Shkruan: Hamdi Nuhiju
Allahu xh.sh. e nderon tokën dhe njerëzit në të, përmes disa krijesave të tij të veçanta. E nderon qiellin dhe gjithçka në të, për të mbuluar me pamjet e tij të bukura dhe zbukuruar vetveten nga reflektimi i disa krijesave të veçanta në këtë botë. Nderohet dielli me madhësinë e tij, dhe fuqinë rrezatuese, po përmes këtyre krijesave të veçanta. U nderua toka dhe qiejt dhe gjithçka që ka midis tyre me krijimin e njeriut dhe dhënien e rrolit të tij si mëkëmbës i Zotit në tokë.
Aspak nuk dyshojmë, se me ardhjen në këtë botë të Hafëz Refik Ajetit u nderuam të gjithë. I vogël e i madh, i qytetit e i fshatit, i kryeqytetit e i metropolit, të gjithë shqiptarët mysliman pa dallim.
Ardhja e tij në këtë botë, për këtë popull të vogël dhe të vuajtur nga injoranca e thellë rreth dijeve fetare, d.m.th një rreze shprese për ditë më të mira. Ajo ishte edhe armë mbrojtëse në momente të mbrojtjes së qenies shqiptare në Ballkan. Shqiptarët mysliman në Ballkan, gjatë periudhës së jetës së Hafëz Refik Ajetit u përballen me shumë luftëra të mëdha, dhe nuk ka aspak dyshim që rroli i Hafëz Refik Ajetit, rrol indirekt, frymëzues, edukativ, ishte vendimtar në luftën e fundit ( ajo e UCK në Maqedoni), dhe jehona e tij depërtoi edhe në luftërat tjera. Kur shumë xhami u rrënuan, shumë njerëz të pafajshëm u vranë, Hafëz Refik Ajeti interesohej për të ndërtuar Kur`an të gjallë si mure mbrojtëse të identitetit mysliman tek shqiptarët në Ballkan.
Ai lindi në fshatin Likovë të Maqedonisë me 13 nëntor të vitit 1930. Babai i tij Mulla Bajrami dhe nëna e tij Fejzie ishin shkolla e parë dhe më e rëndësishme e Hafëz Refik Ajetit.
Të gjithë ata që e kanë arritur Mulla Bajramin, e dinë për një njeri shumë pozitiv, me elan të lartë për punë dhe i interesuar mjaftë për sferën e edukimit të popullatës, por edhe për dhënien e rëndësisë së madhe shkollimit. Duke u nisur nga kjo bazë, në aspektin e tolerancës dhe zhvillimit të intelektit të fëmijëve të tij, Mulla Bajrami respektonte dhe nderonte maksimum dëshirën dhe mendimin e Hafëz Refik Ajetit edhe si fëmijë. Ai, pra Hafëz Refik Ajeti, nuk jetoi në një familje të vështirë për tu zhvilluar dëshira e tij arsimore. Në fakt, kjo vatër familjare ishte e vështirë për dëshirën e analfabetizmit, ndërsa proklamonte edhe në popull arsimimin e masave duke mos bërë dallim midis gjinive. Të rinjtë dhe të rejat duhet shkolluar, sepse vetëm përmes shkollimit populli mund të shihte dritë.
Ajeti parë në Kur`an është “Lexo me emrin e Zotit Tënd”, dhe parimi i parë i familjes së Hafëz Refik Ajetit. Myslimanët kur u larguan nga ky ajet kur`anor, u nënçmuan, u përbuzen, u sunduan, u c`nderuan. Mund të vërejmë botën islame para, në kolonizim dhe pas kolonizimit. E të shohim nivelin e arsimimit tek të rinjtë dhe të rejat. Njëri prej faktorëve kyç për mos zhvillimin tonë si popull në të gjitha sferat e mundshme është edhe mos arsimimi, ose arsimimi, por jo në emër të Zotit.
Familja e Hafëz Refik Ajetit edhe pse jetonte një jetë mesatare, e cila nuk i mundësonte shumë hapësirë për të i shkolluar fëmijët, ata ndan nga copa e bukës, për ti shkolluar fëmijët e tyre.
