Premtimi Hyjnor për ngadhënjimin e besimtarëve (I)

Sedat ef.Islami

Të nderuar vëllezër besimtarë!
Ummeti islam është duke kaluar njërën ndër periudhat më të vështira të historisë së tij. Niveli i ulët i arsimimit, ekonomia e dobët, qeveritë e dhunshme dhe të korruptuara, përçarjet e brendshme, pushtimet e huaja, janë vetëm disa nga ato imazhet më të cilat identifikohet –fatkeqësisht- ai. Gjendja është për çdo keqardhje por jo edhe për dëshpërim. Për ummetin islam priten ditë të mirë, dhe tash vetëm se ka filluar të duket ajo drita në fund të tunelit. Ka qenë metodologji e Pejgamberit Muhammed, alejhis selam që ditët më të vështira t’i shfrytëzojë për përgëzimet më të mëdha.
Buhariu shënon në Sahihun e tij hadithin e Habbab b. Erettit, i cili bashkë me disa të tjerë kishin shkuar të ankohen tek Pejgamberi, alejhis selam për gjendjen e rëndë që përjetonin në Mekke, për vuajtjen dhe mjerimin e madh që kishte kapluar ata. Pejgamberi, alejhis selam i qetësoi ata duke ua përkujtuar rastet e së kaluarës që kishin përfunduar edhe më keq, madje tragjikisht në format më barbare të mundshme, dhe përgëzoi ata për një të ardhme kur “kalorësi (çobani) nga San’aja e deri në Hadramevt nuk do ta këtë frikë askënd përveç Allahut, apo ujkun për delet e tij…”([1])
Po kështu, edhe në betejën e Hendekut, derisa ishin duke hapur kanalin ndërsa ishin të rrethuar nga të gjitha anët prej armiqve, Pejgamberi, alejhis selam paralajmëronte sahabet për fitore, jo ndaj atyre që ndoshta ndanin një distancë dhjetëra metra me ta, por ndaj perandorive të kohës.
Kësisoj, bazuar në këtë metodologji profetike, në këtë kohë kur as ne në vendin tonë nuk po kalojmë ditë të mira, vendosëm të hapim një seri të re hutbesh([2]) që ekskluzivisht do të trajtojnë premtimet hyjnore për triumfin e besimtarëve. Do të mundohemi që nëpërmjet teksteve fetare përkatëse të përshkruajmë rrugën që na çon tek fitorja. Për këtë gjithsesi se do t’i referohemi Kur’anit, Sunnetit, historisë, ligjeve kozmologjike, aktualitetit, ndërsa sot do të fillojmë me:

I. Premtimet kur’anore

1. Islami i sfiduar por i pamposhtur
Islami qysh nga momentet e para të shfaqjes së tij nuk u prit njësoj nga njerëzit. Pati të atillë që ardhjen e tij e pritën me kënaqësi, por pati edhe të atillë që, jo vetëm nuk e pranuan, por edhe iu kundërvunë. Arsyetimet e tyre për refuzim reflektonin injorancën dhe armiqësinë e tyre. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ata përpiqen me gojët e tyre ta shuajnë dritën e Allahut, e Allahu nuk do tjetër, pos ta përsosë dritën e Tij, ndonëse jobesimtarët e urrejnë.” (Kur’ani: Et-Teubeh, 32.)
Pra, me gjithë urrejtjen dhe armiqësinë e madhe që kanë nuk do të arrijnë kurrë ta shuajnë këtë fe, ngase ajo është si: Dielli, që nuk fiket dot nga fryma e njeriut, apo Dielli që nuk perëndon kurrë; nëse perëndon në një vend, në tjetrin bën dritë ende apo mbase edhe lind në ndonjë kontinent tjetër.
Kësisoj qëndron puna edhe me Islamin, ai mund të dobësohet derisa kur njerëzit të mendojnë se ai po shuhet, rikthehet fuqishëm. Apo, mbase kjo mund të jetë një kërcenim për ithtarët neglizhent se dielli i tij mund të mos ju ngrohë dhe të iki fare nga horizonti juaj nëse ju nuk ia hapni zemrën atij.
Këtë të vërtetë për Islamin gjithsesi se e dëshmon dhe historia, madje në vazhdimësi. Të gjithë e dinë se në kohën kur Ummeti Islam humbi Spanjën, ai fitoi (themeloi) njërën ndër perandoritë më të fuqishme të kohës, atë osmane. Historia vazhdon të dëshmojë këtë të vërtetë dhe sot e kësaj dite kur ne shohim se përpjekjet e intensifikuara për ta ngulfatur Islamin po shkaktojnë në fakt ringjalljen e tij. Sa njeriu pranoi Islamin vetëm në dekadën e parë të këtij mileniumi të ri!

2. Premtimi i kushtëzuar

Islami patjetër se do të ngadhënjejë, vetëm se ky ngadhënjim nuk është magjik. Ai është njerëzor dhe duhet të realizohet madje nga njerëzit, por nga cilët? Kush janë ata besimtarë që do të realizojnë këtë premtim, cili është përshkrimi i tyre dhe cila është strategjia e tyre?
Kur’ani për të gjitha këto na sjell detaje. Në kaptinat el-Haxh, ajeti 41, en-Nur, ajeti 55, dhe et-Teubeh, ajeti 14, Allahu na rrëfen për tiparet e atyre të cilëve ua ka premtuar fitoren e thotë: “(Ai ndihmon) Ata të cilët kur Ne u mundësojmë vendosjen në tokë, e falin namazin, japin zeqatin, urdhërojnë për të mirë dhe largojnë prej të keqes. Allahut i takon përfundimi i çështjeve.”; Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, Allahu u premtoi se do t’i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si i pat bërë zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t’ju dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas kësaj mohon, të tillët janë ata më të prishurit.”; Luftoni ata, Allahu i dënon dhe i mposhtë ata nëpërmjet jush, e juve ju ndihmon kundër tyre dhe shëron zemrat e njerëzve besimtarë.”
Pra, ata që do të realizojnë premtimin e Allahut për rimëkëmbje dhe prijatari në tokë kanë këto tipare: Gjithsesi janë besimtarë të sinqertë dhe bëjnë vepra të mira; Falin namaz dhe japin zeqat; Urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja ngase janë guximtarë dhe askujt pos Allahut nuk ia kanë frikën, si dhe ndërmarrin hapat konkret për të jetësuar triumfin.
Pra, siç mund të shohim në këto ajete të lartpërmendura, krahas përshkrimit të karakterit të besimtarit triumfues, aty jepen edhe shpjegime për metodologjinë e tyre e që nënkupton se ata vet duhet të punojnë për të ardhur deri tek fitorja.

3. Fitorja ka çmim

Fitorja është ideal për të cilin duhet sakrifikuar. Kjo sakrificë nënkupton që jo doemos ata që sakrifikojnë të shijojnë personalisht frytet e tij. Ndryshe, nuk do të kishte pasur dëshmorë kurrë në këtë botë. Allahu na sjell shembuj nga Kur’ani se si Profetët që u dërguan për të ftuar njerëzit në besim ndonjëherë pësuan tragjikisht – u vranë nga popujt e tyre. Zekerijaja dhe Jahjaja, alejhimus selam, që te dy profetë, u vranë nga populli i tyre (çifutët). Pastaj Muhammedi, alejhis selam, profeti ynë, jo vetëm që u largua dhunshëm nga Mekkeja e nderuar, por edhe u luftua dhe mori shumë plagë prej popullit të vet. E rëndësishme këtu është që të arrihet ideali ndërsa shpërblimi për të mbase edhe më i mirë dhe shumë më i madh është në botën tjetër. Allahu ka thënë: “Ne patjetër do të ndihmojmë të dërguarit tanë në jetën e kësaj bote, edhe ata që besuan, e edhe në ditën e prezentimit të dëshmive.” (Kur’ani: Gafir, 51.)
Ka thënë Sudijj-i në koment të këtij ajeti: “Nuk ka ndodhë që dikush ta ketë mbytur ndonjë profet, apo ndonjë prej thirrësve të së vërtetës, e që Allahu të mos ketë dërguar dikë që hakmerret për ta, e që rrjedhimisht del se ata edhe pas vdekjes triumfojnë.”([3])

4. Motivimi për realizimin e premtimit

Kur’ani simulon dhe nxit shumë për realizimin e këtij premtimi, dhe këtë në forma dhe mënyra të ndryshme.

a. Pasuesit e të vërtetës
Përshkrimi i besimtarëve muslimanë si ithtarët e vetëm të së vërtetës është një motiv shtesë që ata të punojnë për realizimin e premtimit hyjnor për ta. Duke folur për Isanë, alejhis selam dhe pasuesit e tij, Allahu thotë: “(Përkujto, o i dërguar) Kur Allahu tha: “O Isa, Unë po të marr ty, po të ngrejë te Unë, po të shpëtoj prej sherrit të atyre që nuk besuan. E ata që të besuan ty, do t’i ngrejë lart mbi ata që nuk besuan deri në Ditën e kiametit,…” (Kur’ani: Ali Imran, 55.)
Ndoshta në shikim të parë dikush gabimisht mund të fitojë përshtypjen se fjala është për të krishterët, por jo, ngase kushdo që njeh misionin e Isait, alejhis selam, e di se ai thirrte në monoteizëm dhe adhurim të Zotit, e jo se pretendonte hyjni për vete. Kështu, kjo i bie se të krishterët e sodit nuk janë pasuesit e vërtetë të Isait, alejhis selam. Pasues të denje të tij janë vetëm ata që e besojnë ashtu siç në të vërtetë është dërguar ai. E këta, padyshim se janë muslimanët. Me këtë logjikë Muhammedi, alejhis selam agjëroi dhe Ditën e Ashurasë.([4])

b. Përshkrimet e larta
Besimtarët e sinqertë janë titullarët e udhëheqjes së njerëzimit. Ata kanë privilegjet dhe nderet më të mëdha, kështu që duhet t’i motivojë ata e jo t’i dëshpërojë. Allahu ka thënë: E mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u dëshpëroni (shpirtërisht) derisa ju jeni më të lartit, po qe se jeni besimtarë të sinqertë.” (Kur’ani: Ali Imran, 139.)

c. Aleatët më të fortë
Nëse njerëzit motivohen për faktin se përkrah tyre qëndron ndonjë i fortë, atëherë besimtarët do të duhej të prinin në këtë drejtim, ngase përkrah tyre gjithmonë është Allahu Fuqiplotë. E kush mund të jetë më i fortë se Allahu?! “Mik (i afërt) juaji është vetëm Allahu, është i dërguari i Tij dhe ata që besuan e që falin namazin dhe japin zeqatin duke bërë rukuë (duke qenë respektues). 56. E kush ka për mik Allahun, të dërguarin e Tij dhe ata që besuan, s’ka dyshim se ana (pala-krahu) e Allahut është ngadhënjyese.” (Kur’ani: el-Maide, 55-56.)

d. Historia e profetëve argument
Ndoshta këto motivime nuk do të merrnin fuqinë e duhur po të mos sillte Allahu shembuj praktik të ndihmës dhe triumfit në gjeneratat paraprake. P.sh. në rastin e Musait, alejhis selam me Faraonin, Allahu sjell ndoshta njërin ndër tregimet më interesante që faktojnë ndihmën e Tij ndaj besimtarëve të sinqertë. Në kohen kur Musai, alejhis selam po sfidohej nga magjistarët lakmitarë dhe derisa po zhvillohej manifestimi gjigant i magjisë, Allahu deshi që e tëra t’i kthehej Faraonit në bumerang. Magjistarët që ishin ftuar për ta sfiduar Musanë, alejhis selam, gjetën të vërtetën dhe pasuan atë, me gjithë kërcënimet që morën nga Faraoni, derisa ky i fundit pati një përfundim të keq. “Sot po të shpëtojmë ty (po të nxjerrim prej detit) me trupin tënd (të vdekur), që të shërbesh si argument për ata që vijnë pas teje. Vërtet, ekziston një shumicë njerëzish që nuk hulumtojnë argumentet Tona.” (Kur’ani: Junus, 92.)

e. Shkenca në mbështetje të tyre
Islami është një fe që nxit shumë për dijen. Kjo ngase dija është rruga më e mirë deri tek e vërteta, dhe kështu, sa herë që njerëzit bëhen më të ditur, ata gjithherë janë më afër Allahut. Mu për këtë, ndoshta nuk është çudi pse në Kur’an dija dhe dijetarët janë përmendur shumë, sikur që nuk është për tu çuditur pse me gjithë kalimin e këtyre shekujve Islami jo që nuk shtrembërohet por vërtetohet nga zbulimet shkencore se libri i tij, Kur’ani, nuk është nga dora e njeriut. Allahu ka thënë: “Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Kur’ani: Fussilet, 53.)
Sa shkencëtari pranoi Islamin kur hasi në të vërtetat shkencore të këtij libri të madh!


Përfundim

Vëllezër të nderuar!
Islami gjithsesi se do të ngadhënjejë ngase: “… Allahu nuk e shkelë premtimin e vet”. (Kur’ani: Ali Imran, 9.)
Por, cili do të jetë pozicioni dhe roli ynë në këto rrjedha? A do të kemi rol pozitiv në kuptim të asaj që Allahu do të na nderojë me epitetin e bartjes së këtyre përgjegjësie dhe realizimin e këtij premtimi? A do të jemi ne ata që do të ndryshojmë rrjedhën e gjërave për së mbari? Apo do të jemi prej atyre që Allahu do t’i zhdukë për të sjellë tjerë, të mirë, në vendin e tyre. Allahu ka thënë: “…Po nëse ju i ktheni shpinën, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, që nuk do të jetë si ju.” (Kur’ani: Muhammed, 38.)
Andaj, le të shikojmë mirë qëndrimet tona dhe të vendosim se pas kujt do të rreshtohemi! Le të nxitojmë që të jemi prej të mirëve dhe atyre që Allahu ua jep nderin për të ndryshuar rrjedhën e historisë në të mirë të së vërtetës dhe të drejtëve. Pejgamberi, alejhis selam ka thënë: “Ka njerëz që janë çelësa të hajrit dhe dryna të sherrit, sikur që ka edhe të atille që janë çelësa të sherrit dhe dryna të së mirës, por lum për ata që Allahu ua la çelësat e të mirës në duart e tyre dhe mjerë për ata që Allahu çelësat e së keqes i la në duart e tyre!”([5])
O Zot! Bëje që çelësat e të mirës të jenë në duart tona dhe mos lejo kurrë që ne të jemi dry të së mirës apo çelësat e të keqes të jenë në duart tona!



[1] Shih: Sahihu-l-Buhari, pj. 4, f. 201.
[2] Këto hutbe në fakt janë rezyme e librit Mubesh-shiratu-n-Nasri vet-Temkin të Dr. Sejjid Affanit (Kajro: Mektebetu Muadh Ibn Xhebel. 2000.)
[3] Cituar nga: Kurtubiu, el-Xhamiu li ahkamil Kur’an, pj.15, f.322.
[4] Kur migroi në Medinë dhe pa çifutët tek agjëronin atë ditë, i pyeti për urtësinë. I thanë se në atë ditë e kishte shpëtuar Allahu i Madhëruar Musanë, alejhis selam nga Faraoni, kështu që edhe Muhammedi, alejhis selam e kishte agjëruar atë ditëme arsyetimin se: “Unë kam më shumë të drejtë në Musanë se ju (çifutët).” Buhariu.
[5] Hadithin e transmeton Ibni Maxheh djersa Albani e ka vlerësuar për hasen.