Krijuesi i gjithëfuqishëm i çdo gjëje i dha njeriut një ligj të pandryshuar, norma dhe principe. Nëse njeriu u përmbahet do ta gjejë lumturinë që në hapin e parë. Mirëpo me rëndësi është që ky hap të jetë tërësisht i sinqertë, i liruar nga çdo interes.
Në shkollën e Pejgamberit, Muhammed s.a.v.s., sahabet, miqtë e tyre dhe të tjerët kanë mësuar që bashkërisht të njihen mes veti. Kanë mësuar si të duhen dhe të respektohen, si të ndihmohen dhe t'ua lehtësojnë të tjerëve.
Mësuan të bëhen zemërgurë t'i mbulojnë të metat e njerëzve, t'i kuptojnë nevojat dhe dobësitë e të tjerëve, të falin dhe t'i tejkalojnë gabimet e të tjerëve. Më së tepërmi kanë pasur kujdes rreth gjykimit të njerëzve, që të mos i gjykojnë në bazë të asaj që shohin. Ata kishin kujdes që mos të fusin në zemrat e tyre urrejtje ndaj të tjerëve. Në këtë rrugë ata kanë lënë në dispozicion çdo gjë që kishin. Vërtet ata punuan në mirëqenien e shoqërisë.
Për këtë arsye emrat e tyre, nami i tyre përmenden edhe sot e kësaj dite. Edhe sot marrim shembull sakrificën e tyre. Shumë mirë e dimë që islami gjithsesi ka kujdes për diturinë dhe shkencën, sepse dituria është obligim për myslimanin dhe myslimanen. Duke pasur parasysh këtë mesazh, pra imperativin e shkencës, duhet të kemi kujdes dhe të ndjekim këtë rrugë. Dhe vërtetë ne mësojmë dhe studiojmë për ta kuptuar ndoshta rolin tonë, por çfarë po ndodhë? Pra, ne mësojmë të lexojmë, të shkruajmë, të skicojmë, llogarisim, të aktrojmë, të flasim, të jemi orator të mirë, të projektojmë, dizajnojmë dhe shumë gjëra tjera. E gjithë kjo është e bukur, dhe e gjithë kjo quhet arsimim. Pra, njerëzit vërtet duhet të arsimohen! Në anën tjetër duhet pranuar se edukata gjithsesi na nevojitet.
Në vendin tonë ekziston ministria e kulturës, edukimit dhe arsimimit. Gjithashtu në shkolla ekziston lënda edukata qytetare, por në realitet rezultatet e edukimit fare pak i shohim. Dijetari i njohur Sufjan eth-Thevrim ka thënë: "Tërë diturinë (e kohës) e mësova për gjashtë vjet, ndërsa për edukatë më është nevojitur tridhjetë vjet". Vëni re, tridhjetë vjet i janë nevojitur për edukatë! Ndërsa Abdullah ibn Mubareku, i cili ka mbetur shembull i një edukate të bukur, i ka thënë këto fjalë: "Ai që është indiferent ndaj edukatës, ndaj pastrimit të shpirtit, të jetë i dënuar".
Në rrënjë fjala Sheriat d.m.th. burim që ujit shpirtrat. Pra, sheriati është rrugë deri te burimi ku shpirti freskohet dhe si i tillë, detyrimisht, kërkon edukatë, sepse ai i cili nuk ka edukatë, nuk ka qasje te burimi ku shpirti ushqehet.
Por, vëllezër, besoj se edhe ju pajtoheni me mua, sepse shumë pak ka edukatë mes njerëzve, edhe pse secili prej nesh jemi të pajisur me diploma të ndryshme.
Më parë përmendëm Abdullah ibn Mubarekun. Ai një vit ia kushtonte shkencës, ndërsa vitin tjetër përhapjes së diturisë dhe edukatës mes njerëzve. Të gjithëve na mbetet në kujtesë shprehja e fytyrës së personit me sjellje të mirë. Pra, prezantimi ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe dhe lidhet ngushtë me edukatën. Njerëzit më së shumti kanë vëmendje ndaj sjelljes, shikimit të sinqertë, buzëqeshjes dhe paraqitjes me zemër. Mungesa e të gjitha këtyre është problem në shoqëri. Këtë mungesë nuk e kanë ata që kanë marrë detyrën nga Allahu për ta prezantuar bukurinë dhe mëshirën e Tij. Dhe mu për shkak të këtij prezantimi të dobët apo gjysmak tek ne krijohen problemet.
Më pyeti një person: "Përse kjo gjendje e jonë? Kaq shumë libra, kaq shumë dijetar, magjistra dhe doktor shkencash, përse nuk mund njëri me tjetrin, përse ky negativitet, përse kjo urrejtje mes njerëzve?" Unë them se njëri prej shkaqeve është se ne jetojmë me të kaluarën (perfekt), flasim për të kaluarën, krenohemi me të kaluarën, por edhe më tepër me të ardhmen. Shumë shpesh dëgjojmë duke thënë: "Sa të diplomoj, sa të magjistroj ose të doktoroj, do t'i ofroj zgjidhje shoqërisë. Posa të kthehem në Kosovë ose Shqipëri do t'ju tregoj atyre si duhet besuar. Do t'ju tregoj atyre si bëhet organizimi, si duhet respektuar syneti". Por, çfarë po ndodh për momentin? Shumica e njerëzit më së paku jetojnë për momentin e tanishëm, për këtë arsye nuk kanë çfarë të prezantojnë. Vetëm ai që punon në momentin e tanishëm ka çfarë të dhuroj, sepse vetë ai është dhuratë për njerëzit. Paraqitja e tij, buzëqeshje e tij, ligjërata e tij e cila buron nga zemra i përfiton zemrat e të tjerëve.
Përse nuk ka prezantim të vërtetë në marrëdhëniet ndërnjerëzore? Përse nuk dhurata të vërteta mes njerëzve? Nga Pejgamberi s.a.v.s. transmetohet të ketë thënë: "Jepni dhurata njëri tjetrit se do të duheni" Në të varte ne japim dhurata, por me rezervë, me një distancë shpirtërore. Përse? Sepse kur japim dhurata ne nuk jemi prezent, atëherë detyrimisht presim falënderim ose shpërblim.
Kur shohim në rrugë një njëri të gëzuar që të afrohet më një buzëqeshje dhe me zemër të hapur dije se është i edukuar, por me siguri këtë edukatë nuk e ka nga shkolla, por nga shtëpia. Ai i cili edukatën e tij nuk e merr nga familja mund të jetë biznesmen, mr, dr, etj, por jo edhe njeri. Andaj bëhu i edukuar e jo vetëm i arsimuar.
Më tregoi një mësues se si një nxënës i cili kishte diplomuar në fakultetin teologjik, posa e mori diplomën e vuri në kornizë të shtrenjtë dhe e vari në minder dhe tha: "Oj diplomë të bekoftë Allahu, fillo t'ju ligjërosh njerëzve". Pra iu drejtua diplomës që ajo ta mbaj një ligjëratë (vazë, ders) xhematit.
Mos të keqkuptohemi, ne nuk jemi kundër diplomave, sepse ajo është një vërtetim më shumë rëndësi, por mbaje në mend, nëse sjellja jote nuk vlen e kotë do të jetë diploma. Nëse xhemati nuk është i kënaqur me ty e kotë do të jetë diploma. Nëse të mungon devotshmëria e kotë do të jetë diploma. Nëse nuk punon për Allahun dhe në emër të Tij më mirë mos të kesh fare diplomë.
Sot, mjerisht magjistrat dhe doktorët e teologjisë më mirë ndihen të ulur në fotele se sa të mbajnë një ligjëratë para xhematit i cili mezi e ka pritur diplomimin e tij. Shumica prej nesh kemi mësuar mjaft. Edhe unë jam njëri prej tyre. Në netët pa gjumë me libër në duar me silleshin lloj-lloj mendimesh: dhjetëshja, fotela , kerri luksoz, shtëpia luksoze apo paratë... Të gjitha këto më kanë ndodhur mua, por a thua a ju ka ndodhur edhe juve?
Gjithnjë e mendoja rrugën e rezistencës më të vogël, pa u menduar për sakrificat e mësuesit tim të dashur Muhammedit s.a.v.s. dhe shokëve të tij.
O Zot i Madh, zgjoje ndjenjën e sakrificës për hir Tëndin dhe mënjanoje nga zemrat tona ndjenjën e egoizmit dhe interesit të ngushtë personal!