Kështu u zhvillua në praktikë edhe dëshira e kamotshme e Hafëz Refik Ajetit për tu shkolluar dhe kryer hifzin e Kur`anit Famëlartë.
Ai, shkollën fillore e kreu në fshat. Ndërsa mësimet e para të hifzit i mori në fshatin Hotel tek hoxha Besim Abazi.
Edhe pse rruga prej në fshatin e lindjes së Hafëz Refik Ajetit e deri në Hotel ishte shumë e vështirë edhe e rëndë për tu kaluar, ai si i ri për çdo ditë e kalonte atë rrugë në këmbë. Verë e dimër, në të ftohtë e në të nxehtë. Sprovat nuk duhet ta ndalojnë njeriun aspak nga kërkimi i diturisë. Parimi i parë i kërkuesit është vendosmëria. Pa marrë parasysh se sa janë pengesat të mëdha, e sprovat, ti duhet të jesh i vendosur për qëllimet e tua. Nuk është rrugë e lehtë për tu kapërcyer për çdo ditë në këmbë, verë e dimër. Kjo rrugë, dhe ky akt i Hafëz Refik Ajetit është mësim i madh për të rinjtë dhe të rejat të cilët i kanë të gjitha kushtet për të mësuar e nuk mësojnë aspak.
Hafëz Refik Ajeti, merr shumë dituri në fshatin Hotel, por nuk mjaftohet me aq. Prandaj vendos që ta ndërrojë destinacionin. Mësimet e hifzit i vazhdon në fshatin Opajë tek hoxha Ibrahim efendi Latifi. Nga njëri mësues e tek tjetri, rrugëtimi i tij i diturisë nuk ndalet me kaq. Ai mori diçka nga hoxhë Bajram Abazi, ndërsa vazhdoi të marr mësimet tek hoxhë Ibrahim efendi Latifi. Këtu mësoi shumë gjëra të reja, të panjohura për të deri në atë kohë. Po metodologjia e mësimit të hifzit nuk është e lehtë. Duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit alejhi selam, se njeriu kur fillon një punë, duhet ta përsos atë, edhe Hafëz Refik Ajeti kishte hyrë në këtë rrugë me bazë këtë hadith.
Rruga drejtë përsosjes nuk d.m.th alivanosje, lodhje dhe ngecje. E as ankim i vazhdueshëm siç jemi mësuar ti dëgjojmë shumë të rinj e të reja që ankohen në gjithçka përveç në dembelizmin e tyre për mos përvetësimin dhe mos mësimin e diturisë. Përsosja e diturisë dhe etja për diturinë janë të lidhura. Rrugëtimi i Hafëz Refik Ajetit, ma çon mallin e rrugëtimit të Selman Farisiut r.a. Edhe pse kahet janë krejtësisht të kundërta. Selman Farisiu ishte në kërkim të rehatisë shpirtërore dhe njohjes me të Vërtetën, ndërsa Hafëz Refik Ajeti në kërkim të diturisë dhe përmes saj, edhe arritjes së kënaqësisë së Zotit, pasi që e dinte cysh në fillim se ajo rrugë nuk i sjell të ardhura financiare për mbijetesë.
Selman Farisiu la gjithçka mbrapa, të gjitha të mirat e dynjasë për të përjetuar pak rehati shpirtërore. Ai udhëtoi në çdo rrugë, në secilën kahe, në secilin drejtim vetëm për ta arritur qëllimin e tij. Hafëz Refik Ajeti, nuk u pajtua me mendimin se do të fillojë memorizimin e Kur`anit tek një hoxhë dhe të mjaftohet me aq, pa e përforcuar, pa e mësuar mirë.
Prandaj, ai, pra Hafëz Refik Ajeti nuk mjaftohet me mësimet që mori në Hotel e Opajë. Vazhdon rrugën tek myftiu i atëhershëm i Shkupit Hafëz Aziz Fetahu, dhe përfundimisht në moshën 18 vjeçare bëhet hafëz i Kur`anit Famëlartë.
Sprovat, mundimet, pengesat në rrugë, nuk mundën ta ndalojnë nga qëllimi. Njeri më i mirë në mesin e njerëzve, është ai njeri i cili ka qëllime fisnike në këtë botë, ndërsa njeri më i keq është ai njeri i cili jeton kot, nuk e di pse është krijuar, dhe nuk e di se ku do të përfundojë jeta e tij. Suksesi i tij, në memorizimin e Kur`anit dëshmon se nuk ka asgjë të pamundshme në këtë jetë. Vetëm se duhet që të ekzistoj vullneti dhe puna e pa ndërprerë, dhe edhe qëllimet që në pamje të parë duken të pa arritura, arrihen. Por, mësimi i hifzit nuk ishte qëllim në vetvete për hafëz Refik Ajetin. Ai ishte mjeti për të arritur deri tek qëllimi, e i cili ishte arritja e kënaqësisë së Zotit.
Për qëllime të këtij soji mund të dyshojmë tek shumë njerëz nga veprat e tyre të kryera. Ndërsa për Hafëz Refik Ajetin nuk mund të dyshoj asnjë njeri, pasi që ai ia përshtati jetën e tij Kur`anit, dhe Kur`anin nuk e përshtati sipas jetës dhe tekave të tij.
Pas mësimit të hifzit tek mektebi i Hafiz Aziz Fetahut, mufti i Shkupit, hafëz Refik Ajeti vijoi mësimet e tij në Prishtinë tek komentuesi i famshëm i Kur`anit myderriz Hasan efendi Nahi. Për tre vite rresht aty mësoi texhvidin e Kur`anit.
Shoqërimi me myderriz Hasan efendi Nahi ishte një favor i madh për të. Nga ai, arriti që të mësojë dituri të tilla që për vitet tjera të jetës së tij do të janë vendimtare në veprimtarinë e tij popullore.
Në vitin 1967, pas një operacioni të syve, ai humbi shikimin dhe më nuk ka mundur të shoh deri në përfundim të jetës së tij. Hafizi u mërzit për këtë gjë, jo pse Allahu ia mori shikimin, por nga që mund ta harronte hifzin e Kur`anit. Ai në mërzi thoshte:”Po mërzitem shumë se mos po e harroj Kur`anin, sepse nuk shoh të lexoj, të tjerët e lexojnë Kur`anin, kurse unë nuk mundem ta lexoj”.[1] Bashkëshortja e tij Resmija e cila ishte nga Fshati Hotel dhe kishte mësuar tek hoxhë Besimi leximin e Kur`anit, e që kishte bërë dy herë hatme, i thoshte hafëz Refikut:”Mos u mërzit se unë do t`i lë të gjitha punët e shtëpisë dhe do ta dëgjojë leximin e Kur`anit dhe kurrë nuk do ta harrosh”.[2]
Të tjerët kanë thënë se burri është shtylla e shtëpisë. Kanë gabuar...!!! Pa një grua të mirë, as burri nuk mund ta marr rrolin e tij në shtëpi. Dashuria e ndërsjellë ishte ajo dashuri që ka mbretëruar dhe mbretëron në çdo familje islame. E teprojnë me paragjykime të tjerët, kur thuan se tek myslimanët e myslimanet nuk ekziston dashuri. Mendojnë se jeta në familjen myslimane është sikur jeta në ushtri. Ku burri komandon për gjithçka, dhe gruaja nuk është pjesë përbërëse e familjes. Ajo nuk pyetet për asgjë, nuk vendos për asgjë, nuk merr pjesë në asnjë pjesë të ndërtimit të familjes.
Paragjykimet e shumta të këtilla, fatkeqësisht, i kanë bërë shumë mysliman të rinj që të besojnë në to, dhe të sillen në bazë të paragjykimeve që krijojnë të tjerët për familjet islame, e jo ti marrin shembull hoxhallarët, hafizllarët e vjetër të cilët janë sjell me edukatë dhe drejtësi. Asnjë aktivitet i shëndosh kolektiv nuk mund të ngritët mbi bazat e një familje që ka formën e ushtrisë. I njëjti konstatim vlen edhe për ato familje që kanë marrë formën e dalldisë, e c`rregullimit ku burri nuk pyetet gati se për asgjë.
Dashuria për fenë e Allahut dhe për diturinë vetëm për hir të Allahut nuk ka munguar asnjëherë në familjen e Hafëz Refik Ajetit. Ajo nuk mungon as sot edhe pas shpërnguljes së tij për në ahiret.
Islami nuk është fe vetëm e burrave. Po ashtu ai nuk urdhëron shkollimin vetëm për burrat. Vetëm burrat nuk duhet që të kujdesen për shoqërinë. Njashtu edhe vetëm burrat nuk kanë mision përhapjen e Islamit në këtë botë. Paramendoni të jetoni në një kohë të sundimit ateist-komunist ku gjithçka që ka të bëjë me fenë është e ndaluar dhe të veproni pa ndalim.
Njeriut që i humbi shikimi, por i dha sy qindra-mijëra njerëzve në rrethin e tij, ishte dëshmi e kohës për vullnetin e flaktë për përhapjen e fesë së Allahut.
Ai i mësonte fëmijët fshehtas pushtetit të asaj kohe, në shtëpinë e tij, pa asnjë interes të kësaj bote. Aspak nuk lodhej nga vrulli i fëmijëve dhe pa iu humbur aspak vullneti përmirësonte çdo gabim të fëmijëve.
Edhe pse shumë vite me parë Hafëz Refik Ajeti e kreu hifzin e Kur`anit, me përgatitjen e një hafëzi të ri në vitin 1978, disa vite pas humbjes së shikimit, kërkoi nga Bashkësia Islame e Kumanovës që të formojnë një komision enkas edhe për të, për të kontrolluar memorizimin e Kur`anit.
Ai në kërkesë, ndërmjet tjerash shkruan:”Pasi që humba shikimin dhe jam duke punuar me hafëz të rinj, kurse diplomën që kisha më ka ra në ujë me çka më ka humbur gjysma e saj. Tani kërkoj që ta jap provimin e hifzit para komisionit të caktuar për hafëzin tim Zekerija Zulfiu për të cilin keni caktuar komision dhe provimi të jetë për të njëjtën ditë me hafëz Zekerijaun.”Sipas zyrtarëve të Bashkësisë Islame të Kumanovës, kërkesa e tij është pranuar dhe Hafëz Refik Ajeti dha provimin në muajin maj së bashku me hafëz Zekerija Zulfiun.[3]
Prej njerëzve të këtillë frikësohen të gjitha pushtetet e padrejta. Sidomos pushteti i atëhershëm i cili shpesh herë e mori në pyetje Hafëz Refikin. E si nuk do ta merrte një njeri kaq të sinqertë në punën e tij, i cili pa asnjë interes të kësaj bote i shërbente popullit shqiptarë mysliman dhe fesë së Allahut xh.sh.
Hafëz Refiku është dënuar me një muaj burg në burgun e Kumanovës, po edhe është gjobitur me të holla nga pushteti i atëhershëm. Edhe përskaj të gjithë këtij maltretimi e presioni që iu bë Hafëz Refikut, ai nuk u ndal asnjëherë nga misioni i tij për të mësuar dhe edukuar popullatën e këtushme.
Burgu i Kumanovës kishte caktuar një njeri nga fshati Cerkez, me emrin Mustafë, që të përkujdeset për hafëzin, pasi që hafëzi ishte edhe i verbër. Baci Mustafë rrëfen për të:”Unë përkujdesesha për hafëz Refikun gjatë qëndrimit të tij në burgun e Kumanovës. Asgjë nuk punoja. Më patën caktuar që të përkujdesem për të, pasi që hafëz Refiku ishte i verbër, e falënderoja Allahun, i cili ma bëri të mundur që unë t`i shërbej këtij njeriu të çmuar”.[4]
Kur krahasojmë kushtet në të cilat ka vepruar Hafëz Refik Ajeti, me kushtet e ditëve të sotme, do të kuptonim shumë mirë rëndësinë e këtij njeriu. Në një fshat të vogël, sikur Likova, ai arriti të nxjerr 27 hafizllar e hafizllare të Kur`anit. Edhe pse ishte i maltretuar dhe i penguar nga pushteti, edhe pse askush nuk e përkrahte financiarisht, ai qëndroi besnik në misionin e tij. Për asnjë moment të jetës së tij nuk devijoi nga rruga e edukimit dhe mësimit të gjeneratave të reja. I verbër, por gjithmonë shkonte në xhami për ti dëgjuar fëmijët e vegjël dhe për t`ia ndërruar dersin.
Shpesh herë ndodhte që fëmijët të lazdroheshin si të tillë dhe të mungonin në mësime, por ai gjithmonë ishte i gatshëm për ti dëgjuar dhe mësuar ato. Raporti ishte i kundërt. I priste fëmijët që të vijnë në xhaminë e fshatit për ti edukuar e mësuar. Kjo edukatë është edukatë e njerëzve të mëdhenj.
Por ajo që e bën të veçantë Hafëz Refikun, prej njerëzve të tjerë, ishte se ai nuk u interesua vetëm për mësimin e Kur`anit përmendsh nga fëmijët. Përmes djalit të tij Hafëz Bajram Ajetit, interesohej që ti regjistroj të gjithë ato nxënës edhe nxënëse në medrese, që të mos ngelen vetëm hafëz e hafize të Kur`anit. Memorizimi i Kur`anit nuk do të kishte kuptim, pa i mësuar edhe fshehtësitë e tij, dhe përshtatjen e jetës me ato fshehtësi. Ky hap gjigant i Hafëz Refik Ajetit, ndryshoi kahen e edukimit dhe arsimimit të gruas myslimane. Shumë paragjykime dëgjuam se Islami i la të prapambetur myslimanët, pasi që nuk i dha hapësirë shkollimi. Hafëz Refik Ajeti së bashku me djalin e tij Hafëz Bajramin bërën të kundërtën e këtij paragjykimi. Ekzistojnë dëshmi të gjalla për këtë gjë, ku shumë vajza që kanë marrë mësimet e Kur`anit tek Hafëz Refik Ajeti, kanë vazhduar edhe shkollimin e mëtutjeshëm.
Aktivitetet e tij fetare janë të shumta.
Ai në xhaminë e Kumanovës së bashku me Daut Bajramin, për tre vite radhazi ka lexuar mukabele. Këtë gjë, në xhaminë e fshatit Likovë e ka bërë pandërprerë për plotë gjashtëmbëdhjetë vite.
Në Sarajevë, prej vitit 1970 e deri në vitin 1990, pa ndërprerë ka kënduar mukabele, në katër xhamitë kryesore të saj.
Në Gjakovë dy vite radhazi ka falur namazin e teravive me hatme, me nipin e tij hafëz Seid Abazin, në Xhaminë e Hankës.
Në Novi Pazar, së bashku me nxënësin e tij hafëz Sadrudin Ramadanin, në Xhaminë e Arapit për katër vite radhazi i ka fal teravitë me hatme dhe në dy xhamitë kryesore ka lexuar mukabele.
Prej vitit 1990 e deri në vitin 2007, ka kënduar mukabele me nxënësit e tij në xhaminë e fshatit Likovë.
Në vitin 1983 hafëz Refiku pas përfundimit të komisionit të hifzit, të nxënësit hafëz Aziz Alilit në Sarajevë, ka kënduar përmendësh tërë Kur`anin për nëntë orë e gjysmë, duke filluar që nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 17:30, me çka edhe është regjistruar në analet e historisë së Jugosllavisë si njëri prej hafizave më të fortë në atë kohë.
Në kohën kur hafëz Refiku shërbente në Bosnje, boshnjakët e njihnin si shtyllë kryesore të mukabeles së hafizllarëve, sepse rreth tij ishin hafizllarë, të cilët lexonin mukabele, kurse Hafëz Refiku i korrigjonte dhe nuk lejonte asnjë lëshim.[5] Hafëz Refiku, sipas djalit të tij Hafëz Bajram Ajetit, të gjitha namazet e tij i falte me hatme. Si ato sunnete, si ato farze, po ashtu edhe nafilet. Tërë kohën lexonte Kur`an, pasi që frikësohej shumë se do ta harrojë. Dhe Allahu ia mundësoi që ta ruaj Kur`anin në mendje, në shpirt, e në zemër deri në përfundim të jetës së tij.
