Haxhi është kushti i pestë i fesë islame, ashtu si e ka paraqitur edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në një hadith të tij, shtyllë e Islamit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

”Islami ndërtohet mbi pesë shtylla: dëshmia se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, vizita e Qabes si dhe agjërimi i Ramazanit." (Muttefekun alejhi)

Të qenit e haxhit shtyllë e fesë islame, nënkupton që veprimet e haxhit, duhet të kuptohen me seriozitetin më të madh, ngase urdhri për t’u kryer Haxhi ka ardhur nga Allahu i Madhërishëm, e nuk është shpikje njerëzore. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Për hir të All-llahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); All-llahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit” (Ali Imran, 97)
Në këtë kontekst, duhet theksuar edhe atë se veprimet e haxhit, nuk janë veprime mekanike dhe pa shpirt e mesazhe, por, veprimet që i kryen haxhiu, janë veprime përmbajtësore dhe me mesazhe madhore për rrjedhën e jetës së muslimanit. Është më se e vërtetë se, çdo veprim që kryhet në haxh, mund të jetë temë në vete për t’u analizuar, si nga aspekti juridik, poashtu edhe nga aspekti i mesazheve dhe shpirtit që përmban në drejtim të ngritjes së besimtarit dhe udhëzimit të tij në jetë, por, ne, me këtë rast, do të ndalemi vetëm në disa prej tyre, edhe atë si vijon:

