Në Kur'anin fisnik thuhet:
" Ai është All-llahu që nuk ka zot tjetër përveç Tij, sundues i përgjithshëm, i pastër (prej të metave që i mvishen), shpëtimtar (që i shpëton njerëzit prej ndëshkimit të padrejtë), sigurues (që i siguroi njerëzit me premtimin e vet dhe pejgamberët me mrekulli) mbikëqyrës (el-Muhejmin- që mbikëqyr dhe përcjell çdo send) ." (El Hashr, 23)
Me Emrin "el-Muhejmin", All-llahu i Madhërishëm thotë se Ai është që mbikëqyr, përcjell, kujdeset për të gjitha nevojat e njerëzve, robërve të Tij të sinqertë ju siguron qetësi, paqe, siguri, furnizim, ju mundëson lëvizje, ulje dhe shtrirje. Ai në çdo gjë vëzhgon (er-Rekib), Ai i cili ruan (el-Hafith), Ai i cili dëshmon (esh-Shahid).
"Në zemrën që gravurohet (emri) "Muhejmin" edhe shpirti dhe trupi do t'i shkëlqejnë me dritë". Në Kur'anin fisnik thuhet:" Ne edhe ty (Muhammed) ta zbritëm librin (Kur'anin) e vërtetë që është vërtetues i librave të mëparshëm dhe garantues i tyre. (mbikëqyrës-muhejminen alejhi)." (El Maide, 48)
All-llahu i Madhërishëm nga njeriu i parë në Tokë, Ademi a.s., njerëzve u shpalli Fletushka (Suhuf) dhe Libra (Kutub), në të cilat ishin udhëzim për të gjithë ata:"Në të gjitha këto, për atë që ka mendje të shëndoshë dhe që i ka vënë veshin me vëmendje, ka argumente"(Kaf, 37)
Në fund, All-llahu i Madhërishëm shpalli librin e fundit - Kur'anin fisnik, Muhammedit a.s. Në te janë të përmbledhura të gjitha të vërtetat, për të gjitha aspektet e jetës njerëzore. Kur'ani përmban atë që kanë përmbajtur shpalljet Hyjnore të mëparshme. Duke zbritur Kur'anin, shpalljen e fundit (edh-Dhikr), All-llahu i Madhërishëm japi premtim që Ai merr kujdesin për ruajtjen e autencitetit të Kur'anit:"Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur'anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij." (El Hixhr, 9)
Në këtë mënyrë, Kur'ani fisnik, mbikëqyr mbi tërë shpalljet Hyjnore, ai për ato është "el-Muhejmin".
Hafeni, Gazaliu, dr. Abdul Halim Mahmud pohojnë se ky Emër i Zotit "el-Muhejmin" përmendet edhe në Teurat, Librin e zbritur Musait a.s.
Robi i cili hapë zemrën e tij ndaj manifestimit të këtij Emri të Zotit, do të jetë i dobishëm jo vetëm për vete por edhe për njerëzit përreth dhe shoqërinë.
Pejgamberi a.s. pasi që arriti në Medine, me ndihmën e All-llahut, formoi shoqëri të shëndosh, të sigurt për njerëzit e pasur dhe të varfër, meshkuj e femra, musliman dhe jo musliman. Të gjithë kishin të drejtat e barabarta.
Lidhja me këtë Emër të Zotit (et'al-luk) bën që njeriu të besoj sinqerisht në pejgamberllëkun dhe misionin e Pejgamberit a.s.
Njohja e vërtet e këtij Emri të Zotit (tehak-kuk) shprehet nëpërmes dëshmisë së të gjitha gjërave, duke i vështruar dhe mbikëqyrur, mbrojtur dhe përkujdesur.
Zbukurimi me cilësitë e këtij Emri (tehal-luk) vërehet në atë, që personi është mbikëqyrës i veprave në këtë botë, dhe i pasuruar me urtësitë e Tij. Në Kur'an thuhet: "Dhe ashtu (sikur u udhëzuam në fenë islame) Ne u bëmë juve një popull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në ditën e gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush"(El Bekare, 143)
Imam Kushejriu thotë se sjellja e dijetarit të mirëfilltë (arif) të cilët e kanë njohë këtë Emër të Zotit, është që janë gjithnjë të turpshëm, në mënyrë konstante ndiejnë turp, sepse e dinë se All-llahu i Madhërishëm gjithmonë i vëzhgon.
Muhammedi a.s. në pyetjen ç'është ihsani u përgjigj: "Të adhurosh All-llahun, sikurse e sheh, sepse nëse ti nuk e sheh, Ai të sheh ty" (Transmeton Ebu Hurejre, shënon Buhariu)
Një herë Ibrahim ibn Edhemi fali namazin e natës. Pak ishte i lodhur dhe i zgjati këmbët. Atëherë një zë e thirri: "A kështu ulen mbretërit?!"
Imam Kushejriu transmeton që Ebu Muhammed el-Xheririu, njëri prej miqve të Xhunejd Bagdadiut, asnjëherë kur ishte në vetmi nuk i zgjaste këmbët. Thoshte: "Më mirë është të ruhet sjella (edebi) para All-llahut të Madhërishëm".
Vëmendja e përhershme ndaj afërsisë së All-llahut dhe ekspozimit të pandërprerë të shikimit të All-llahut quhet murakaba (kontemplacion) dhe ekzistojnë tri shkallë të kësaj.
• Kur njeriu është i vetëdijshëm për afërsinë e Zotit, duke ndier prezencën e All-llahut (hadret).
• Kur besimtari e di qartë dhe e ndien prezencën e Zotit.
• Janë personat në shkallë të lartë shpirtërore dhe asgjë nuk bëjnë me dëshirën e tyre. Në tërësi janë të kthyer kah Al-llahu i Madhërishëm dhe në çdo gjë presin urdhrin e Tij.
Imam Gazaliu thotë se secili rob është mbikëqyrës mbi brendinë e tij (agvar) dhe fshehtësitë e tij (esrar), përderisa nuk mbizotëron në gjendjen e tij (hal) dhe cilësitë të cilat e përshkruajnë (evsaf). Në këtë mënyrë njeriu bëhet "muhejmin" i zemrës së tij. Doktor Abdul Halim Mahmud thotë, se njeriu duke iu hapur manifestimit të Emrit të All-llahut "el-Muhejmin", do të fitoj ndihmën e All-llahut me të cilën do të përmirësoj zemrën e tij, gjendjen e tij, dhe gjithnjë do të ndiej frikë ndaj All-llahut të Madhërishëm sepse e di që Ai përherë e sheh.
H. Fejzullah ef. Ka thënë: "Ata që e lexojnë këtë Emër, do tu shkëlqej drita "në zemrat e tyre"
Dr. Abdul Halim Mahmud ka thënë: "Kush e lexon këtë Emër njëqind herë pasi të marrë abdest dhe falë namaz në vetmi pastaj të koncentrohesh, do të fitoj atë që dëshiron dhe do ti forcohet dritë në zemër. Kush e lexon këtë Emër njëqind herë pas jacisë, do të kuptoj çfarë ka qenë me botën para se të ekzistoj, sepse ky është njëri prej Emrave për njohuri (esmaul-ihata), nëpërmes zbulimit (keshf).
All-llahu i Dashur e di më së miri!
Përgatiti: Prim.dr.med.sc. Ali F.Iljazi