Gjatë qëndrimit të tij në burg, 26 ditë, tetë herë e ka bërë hatme Kur`anin.
Në vitin 1981, Allahu xh.sh. ia mundëson që ta vizitojë Shtëpinë e shenjtë-Qabenë, Medinën e Ndritshme, Shpellën Hira, dhe të kryej të gjitha ritet e Haxhit. Ky ishte moment i lumtur dhe i paharruar për Hafëz Refikun dhe normal ishte i përcjell me bërjen hatme të Kur`ani Kerimit gjatë rrugës së shkuarjes dhe kthimit. Në këtë rrugëtim ai bëri dy hatme.
Hafëz Refikin e donin shumë nxënësit e tij. Edhe sot e kësaj dite e përkujtojnë me lot në sy. Edhe pse ai ishte shumë i ashpër në mësimin e Kur`anit, në kuptimin se nuk toleronte që të bëhen gabime dhe të përsëriten ato, dashuria për të nuk u shua aspak.
Gjatë gjithë jetës së tij të bujshme nxori 27 Kur`ana të gjallë, që do të janë dëshmi për të Ditën e Gjykimit. Dëshmitë e tij janë: Hfz. Fejzije Ajeti( Abazi), Shaqir Memeti, Zeqerja Sh. Zulfiu, Abdulkadir Abazi, Aziz Alili, Lindita Saliu, Nakije Fetau, Mevlude Ibrahimi, Xhejlane Alili, Emine Shaqiri, Ajnure Memeti, Merjeme Aziri, Makfire Hamidi, Sadat Jonuzi, Demërshae Zulfiu, Rejhane Imeri, Musadete Junuzi, Sevdije Alili, Munibe Veseli, Maide Z.Shaqiri, Mensure Mamuti, Adem Z.Ademi, Munibe R.Ibraimi, Sadredin A.Ramadani, Muhamed B.Ajeti dhe Shefije Mamuti.
Të gjithë këto emra kanë lënë gjurmë nëpër gara të ndryshme kur`anore brenda vendit dhe jashtë vendit. Po ashtu, edhe ato nxënës që nuk arritën që ta kryejnë hifzin tek Hafëz Refik Ajeti, me dashuri përcjellin mesazhin e tij.
Hafëz Refik Ajeti, ndërroi jetë me 18, 03, 2010, ditë e enjte, ndërsa u varros me 19.03.2010, ditë e xhuma, në varrezat e fshatit Likovë. Namazin e xhenazes ia fali djali i tij Hafëz Bajram Ajeti, ndërsa nga mysafirët e shumtë, fjalën e nderit e morën, Dr.Mevludin Dudiq, Dekan i Fakultetit të Shkencave Islame në Novi Pazar, Myftiu i Kumanovës Abedin Imeri, dhe për jetën e tij foli nxënësi i tij hafëz Aziz Alili.
Në shenjë respekti për veprimtarinë e shumëfishtë të tij, Forumi Rinor Islam, dega në Kumanovë, në vitin 2011, themeloi një çmim me emrin e tij, ku për çdo vit, me rastin e manifestimit të ditëlindjes së Pejgamberit alejhi selam zgjidhen personalitet të çmuara që kanë lënë gjurmë për Kumanovën dhe rrethinën e saj. Në shenjë simbolike, në fillim të këtij çmimi, si më i merituari i parë për këtë çmim, ishte edhe vet nxënësi i tij, Hafëz Aziz Alili.
Hafëz Refik Ajeti, ishte njeri që bënte shumë dua. Nuk hezitonte asnjëherë që në çdo kohë të përmend Allahun xh.sh.
Nuk ka dyshim se ai ishte një shërbëtor i Kur`anit. Allahu na bëftë të mundur të ndjekim rrugën e tij. Amin.
------------------------------------------------------------------------------------------------
[1] Dëshmi kohe, historiku i muftinisë së Kumanovës, Kumanovë, 2012, H.Enver Zeqiri, f.243
[2] Po aty, f.243
[3] Po aty, f.243
[4] Po aty, f.243
[5] Po aty f.244