Miliona njerëz nga vendet më të ndryshme të botës, dhe me mund e sakrifica të mëdha, së shpejti do të nisën në udhëtimin më të gjatë dhe më të dashur, udhëtimi i cili shpie në takim me Zotin, historinë dhe njeriun. Haxhi i këtij viti është takimi i 1432 -të i muslimanëve nga gjithë bota.
Më se 14 shekuj muslimanët nga të gjitha anët e botës i përgjigjën thirrjes së Allahut dhe me nxitim nisën me mjetet më të përshtatshme drejt Qabesë të cilët i ngjajnë rrjedhës së një deti në të cilin nga të gjitha anët derdhën lumenjtë të vegjël e të mëdhenj.
Këtu njeriu ka rastin më të mirë që të njihet me popujt e tjerë dhe me kushtet e tyre, ndërsa nëpërmjet njohjeve të tilla reciproke duhet të vijë deri te solidariteti i ndërsjellë për të cilin gjithmonë ka nevojë të domosdoshme populli. Allahu (xh. sh.) në Kur'an thotë:
"O njerëz. Ne ju kemi krijuar juve prej një mashkulli dhe një femre dhe ju kemi bërë të ndarë në popuj që të njiheni mes vete.. Më i miri tek Allahu është ai i cili bën vepra të mira." (Huxhurat, 13)
"Të vizituarit e Qabesë për hir të All-llahut është obligim për njerëzit që kanë mundësi të marrin këtë udhëtim". (Ali Imran, 97)
“Dhe thirr njerëzit për në haxhxh, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta.” (El-Haxh, 27)
LebbejkeAll-llahu…
“O njerëz, All-llahu u ka bërë obligim të patjetërsueshëm haxhillëkun, prandaj kryejeni atë.” (Muslimi)
“Kush e kryen haxhillekun në emër të All-llahut dhe nuk bën ndonjë delikt, gjynah, do të kthehet në shtëpi pa gjynahe sikur atë ditë kur e ka lind nëna e tij.” (Buhari.)
Shkuarja në Haxhxh është kthimi në origjinë, në agimin e hershëm të krijimit e të lindjes, ajo është hyrje në qetësinë dhe prehjen e pikës në detin e qetësuar ujor, shpirtërat në veshjen hyjnore. Sepse, ajo është lindja e dytë e ndërgjegjshme, lindje me besim dhe nëpërmjet besimit, dalje nga ndërresat tua të përlyera te dynjase, çlirim nga prangat e lajthitjeve, jetë pas jetës. Aty është ajo FALJA e madhe, ai shiu i art i mëshirës dhe bekimit të Zotit, lutja e plotësuar.
Haxhxhi ka tri forma manifestimi: hurumat, menasik, sheair.
1. Hurumat janë vendet ku besimtari hy me përgatitje të veçantë me ihram dhe i pastër. Fjala ihram është nga e njëjta rrënjë e fjalës harem, ndërsa shumësi është hurumat. Në vendet e haremit ose në hurumate mund të hyhet vetëm me ihram.
I tërë themeli është i sigurt dhe i besueshëm. Qyteti i Mekës poashtu është `qytet i sigurt`. Në qytetin e sigurt është Qabja - `shtëpia e ndaluar` për të gjithë ata që nuk janë të pastër, në ihram dhe në ritin e Haxhxhit.
Qabeja
Qabeja është qendër dhe qëllim. Është caku që i bashkon të gjithë muslimanët e botës. Të gjithë në namaz drejtohen nga Qabeja. Ajo është simbol i solidaritetit dhe i bashkimit gjithislam. Ajo luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në forcimin e vëllazërimit, harmonisë, marrëdhënieve reciproke, afrimit dhe njohjes së popujve, vendeve dhe bashkësive të ndryshme muslimane.
Qabeja mundëson jo vetëm bashkimin fetar, shpirtëror, moral dhe ideor, por edhe hapësinor. Prandaj, Qabeja në krahasim me të gjitha xhamitë dhe mesxhidet e botës është ai centrali shpirtëror, moral, fetar e hapësinor, në drejtim të të cilit janë të kthyera dhe për të cilin janë të lidhura të gjitha xhamitë, mihrabet dhe shtëpitë e besimtarëve të botës. Kudo që janë, në ujë, në anije, në tokë apo në ajër, muslimanët kur falen në namaz kthehen në drejtim të Kiblës. Prandaj, sikurse mihrabet e xhamive, ashtu edhe kraharorët tanë, zemrat, shpirtrat, mendimet, ndjenjat, vullneti dhe dëshira duhen të jenë të kthyera nga Kiblja.
Kthimi drejt Kiblës është një simbolik që do të thotë orientim drejt qëllimeve dhe idealeve të njëjta të jetës. Parësore është orientimi i shpirtit kah një pikë në botë. Ky orientim i shpirtit paraqet domethënien e Kiblës dhe ky është farz i pakushtëzuar, për derisa Haxhxhi - pelegrinazhi islam, është farz i kushtëzuar.
Qabenë e ndërtoi Ibrahimi (a. s.) me Ismailin (a. s.). Ata qenë dy njerëz plotësisht të lirë dhe njëkohësisht edhe të dorëzuarit e të nënshtruarit e All-llahut (xh. sh).
Dhe deri sa Ibrahimi dhe Ismaili (a. s.) i vendosen themelet e tempullit, ata u luten:
"Zoti ynë, pranojë prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di!" Zoti ynë, na bën neve dyve besimtarë të sinqertë ndaj Teje dhe pasardhësit tanë, njerëz të bindur ndaj Teje, na i mëso rregullat e ibadetit tonë dhe na fal neve, vërtet, Ti je që fal shumë, je Mëshirues!"
Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiri i tyre, të dërguar që t'ua lexojë atyre ajetet Tua, t'ua mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t'i pastrojë ata (prej idhujtarisë). S' ka dyshim se Ti je ngadhënjyesi, i dijshmi." (El-Bekare, 127- 129)
Arefati
Qëndrimi në Arefat është riti themelor i haxhxhit. Të gjithë haxhinjtë, pavarësisht kush janë dhe nga vijnë, ditën e nëntë- dhu'l-hixhxheh- duhet patjetër të qëndrojnë në Arefatë
Pejgamberi a.s. thotë: "Haxhxh është arefati" - ibadeti kryesorë i haxhillëkut.
Së fundi duhet thënë se çfarë ndjen njeriu gjatë qëndrimit të tij në arefat. Me të arriturit në Qabe dhe duke qëndruar në arefat, haxhiut i duket se ajo është përgaditja e fundit para kthimit përfundimtar te All-llahuxh.sh. Në arefat njeriu duket ashtu si e sheh islami para Krijuesit të vet. Të gjithë njësoj, në të njejtin vend, pa të gjitha ato karakteristikat e jashtme që zakonisht i ndajnë njerëzit në jetën formale. Aty janë me vetveten dhe me Krijuesin e Tyre. Aty vetëm veten e kanë garanci për veprat e veta sikur atë ditë kur do japin llogari para Zotit (xh. sh.).
Tavafi - rrotullimi rreth Qabesë shtatë herë fillon duke iu afruar Qabesë nga qendra dhe caku, e pastaj gradualisht duke u larguar nga qendra drejt skajit. Rrathët janë simetrikë dhe simbolizojnë jetën njerëzore. Pihet ujë zemzemi dhe sipas mundësisë i bëhet një vizitë Mekami Ibrahimit që simbolizon vazhdimësinë e traditës.
