Hafiz Tasim Luniku ishte elbasanas denbabaden e rridhte prej një familje fetare prej nëntë brezash. Mbahen mend, hafiz Sulejman Luniku (1777-1853), haxhi hafiz Seit Luniku (1811-1886), hafiz Sulejman Luniku (1851-1913), hafiz Mustafa Luniku (1859-1907), sheh Shaqir Luniku (1895-1937), hafiz Qamil Luniku (1902-1971) dhe së fundi hafiz Tasim Luniku (1898-1968).
Hafiz Tasimi qe shkolluar në medresenë e qytetit të lindjes. Që nxënës me vullnet të pashuar e mësoi edhe si autodidakt shumë mirë arabishten, turqishten e persishten. Trashëgoi dhe pasuroi një bibliotekë me libra fetare, por edhe me vepra të rilindësve si të Sami Frashërit etj.
Ndoqi traditën familjare trashëguese për t’u bërë hafiz e më pas hoxhë, sepse babai dhe xhaxhai i tij ishin me emër në kohën e tyre (njiheshin me epitetet si “Hafizi i madh” dhe “Hafizi i vogël” sipas moshës).
Pati mësuar në mënyrë private nga persona të dëgjuar e me nam në Elbasan si: haxhi Aliu, hafiz Sulejman Luniku dhe nga myderrizi Zeqir Hoxha i ardhur nga Struga. Kalonte orë të tëra duke studiuar. Shfrytëzonte në mënyrë të rregullt bibliotekën e vet dhe përgatitej për çdo bisedë fetare që organizonte ditën e xhuma. Ajetet kuranore që komentonte i lidhte me aktualitetin, i mbante shënim në fletushka të veçanta e i ruante që të mos përsëriste vetveten para xhematit. Kishte zërin e tenorit dhe dëgjuesit në xhami kënaqeshin me timbrin e tij melodioz. Shpesh ky zë i afronte besimtarët në faltore, duke i thënë njëri-tjetrit: “po këndon Bilbil Gjyzari!” Plot e përplot mbushej xhamia kur predikonte hafiz Tasimi. Pëlqehej zëri i tij i ëmbël, por më shumë shpjegimi i tij i qartë e plot vlera edukative. Qe burrë i ndershëm e plot autoritet. Detyrat si imam, myezin, vais e myfti i ka kryer me ndërgjegje të lartë. Pati fituar simpatinë e banorëve të Elbasanit, Peqinit dhe të katundeve rrotull tyre.
Në predikimet në xhami, në vasë, idetë kuranore gjithmonë i shoqëronte me ngjarje apo ndodhi nga jeta e profetëve ose e pasuesve të tyre. Për një kohë shumë të gjatë dhe falas përgatiti hafizë të rinj. Vazhdoi kështu deri sa e ndaloi monizmi. Dhe qenë pikërisht nxënësit e tij, që me ardhjen e pluralizmit, hapën xhamitë, filluan shërbimet fetare dhe predikimet në Elbasan.
Diktatura i solli vuajtje të mëdha në jetë, madje ia shkurtoi vitet. Në vitin 1954 u pezullua nga puna dhe deri ne vitin 1968 (kur vdiq) nuk iu dha asnjë e drejtë pensioni. Gjatë 14 vjetëve mbeti i ngujuar në shtëpinë e vet. Nuk pushonte së studiuari. Lufta e ashpër kundër fesë që bënte shteti komunist e mërziste shumë, por nuk e mposhti dot. Ishte kurajoz dhe i përballonte sfidat e kohës duke thënë: “Feja Islame në kohën e Pejgamberit (a.s.) ka pasur veprime edhe më të këqija”.
Në vitin 1967 (viti i të ashtuquajturit “revolucion kulturor”) u demaskua publikisht në kinemanë e qytetit dhe me karikatura të afishuara në qendër të qytetit. Ishte lufta e vazhdueshme e diktaturës kundër intelektualëve dhe besimtarëve të vërtetë, që mbaheshin si njerëz të rrezikshëm për regjimin obskurantist komunist.
Hafiz Tasim Luniku rriti dhe edukoi 4 fëmijë (dy djem e dy vajza), të cilët mbaruan shkollën pedagogjike e përhapën dritën e arsimit në të gjitha anët e Shqipërisë. Edhe ata patën “hise” në trajtimin e babait. Diktatura u mundua ta nëpërkëmbë familjen e myftiut të respektuar, por nuk ia arriti qëllimit. Sot fëmijët e hafiz Tasimit janë që të katërt pensionistë dhe njerëz të nderuar në qytet. Ata kanë të drejtë të mburren me emrin e babait të tyre.
Sefedin Trungu