Për çdo vit, në ditën e dhjetë të muajit Dhu-l-hixhe, muslimanët në katër anët e botës e festojnë festën e kurban bajramit, një festë me mesazhe, porosi dhe simbolika madhështore për umetin islam, për gjithë njerëzimin, si dhe për mendimin përparimtar human.
Festa e Kurbanit lëshon jehonë të fortë që ta zgjojë umetin islam dhe ndërgjegjen njerëzore në përgjithësi, që mos kufizohen paratë e botës në një grusht njerëzish, e tjerët të lehen të vuajnë e të bëhen argatë të tyre. Ky neglizhim i hallexhinjve, e ngjall protestën në zemrat e tyre, dhe bën që ta ngrenë zërin kundër humbjes së solidaritetit dhe humanitetit në botë.
Po qe se do të donim të theksojmë disa nga thirrjet e festës së Kurbanit, do të përmendnim sa vijon:
- Ngritja e zërit kundër të keqes: Festa e Kurbanit karakterizohet edhe me tekbiret që i thonë me zë besimtarët kur falin namaz, duke filluar nga dita e Arafatit, e deri në ditën e trembëdhjetë të muajit Dhu-l-Hixhe. Po tekbire preferohen të thuhen vazhdimisht, ngase tekbiri përmba madhërim ndaj Allahut, shpreh se Allahu është më i Madhi, e që sublimon besimin islam në përgjithësi. Allahu ekber-Allahu është më i madhi kur gjykojmë, kur veprojmë, kur mendojmë, kur marrim vendime, kur studiojmë, kur shoqërohemi me njerëzit, kur jetojmë dhe kur vdesim, pra për të gjitha këto, duhet të veprojmë apriori ashtu si është i kënaqur Allahu.
Shqiptimi i tekbireve me zë të lartë, poashtu, simbolizon domosdoshmërinë e ngritjes së zërit kundër të keqes dhe asaj që bëhet në kundërshtim me atë që Allahu është i kënaqur. Ky mesazh i është dhënë umetit islam për çdo vit që të plas pranvera islame me erën më të këndëshme të nektarit të nënshtrimit ndaj Allahut të Madhërishëm dhe shembjes së pushteteve të kalbura, të cilët e nënçmuan umetin islam dhe e shkelën mbi ligjet e Krijuesit, duke e paraqitur veten si mëkëmbës të cilët nuk pyeten për atë që bëjnë, e tjerët japin llogari para tyre. Dhe ja, jehona e tekbireve të festës së Kurbanit, e ngjalli umetin që të kërkon të kthehet në rrënjat e veta dhe ta shkul trupin e huaj në qenësinë e umetit. Por, rruga është e gjatë dhe plot sfida, ka edhe shumë për të bërë.
- Nënshtrimi ndaj Allahut të Madhërishë: Festa e Kurbanit lidhet me një histori të njohur edhe për masën më të gjërë, atë të Ibrahimit a.s. dhe djalit të tij Ismailit a.s. Kjo histori na e dëshmon praktikisht se ç’do të thotë të jeshë i nënshtruar ndaj Allahut të Madhërishëm. Posa e morri urdhërin se duhet ta bëjë kurban djalin, Ibrahimi a.s. kaloi në aksion, që ta manifestojë përkushtimin e tij ndaj urdhërave të Allahut të Madhërishëm. Poashtu, edhe Ismaili a.s., i cili duhej të bëhej kurban, nuk ra në dilemë, por me të kuptuar se ky është urdhër prej Allahut, tha i prerë:”O babai im, bëne atë që të urdhërohet”. Për këtë qëllim, e gjithë kjo familje besimtare, e gjuajtën djallin me gurë, pse tentonte t’i kthejë nga zbatimi i urdhërit të Krijuesit.
Kështu janë besimtarët e denjë dhe të përkushtuar, shpejtojnë t’i zbatojnë urdhërat e Allahut të Madhërishëm, bile edhe nëse kjo është e rëndë për ta.
Muslimanët e sotëm, kanë shumë nevojë ta lexojnë drejtë historinë e Ibrahimit a.s. dhe Ismailit a.s., me qëllim që ta kuptojnë si duhet nënshtrimin ndaj Allahut të Madhërishëm dhe zbatimin e urdhërave të Tij, ngase dobësia që e ka kapluar umetin islam, është rezultat i mosnënshtrimit ndaj urdhërave të Allahut të Madhërishëm.
- Devotshmëria: Besimtari duke çuar tekbire me zë, duke prerë kurban dhe duke bërë vepra të mira, në veçanti në këto dhjetë ditë të Dhu-l-Hixhes, ngjitet në nivele të larta trë devotshmërisë, që e afrojnë te Allahu. Zatën ky është synimi i të gjitha obligimeve islame:ta bëjnë njeriun të devotshëm dhe që me të të jetë i kënaqur Allahu i Madhërishëm. Në Kur’anin famëlartë, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj. Ai ashtu ua nënshtroi ato juve që ta madhëroni Allahun për udhëzimet që ua bëri. Bamirësve merru myzhde” (El-Haxhxh: 37)
Njeriu duke therrur kurban, duke çuar tekbire dhe duke bërë vepra tjera të mira, e pastron shpirtin, e pasuron fondin e adhurimeve, e manifeston përkushtimin e tij për të qenë i denjë në kryerjen e dispozitave fetare për t’u ngritur sa më lartë shpirtërisht dhe moralisht, apo për ta arritur kënaqësinë e Allahut të Madhërishëm në këtë botë dhe shpërblimin e Tij, që është rezultat i kënaqësisë së Tij, në botën tjetër.
Ja si e ka paraqitur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. këtë karakter të kurbanit në hadithet vijuese:
“Ditën e Kurban Bajramit, njeriu nuk bën punë më të dashur tek Alalhu, sesa derdhjen e gjakut (të kurbaneve). Vërtetë kurbani do të vijë në ditën e Kijametit me brirët, leshin dhe thundrat e tij. Para se të bjerë në tokë, gjaku i tij bie në një vend tek Allahu, prandaj pastroni me to veten tuaj.” (Hadithin e kanë shënuar Ibn Maxhe dhe Tirmidhiu, i cili e konsideron të mirë)
Kur e pyetën të Dërguarin e Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin me të, se pse bëhen këto kurbane, ai u përgjigj:
”Është suneti (Tradita) i babait tuaj, Ibrahimit.” Ata i thanë: “çfarë përfitojmë ne prej tyre?” Ai i tha: “Për çdo qime, një të mirë.” – “Po leshin?” – e pyetën. Ai i tha: “Për çdo qime leshi, një të mirë.” (Hadithin e kanë shënuar Ibn Maxhe dhe Tirmidhiu, ky i fundit ka thënë se është hasen)
Intelektuali i shquar boshnjak Ahmed Smajloviq në këtë kontekst ka shënuar: ”Qëllimi kryesor i kryerjes së çdo obligimi islam, pra edhe kryerja e obligimit të kurbanit, është që njeriu të përsoset moralisht, të çelikoset, të pasurohet dhe humanizohet, të provojë dashurinë ndaj së vërtetës, drejtësisë dhe çdo gjëje të bukur dhe humane. Të kuptojë se duhet të jetojë, duke punuar për të mirë dhe duke luftuar kundër të keqes. Është krejtësisht e qartë se masa kryesore për valorizimin e çdo vepre të njeriut, sipas pikëpamjes islame, është të arrihet efekti etik i verifikimit të njerzishmes te njeriu, realizimin e humanitetit të tij dhe përsosjes së besimit të tij, qëllim i cili duhet të jetë në mendje të çdo besimtari të sinqertë, qëllim mirë dhe atdhedashës, i cili i përdor të gjitha forcat për arritjen e kënaqësisë së Zotit”.
- Humaniteti: Festa e Kurbanit jep një mesazh të qartë të karakterit human të kësaj feje madhështore dhe të synimit të saj që ta humanizojë njeriun dhe ta bëjë qenie solidare. Kjo, ngase në ditët e kësaj feste, muslimanët therrin kurban, për t’u ndihmuar tjerëve, në veçanti skamnorëve dhe familjeve të tyre, që gëzimi dhe harreja e festës së Kurbanit, mos të jetë prezente vetëm në shtëpitë e të pasurve dhe atyre që materialisht arrijnë të therrin kurban, por edhe të të varfurve që nuk kanë mundësi materiale për të therrur kurban. Kjo festë, i humanizon të pasurit, ngase ndajnë nga pasuria e tyre për të varfurit, në këtë rast duke therrur kurban, e i humanizon edhe skamnorët, duke i bërë të jenë mirnjohës dhe falënderues ndaj Allahut dhe të luten për vëllezërit e tyre, të cilët nuk i kanë lënë me zemër të thyer në këtë festë. Pra, humanizohet njeriu që të ketë festë të vërtetë në mbarë umetin dhe të arrihet kohezion social dhe shtytje ekonomike në shoqëri.
Me fjalë tjera, besimtari kur e therr kurbanin, simbolikisht e therr egoizmin, kopracinë, lakminë dhe dhënien pas anës materiale të jetës, mendjemadhësinë dhe mos të qenit falënderues ndaj Allahut të Madhërishëm. Poashtu, me aktin e flijimit të kafshës në emër të Allahut, e shpreh botërisht dhe në vepër, gatishmërinë e flijimit dhe sakrifikimit të çdo gjëje për t’i arritur synimet, objektivat dhe idealet e besimit.