Durimi në sprova dhe të kënaqurit me caktimin e Allahut xh.sh


I Lartësuar qoftë i Madhi Allah, Zoti i të gjithë botëve. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin a.s, familjen dhe shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Durimi, ose Sabri, në kuptimin etimologjik do të thotë: Të ndalesh, të frenosh, të pengohesh, kurse në kuptimin terminologjik do të thotë: “Përmbajtje e njeriut nga epshet e veta, duke praktikuar urdhrat e Allahut xh.sh.”
Durimi nënkupton qëndrueshmërinë dhe gatishmërinë për t’u përballur me sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet njeriu, nëpërmjet të cilit arrihet lumturia dhe kënaqësia e Allahut xh.sh.
Sabri është prej moraleve më të larta të fesë Islame, prandaj në Kur’an është përmendur në më shumë se 90 vende, çka aludon për rëndësinë dhe për shkallën e tij të lartë.
Fillimisht është përmendur në suren El-Bekare ajeti 45, për të përfunduar me ajetin 3 të sures El-Asr.
Durimi është domosdoshmëri për muslimanin, për faktin se është virtyti më i lartësuar në Islam, dhe i vetmi për të cilën shpërblimi është i pakufizuar. Allahu,xh.sh thotë:
” … ndërsa durimtarëve u ipet shpërblimi i tyre pa masë!” (Zumer 10).
Durimi është një thesar prej thesareve të Xhennetit dhe si të tillë durimtarët në Xhennet do të kenë grada të larta dhe do të përshëndeten me selam për shkak të durimit në sprovat dhe vështirësitë e kësaj bote. Allahu,xh.sh thotë, “(u thonë) Selamun alejkum, me durimin tuaj gjetët shpëtimin; sa përfundim i lavdishëm është ky vend”. (Er-Ra’d 24)
Të përkujtojmë durimin e një robi të madh të Allahut, një pejgamber të ndershëm e të respektuar, është fjala për Ejubin a.s, ndaj të cilit i Madhi Allah e admiroi durimin e tij, ku si rezultat, Allahu xh.sh dyfishoi shpërblimin ndaj tij. Allahu,xh.sh thotë: “(Përkujto) Edhe Ejubin kur iu drejtua Zotit të vet me lutje: “Më gjeti belaja, e Ti je më Mëshiruesi ndër mëshiruesit!”. Ne iu përgjigjëm atij nga mëshira Jonë, ia hoqëm ato vështirësi që i kishte, i dhamë familjen e tij dhe aq sa ishin ata dhe e bëmë përkujtim për të devotshmit!” (El-Enbija 83-84).
Kurani famëlartë, në shembullin e sipërpërmendur na mëson se durimi është një cilësi dhe tipar i pandashëm edhe i profetëve dhe të dërguarve të Zotit, andaj shembujt që flasin për durimin e pejgambereve janë të shumtë. E tëra kjo rezulton se muslimani me durimin e tij arrin që t’i tejkalon të gjitha sfidat dhe vështirësitë e kësaj bote në mënyrën më të lehtë të mundshme duke medituar në shpërblimet e mëdha, takimin me Allahun xh.sh dhe hyrjen në Xhennet.
Nga Suhejbi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) transmetohet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:“E çuditshme është çështja e besimtarit! Çdo gjendje që ai përjeton, është mirë për të, e nuk e arrin këtë askush tjetër përveç besimtarit. Nëse besimtarin e qëllon një e mirë, ai falënderon (Allahun), e kjo i sjell dobi, kurse nëse e godet e keqja, ai bën durim (sabër), e edhe kjo i sjell dobi”. (Imam Ahmedi)
S’ka dyshim se kjo botë nuk është gjë tjetër pos një arenë e sprovave në të cilën njeriu përballet me sfida të natyrave të ndryshme. Allahu xh.sh thotë:
“Elif, Lamë, Mimë. A menduan njerëzit të thonë: „Ne kemi besuar, e të mos vihen ne sprove? Ne i sprovuam ata qe ishin para tyre, ashtu qe Allahu gjithqysh do t’i dalloje ata qe e thane te vërtetën do t’i dalloje dhe gënjeshtaret!“ (El-Ankebut : 1-3)
Njeriu meqë është një krijesë e dobët dhe me të meta, është normale të ketë probleme nga më të ndryshmet. Ai sprovohet me lloj-lloj sfidash për të testuar i Madhi Allah imanin dhe përkushtimin e robit të Tij. Andaj në të gjitha këto momente dhe situata të pakëndshme, muslimani duhet të mbështetet në Allahun xh.sh. dhe me durimin e tij, që t’i tejkalon sa më lehtë këto vështirësi.
Nga kjo rezulton se besimi i fuqishëm në Allah xh.sh i mundëson muslimanit që me fuqinë e durimit t‘i kundërvihet çdo lloj fatkeqësie që mund ta e godet.
Allahu xh.sh thotë: ”Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria, nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepu myzhde durimtarëve!” (El-Bekare 155)
Nga ajeti i lartëcituar kuptojmë qartë se nëse sfidat dhe vështirësitë e kësaj bote arrijmë të i tejkalojmë me durim, ska dyshim se shpërblimet dhe mirësitë e Allahu janë të pakufishme.
Durimi në fatkeqësi nënkupton qëndrueshmërinë dhe këmbëngulësinë e muslimanit në sprovat me të cilat është përballur duket e kuptuar se tani më nuk i mbetët gjë tjetër pos të duron dhe të shpreson në shpërblimet e Allahut xh.sh.
Me këtë nënkuptohet edhe durimi në përballimin e fjalëve dhe ofendimeve të ndryshme, madje edhe në rastin e mungesës së të mirave dhe mirësive.
Sprovat me të cilat përballet njeriu në këtë botë si: humbja e një anëtari të familjes, sëmundjet e ndryshme, humbjet e paparashikuara financiare, problemet familjare dhe sprova të ndryshme,… që të gjitha muslimani i mirëpret me durim dhe bindje në shpirt se janë nga Allahu xh.sh.
Nga Ebu Seidi dhe Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre) transmetohet se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Çka do që e godet muslimanin, qoftë lodhje, pikëllim, brengë, hidhërim, mundim nga sëmundje a fatkeqësi, madje edhe të shpuarit e ferrës me secilën prej këtyre Allahu ia shlyen mëkatet atij”. (Buhari dhe Muslim)
Problemet dhe sfidat mund të i tejkalojmë me durim dhe gjakftohtësi, por edhe duke u konsultuar me të tjerët që kanë njohuri dhe përvojë.
Duhet të jemi të vetëdijshëm se problemet me të cilat sot ballafaqohemi nuk janë vetëm probleme tona dhe të shekullit që po jetojmë, porse edhe para nesh shumë të tjerë janë ballafaquar me probleme të tilla.
Edhe pejgamberët në të kaluarën, por edhe Pejgamberi ynë a.s. përjetoi sfida të shumta e vështirësi të ndryshme në realizimin e misionit hyjnor. Të i kujtojmë vuajtjet, peripetitë, shpifjet dhe akuzat ndaj ResulAllahut a.s, por duke qenë se qëndresa dhe durimi ishin të kalitura thellë në zemrën e tij, arriti të i sfidon të gjitha këto sprova.
Edhe sahabët përjetuan persekutime e tortura çnjerëzore, por me durimin e tyre dhe qëndresën e fortë u bënë besimtarë të denjë, duke qenë i kënaqur Allahu me ta dhe duke u premtuar xhenete nën të cilat rrjedhin lumenj.
Allahu xh.sh. thotë: “A mos menduat ju se do të hyni në Xhenet, e Allahu pa e ditur (pa u vërtetuar në praktikë) se cilët prej jush kanë luftuar dhe pa e ditur se cilët prej jush ishin të durueshëm” – (Ali Imran, 142).
Omer Ibn el Hatabi ka thënë: “Ditët më të mira të jetës sonë qenë ato që i kaluam me durim”.
Nuk guxojmë të dorëzohemi pas fatkeqësisë që na ndodhë, por duhet fuqimisht të mbështetemi në Allahun ngase edhe nga fatkeqësia besimtari gjithmonë përfiton dhe këtë dhunti Allahu nuk ja ka dhuruar askujt tjetër vetëm se besimtarit. I Dërguari i Allahut a.s thotë: ”Allahu kur një robit të Tij ia do të mirën ia shpejton dënimin në këtë botë, e nëse Allahu një robit të Tij nuk ia do të mirën e lenë atë (të vazhdoj) në mëkate derisa të vijë Dita e Kiametit dhe ndëshkohet për atë.” (Tirmidhinr. 2396.)
Në një thënie tjetër Pejgamberi a.s thotë: ”Shpërblimi më i madh është në sprovat më të mëdha. Nëse Allahu e do një popull e sprovon atë, kush është i kënaqur (me atë sprovë), me atë është kënaqësia e Allahut, e kush është i pakënaqur, edhe Allahu do të jetë i pakënaqur më të.”
Si përfundim Allahu xh.sh urdhëroi mbështetjen e fortë në Të, nga goditja e fatkeqësive dhe sprovave të ndryshme, pavarësisht rrethanave me të cilat mund të përballemi në këto situata jo të këndshme.
I Madhi Allah thotë: “O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me të falur, se vërtet Allahu është me durimtarët!” (El-Bekare 153).
E lusim Allahun te na mundëson që Ditën e Kiametit të na thërras Ai neve me emrin e durimtareve!

Të kënaqurit me Caktimin e Allahut xh.sh.

Më lartë u potencua se njeriu në këtë botë gjithsesi do të ndeshet me të papritura, sprova e vështirësi të ndryshme.
Gjëja e parë që krijoi Allahu është lapsi të cilit i tha: “Shkruaj !” Çfarë të shkruaj ? pyeti lapsi. Allahu i tha: “Shkruaj fatin e çdo gjëje deri në Ditën e Gjykimit !” (Ahmedi & Tirmidhiu)
Kënaqësia me caktimin e Allahut është edhe një prej qëllimeve prioritare të muslimanit, për faktin se është edhe një prej fundamenteve të besimit.
Të jesh i kënaqur me Allahun do të thotë që të pranosh më kënaqësi ate që Allahu ka caktuar për ty.
Kjo nënkupton se muslimani më gjithë vuajtjet nga varfëria dhe skamja, madje edhe pa shpresë për një të ardhme më të ndritshme, apo me gjithë vuajtjet nga sëmundjet e ndryshme, ai duhet të jetë i kënaqur pasi ky është edhe caktim i Allahut. Në një situatë të tillë të vazhdosh ta duash Allahun me zemër, është një prej treguesve më të mirë që sinjalizon kënaqësinë e Allahut, ngase shumë njerëz largohen nga udhëzimi i Allahut, në rast se ballafaqohen me sfida të tilla. Zaten ky është edhe momenti ku në përballje me fatkeqësitë dhe sprovat dallohet i miri nga i keqi, i ndershmi nga i pandershmi, ai i cili është i kënaqur me caktimin e Zotit, nga ai që është i mbushur plot mllef dhe pakënaqësi.
Të mos harrojmë lexues i nderuar brezin e parë të muslimanve që kënaqeshin me caktimin e Allahut. Në një rast Muhamedi a.s i kishte thënë Sad ibn Vekasit se për çdo gjë që i lutet Allahut, Ai do t’ia pranon.
Para se të vdes i humbi shikimi dhe ai vazhdimisht lutej për të tjerët. Një i ri e ndali një ditë dhe i tha: “O Sad, ty të pranohet lutja, përse nuk e lut Allahun që ta kthej shikimin”, Sadi i tha: “O djalosh, vullneti i Zotit është më i dashur për mua se shikimi im. Si të mos jem i kënaqur me diçka që Zoti e ka dashur për mua? Për këtë nuk lutem”. -Natyra e njeriut në këtë botë është se një ditë ndihet mirë dhe i lumtur, dhe ditën tjetër ndihet keq dhe i zhgënjyer. Kurse muslimani ashtu siç është i kënaqur kur ndihet i qetë dhe i lumtur, ashtu kënaqet edhe kur është i sprovuar dhe në gjendje jo të mirë.
Shërimi i zemrave dhe qetësia shpirtërore arrihet më së miri me kënaqësinë në caktimin e Allahut Musai a.s e pyeti Allahun: “O Zot më trego një mënyrë që ta kuptojë se Ti je i kënaqur me mua? Zoti i thotë:“Kënaqësia Ime ndodhet kur ti je i kënaqur me caktimin Tim.”
A nuk e ke dëgjuar Allahun të ketë thënë: “E sikur të kënaqeshin me atë që ua dha Allahu dhe i dërguari i Tij, e të thonin: Ne na mjafton Allahu”…, çka nënkupton se ai i cili pajtohet dhe është i kënaqur me atë qe ia ka caktuar Allahu, do t’i mjaftoj Allahu, sa Mbështetës dhe Mbikëqyrës i mirë është Ai.
Këtë më së miri na e ilustron rasti i Muaviut r.a kur i shkroi një shkresë Ajshes r.anha në të cilën i tha: “Më shkruaj një mesazh, më këshillo dhe mos e zgjatë (mesazhin)”. Aisheja i shkroi Muaviut: “ Shpëtimi dhe paqja qoftë mbi ty. Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Kush kërkon që Allahu të jetë i kënaqur me Të, duke qenë njerëzit të hidhëruar, mjafton që Allahu e mbron atë nga njerëzit. Kush kërkon që të jenë njerëzit të kënaqur me të, duke qenë i hidhëruar Allahu, Allahu e lë në duart e njerëzve”. Ve selamun alejkum.” (Transmeton Ibn.Haxheri)
Kënaqësia me caktimin e Allahut është porta më e madhe e Allahut, portë e cila të çon drejtë mëshirës dhe kënaqësisë së Tij, dhe nëpërmjet të cilës muslimani arrin grada të larta tek Allahu.xh.sh.
Nga kjo rezulton se sikur që zemërimi është shkak i fatkeqësisë dhe i sprovave në dynja dhe ahiret, ashtu edhe kënaqësia me Allahun është shkaku më i fortë që Allahu të bënë të lumtur në dynja dhe ahiret. Dhe kënaqësinë më te madhe robi i Allahu do ta përjetojë në Xhenet kur do të thërret Allahu: “O banorët e Xhenetit, a jeni të kënaqur,- do të pyesë i Lartësuari. Banorët e xhenetit do të përgjigjen: Si të mos jemi të kënaqur pasi që na është dhënë ajo që s’e ka askush prej krijesave Tuaja.- Allahu do të thotë: Do t’ua jap një gjë më të mirë se kjo.- Ata do të pyesin, cila është ajo gjë që është më e mirë se kjo gjendje në të cilën jemi.- Allahu do të thotë: Mbi juve do ta lëshoj kënaqësinë Time dhe asnjëherë më nuk do hidhërohem me juve.” (Buhariu & Muslimi).
E lusim Allahun të na bëjë prej atyre që kënaqen me Të dhe Allahu të jetë i kënaqur me ne.

Literatura e konsultuar:

- Saimir Bulku – MELHEMET E ZEMRES I dhe II;
- Muhamed Ahmed El-Adevi – HUTBE -ajete dhe hadithe për derse dhe hutbe;
- Amër Halid – PERMIRESIMI I ZEMRAVE;
- Ebu Bekër el-Xhezairi – MINHAXH EL-MUSLIM.

(Autori ka mbaruar studimet në Fakultetin e Filologjikut, dega e Orientalistikës, ndërsa momentalisht vijon studimet edhe në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.)


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi