Vexhi Demiraj, mësues dhe studiues i diturisë islame

Lindi në Vlorë, me 21.06.1910, në Mëhallën e Re. Babai i tij, Sulejmani, që në popull thirrej Mulla Sulo, shërbente si imam në ish-xhaminë e Tabakëve, e cila u shkatërrua gjate Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Lidhja e familjes së tij me luftën bëri që dy vëllezërit më të mëdhenj, Aliu dhe Shyqyriu, të internoheshin dhe më vonë u vranë nga nazistët gjermanë.
Vexhiu u lind dhe u rrit në një mjedis fetar mysliman. Në këto kushte ai u edukua me kulturë fetare që në fëmijëri. Mbasi mbaroi shkollën fillore me rezultate të larta, babai i tij, duke qenë teolog, e priti me gëzim të madh hapjen e Medresesë në Tiranë në vitin 1924. Kjo shkollë ishte një rreze drite për myslimanët shqiptarë. Medreseja nisi të funksionojë si një institucion i bazuar në programe të aprovuara nga Ministria e Arsimit, të cilat përmbanin njohuri të kulturës së përgjithshme dhe fetare. Në zbatim të artikullës 60 të Statutit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Medreseja e Përgjithshme do të konsiderohej si një “Institut mësimor fetar Kombëtar”.
Vexhiu e konsideroi këtë shkollë si një mundësi të mirë të motivimit të tij për t’u arsimuar. Kësisoj, përkushtimi i tij në përvetësimin e programeve mësimore, do ta nxirrte ndër nxënësit më të dalluar të shkollës. Përkrahja dhe mbështetja që iu dha në jetën e konviktit, e bënë atë shumë të përgjegjshëm përpara familjes dhe shkollës. Është për këtë arsye, që ai, nga viti në vit, po formohej më shumë duke përcaktuar edhe metodën e punës së tij për të ecur përpara dhe motivimin për të ardhmen e tij. Bashkë me rezultatet shumë të mira që arrinte nga viti në vit, ai u bë i vetëdijshëm se çfarë do të arrinte me arsimimin e plotë në këtë fushë. Dhe shumë shpejt ai iu fut punës studimore shkencore. Duke qenë se dallohej nga të tjerët, stafi pedagogjik i shkollës e përzgjodhi që të përshëndeste e të uronte në një ceremoni të veçantë, organizuar me 15 mars 1930, për të përcjellë për në “Haxh”, grupin e parë të pelegrinëve shqiptarë. Fjala e tij do të botohej në revistën “Zani i Naltë”, Mars 1930. Botimi i fjalës së tij në këtë revistë prestigjioze, i vlejti mjaft dhe e nxiti për t’u angazhuar më tej në aktivitete shkollore e jashtëshkollore me tematikë fetare.
Në vitin e fundit të shkollës ai do të angazhohej me një seri shkrimesh po në revistën “Zani i Naltë”. Viti 1932, viti i diplomimit të tij, e afirmoi Vexhiun një student të pjekur e të formuar, tashmë me një kulturë të spikatur, duke u renditur në rubrikat e revistës në fjalë, bashkë me pedagogët e tij. Kështu, dallohen artikujt: “Myzhde për myslimanët”, botuar me 2 tetor 1932, “Pse duhet të jemi fetar”, 2 tetor 1931; “Ç`urdhëron Kurani”, botuar me 6 shkurt 1932 në faqet 142-146; “Islamizmi mbas një shekulli” – përkthim nga George Bernard Shaw, dhe më pas do të vinte me temën e mbrojtjes së diplomës “Agjërimi” me të cilën do të vlerësohej “Lavdërueshëm”. Këtu mund të përmendim një eveniment të rëndësishëm për Medresenë e Tiranës. Më 5 janar të vitit 1932, bëhet inaugurimi i ndërtesës së re, dhe, me këtë rast, përzgjidhet përsëri për të përshëndetur studenti Vexhi Demiraj, fjala e të cilit do të botohej në revistën “Zani i Naltë”.
Nga gjithë ky aktivitet i gjerë botues dhe përfaqësim dinjitoz , shihet se studenti nga Vlora i kishte arritur objektivat e tij e të familjes. Ai u diplomua në Medresenë e Përgjithshme në vitin shkollor 1931-1932 me gradën “Lavdërueshëm”. Duke cituar diplomën, me numër 3 të regjistrit të Medresesë së Përgjithshme, lexojmë: “Kjo diplomë maturiteti vërteton se zotni Vexhi Demiraj, i datëlindjes 1907, prej Vlone të Prefekturës së Vlorës, kreu rregullisht për shtate vjet mësimet simbas rregullores së Medresesë e simbas vendimit të dhanun prej komisionit të maturës me date 20. X. 1932 të kësaj shkolle po i jepet të përmendurit kjo diplome me gradën “Lavdërueshëm”- me i sigurue të drejtat dhe privilegjet që i përkasin në bazë të rregullores së Medresesë t’Aprovueme prej shtetit”.
Rezultatet e larta në përfundim të studimeve dhe formimi i përgjithshëm kulturor, bënë që Komuniteti Mysliman ta përzgjedhë atë të vazhdojë studimet e larta, me bursë të akorduar prej tij, në Universitetin e Al Ez-harit në Kajro të Egjiptit. Më pas, si student i shkëlqyer, Vexhiun e kalojnë në Universitetin Shtetëror, në fakultetin e Letërsisë, në seksionin e Filozofisë. Edhe këtu ai do të dallohej si një student kërkues, studiues dhe ambicioz në përvetësimin e disiplinave shkollore. Është për këtë shkak që një ndër gazetat më në zë të Egjiptit, “Jeta e Re”, korrik 1937, nën titullin: “Një nxënës shqiptar n’Egjipt”, bashkë me fotografinë e Vexhiut, do të shkruante: “Zoti Vexhi Sulejman Demiraj, student shqiptar në letërsi doli i dyti në provimet dhe hyri në klasën e fundit të degës së filozofisë. Ai është i pari i huaj ç’arrin në këtë shkallë të lartë”.
Gjatë jetës studentore Vexhiu është dalluar edhe si aktivist shoqëror. Ai ka marrë pjesë aktive në procesin e bashkimit të shqiptarëve në Egjipt , të cilët ishin ndarë në tri shoqëri të ndryshme për arsye fetare. Këto tri shoqëri u bashkuan në qendrën e kolonisë shqiptare që ishte në Aleksandri dhe që quhesh “Bashkësia Shqiptare”, e cila vazhdon edhe sot.
Në qershor të vitit 1938 studenti Vexhi Demiraj do të përfundojë studimet e larta në Universitetin Egjiptian në Letërsi. Në diplomën e përkthyer e të noterizuar përcaktohej:
MBRETNIJA EGJYPTIANE
UNIVERSITETI EGJYPTIAN
Ne, Minister i Arsimit, Kryetari Suprem i Universitetit,
…në mbështetje të vendimit të dhanun prej Këshillit t’Universitetit me datë 15 Qershor 1938 në lidhje më dhënien e gradave atyre që i meritojnë:

I japin Z. VEXHI SULEJMAN DEMIRAJ, bir i Sulejman Demiraj, lindur në Vlorë (Shqipni) me 1907, gradën e LICENCËS NË LETËRSI.

Kajro Ramazan 1357- Nandor 1938

REKTORI I UNIVERSITETIT KRYETAR SUPREME I UNIVERSITETIT
Ahmed Lutfi Al Sayid Minister i Arsimit
Mohamed Haykel

Kryerja me sukses e studimeve të larta dhe diplomimi i tij me rezultate shumë të mira, do të gëzonin jo vetëm Vexhiun, por tërë familjen e tij, e cila priste me padurim kontributin e tij në drejtim të kulturës e të arsimit fetar. Me kënaqësi do të pritej edhe paraqitja e diplomës në Komunitetin Mysliman Shqiptar, i cili do t’i rekomandonte drejtorisë së Medresesë që Vexhiu të bëhej pjesë e stafit pedagogjik të saj. Mbas një viti, Komuniteti Mysliman Shqiptar do ta dekretonte me Dekret Nr. 45, ku thuhej:

Dekret: Z. Vexhi Demiri

Kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar, i mbështetur në vendimin Nr. 127, datë 16.06.1940 të Këshillit të përhershëm” Dekreton: “Emnimin t’uej Profesor i Filozofisë dhe Myderriz në Medresenë e Përgjithshme. Pret prej jush veprime të drejta me bindsi të plotë ndaj ligjit e shtetit, statutit e Rregullores dhe urdhëravet eprore në detyrën që ju besue.

Tirane, më 19.06 1940 Kryetari i Komunitetit
Dr. Bexhet Shapati

Prof. Vexhiu që në hapat e para të detyrës së tij si pedagog në Medrese u prit shumë mirë nga ish-profesorët e tij. Ai ndau me ta interesin e shqetësimin e vazhdueshëm për të përgatitur nxënës me dije të sakta shkencore e fetare. Prof. Vexhiu bëri përpjekje të vazhdueshme për të kryer sa më mirë misionin e tij si mësimdhënës dhe edukator. Për këtë shkak, personaliteti i tij në Medrese sa vinte dhe rritej më shumë, duke u dalluar për ngritjen e tij teologjike, filozofike dhe pedagogjike. Ky formim e bëri prof. Vexhiun që të njohë më mirë dhe më thellë programet mësimore dhe t’i realizojë ato me nivel dhe me cilësi të lartë. Ai dallohej në njohjen e thellë të koncepteve filozofike e teorike dhe konkluzioneve në drejtim të Islamit.
Viti 1939 solli ndryshime në rrjedhën e jetës sociale të Vexhiut. Ai tashmë do të krijonte familjen e tij pas martesës me një vajze fisnike, zonjushën Paqize, të bijën e Abdulla Hatibit që vinte nga Dibra e Madhe, e cila ndjehej shumë krenare që kishte si bashkëshort profesor Vexhi Demirajn.
Me gjithë detyrimet familjare dhe punën si pedagog në Medrese, interesi dhe pasioni për dijen bëri që prof. Vexhiu të merret edhe me probleme studimore e shkencore, veçanërisht në fushën e filozofisë. I admirueshëm është fakti se studiuesve të sotëm u kanë tërhequr vëmendjen punimet origjinale të tij mbi katër nga filozofët myslimanë të botuar në revistën “Kultura Islame”, si: El-Kindiu, El-Farabiu, Ibni-Sina dhe El-Gazaliu.
Është kjo arsyeja që zoti Nexhat Ibrahimi përgatiti dhe botoi ne Prizren të Kosovës, në vitin 1990, përmbledhjen “Filozofët Muslimanë” me autor Vexhi Demirajn.
Por prof. Vexhiu nuk shkroi vetëm për sa përmendëm. Gjatë kësaj periudhe ai ka shkruar dhe një seri artikujsh filozofikë e teologjikë. Kështu midis të tjerash vlen të përmendim botimet në revistën “Kultura Islame”, si: “Problemi fetar dhe filozofia”, “Realiteti i fesë”, “Revolucioni dhe shkenca”, “Filozofia Islame”, “Profeti në ditëlindjen e tij”, “Qytetërimi Perëndimor dhe dekadenca morale”, “Islamizmi dhe solidarësia shoqërore” etj.
Botime të Komunitetit Mysliman Shqiptar:
“Islamizmi dhe Reforma N’ Egjypte” – Dr. Charles Adams (Përkthim) – viti 1941
Siç vërehet prof. Vexhi Demiraj ka një veprimtari të dendur studimesh të paraqitura përmes shkrimesh, punimesh e përkthimesh në organet e shtypit fetar të kohës, veçanërisht në vitet e para të karrierës së tij si mësimdhënës në Medresenë e Tiranës.
Po për fat të keq ai do të shkëputej nga Medreseja, kur ajo do të mbyllet për një kohë, me çlirimin e vendit me 29 nëntor 1944.
Për vitin shkollor 1944–1945 ai do të emërohej nga Ministria e Arsimit profesor i frëngjishtes në shkollën Pedagogjike “17 Nëntori”. Kështu prof. Vexhiu kalon në arsimin shtetëror për të vazhduar më tej si pedagog i letërsisë dhe më vonë i gjeografisë në shkollën e mesme Ekonomike (apo Teknikumin Financiar) deri në vitin 1965 kur del në pension.
Gjatë periudhës si mësimdhënës dhe edukator ai ka kryer disa kurse kualifikimi në Universitetin e Tiranës dhe falë pasionit dhe përkushtimit profesional u afirmua si një mësues me personalitet të lartë pedagogjik. Për këtë ai do të vlerësohej me certifikata e tituj, si: “për aktivitet të dalluar në fushën e arsimit e të kulturës”.
Mësuesi i apasionuar i gjeografisë (kështu mbahet mend ai kohët e fundit) me autoritetin, karakterin, ndërgjegjen, urtësinë e pjekurinë e tij, ishte njeri me personalitet të lartë dhe, për këtë, gjithmonë nderohesh dhe respektohesh me titullin “profesor”, duke lënë gjurmë mbresëlënëse tek ish-nxënësit e tij, kolegët dhe shoqëria që e rrethonte.
Prof. Vexhiu ndërroi jetë më 26 shkurt 1985. Ai nuk pati fatin të shijojë çlirimin e ndërgjegjes, të besimit të tij tek Zoti, që e kujtonte dhe e adhuronte në vetminë e errët, burgosur nga regjimi komunist. Lirinë që solli demokracia, me ringjalljen e ringritjen e institucioneve fetare, për të cilat ai kontribuoi shumë, për të cilat dhe u arsimua, nuk arrit t’i shohë me sy. Por prof. Vexhiu do të mbetet shembull i gjallë frymëzimi për ata që e kanë njohur atë dhe për ata që do të marrin në dorë veprën e tij.
Njohja, respektimi dhe nderimi i punës së prof. Vexhiut jo vetëm nga fëmijët e tij e rrethi më i gjerë familjar, por edhe më gjerë, në shtresat intelektuale e fetare është detyrim moral dhe krijon premisat që figurat të tilla si ai të nderohen dhe vlerësohen nga brezat pasardhës.



Xhemal Balla
/Revista Drita Islame/


Artikulli i kaluar
Myderiz Ismail Efendi Ndroqi
Artikulli radhës
Imam Raif Shaban Latifi

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Zenel Hoxha ?