Sheshi “Tahrir” i Kajros, i cili u shndërrua në simbol të rezistencës kundër diktatorëve dhe luftës për liri e pushtet të popullit, sërish u ndez dhe u gjet në ballë të lajmeve të mediave botërore.
Por, tash, jo për të rëzuar diktatorë, por për të mbrojtur frytet e revolucionit popullor, i cili rrezikohet nga brenda dhe jashtë, pikërisht ata që nuk ngritën dorë mbi popullin që protestonte në sheshe, tash, përgadisin skenare për abrotimin e embrionit të periudhës postrevolucionare të “Pranverës Arabe” dhe planifikojnë ta godasin lëvizjen e “Pranverës Arabe”, bile edhe më fuqishëm, por pa kamxhik dhe tytë automatiku.
Nuk janë të rralla rastet në historinë e njerëzimit, kur popujt kanë fituar në frontin e luftës, por më pas, kanë humbur në frontin politik, apo si që njihet ndryshe “në tavolinë” dhe “bisedime”. Edhe pse kjo bisedë u nis me realitetin e botës arabe, megjithatë, edhe realiteti ynë si shqiptarë nuk është larg, gjegjësisht zbrapsja në tavolinën e bisedimeve, kundrejt përparimit në vijat e frontit, janë fjalë që qarkullojnë në mesin e popullatës tonë, edhe atë, jo si rezultat i imagjinatës, por si rrjedhojë e proceseve dhe ngjarjeve që e kanë derivuar një përfundim të këtillë.
Vullneti i madh i popullatës në vendet e revolucionit të “Pranverës Arabe”, si duket kërkon një kondicionim për ta përballuar fazën e ardhshme, e cila nuk është hiç më pak sfiduese se sa ajo paraprake, bile, pas gjithë asaj që ndodhi, është edhe më shqetësuese dhe nxitëse, ngase është në pyetje mbrojtja e fryteve të pranverës së përgjakur nga rezistues të denjë jomilitant kundër pushteteve diktatoriale, por para kësaj, kundër mendësisë së mbuluar nga ndryshku i dekadencës dhe inatit shkretinor e logjikës qeverisëse totalitare.
Është e qartë se ndryshimi i sistemeve është një proces që nuk mund të kompletohet brenda natës, por ajo që ndodh me revolucionet arabe nga ana e qarqeve politike dhe ushtarake në vendet përkatëse, flet për një trafikim klasik me të arriturat e popullit. Zhvillimet e deritashme në skenën politike të vendeve të “Pranverës Arabe” flasin se janë ndrruar vetëm majet e piramidave të së keqes, por jo edhe strukturat tjera të pushteteve që e kishin pirë dekada me radhë gjakun e popullit. Bile, që është edhe më paradoksale, strukturat e mbetura, pas shkuarjes së kokës së klanit famëkeq, mundohet që maksimalisht të përfitojnë nga vakumi institucional që t’i fshehin gjurmët e krimit edhe të strukturave tjera më të ulta të pushteteve totalitare arabe dhe të gjejnë mënyra për rehabilitimin e shumë tjerëve, që pastaj në të ardhmen përsëri të vazhdojnë të ushtrojnë funaksione publike, duke e vënë në këtë mënyrë në pikëpyetje pastrimin e vërtetë të klasës politike nga elementet e pushtetit të shkuar dhe nxjerrjen në shesh e gjykimin e gjithë atyre që e shtypën popullin dhe keqpëdorën pasurinë e tij dekada me radhë. Për rrejdhojë, disa herë kemi qenë dëshmitar të rikompozimit të qeverive postrevolucionare të “Pranverës Arabe”, konkretisht në Egjipt dhe në Tunizi, dhe përplasjeve për figura publike, bile edhe protestim për largimin përfundimtar të atyre të cilët kanë patur lidhje me pushtetet e kaluara.
Marrë parasyshë këto zhvillime, mund të thuhet me plotë të drejtë se kjo fazë, në sheshet e “Pranverës Arabe” mund të quhet si ”Fazë e përplasjeve” dhe fërkimeve mes protagonistëve kryesor të këtij realiteti të rij, gjegjësisht lëvizjes popullore për ndryshim që doli në rrugë për ta shpëtuar vendin nga thundrra e diktatorëve të regjimeve totalitare nga njëra anë, juntës ushtarake nga ana tjetër, dhe pushtetit politik nga ana e tretë.
Sfida tjetër e periudhës postotalitare e cila seriozisht i rrezikon frytet e revolucioneve arabe, e që strukturat e mbetura të ish pushteteve mundohen ta menaxhojnë me dhelpëri të madhe, me qëllim që t’i minimizojnë përfitimet dhe rëndësinë e revolucioneve të “Pranverës Arabe” nga njëra anë, dhe të arkëtojnë maksimalisht poena në favor të ish regjimeve arabe, është përplasja mes palëve të kampit të forcave revolucionare, apo si që shprehet një analist, përplasje mes forcave politike të hershme dhe të vonshme, islame dhe laike, atyre që kërkojnë ta ndërtojnë të ardhmen dhe atyre që çdo herë shohin kah e kaluara, dhe realitetin që e kanë bërë revolucionet arabe, tentojnë me çdo kusht ta vënë në funksion të pastrimit të hesapeve të vjetra me figura të caktuara të ish regjimeve, por për motive personale e jo revolucionare.
Lëvizjet e formatimeve të qeverive, pikërisht aludojnë në këtë. Bëhen zavendësime të ministrave duke u dhënë pozitë, o figurave të forcave minore brenda kampit revolucionar, ashtu që t’i provokojnë focat më të mëdha, të cilat kanë patur edhe hise më të madhe të përgjegjësisë dhe të sakrificave; o duke avansuar ende figura kontraverse; o duke vënë në pozita të ndryshme figura ekstreme laike që t’i provokojnë forcat proislame e bile edhe masën më të gjërë, e cila është fetare; o duke tentuar të nxjerrin në skenë forca të reja politike të panjohura sa duhet në skenën politike dhe me background të panjohur, apo te disa edhe të dyshimtë, me qëllim që të përbalten frytet e revolucionit dhe forcat që e bënë revolucionit të krijojnë përshtypje se tash ia kanë nisur luftës për pushtet, figura dhe pozita në qeverisje.
Luftërat për liri, barazi dhe kthim të dinjitetit kanë mbarim, por lufta për mbrojtjen e fryteve të fitoreve të atyre luftërave, si duket, nuk mbarojnë lehtë. Ky fenomen është prezent gjithandej në botë.
Por, ata që e kanë marrë besimin e popullit dhe që me vullnetin e tij kanë korrur fitore, duhet të jenë të kujdesshëm si e menaxhojnë fitoren që ka dalur nga ky vullnet i madh i motivuar nga dëshira për të qenë një herë zot në shtëpinë e vet dhe për mos të qenë qytetarë të dorës së dytë e lypës e të varur nga tjetri. Frytet e fitores duhet të mbrohen dhe të investohen drejtë, e jo të shndërrohen në xhoker për bixhoz politik në tavolinat e pazarllëqeve në kazinot politike të pushtetit, si dhe për të kënaqur klane brendapartiake.
Ai popull që i ndëshkoi ish regjimet diktatoriale, do t’i ndëshkoi edhe të gjithë ata forca që tentojnë t’i përbaltin frytet e revolucioneve që ata i ujitën me gjakun e tyre, dhe do t’i eleminojnë nga skena politike të gjitha ato forca që kanë abuzuar me vullnetin e tij, si që e ka bërë këtë me shumë forca politike.
Atyre që humbin në tavolinë dhe i shkelin frytet e fitores, nuk u shkruhet mirë.