"Populli i babait tuaj - Ibrahimit edhe më herët ju ka quajtur muslimanë". (El-Huxhurat, 78)
Tavafi rreth Qabesë është kulmi i dëgjueshmërisë dhe nënshtrimit ndaj All-llahut (xh. sh.). Ai na përkujton rrotullimin e melaqeve rreth Arshit. Tawafin, në të njëjtin vend, e kanë bërë të dërguarit e Zotit, duke filluar nga Ademi (a. s.) përmes Ibrahimit (a. s.) e deri te Muhammedi (s.a.v.s.).
Safa dhe Merva - Saji ndërmjet Safa-së dhe Mervës ia përkujton njeriut dramën në mes jetës dhe vdekjes. Aty nëna (Haxherja) luftoi për të shpëtuar jetën e fëmijës së saj (Ismailit). Nuk iu dorëzua as rërës së shkretëtirës as vapës diellore. Këtu besimi mbizotëroi dëshpërimin, jeta ngadhënjeu mbi vdekjen. Ky vend është dëshmitar i triumfit të dashurisë së nënës, besimit dhe jetës. Vallë, ai që e shkel me këmbën e tij dheun e këtij vendi, a nuk do të mendojë për obligimet ndaj prindit? Vallë, a nuk e ngarkoi Haxherja me veprën e saj vizitorin që t'i shpreh asaj nderimet simbolike. Vallë, a nuk i dhuroi ajo gjinisë njerëzore djalin, i cili pranoi të flijohet, nëse ai është në interes të besimit? Kur'ani flet për Safa-në dhe Mervën dhe thotë:
"Safa" dhe "Merva" janë nga shenjat e All-llahut, e kush e mësyn për vizitë Qabenë ose umrën, nuk është mëkat për të që t'i vizitojë ato dyja. E kush bën ndonjë të mirë nga vullneti, s'ka dyshim se All-llahu është shpërblyes e i gjithëdijshëm." (Bekare, 158)
Bashkëshortja e Ibrahimit (a. s.) h. Haxherja vraponte nga njëri breg në tjetrin, nga Safa te Merva duke kërkuar ujë për fëmijën e saj. Ujin nuk e gjeti aty, por e gjeti nën këmbët e fëmijës ku edhe sot gjendet burimi i Zemzemit. Një vend midis shkretëtirës ku doli ujë para mijëra e mijëra vitesh, burimi i të cilit asnjëherë nuk u shter as uji në të nuk u pakësua edhe pse aty di të mos bie shi me vite të tëra. Kjo gurrë e Zemzemit nuk mund të shpjegohet me të a.q. ligjet natyrore dhe fizike, veç se ajo është ekskluzivisht argument dhe një dëshmi e madhe e mëshirës dhe gjithëfuqisë së All-llahut (xh. sh.)
Ngarendja pas ujit të jetës simbolizon ujin e jetës Zemzem. Ato janë simbol i kërkimit njerëzor, sepse njeriu vazhdimisht kërkon diçka.
Kurbani - Mine-ja dhe therrja e kurbanit - Riti i gjuajtjës se guralecëve në Mine do të jetë i paqartë dhe i pakuptimtë për çdokë, i cili në atë vend nuk e sjell ndërmend ngjarjen historike që ndodhi aty. Në atë vend njeriu (Ibrahimi) iu nënshtrua provimit më të vështirë për të cilin di historia. All-llahu (xh. sh.) e urdhëroi atë që ta ther djalin e vet. All-lahu (xh. sh.) ia dhuroi atë djalë në pleqëri të thellë. I ati u gëzua shumë për këtë dhe e lidhi zemrën e vet në mënyrë të pakufishme për të. Mirëpo, te besimtarët e vërtetë dashuria ndaj All-llahut (xh. sh.) duhet të mbizotërojë mbi çdo gjë. Prandaj, All-lahu (xh. sh.) dëshiron t'ia pastrojë zemrën e tij, Ai dëshiron që ajo të jetë më shumë e lidhur për Krijuesin se sa për krijesën e Tij. I vjen urdhri që ta therë t' birin e vet. Shejtani përpiqet ta pengojë në zbatimin e urdhrit të All-lahut (xh. sh.) (tradita tregon se i është paraqitur në formë njeriu), por, Ibrahimi (a.s.) e dëbon me gur dhe bashkë me t' birin vendosen ta zbatojnë urdhrin e All-lahut (xh. sh.). Dhe kur i ati dhe i biri shprehen gatishmërinë për flijim, kur e dëshmuan se dashuria ndaj besimit është më e fuqishme se dashuria ndaj jetës, All-llahu (xh. sh.) ua zbuloi sekretin e atij provimi të madh.