1- Haxhi, lidhje fizike me qendrën e besimit:Vërtet është ashtu, gjegjësisht, Haxhi e lidh besimtarin fizikisht me qendrën e botës islame dhe qendrën e besimit, me Mekën, ngase në Mekë filloi shpallja e Kur’anit, dhe fazën e parë të thirrjes islame, Muhamedi s.a.v.s. dhe shokët e tij, e kaluan në Mekë. Për atë, Mekeja është qendër e botës islame dhe qendër e besimit. Poashtu, ajo është qendër e besimit edhe për atë se në Mekë gjendet Qabeja, shtëpia e parë e ndërtuar mbi sipërfaqen e tokës për t’u adhuruar Allahu. Atë e ndërtoi Ibrahimi a.s. me djalin e tij Ismailin a.s., por, burimet historike flasin se vendin e Qabes dhe Meken, e kanë vizituar edhe pejgamberët para Ibrahimit a.s., pra para se të ndërtohet Qabeja. Për atë, haxhiu jo vetëm që ka lexuar e dëgjuar se shpallja e Kur’anit filloi në Mekë, në vendlindjen e Muhamedit s.a.v.s. dhe të pjesës më të madhe të shokëve të tij muhaxhirë, në vendin ku i erdhi edhe meleku i shpalljes Xhibrili, në vendin, në rrugët e të cilit u shkrua historia islame, por, ai në kohën e haxhit, ka mundësi fizikisht ta përjetojë një gjë të tillë, gjegjësisht trupërisht të gjendet në këtë vend, dhe me sytë e tij ta sheh, e me dorën e tij ta prek këtë tokë të bekuar.
2- Ihrami, përgatitje për takim me Krijuesin:Një tjetër moment që e bën njeriun praktikisht t’i përjetojë gjërat, është edhe zhveshja nga teshat e rëndomta, dhe veshja e dy pëlhurave të bardha të paqepura-ihrame, me rastin e bërjes nijet për Haxh në mikat-vendin e nijetit të Haxhit dhe Umres. Muslimani, kur i vesh këto pëlhura, që popullata jonë i njeh si ihrame, në një mënyrë e rikujton momentin e vdekjes, gjegjësisht, momentin kur tjerët atij do t’ia veshin qefinin e bardhë. Dallimi është se ihramet i vesh vetë personi, dhe pas një kohe i nxjerr, pra u kthehet teshave të rëndomta, ndërkaq, qefinin ia veshin tjerët, dhe pas një kohe nuk mund ta heq e t’i kthehet jetës së zakonshme në këtë botë, por dërgohet në varr ku vazhdon një jetë ndryshe nga ajo e dynjasë, pra jetën e Berzahut-varrezave. Për atë, me të veshur të ihrameve, haxhiu e rikujton edhe më fortë vdekjen, duke e parë veten të ngjashëm me kufomën e veshur me qefin. Ky është një momentin që duhet ta zgjon njeriu, t’ia ngjall ndjenjat për të bërë mirë dhe ta bën të mendojë për veprimet e veta, ngase jeta përfundon, dhe ashtu si i vesh tash dy pëlhura të bardha, pëlhurë e bardhë-qefin do t’i vishet edhe në vdekje. Mirëpo, tash ai ka rastin të kthehet, ndërkaq pas qefinit përfundon jeta e tij në këtë botë dhe vazhdon ajo e varrezave si derë për në jetën e Ahiretit. Nga kjo, shihet se Haxhi, përmes momentin të bërjes nijet dhe veshjes së Ihrameve, si dhe shume momenteve tjera të ngjashme, ka edhe mesazh vetëdijësues dhe mban thirrje përmirësuese për njeriun. O në Haxh, o ku tjetër njeriu është më afër përngjasimit me kufomën pa tesha, e me qefin të bardhë. Haxhi, duke e nënvizuar këtë element, e lidh këtë botë dhe botën tjetër, dhe e mëson njeriun që çdo herë të punoj për qëllimin final, pasi se qëllimin e jetës, besimtari e mëson paraprakisht nga dëshmia e përkatësisë islame-Shehadeti.
3- Arafati, momenti i qëndrimit para Krijuesit, dhe solidaritet me vëllezërit muslimanë:Një tjetër element, që poashtu ka mesazh në drejtim të vetëdijesimit të njeriut për qëllimin e jetës dhe punët që e presin, si dhe fundin e tij, është edhe qëndrimi në Arafat. Qëndrimi në Arafat, i cili është shtylla më e madhe e Haxhit, ka më shumë mesazhe dhe simbolika, por ne do të theksojmë dy prej tyre:
a- Duke qëndruar në Arafat, në atë hapësirë të gjerë, që njeriu me sy nuk ia sheh fundin, në atë vend ku patjetër të mblidhen të gjithë ata që e kanë bërë nijet Haxhin, muslimani e kujton momentin kur të gjithë njerëzit do të dalin para Allahut në Ditën e Gjykimit dhe do të presin momentin e llogarisë për atë që kanë bërë në Dunja. Pra, dalja e të gjithë njerëzve para Allahut të Madhërishëm në Ditën e Gjykimit, që haxhiu e kujton atë moment duke i parë ato turma haxhinjsh duke qëndruar në Arafat, është për të dhënë llogari, gjë që na bën të mendojmë mirë se çfarë përgjigjesh kemi përgatitur për atë ditë, kur do të merremi në përgjegjësi. Kjo është alarm që të kthehemi në vetvete dhe t’i kontrollojmë veprimet tona, ta pastrojmë shpirtin tonë, dhe të jemi të devotshëm e të nënshtruar ndaj Allahut, me qëllim që të na lehtësohet llogaria. Në një mënyrë, qëndrimi në Arafat, na aludon në këtë moment. Por, dallimi është shumë i qartë, pas Arafatit, haxhiun e pret Muzdelifja ku mblidhen, dhe Mineja ku gjuhen guralecët, ndërkaq, njeriun pas qëndrimit dhe pritjes për llogari në botën tjetër, e pret o Xhenneti, o Xhehenemi.
Edhe diçka për ne, që jetojmë në kohën e postmodernizmit. Në Arafat, mund edhe të bëhen fotografi që të postohen në facebook, ndërkaq, në qëndrimin e pritjes për llogari në botën tjetër, pritet të shihet ku është postuar emri ynë, në listën e shokëve të Xhenetit apo shokëve të Xhehenemit. Insha Allah jemi prej atyre që na kërkojnë të na bëjnë shokë xhenetlinjtë.
b- Duke qëndruar në Arafat, haxhiu e sheh se aty janë tubuar të gjithë haxhinjtë, pa marrë parasysh prej nga vijnë, çfarë gjuhe flasin, çfarë ngjyre dhe çfarë etnie kanë. Kjo është një dëshmi tjetër praktike se muslimanët janë vëllezër, pa marrë parasysh dallimet gjuhësore, racore dhe etnike mes tyre, ngase ata i bashkon ajo që është më e fortë se çdo lidhje tjetër, lidhja e besimit. Me këtë, muslimani e kupton se duhet të jetë në ndihmë të vëllezërve të vet në të gjitha anët e botës, dhe kudo që ta lyp nevoja. Nuk ka rëndësi nëse e njeh apo jo gjuhën e tyre, pasi është musliman, e lidh besimi. Për këtë, këtë vit, në Arafat, muslimanët duhet ta qortojnë veten se pak kanë bërë për vëllezërit e tyre në Siri dhe gjetiu. Është obligim i të gjithëve, edhe pse rrethanat në të shumtën e rasteve kanë ndikim në rrjedhën e gjërave, që t’ua shtrinë dorën e ndihmës dhe të solidarizohen me vëllezërit e vet kudo që të jenë, dhe kudo që të kenë nevojë. O Allah, na ndihmo dhe ndihmoji vëllezërit tanë në katër anët e botës. Amin.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi