Sipas librave të shenjta, njeriu e ka prejardhjen nga Ademi (a.s.).
Po ashtu, të gjitha librat e shenjta e cekin prejardhjen e njeriut të parë mbi etapat e krijimit të tij. Pavarësisht se etapat e krijimit të njeriut interpretohen me disa ndryshime, megjithatë, të gjitha fetë e pranojnë prejardhjen e njerëzimit nga Ademi (a.s.)[1]
Veç kësaj, në konsensusin e librave të shenjtë vërehet gjithashtu edhe historia e mëkatit të parë që kish kryer njeriu i parë, Ademi së bashku me bashkëshorten e tij Havanë. Mëkati i parë i Ademi (a.s.) dhe i bashkëshortes Hava ndodhi atëherë kur ata morën për të ngrënë pemën që u ishte ndaluar. Këtë ngjarje Kur’ani e përmend me hollësi të shumta, duke përmendur po ashtu edhe nxitësin e këtij mëkati, që ishte shejtani i cilësuar si armiku i njeriut, i cili luajti rolin kryesor për nxitjen në këtë mëkat. Këtë ngjarje Kur’ani e trajton nga këndvështrime të shumta në 7 sure[2] të ndryshme. Në çdonjërën nga këto sure njeriut i mundësohet të marrë shembuj dhe mësime të ndryshëm nga kjo ngjarje e emëruar ngjarja e krijimit.
Pasi e krijoi Ademin dhe bashkëshorten e tij Haven,[3] Allahu (xh.sh.) që të dytë i vendosi në Xhenet, duke ua tërhequr vërejtjen se çdo gjë në atë vend të mrekullueshëm ishte e lejuar për ta, përveç një pemë së cilës duhej t’u qëndronin larg, sepse përndryshe do të bëheshin mëkatarë apo gjynahqarë.[4] Kur’ani e tregon kështu ngjarjen e Ademit (a.s.) me mëkatin e tij: “Ndërsa Ademit i tha: “O Adem! Bano ti dhe bashkëshortja jote në Xhenet dhe hani ç’të dëshironi, por mos iu afroni kësaj peme, se bëheni keqbërës!” Djalli u pëshpëriti, për t’ua zbuluar pjesët e turpshme të mbuluara të trupit të tyre dhe u tha: “Zoti juaj jua ka ndaluar pemën, vetëm që të mos bëheni engjëj ose të pavdekshëm.” Dhe iu betua atyre (duke thënë): “Vërtet, Unë jam për ju këshillues i sinqertë!” Dhe i mashtroi me dinakërinë e tij. Pasi e shijuan frutin, atyre iu zbuluan vendet e turpshme dhe nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit dhe Zoti i tyre i thirri: “A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?” Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”. Allahu tha: “Zbritni! Ju do të jeni armiq me njëri-tjetrin. Në Tokë do të banoni dhe do të jetoni deri në një kohë të caktuar”.[5]
Ky ishte mëkati i parë i kryer nga njeriu i parë që ra në kurthin e shejtanit. Në shikim të parë kjo duket thjeshtë si një ngjarje historike që ndolli me krijimin e njeriut të parë. Mirëpo Kur’ani, përveçse që cek një ngjarjen historike, tregon urtësitë e kësaj ngjarjeje prej së cilës duhet marrim mësim, por po ashtu tërheq vërejtjen ndaj faktorëve të këtij gjynahut, mes të cilëve në rendë të parë qëndron armiku kryesor dhe i përbetuar i njeriut ishte dhe do mbetet shejtani.[6]
Krijimtaria e Njeriut Ndaj Mëkatit
Për nga natyrshmëria e tij njeriu është cilësuar si krijesa që harron. Ky cilësim mund të dëshmohet me rrjedhën e ngjarjes së Ademit dhe Havasë. Kjo sepse ata të dy harruan vërejtjen e Allahut dhe ranë në kurthin e shejtanit. Ata të dy e panë mëkatin e tyre pasi që e hëngrën pemën e ndaluar. Ashtu siç theksohet në ajetin e lartpërmendur, kur ata e shijuan pemën u zbulua vendi i tyre i turpshëm, arsye për të cilën filluan ta mbulojnë atë duke vënë gjethe mbi gjethe, të marra nga gjethet e pemëve të Xhenetiti. Zbulimi i vendturpit të tyre ishte edhe një lloj ndëshkimi i Allahut për ata të dy. Sepse pas këtij gabimi, Allahu iu drejtua atyre “A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?" [7]
Por, përsëri ngjarja rrodhi në favor të njeriut, sepse mençuria e njeriut u mbështet në rastin kur gabimin dhe mëkatin që kreu e mori mbi vete, duke e pranuar dhe duke kërkuar falje për atë që kishte vepruar para Allahut. Kështu që ata të dy thanë “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”.[8] Prandaj lutja që Ademi (a.s.) kishte bërë para Allahut për mëkatin e kryer mori vend në Kur’an dhe llogaritet si lutja e çmueshme dhe preferuar për njeriun që gabon apo përgjynahqarin. Themi se është lutja e preferuar sepse kjo lutja është një prej lutjeve të pranuara nga Allahu ndaj mëkatit të bërë nga Ademi dhe Havaja, me përgjigjen e dhenë nga vetë Allahu: Mandej Zoti i vet e bëri atë të zgjedhur, ia pranoi pendimin dhe e vuri në rrugën e drejtë (të vendosur)[9]. Nga ky ajeti mësojmë se Allahu, përveçse ua fali mëkatin Ademit dhe Havasë, ata i bëri prej robërve të zgjedhur të Tij.
Këto ishin themelet e para, ku filloi armiqësia ndërmjet njeriut dhe shejtanit. Allahu pasi ia fali Ademit dhe Havasë mëkatin, shejtani që nga atëherë vazhdoi të insistonte në intriga, mashtrime e kurthe të ndryshme vetëm e vetëm që ta zhyste njeriun në mëkate.
Pas këtij mëkati që bënë Ademi dhe Havaja, për shkak të qëndrimit të tyre fisnik pasoi edhe falja e tyre. Mirëpo, si përfundim i ngjarjes së krijimit dhe të mëkatit të parë, mund të ceket se për ta pasoi një jetë tjetër e mbushur me përpjekje të shumta dhe përballje me vështirësitë në tokë. Veç kësaj, ata do të duhet të ballafaqoheshin në të ardhmen me:
1. Fillimin e jetës në tokë.
2. Përpalljen me armikun (shejtanin).
3. Përpjekja për t’u përshtatur dhe mbijetuar në tokë.
Jeta e tyre filloi me ndryshime atëherë kur Allahu iu drejtua duke iu thënë: Zbritni në tokë, jeni armik të njëri-tjetrit. Urdhri “zbritni”, përveçse u drejtohet Ademit dhe Havasë, nënkupton po ashtu se i drejtohet edhe shejtanit dhe llojit të tij që janë xhindët. Të gjithë do të jetojnë në tokë deri në një kohë të caktuar, dhe që të gjithë do të jenë armiq të njëri-tjetrit. Por këtu nuk duhet kuptuar se të gjithë xhinët janë kundërshtarë ndaj njeriut, apo që të gjithë njerëzit janë kundërshtarë të xhinëve. Kundërshtarët e njeriut apo armiqtë e njeriut janë xhinët që bëjnë pjesë në grupin e shejtanit apo shejtanët.
Si përfundim i ngjarjes së krijimit dhe i qëndrimit ndaj mëkatit të parë, pa dyshim që duhet të theksohet edhe çështja e ndëshkimit për mëkatarin. Siç është vërejtur edhe nga ngjarja e lartpërmendur, mëkatari ndëshkohet sipas llojit të mëkatit, e përveç kësaj ndëshkohet vetëm mëkatari. Sipas parimeve Islame, si mëkati ashtu edhe ndëshkimi janë individuale e jo kolektive. Askush nuk ndëshkohet për mëkatin e tjetrit. “kushdo që bën diçka, punon për vete dhe askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit”.[10] Pranimi i lutjes së Ademit nga Allahu thjesht nënkupton se Ademi dhe Havaja ishin të parët që gabuan dhe u penduan. Për këtë shkak, po të kishte ndonjë ndëshkim për ta, ai do të ishte vetëm për ata të dy, jo edhe për pasardhësit e tyre. Po ashtu, ky parim i Islamit e përgënjeshtron ideologjinë krishtere në të cilën pohohet se Ademi ishte mëkatari i parë, kështu që edhe zemërimi i Allahut binte ndaj mëkatarit të parë, ndaj Ademit. Prandaj, sipas kësaj ideologjie, për shkak të mëkatit të Ademit, të gjithë fëmijët që do të lindin deri në Ditën e Kiametit janë mëkatarë. Që të gjithë do të vazhdojnë të jetojnë si mëkatarë, derisa sa të pagëzohen. Për këtë ideologji, sot praktikohet një ceremoni e veçantë për pagëzimin e fëmijës pas lindjes. Po ashtu, për shkak të këtij mëkatit që veproi Ademi, për të larë mëkatet e tij dhe për të shpaguar mëkatet e pasardhësve të tij u kryqëzua dhe u flijua Isa (a.s.) në vend të Ademit e gjithë të tjerëve.[11]. Kjo na bën të kuptojmë se sado mëkate që të bëjë gjithë secili deri në Ditën e Kiametit, do t’i falen për shkak kryqëzimit të Isait. Apo së paku kjo ideologji na bënë të kuptojmë se mëkatari nuk është i varur nga mëkati, nga vepra të tija, por është ndonjë tjetër ai që do të japë llogari apo do të ndëshkohet për mëkatin e tij.
Kjo ideologji bie ndesh plotësisht parimeve Islame dhe atyre logjike. Në radhë të parë nuk është aspak logjike që një fëmijë i porsalindur të bartë barrën e paraardhësit apo të përgjigjet për mëkatin e tjetrit. Prandaj, në lidhje me këtë, Muhamedi (a.s.) thotë:
Çdo fëmijë që lind, lind në natyrë të pastër, (fitreh) pastaj prindërit e bëjnë atë krishterë, çifut...[12] Islami këtë e përgënjeshtron plotësisht sepse “…askush nuk e merr të keqen e tjetërkujt. Ne nuk dënojmë asnjë popull, para se të çojmë të dërguar!”[13],“Asnjë gjynahqar nuk do t’i mbartë gjynahet e tjetrit”.[14]
_________________________
1. Süleyman Hayri Bola, “Adem”, DİA, I, 358.
2. Suret janë: Bekare, A’raf, Hixhr, İsra, Kehf, Taha, Sa’d.
3. Bakara, 2/30; Nisa, 4/1
4. Bakara, 2/35; A’raf, 7/19
5. A’raf, 7/19-24.
6. A’raf, 7/22; Yusuf, 12/5
7.A’raf, 7/22.
8. A’raf, 7/23.
9. Taha, 20/122; Bekare, 2/37.
10. En’am, 6/164
11. Süleyman Hayri Bola, “Adem”, DİA, I, 362.
12. Buhari, “Xhenâiz”, 23.
13. Isra, 17/15
14. Zumer, 39/7