Përderisa i brengosur përcillja lajmet nga bota islame dhe mendoja për fatkeqësitë që na kanë kapluar, më drejtohet një zë nga nefsi im:
"O ti! Ti je ai që frenon fitoren e këtij ummeti, në realitet ti je shkaktari kryesor i të gjitha belave (fatkeqësive) që ndodhemi!"
I thash: "O nefs, si kështu? Unë jam një rob i dobët. Nuk posedoj as pushtet e as fuqi. Nëse do t'i urdhëroja diçka myslimanët, ata nuk do të dëgjonin. Nëse do t'i këshilloja, ata nuk do ta pranonin këshillën."
Nefsi me nxitim më ndërpreu: "Mëkatet tua dhe mosdëgjimi! Mosbindja jote ndaj Allahut në të cilën vazhdon ditë e natë! Ngecja jote në kryerjen e urdhrave të Allahut! Indiferenca jote ndaj ndalesave të Tija!"
- Çfarë kam bërë unë që më akuzon për ngecjen e fitores të këtij ummeti, i thash.
- O robi i Allahut, betohem në Allahun se nëse do filloja të numëroja çfarë ke bërë deri më tani, do të më nevojitet kohë e gjatë. A e falë namazin e sabahut me xhemat? Më thotë nefsi.
- Po, ndonjëherë. Shpesh ndodhë që e le, i përgjigjem.
Nefsi më ndërpreu duke më thënë: Ja, kjo është joharmoni. Si do të luftosh kundër armikut e së pari je i pasuksesshëm në luftë kundër nefsit tënd? Kur je i pasuksesshëm në një gjë, që nga ti nuk kërkohet as gjak e as pasuri, në një gjë që zgjatë disa minuta: dy rekat të namazit të sabahut që i falë vetëm për Allahun e Plotfuqishëm që ta ka bërë obligim. Si kërkon suksesin në luftën kundër armikut e ende hamendesh me faljen e namazit me xhemat, i len anash sunnetet e verifikuara, nuk lexon për çdo ditë një pjesë nga Kurani, anashkalon dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes, përgojon, nuk u bënë mirësi prindërve, nuk mban lidhjet familjare, i ke shmangur obligimet tuaja familjare, kënaqesh me shikime të ndaluara nëpër revista dhe ekrane televizive, punon vepra të turpshme, kënaqesh dhe argëtohesh me muzikë, ndërsa je indiferent ndaj thirrjes në të mirë dhe ndalim nga e keqja, je indiferent ndaj ftesës në fenë e Allahut, preokupohesh me gjëra të kota!!!
Dhe vazhdoi më tej duke më thënë: Si kërkon të aplikohet ligji i Allahut në vendin (atdheun) tënd, e ti vet nuk e aplikon në vete dhe familjen tënde? Nuk frikësohesh nga Allahu për familjen tënde, nuk i thërret në Udhëzim, nuk i largon nga të ndaluarat, nuk mundohesh t'i ushqesh me pasuri hallall?! Shet atë që është e përbuzur, gënjen dhe mashtron? Ke tradhtuar besën e dhënë ndaj Allahut, andaj meriton kërcënim...
-Këtu e ndërpreva duke i thënë: Po çfarë ka kjo me pengimin e fitores? A thua fitoren e këtij ummeti e frenon individi në mesin e miliarda të tjerëve?
Nefsi mu përgjigj duke më thënë: Ah,ah, kjo botë u bë çerdhe e qindra milionëve sikur ti, përveç atyre të cilët i mëshiroi Allahu i Madhërishëm... Të gjithë ecin rrugës nëpër të cilën ti ecë. Nuk janë veshur me petkun e devotshmërisë dhe nuk ndalohen nga mosbindja dhe mëkatet. Të gjithë kërkojnë fitore me pretekst që në ummet ka më mirë se ata. Mirëpo, realiteti i dhembshëm është se që të gjithë janë të njëjtë, përveç atyre që i ka mëshiruar Zoti Hirmadh.
Dhe vazhdoi: O rob i Allahut, a nuk e di që sahabët kur nuk realizohej fitorja e pritur, me këtë kuptonin që në mesin e tyre kishte të tillë që kanë bërë ndonjë mëkat...?
E çfarë të themi për gjendjen e vërtet të ummetit, ku bëhen mëkate të vogla e të mëdha. A nuk po e sheh se çfarë po ndodhë në ummet prej lindjes në perëndim???
Duke i dëgjuar këto, pika loti filluan të rrjedhin nëpër fytyrën time. Në asnjë moment nuk mendoja se unë jam ky person. Nuk e mendoja që unë - njeriu i cili e dua Allahun e Madhërishëm dhe të Dërguarin e Tij, Islamin dhe pasuesit e tij- mund të jem një prej shkaktarëve të disfatës së myslimanëve dhe pjesëmarrës në derdhjen e lumenjve të gjakut të myslimanëve në tërë botën... Për shumë çka, lehtë i kam akuzuar të tjerët...Por, më parë nuk kam menduar për të metat dhe mëkatet e mia... Nuk kam menduar për fjalët e Allahut: "Allahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk na largon të mirat) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre."(1).
Prandaj nefsit tim i thash, se e falënderoj Allahun, i Cili më dhuroi shpirtin që kritikon vetën, me të cilin Allahu betohet në Kuran deri në ditën e Gjykimit. Pra çfarë më këshillon?
Nefsi më tha: - Fillo nga vetja dhe nisu nga farzet. Kryej pesë kohët e namazit në kohë të caktuar dhe me xhemat. Jepe zekatin. Ruaju nga mosdëgjimi ndaj prindërve. Afrohu Allahut të Madhërishëm me kryerjen e suneteve. Mos e lësho rastin t'i afrohesh Allahut të Madhërishëm me bërjen e veprave të mira, qofshin ato edhe të vogla. Përkujto, se buzëqeshja ndaj vëllait është lëmoshë.
Bëhu i sinqertë në punët tuaja, kompletoi në tërësi. Mos akuzo dhe mos kritiko të tjerët duke dashur kështu të shmangësh nga përgjegjësia. Përmirëso vetën dhe do të përmirësohet gjendja e të tjerëve. Bëhu shembull i mirë për të tjerët kudo që të jesh! Përgjigju në thirrjen e fesë së Allahut dhe përpiqu në përhapjen e asaj që do të ju sjellë mirësi myslimanëve. Lutu Allahut të të bëjë të sinqertë. Lutu Atij që të dhuroi sukses ty, atyre që janë me ty dhe të gjithëve që janë nisur në të njëjtën rrugë. Nëse kështu vepron, do të jesh prej atyre për të cilët Allahu i Madhërishëm thotë: "O besimtarë, nëse ju ndihmoni (fenë) Allahun, Ai u ndihmon juve dhe u forcon këmbët tuaja."(2)
Dije që secili mëkat që bënë dhe secili obligim i anashkaluar ndaj Allahut do të jetë argument kundër teje dhe akuzim për gjakderdhjen e myslimanëve të pafajshëm!
Ngrita kokën duke e lutur Allahun e Madhërishëm që të më falë për atë që ka ndodhë me fajin tim dhe i fshiva lotët nga fytyra...
Thash: O Zoti im... vërtetë, ky është pendim... te Ti kthehem. Hapa fletën e re të jetës sime duke filluar me dy rekat namaz në thellësinë e natës... I lutem Allahut të Madhërishëm që të më mbuloj me begatitë e Tija. Përkujtova duke medituar thellë vërsetin e Kuranit fisnnik: "Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira Allahu u premtoi se do t'i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si i pat bërë zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t'u dhurojë siguri..."(3)
Si dhe nuk harrova lutjen edhe për vëllezërit e mi: "Zoti ynë, falna ne dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo në zemrat tona fare urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë. Ti je i butë, mëshirues."(4)
1.Er Rra'd, 11
2.Muhammed, 7
3.En Nurë,55
4.El Hashr, 10