Në Kur’anin fisnik thuhet:
“Ai është All-llahu që nuk ka zot tjetër përveç Tij, sundues i përgjithshëm, i pastër (prej të metave që mvishen – es-Selam)” (El Hashr, 23)
Emir i Bukur i Zotit “I pastër prej të metave” gjithashtu bën pjesë në Emrat të cilët përshkruajnë Qenjen Hyjnore të pa përshkruar, sikurse Emrat “All-llah”, ”er-Rrahman” dhe “el-Kuddus”. Për këtë nuk është e lejuar që krijesat të emërtohen me këtë emër.
Emrat “Selman” ose ”Sulejman” edhe pse janë me të njëjtën rrënje si Emri i Zotit “es-Selam” lejohet emërtimi i krijesave, sepse nuk janë fituar me të njëjtin derivim nga rrënja.
Vetëm All-llahu i Madhërishëm mund të titullohet si “es-Selam”, në çfarë tregon edhe veprimi i Pejgamberit a.s të cilin edhe ne e praktikojmë pas namazit.
Kur Pejgamberi a.s përfundonte namazin (pas selamit), thoshte tri herë “estagfirull-llah” dhe pastaj: “All-llahumme Entes-Selamu ve minkes-Selam, Tebarekte ja Dhel Xhelali vel ikram”. (Transmeton Thembani, shënon Muslimi, Ebu Davudi, Tërmidhiu, Nesai dhe Ibn Maxheh)
Dijetarët që merren me gjuhë, thonë që Emri “es-Selam” ka katër kuptime. Së pari ka kuptimin e njërit prej Emrave të Bukur të Zotit. Së dyti ka kuptimin e “tërësisë” (es-selama), gjegjësisht pa të meta (el-bera’minel ujub) së treti kuptimin e përshëndetjes “eselamu alejkum” (shpëtimi qoftë mbi ju). Së katërti “selam” është një lloj peme.
Në pikëpamje terminologjike, Emri i Zotit “es-Selam” ka dy kuptime. Së pari mund të përkthehet si “Ai i cili është pa të meta”. Kjo përshkruan Qenien Hyjnore të pa përshkruar (Datull-llah), të pastër nga çdo shtrembërim, të metë, të varur nga dikush.
Gjithashtu, Emri i Bukur, “es-Selam” mund të përkthehet si “Ai i cili jep siguri”, “Ai i cili jep shpëtim dhe paqe”, në bazë të versetit kuranor:
“All-llahu thërret për në shtëpinë e shpëtimit (xhenet) dhe atë që do e vë në rrugë të drejtë”. (Junus, 25)
Sipas mendimit të shumicës së komentuesve të Kur’anit, “Shtëpia e paqes” është Xheneti. Gjithashtu në Kur’anin fisnik thuhet:
“Ata e kanë vendin e shpëtimit (xhenetin) te Zoti i tyre, Ai është mbrojtës i tyre, për atë që ata vepruan”. (El En’amë, 127)
Qenia e All-llahut të Madhërishëm është e pastër nga mosekzistenca (adem). Gjithashtu, secila qenie do të përjetoj mosekzistencën relative – vdekjen (meut).
“Secili njeri do të shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja u plotësohen ditën e kiametit, e kush shmanget zjarrit e futet në xhenet, ai ka arritur shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues”. (Ali Imran, 185)
Vetëm All-llahu i Madhërishëm, është i pastër nga secila joekzistencë, qoftë ajo absolute (adem) qoftë relative (meut).
Sipas kuptimit gjuhësor dhe terminologjik të këtij Emri të Bukur të Zotit, dijetarët islam theksojmë tre kuptime themelore:
1. Ai i Cili është i pastër nga të metat mangësitë dhe nevojat.
2. Ai cili jep shpëtim (selamet) siç aludon verseti i Kur’anit fisnik:
“Kanë "Selam", thënie e Zotit mëshirues!” (Jasin, 58)
Këtu bëhet fjala për kuptimin e pastër gjuhësor të këtij Emri të Zotit.
3. Ai nga fuqia e të Cilit krijesat janë të mbrojtura. Këtu është fjala për vërejtjen e gjurmëve të manifestimit të Emrit të Zotit si veprues në botën e dukshme (alemush-shehade), pra bëhet fjalë për atributin veprues (si fatul fi’l).
All-llahu i Madhërishëm është shpëtimtar i secilit besimtar, secilit njeri. Por, besimtari duhet të besoj me bindje se shpëtimi i vetëm dhe i plotë është tek All-llahu i Madhërishëm. Për këtë, njeriu për shpëtim duhet lutur vetëm All-llahun e dashur.
Imam Kurtubiu thekson që shpëtimi për njeriun mund të jetë i kësaj bote dhe i ahiretit. Shpëtimi (selamet) në këtë botë mund të jetë i jashtëm (dhahir) dhe i brendshëm (batiu). Shpëtimi i jashtëm është shpëtim nga sëmundjet e ndryshme, vështirësitë dhe problemet e ndryshme me të cilat ballafaqohet njeriu në jetë.
Shpëtimi i brendshëm vërehet në shpëtimin nga mosbesimi (kufri) risitë (bid’at) dhe nga çdo imagjinim i All-llahut të Madhërishëm.
Shpëtimi në botën tjetër (Ahiret) është përfundimi i mirë i jetës së njeriut, rezultati i mirë në Ditën e Gjykimit hyrja në Xhenet dhe kënaqësia e pafund në shikimin e papërshkruar të bukurisë së Fytyrës së Zotit
All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik thotë:
“E kush ia dorëzon veten All-llahut duke qenë edhe punëmirë, ai është kapur për lidhjen më të sigurt dhe vetëm tek All-llahu është përfundimi i çështjeve”. (Lukman, 22)
All-llahu i Madhërishëm në këtë botë veçanërisht i donë evliat e Tij, robët e afërt të Tij. Në një lutje Pejgamberi s.a.v.s. në mes tjerash i lutet All-llahut të Madhërishëm:
“O Zoti im, më dhuro të jem në paqe (silm) me evliatë e Tu, ndërsa armik i armiqve Tu” . (Transmeton Ibn Abbasi, shënon Tirmidhiu)
Myslimani i vërtetë i cili është i bindur tërësisht ndaj All-llahut të dashur, paraqet paqe dhe siguri për çdo njeri. Muhammedi s.a.v.s. thotë: “Mysliman është ai nga gjuha dhe duart e të cilit myslimanët tjerë janë të sigurt, ndërsa muhaxhir (emigrant) është ai i cili largohet nga ajo që ka ndaluar All-llahu”. (Transmeton Abdullah ibn Amr, shënon Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu Nasai)
Ibn Abbasi thotë: “Emri i Bukur i Zotit “es-Selam” është një prej Emrave të Tij që e ka zbritur në Tokë, andaj shpërndajeni mes jush.”
Në bazë të kësaj Pejgamberi s,.a.v.s. ka thënë: “Nuk do të hyni në Xhennet përderisa nuk besoni, ndërsa nuk do të besoni përderisa nuk duheni. A dëshironi t’ju udhëzoj kah ajo të cilën po e vepruat do ta doni njëri tjetrin? Përhapeni selamin mes jush”. (Transmeton Ebu Hurejre, shënon Muslimi)
Transmetohet që Davudi a.s. i është lutur All-llahut të Madhërishëm që t’i dhuroj shpëtim të gjithë besimtarëve të kohës së tij. Kur All-llahu i Madhërishëm i dhuroi djalin e quajtur Sulejman, që d.m.th. “njeri-shpëtimtar” (rexhulus-selam), Sulejmani a.s. ishte gjykatës në mesin e popullit të tij, dyzet vjet. Gjykimet e tij ishin bekim i sinçert dhe shpëtim për atë popull.
Njeriu në zemrën e të cilit manifestohet All-llahu i Madhërishëm nëpërmjet Emrit të Tij “es-Selam”, ai së pari mundohet ta shpëtoj veten nga mosbesimi, dyshimi, mos falënderimi ndaj dhuntive të Zotit, mosdëgjimi, mosbindja etj.
Së dyti, ky person gjithmonë është i gatshëm të ndihmoj secilin, e njeh apo nuk e njeh. Në zemrën e tij nuk ka vend për hakmarrje, urrejtje, xhelozi dhe lakmi.
Njohja e vërtetë e këtij Emri (tehakkuk) është bindja që All-llahu i Madhërishëm është i pastër dhe mbi të gjithë ata që ia përshkruajnë, çoftë pabesimtarët, çoftë idhujtarët apo fantazia e njeriut.
Zbukurimi me shenjën e atributeve të këtij Emri të Zotit (kahal-luk), zhvillohet në dy mënyra: së pari personi pastron shpirtin e tij nga të gjitha të metat, së dyti pastron shpirtin e tij nga ndikimet e pasioneve të ulëta.
Transmetohet që një njeri e kishte përgojuar njeriun tjetër. Një njeri i urtë iu afrua duke e pyetur: “Më thuaj a ke luftuar kundër bizantinëve?” Ky iu përgjigj: “Jo” Pastaj e pyeti: “Atëherë si është e mundur që nga ti të janë të qetë armiqtë e fesë, ndërsa vëllai yt besimtar nuk është?”
Personi tek i cili në zemrën e tij manifestohet All-llahu i Madhërishëm me Emrin e Tij “es-Selam” i jep përparësi, të vjetrit i respekton sepse kohë më të gjatë kanë qenë në bindje ndaj All-llahut të Madhërishëm, por edhe me të rinjtë sepse më pak kohë kanë pasur për mëkate.
Imam Kushejriu tregon që personi i tillë më së miri e paraqet transmetimi të cilin e përcjell Katade, ndërsa e shënon Ebu Davudi: “A mundet dikush prej jush me qenë si Ebu Damdami? Ai kur dilte në mëngjes nga shtëpia thoshte: “O Zoti im, e kam ndarë tërë pasurinë time robërve të Tu.”
Personi tek i cili manifestohet Emri i Bukur “es-Selam” nuk lejon që në mendjen dhe zemrën e tij të mbisundojë epshi, urrejtja dhe zilia. Përkundrazi të gjitha këto i ka në bindje ndaj mendjes dhe zemrës së tij.
Personi në zemrën e të cilit reflektohet Emri i Zotit “es-Selam” është i qetë nga ngallëzimet dhe pëshpëritjet e shejtanit dhe xhinëve, si dhe nga sëmundjet tjera. Zemra e tij është plotësisht e pastër dhe e shëndosh (kalb selim), dhe është e përgatitur për takim me All-llahun e madhërishëm, siç aludon verseti i Kur’anit fisnik:
“(bën dobi) Vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë”. (Esh Shuara, 89)
Fejzullah ef. Ka thënë: “Kush e përmend këtë Emër të Zotit “es-Selam”, All-llahu do të shpëtoj në botët, dhe do t’i mbulohen të metat.”
Dr. Abdullah Halim Mahmud ka thënë: “Kush ia lexon këtë emër të sëmurit 121 herë, All-llahu do ta shëroj, ose do t’ia lehtësoj sëmundjen.”
Me këtë Emër lexohet edhe ajeti nga Kur’ani: Selamun Kaulen min Rabbin Rrahim.
Kush thotë për çdo ditë njëqind herë “Esselamu alejke ejjuhennebijju ve rahmetullah ve berekatuhu” nuk do të shijoj vuajtjet gjatë vdekjes, do t’i lehtësohet vdekja dhe All-llahu do ta ndaj nga vështirësitë.
All-llahu i dashur e di më së miri!
Përgatiti: Prim.dr.med.sc. Ali F.Iljazi