Konteksti shoqëroro-politik dhe kulturoro-shkencor i shfaqjes së filozofisë dhe shkencës në Perëndim


Hyrje

Është e vështirë dhe komplekse të shkruhet fjala e fundit për këtë temë, duke i pasur parasysh të gjithë faktorët që e kanë formuar këtë tërësi dhe të gjitha vakuumet, errësirat shkencore që ekzistojnë për këtë periudhë kohore.
Megjithatë përpjekja jonë është modeste do të shkojë në drejtim ndriçimit sado pak të fakteve dhe provave, duke e prezantuar shfaqjen suksesive të filozofisë dhe shkencës në qytetërimin perëndimor por edhe luftën morale dhe aktivitetet origjinale intelektuale që kanë ndikuar në transformimin më të hollësishëm në shoqërisë perëndimore. Përpjekja do të shkojë edhe në drejtim të konstatimit të pikave konvergjente në trendet bashkëkohore që kanë ndikuar në shfaqjen e fenomenit të traditës perëndimore filozofike dhe shkencore.


Përhapja e krishterizmit në Evropën Perëndimore

Një pjesë e konsiderueshme e Mesdheut nga fundi i shekullit VII dhe sidomos nga mesi i shekullit VIII erdhi në duar të muslimanëve. Bota kristiane u detyrua të tërhiqet nga bregdeti i Afrikës veriore, nga një pjesë e Italisë jugore dhe pjesa më e madhe e gadishullit Iberik. Duke e marrë parasysh se edhe Avarët e sulmuan Evropën nga veriu, pjesë e lirë për shtrirjen kristiane mbeti Evropa qendrore dhe perëndimore. Kjo edhe ndodhi gjatë shekujve V-X.[1] Në fillim të shekullit IX pjesa më e madhe e Evropës hyri në rrethin kristian, kurse Karli i Madh u bë mecenë i shkencës dhe artit, duke i trimëruar dijetarët të studiojnë, shkollohen dhe kontribuojnë në nënqiellin e tyre.[2] Në këtë kohë kemi edhe migrime të tjera, si të sllavëve në Ballkan e Evropën lindore dhe pjesa më e madhe e tyre u kristianizua, madje edhe Anglia dhe Irlanda. Ky dinamizëm la gjurmët e veta në zhvillimin e mëpasshëm evropian, por e tërë kjo do të ishte e zbehtë, e kot, nëse nuk do të merrej parasysh ekspansioni musliman në pjesët jugore evropiane apo prania e muslimanëve në kufij me ta.[3]
Pasi që muslimanët e morën Afrikën veriore dhe Spanjën, Jugun e Italisë dhe ujdhesat e shumta në Mesdhe, erdhi deri te lulëzimi kulturor dhe qytetërimor në Spanjë.[4] Këto zhvillime dhe ky konfiguracion i ri do të tregohet vendimtar në transmetimin e dijes në Perëndim. Edhe pse e ngurtë në disa qëndrime (fetare dhe shkencore), Evropa huazoi, përvetësoi dhe modeloi shumë institucione nga Bizanti dhe Islami. Ata nuk u frikësuan t’i përdorin sidomos përparësitë muslimane dhe me këtë arritën një siguri frymore dhe materiale që nuk e kishte pasur Evropa më herët. Kësaj klime të ngritjes dhe përparimit evropian i ndihmoi edhe suksesi ushtarak dhe politik, duke u shtrirë në vende të reja si në Afrikë, Azi etj.[5]


Transmetimi i traditës frymore dhe materiale islame

Pas kalimit të traditës shpirtërore dhe shkencore islame në Evropë, kryesisht nëpërmjet përkthimeve, por edhe kontakteve të drejtpërdrejta ushtarake, politike, tregtare dhe misionariste, tradita filozofike dhe shkencore perëndimore fitoi depërtimin vendimtar. [6] Kjo sidomos ndodhi pas rënies në duar të Perëndimit të një pjese të Spanjës, sidomos të dy qyteteve me rëndësi, Toledos dhe Saragozës.[7] Kësaj fryme i ndihmoi edhe humbja e Sicilisë më 1091.[8] Shumë trashëgimi e shkruar apo materiale ra në duar të perëndimorëve. Evropa filloi t’i përkthejë këto vlera shkencore e intelektuale e ndër të parët në këtë punë u dalluan Raymond de Sauvetat, kryepeshkop nga Toleda në kohën 1126-1151.[9] Kjo lëvizje e përkthimeve u shtri edhe në vendet përreth. Kemi emra të dalluar, si: Herman Dalmatini, Robert Ketenezhani dhe Rodolphusi nga Brizhi[10] etj.
Filozofia (Falsafa) ishte preokupimi më i madh i evropianëve. Në këtë rafsh u dalluan dy qendra kryesore: Toledo nën udhëheqjen e dy dijetarëve Dominicus Gundisalvusit dhe Gerardusit nga Kremona. Ky aktivitet bëri që në shekullin XII Evropa ta lexojë në gjuhë evropiane Kindiun, Farabiun, Ibn Sinain, Gazaliun, madje edhe Kur’anin në përkthimin latin të bërë nga Kettani.[11]Ndikimet ishin përmbajtësore, si përkufizimi, klasifikimi i shkencave etj.


Institucionet arsimore perëndimore

Si rezultat i ndikimit musliman në Perëndim, por edhe lëvizjeve të tjera të vetë perëndimorëve, transformimet kaluan edhe në një fushë tjetër, atë të hapjes së universiteteve, që do të bëhen të njohura, si ai i Oxfordit më 1190, Cambridgit më 1209, i Parisit më 1215 etj. Në këto universitete mësohej matematika dhe astronomia muslimane, pastaj filozofia, logjika etj., sipas sistemeve dhe metodave muslimane.[12] Emrat e njohur si Toma Akvini, Roger Baconi, St. Bonaventura dhe Duns Scoti janë vetëm disa nga emrat më të dalluar të kësaj fryme të universiteteve. Më vonë, më 1257, e kemi edhe Sorbonën e njohur.
Ndër shkencat e para që janë studiuar janë astronomia, matematika, gjeometria, algjebra, por edhe medicina e farmakologjia, e sidomos veprat e Ibn Sinait.
Mund të thuhet se rezultat i këtyre lëvizjeve kemi edhe fitoren e monarkëve perëndimorë ndaj klerikëve si në Francë dhe Angli,. Kjo bëri që Evropa të forcohet politikisht dhe ekonomikisht. Por, Evropa nuk u kënaq me vetveten, kështu që filluan “shëtitjet” edhe jashtë Evropës, të motivuara për zbulim të territoreve të reja, për dominim të ri. Kemi zbulimin e Amerikës por edhe të shumë vendeve përgjatë botës. Edhe filozofia edhe shkenca pas kësaj periudhe gjetën një shtysë të ri, një elan të ri dhe kjo nuk do të largohet deri në ditët e sotme.


Në vend të përfundimit

Fillimisht drejtpërdrejt e më vonë tërthorazi, Islami si fe, kulturë dhe si qytetërim, ka dhënë kontribut në progresin e gjithanshëm evropian. Edhe pse këtë kontribut e kanë përcjellë shumë paragjykime e goditje, megjithatë te shkencëtarët objektivë evropianë nuk ka munguar sinqeriteti dhe pranimi se Islami është bosht i kësaj ngritjeje kulturore dhe qytetëruese. Mirëpo, deri sa muslimanët shërbyen si model për evropianët, këtë nuk e bënë me vetveten. Duke u dhënë pas luksit dhe interesave jashtëislame drita e tyre filloi të fiket, kurse Perëndimi e vazhdoi traditën muslimane, e rroku punën dhe dominon për një periudhë të gjatë disashekullore. Ky është faktori kryesor për ngecjen e muslimanëve. Të gjithë faktorët e tjerë janë dytësorë.


________________________________________
[1] Krš?anstvo, në: http://hr.wikipedia.org/wiki/Kr%C5%A1%C4%87anstvo (7.9.2011). Shih: William H. McNeill, The Rise of the West (Uspon Zapada] (Chicago: The University of Chicago Press, 2. Izd. 1991), 441-445.
[2] Sipas: http://sh.wikipedia.org/wiki/Karlo_Veliki (7.9.2011). Shih: William H. McNeill, po aty.
[3] Edvard Xhejms, Severni svet u srednjem veku, në: Xhorxh Holms, Oksordska istorija srednjovekovne Evrope, Beograd, 1998, fq. 68 e tutje.
[4] Rozhe Garodi, Islami dhe kultura, Sarajeve, 1990.
[5] Karl Grimberg, Historia botërore dhe qytetërimi, pjesa 4, Tiranë, 2004, fq. 17 e tutje.
[6] Sipas: Haren, 117.
[7] Josep Puig, The Transmission and Reception of Arabic Philosophy in Christian Spain (until 1200), në: The Introduction of Arabic Philosophy into Europe, redaktorë: Charles E. Butterworth dhe Blake Andree Kessel (Leiden: E.J.Brill, 1994), fq. 9, sipas versionit elektronik:
http://books.google.com. (7. 9. 2011).
[8] Edward Grant, The Foundations of Modern Science in the Middle Ages: Their religious, institutional, and intellectual contexts (Cambridge: Cambridge University Press, 1996), 23.
[9] Josep Puig, fq. 10-11.
[10] Gjerësisht: Ahmed F. El-Ehwani, Filozofia islame, Prizren, 2002, fq. 38-58. Krhs.: Josep Puig, po aty, fq. 11.
[11] Josep Puig, po aty, fq. 13.
[12] Shih: Charles Burnett, The Introduction of Arabic Learning into British Schools, në: The Introduction of Arabic Philosophy into Europe, po aty, fq. 40-57.



Shkrimi është publikuar ne revistën ETIKA, mars 2012


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi