshin e tij shtazarak, e bën më të qëndrueshëm ndaj sfidave dhe provokimeve, krijon dhe shton dozën e humanizmit, mëshirës, mirëkuptimit dhe ndjenjën e solidaritetit për varfanjakët, të vobektit, jetimët etj. Gjithashtu edhe duaja si ibadet forcon fuqinë e ndjeshmërisë shpirtërore, lidhet përjetësisht me Zotin, kapet për litarin e Tij, mëson veten që vetëm madhërisë së Tij t’i kërkojë, e jo njerëzimit, që është një ndjenjë sublime e njeriut, që njeriun e bën madhështor. Atij i drejtohet edhe në momentet më të vështira, në çastet kur rrëshqet në gjynahe e gabime trashanike, kur gabon ndaj të tjerëve, përmes duasë krijohet bindja se ai po i drejtohet Zotit i cili është i Butë, Falës dhe Mëshirues, që pranon pendesën e çdonjërit i cili lutet, gjë të krijon stabilitet psikik dhe shpirtëror në vetë njeriun.

Njeriu si qenie dualiste dhe objektivi i ibadeteve

Të gjitha ibadetet në Islam janë në saje të një rrethi unifikues që shërbejnë si sistem i përkryer për të pastruar shpirtin dhe trupin, për të ndërtuar sistem të mirëfilltë të vlerave njerëzore. Ato janë në përputhshmëri me natyrën e njeriut duke e përgatitur njeriun për jetë aktive dhe të lumtur në këtë botë dhe për t’i siguruar lumturi dhe kënaqësi në botën tjetër. Ibadetet në Islam kanë edhe karakterin shoqëror kolektiv, ato nuk kërkojnë nga njeriu të bëjë diferencimin mes kërkesave të trupit dhe shpirtit, nuk kërkojnë nga njeriu t’i luftojë nevojat reale të jetës së përditshme, si ushqimi pija, pushimi, martesa, të kënaqurit me mirësitë e kësaj bote. Islami krijoi ekuilibrimin mes nevojave të shpirtit dhe trupit, duke mos anashkaluar asnjërin segment, por që përmes këtij ekuilibrimi të arrijë mirësinë e kësaj bote dhe ahiretit. Ndërsa historia e feve dhe religjioneve është përplot shembuj se si ithtarët e tyre kanë devijuar në njërën apo në shumë forma duke anashkaluar pikërisht ekuilibrimin e mirëfilltë të kërkesave trupore dhe shpirtërore. Njeriu si qenie dualiste nuk mund të ndahet në dysh, për të përmbushur kërkesat e vetëm njërit segment. Apo, siç vërehet edhe tek sektet e ndryshme që gravitojnë në mesin e umetit musliman, të cilët mundohen të manifestojnë Islamin me rituale dhe forma të ndryshme, që realisht janë larg traditës së shenjtë të Muhamedit (alejhi selam), të cilët porosisin ithtarët e tyre të heqin dorë në mirësitë e kësaj bote, të izolohen nëpër tyrbe, dhoma, shpella, të shohin botën vetëm zi, të mbjellin frymën e pesimizmit duke menduar dhe besuar se kjo botë është “burg për besimtarin dhe parajsë për jomuslimanin”, ide që s’kanë të bëjnë fare me platformën e shëndoshë kuranore. Ndërsa Allahu në Kuran ka porositur dhe urdhëruar muslimanët
“Dhe me atë që të ka dhënë All-llahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos le mangu atë që të takon nga kjo botë, dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë All-llahu ty, e mos bën të këqija në tokë, se All-llahu nuk i do çrregulluesit. “ (Kasas, 77), “Thuaj: “Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira që All-llahu i krijoi për robtë e vet?” Thuaj: “Ato janë në këtë botë për ata që besuan, e në ditën e kiametit janë të posaçme për ta. Kështu i sqaron argumentet një populli që kupton.“ (El-A’raf, 32).
Torturimi fizik i trupit për të arritur ngritjen shpirtërore nuk është lejuar asnjëherë në Islam, kjo kurrë nuk ka qenë platforma islame, siç mundohen ta perceptojnë e ta pasqyrojnë disa sekte muslimane, madje edhe më tepër se kaq, kanë krijuar imazhin negativ ndaj Islamit në sytë e njerëzimit. Islami ka hedhur poshtë këto sjellje devijante dhe denigruese, por duanë, teuben dhe istigfarin i ka bërë mekanizma për përmirësimin e ndërgjegjes së muslimanit. Madje për disa gabime dhe gjynahe ka përcaktuar ibadete që i mundësojnë atij shlyerjen e mëkateve, sikur që janë agjërimi ose kompensime materiale të cilat u jepen të varfërve dhe nevojtarëve, si p.sh. ushqim dhe veshmbathje pa mos e torturuar fare trupin apo për të mos e dërrmuar shpirtin.
“ All-llahu dëshiron t’ju lehtësoj (dispozitat), e megjithatë njeriu është i paaftë (për t’ju përballuar epsheve.” (Nisa, 28).
Shikuar nga këto prizma, arrijmë në konstatimin se ibadetet në Islam janë në shërbim të ngritjes fizike, shpirtërore dhe morale të individit dhe shoqërisë. Çdoherë janë në funksion të krijimit të vlerave të mirëfillta njerëzore. Individi përmes ibadeteve shtegton në rrugën e Zotit, ndërsa tek shoqëria mbillet shpirti i dashurisë, paqes, tolerancës, bashkëpunimit konstruktiv dhe idealit se të gjithë janë krijesa fisnike të një Zoti, e më të respektuarit dhe më afër Zotit janë pa dyshim më të devotshmit, më të përkushtuarit dhe më të moralshmit.



Autori është Imam ne Xhaminë e Bardhë, Zofingen,Zvicer


Artikulli radhës
Në takim me Ramazanin

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi