Pas dersit të sabahut në xhaminë e Parrucës, të xhumanë e 13 prillit 2012, një besimtar m’u afrua dhe kërkoi të më fliste për ca libra të vjetër, që i ruante në shtëpi prej shumë kohësh...
Ishin disa qitabe, dikur në posedim të xhaxhait të tij, rahmetliut Ali Shoshi. Viti i zullumtë 1967 e kishte gjetur si imam në xhaminë e fshatit Boks, ku edhe ishte mbyllur dera e lirisë së fjalës së tij, me të cilën thërriste njerëzit drejt vlerave të Islamit... Ishte koha kur shqiptarëve i imponohej ateizmi, si një përpjekje e përshkallëzuar vrastare për t’i zhveshur nga identiteti i tyre fetar, lavazhi intelektual dhe tjetërsimi...
Ditën vijuese të takimit tonë, nipi i imamit, z. Taip Shoshi, teksa më dorëzonte amanetin e fundit të xhaxhait të tij, më tregonte se në ato ditë të vështira, kur po shkatërroheshin xhamitë dhe po ndalohej feja me ligj, xhaxhai ishte i vendosur të mos ndalej në rrugën e tij të Thirrjes dhe të Besimit...
“Për mua s’ka ma kuptim kjo jetë!”- dëshmon kujtesa e nipit besnik, zëri i të cilit dridhet, teksa rrëfen kujtime nga jeta e xhaxhait, të cilit i rrinte pranë si një djalë i munguar... Ai kujton se edhe në momentet e fundit të jetës, xhaxhai i tij ishte shuar me një fjalë në gojë, të cilën vazhdoi ta përsëriste derisa fryma e tij e fundit u shua, duke i dorëzuar shpirtin Krijuesit...
“All-llah... All-llah... All-llah...”- ishin fjalët e fundit që dilnin nga goja e një njeriu, që ishte përkushtuar tërë jetën e tij për të arritur pëlqimin e Atij, me emrin e të Cilit po largohej nga kjo botë...
Nipi dëshmon edhe për hidhërimin e xhaxhait, në momentin kur librat e tij u sekuestruan nga njerëz me zemra të errësuara e me duar të palara... Janë kujtime plot dhembje, që askush s’do të dëshironte t’i përjetonte, jo më të ishte personazh kryesor në atë kohë, në atë situatë, në ato errësira që shenjuan shkatërrimin e shpirtit shqiptar...
Të dhënat që kemi për jetën dhe veprimtarinë e Ali Shoshit si imam, janë pothuajse të pakëta, përveç asaj që kanë ruajtur familjarët nga dokumentet e vjetra dhe kujtimet shumëvjeçare...
Sidoqoftë, qitabet e mbetura nga koha e tij, dëshmojnë për një lexues të vëmendshëm të arabishtes dhe për një kërkues të etur për dije të vlefshme e të dobishme. Në faqet e tyre, kanë mbetur edhe gjurmë të disa hoxhallarëve të shquar të Shkodrës, si: Hafiz Adem Kazazi, Hafiz Abdullah Bërdica, Hafiz Ymer Bakalli e Hafiz Ibrahim Repishti, por edhe të ndonjë tjetri, me të cilin njihemi për herë të parë nëpërmjet kësaj trashëgimie, si: Hafiz Abdull-llah Nuredini, a “shkodrani Hafiz Kamil, i biri i Omer Agës”...
Në mesin e 30 librave të mbetur nga biblioteka e Ali Shoshit, “i biri i Taipit”, vlejnë të përmenden:
1. Kur’ani Famëlartë, në origjinalin e tij në gjuhën arabe. Libri i All-llahut dhe Fjala e Tij.
2. 8 vëllimet e tefsirit të Imam Razit, një ndër veprat më të rëndësishme dhe me vlerë në fushën e tefsirit të Kur’anit Famëlartë. Këto tetë vëllime, përveçse një vlerë e padiskutueshme e trashëgimisë diturore të shekujve plot dritë islame, janë edhe një vlerë më shumë për trashëgiminë islame në trojet shqiptare.
3. “Shifa-ja” e Kadi Ijadit. Një ndër librat më të mirë, në të cilin janë mbledhur jeta, personaliteti, misioni dhe tradita e Hz. Muhammedit (a.s).
4. “Halebi Kebiri”, në jurisprudencën e medhhebit hanefi.
5. “Mevludi” i përkthyer në gjuhën shqipe nga Hafiz Ali Ulqinaku.
6. Përmbledhja e hytbeve në gjuhën arabe, si një pjesë e rëndësishme e bibliotekës së një imami dhe hatibi të vëmendshëm.
7. Fjalori turqisht-osmanisht (1575 faqe) dhe fjalori arabisht-omanisht (1203 faqe). Etj.
All-llahu e mëshiroftë imamin e përkushtuar Ali Shoshi, kujtimin e mirë të cilit Zoti e ruajti në faqet e qitabeve, që dëshmojnë madhështinë e dijes dhe nevojën e përhershme për dritën e besimit.
(version i shkurtuar)
Autori është myfti i Zonës Shkodër