Hutbeja e pavarësisë

Sedat ef.Islami

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s'ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s'ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s'ka hyjni tjetër përveç Allahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Besimtarë të nderuar!
“…pas vështirësisë Allahu sjell çlirim”. (1), këto janë fjalët e Allahut, që hapin këtë ligjëratë të sotme dhe që janë aktuale më shumë se kurrë më parë në jetën tonë. Ne, me lejen e Allahut Fuqiplotë, pas pak ditësh do ta shënojmë ngjarjen më madhore në historinë tonë.
Ka qenë caktim i Allahut që pas të gjitha atyre vuajtjeve, jo vetëm shekullore por vuajtje që zgjaten me mileniume, pas tërë atij gjaku të derdhur të dëshmorëve, pas tërë asaj shtypjeje e presioni, pas tërë asaj politike hegjemoniste, pas tërë atyre shpërnguljeve të dhunshme, më në fund të marrim frymë lirisht nën këtë qiell dhe ta ndiejmë veten sikurse popujt tjerë të lirë.

Muslimanë të nderuar!
Ky fat i hidhur i këtyre vuajtjeve e mundimeve, presioneve e shpërnguljeve të dhunshme, pati përshkruar edhe Muhammedin, alejhi’s selam, i cili pa dëshirën e tij u detyrua ta lëshojë Mekken e Bekuar dhe të migrojë në Medinën e Ndritshme. Pikëllimin e ndarjes nga vendlindja e tij, ai, paqja e mëshira e Allahut qofshin mbi të, e përshkroi në thënien e tij për Mekken: “Sa vend i bukur që je, sa e dashur je tek unë, sikur populli yt të mos më nxirrnin me dhunë, nuk do të banoja në ndonjë vend tjetër!”. (2)
Megjithatë, nuk është thënë rastësisht se “Historia i ngjan një rrote e cila sillet”, dhe ja, të nderuar vëllezër, Allahu deshi që rrota e saj kësaj radhe të sillet në favor të atyre që meritojnë, atyre që dhanë gjënë më të shtrenjtë për këtë vend, atyre që kurrë nuk shijuan më parë lirinë me plotkuptimin e fjalës. Kjo është një begati dhe dhuratë e madhe prej Allahut andaj ne, në radhë të parë, duhet ta falënderojmë sinqerisht Allahun ngase të mirat e Tij ndaj nesh janë të panumërta. Thotë Allahu: “Dhe çdo të mirë që e keni, ajo është prej Allahut.. .”. (3)

Vëllezër të nderuar!
“I forte nuk është ai që mund njerëzit por ai që di ta përmbajë veten gjatë hidhërimit”- thoshte Muhammedi, alejhi’s selam(4). Andaj, nëse ne dje ditëm ta fitojmë luftën me maturi, pjekuri dhe vetorganizim të shkëlqyer, sot, kur problemi i luftës ka mbaruar, kur tashmë diskutohet vetëm paqja dhe liria, duhet ta dëshmojmë shumë më shumë përgatitjen tonë intelektuale për bartjen dinjitoze të proceseve drejt një shteti të ligjshëm dhe prosperues.
Tani ka ardhur koha që botës mbarë t’i tregojmë edukatën dhe moralin tonë, t’ua tregojmë burrërinë dhe fisnikërinë tonë. Thënë më qartë, ka ardhur koha t’iu themi se neve jemi popull, që përveç që dimë të mbrohemi në luftë, dimë edhe të falim në paqe. Madje “Falja është hakmarrja më e madhe”, kanë thënë njerëz të urtë.

Vëllezër besimtarë!
E di shumë mirë se çka d.t.th. të bëhesh i lirë? E di se ç’domethënie ka pavarësia nga një shtet që me ninulla e mite mbajti nën thundër zhvillimin dhe përparimin tonë fetar e kombëtar! I di të gjitha por di edhe t’ju them se tani, kur koha e kremtimit të kësaj dite të madhe po afrohet, kur vetëm orët na ndajnë nga ai gëzim i madh, di t’iu them se neve duhet të jemi shumë të përmbajtur. Duhet t’i ruhemi dhe shmangemi çdo lloj provokimi që na vie nga palët, që nuk mirëpresin këtë ditë. Ndryshe, nëse ne jemi pre dhe viktimë e incidenteve dhe provokimeve të tilla, që me gjase do të jenë të pranishme nëpër vende e zona ku banojnë pakicat serbe, ne para tërë botës Kosovën do ta prezantojmë me një imazh të gabuar, me një pamje të shëmtuar dhe me një fuqi të dobët për të përballuar provokimet e atyre që nuk duan të mirën e saj. Nëse deri dje na kanë akuzuar si njerëz me bishta, si njerëz të egër, sot, në rast të mos përmbajtjes sonë, do ta kanë shansin që akuzat e vjetra t’i veshin me petk të ri dhe tua prezantojnë këtyre shteteve që do të vendosin për pavarësinë e shtetit tonë, e sidomos atyre që janë skepktikë në këtë çështje dhe t’iu thonë se “Ja kujt i keni dhënë pavarësi”.
Festimi i papërmbajtur nuk është i pëlqyer asnjëherë. Le të mos mendojmë se në këtë ditë e natë kemi gëzim dhe duhet të harrojmë çdo gjë tjetër. Muhammedi, alejhi’s selam sikur që ka urryer pikëllimin e tejkaluar, po kështu nuk ka pëlqyer aspak as dëfrimin dhe gëzimin e pa kontrolle. Ai, duke rrëfyer për ligjet e Allahut drejtuar atij e neve, thotë: “Mua më janë ndaluar dy zëra idiotikë dhe amoralë: zë në begati (mos përmbajtje në gëzim) dhe zë në fatkeqësi (mos përmbajtje në fatkeqësi)” (5).

Muslimanë të respektuar!
Jo rastësisht përmenda në fillim të kësaj ligjërate një insert të shkurtër nga jeta e Muhammedit, alejhi’s selam për të shkëputur tani prej asaj jete të ndritshme një mësim shumë të madh. Ky burrë i fuqishëm, ky pejgamber i urtë, ky qytetar që në vendin e tij u persekutua aq shume saqë dhunshëm u nxor prej tij, në momentet kur u kthye si fitimtar, ngadhënjimtar dhe çlirues në Mekken e Bekuar, thënien e tij që ne pak më parë e cituam, tani e shqiptoi me vepër. Të gjitha ata njerëz që për 23 vite me radhë kishin tentuar ta shuajnë dritën e fesë së tij, kishin bërë komplote për eliminimin e tij fizik, tani më ishin nënshtruar dhe pritnin vetëm vendimin e tij për ekzekutim te tyre. Muhammedi, alejhi’s selam nuk kishte harruar të kaluarën, jo, ai deshi t’ua bej me dije se vendimi i një burri të madh në këto momente është falja. Andaj, siç rrëfehet(6), Pejgamberi, alejhi’s selam iu kishte thënë: “O Kurejshë! Çfarë mendoni që unë të bëj me ju?” Ata i thanë: “Ti do të sillesh mirë me ne, sepse je fisnik dhe biri i vëllait fisnik.” “Nuk ka qortim për ju sot. Pra, shkoni (në familjet tuaja), sepse jeni të lirë”,- u tha.
Pra gjëja e parë që duhet të bëjmë është shikimi drejt një të ardhme të përbashkët me të gjithë kosovarët, pa marrë parasysh se çfarë kombësie a etnie kanë.
Duhet ta kuptojmë se “Pavarësia” nuk është gjë tjetër vetëm se një hyrje në një arenë dhe fushëbeteje intelektuale e morale për të sfiduar barrierat karshi një zhvillimi dhe prosperimi të një vendi. Andaj, nëse pavarësia nuk shërben për mirëqenien e qytetarëve, në radhë të parë, por keqpërdoret për të shtrirë pushtet diktatorial, rrjete mafioze e banda kriminale, nuk di përse do të festonim e gëzoheshim?!
Allahu, pas këtyre dhuntive që iu jep njerëzve, siç është pavarësia tani për ne, kërkon punë dhe energji për stabilizim të vendit e jo përçarje të tij. Thotë Allahu: “(Ai ndihmon) Ata të cilët kur Ne u mundësojmë vendosjen në tokë, e falin namazin, japin zeqatin, urdhërojnë për të mirë dhe largojnë prej të keqes. Allahut i takon përfundimi i çështjeve”. (7)
Kështu duhet të jemi ne, ndryshe, Pavarësi me jetimë të anashkaluar, me invalidë lufte të harruar, me varfëri të tepruar, nuk ka. Duhet ta kuptojmë se pas ditës së kremtimit duhet të fillojnë ditët e punës, ditët e përpjekjeve, ditët e përmirësimit të gabimeve, ditët e zhdukjes së korrupsionit, ditët që para Allahut do ta dëshmojnë sinqeritetin tonë. Allahu këto ditë, luftëra e paqe, i ka bërë një peshore të besimit dhe sinqeritetit të besimtarit. Thotë Allahu: “Ne, këto ditë i ndërrojmë (u japim në përdorim) mes njerëzve për t'u ditur tek All-llahu ata që besuan”. (8)

Vëllezër të nderuar!
Nëse Xhorxh Washingtoni iu pati thënë amerikanëve ”Mos pyetni se çfarë ka bërë Amerika për ju por çka keni bërë ju për Amerikën”, ne do të duhej t’i drejtohemi vetes pak më ndryshe: “Mos pyet çfarë ke bërë për Kosovën por çfarë do të bësh për të?”.

Allahu bekoftë shtetin e ri të Kosovës! Kënaqësia e Tij qoftë mbi ata që punojnë për të mirën e këtij shteti ndërsa hidhërimi, mallkimi dhe ndëshkimi i Tij qofshin mbi të gjithë ata që mundohen ta shuajnë dritën e këtij shteti, mbi ata që keqpërdorin djersën e qytetarëve të këtij shteti dhe i mashtrojnë ata, si dhe mbi ata që tradhtojnë besën e dhënë Allahut për paqe dhe veprim në drejtim të mirëqenies dhe stabilizimit në tokë!



1. et-Talak
2. Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani në Sahihu’l xhamii. 7089, e ka cilësuar autentik
3. en-Nahl, 5
4. Buhariu dhe Muslimi
5. Transmeton Ibnu Huzejme nga Zubejri me sened të mirë (xhejjid)
6. Muhammed Nasiruddin Albani kete hadith ne es-Silsiletu’ d daifetu ve’l meuduah, 3/307, e ka cilësuar te dobet-daif
7. el-Haxh, 41
8. Ali Imran, 140



13-2-2008, e mërkurë
Vushtrri, Kosovë