"E kur ata të dy iu dorëzuan urdhrit të Zotit dhe e shtriu atë me fytyrë për tokë. Ne e thirrem atë: "O Ibrahim!" Ti tashmë e zbatove në realitet ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë të mirët! Vërtet, kjo është një sprovë e qartë. Ne e shpaguam atë me një kurban të rëndësishëm. Dhe nga ai, Ne lamë përkujtim të mirë për brezat e ardhshëm". (Es-Safat, 103-108).
Urdhri që Ibrahimi të flijojë t' birin ishte, pra, urdhër i All-llahut (xh. sh.) Ky urdhër , siç e pamë, iu shpall në gjumë, nëpërmjet ëndrrës. Ai i bindet urdhrit, ndërsa fëmija babait. Zakonisht kjo radhë nënshtrimi ndiqet në islam. Pasi Ibrahimi (a. s.) iu nënshtrua urdhrit, All-lahu (xh. sh.) ia dha si zëvendësim dashin. Kjo është gatishmëri për flijim dhe zëvendësim i flisë:
"Tek All-lahu nuk arrin as mishi as gjaku i tyre, por devotshmëria e juaj". (El-Haxhxh, 37)
Në simbolikën e flijimit përparësi ka gatishmëria mbi vetë aktin.
- Si zëvendësim për jetën njerëzore All-lahu (xh. sh.) e jep kafshën. Nuk kërkohet flijimi i njerëzve nëse ka zëvendësim të përshtatshëm. Flijimi i njerëzve në emër të All-llahut (xh. sh.) është i panevojshëm.
- Nuk mund të vritet njeriu e bindjen se po i bëhet mirë Zotit, sepse pas flisë së Ibrahimit (a. s.) më e madhja sakrificë që mund të bëhet është kafsha. All-llahu (xh. sh.) refuzoi ta pranojë flinë njerëzore dhe e dha zëvendësimin në kafshë.
- Ky qe edhe një hap civilizues, sepse para Ibrahimit (a. s.) ishte zakon ndër shumë popuj të flijohen njerëzit. Ibrahimi (a. s.) ndërpreu zakonet e tilla dhe vendosi një traditë tjetër. Marrëdhëniet e ndërprera ndërnjerëzore u rivendosen përsëri. Flijimi bëhet një herë në vit dhe kjo është çdo herë satisfaksion i veçantë.
- Konflikti i njeriut me shejtanin përfundon në Mine duke e gjuajtur atë me gur. Ai, në Kur'an zaten, quhet shejtani i gjuajtur me gur. Në Mine besimtari definitivisht e fiton luftën kundër shejtanit, në planin simbolik e mbyt në veten e tij, ndërsa në planin real e gjuan me gur dhe përfundon me të.
Literatura:
1. Gjozo, Husein, "Islami në Kohë, Shkup, 1993.
2. Omerdic, Muharem, "Zivjeti u islamu, Istanbul, l995.
3. Spahic, Mustafa, "Koraci u islamu", prirucnik za srednje skole, Sarajevë, 1997.
4. Etika u islamu, zbornik radova treceg simpozija, Zagreb, 1990.
5. Islamska misao, nr. 55, Sarajevë, 1983.
6. Dituria islame, nr. 49, Prishtinë, 1993.
7. Islamska misao, nr. 68, Sarajevë, 1984.