Të rinjtë në përballje me sfidat e kohës

Realiteti i sotëm na përball me sfida nga më të ndryshmet, ne vorbullën e te cilave bëjmë pjese secili prej nesh, por gjenerata me e prekshme është ajo e te rinjve.

Zhvillimet e vrullshme ekonomike, sociale, teknologjike na vene përpara disa përgjegjësive mjaft te mëdha, të cilat në detyrën si prind dhe mësues, na ftojnë të kuptojmë sfidat e realitetit të sotëm, si dhe t'i nxisim fëmijët tanë drejt së ardhmes së tyre me një përkushtim e vetëbesim.
Një shprehje e pedagogut të njohur Hamit Beqja thotë: "... personaliteti njerëzor formohet dhe afirmohet në jete si një dukuri shumë e pasur dhe shumë e ndërlikuar shumëfaktorësh, shumëkohësh, shumëvlerëshe e polivalente..."
Shoqëria, shkolla dhe familja janë faktorë me shumë rëndësi për edukimin e mirë të fëmijëve. Është shumë e rëndësishme të krijohet një koncept më i qartë rreth partneritetit mësues-nxënës-prindër, që ka si synim kryesor përparimin e të rinjve dhe përgatitjen e tyre sa më të mirë për t'u përballur me sfidat e shumta që u dalin përpara.
Por, cilat janë disa nga sfidat, me të cilat përballen të rinjtë tanë?

Së pari - shkollimi, një temë mjaft e ndjeshme mes prindërve dhe vetë fëmijëve. Përmes shkollës, thellohen dijet për botën që na rrethon dhe njëkohësisht formohet personaliteti.
- Sa te rinj kanë dëshirë të mësojnë sot, e aq me tepër, të interesohen për perspektivën e tyre?
- Sa te rinj kërkojnë përballjen me sfidën e botes akademike?
- Sa te rinj e vlerësojnë shkollimin?

Së dyti – vetëbesimi është një hallkë kyçe, drejt së cilës çdo i ri duhet të kërkojë të arrijë të bëhet i vlefshëm në shoqëri.
"Vetëvlerësimi është të rimesuarit për të menduar në mënyrë afektive për veten. Ai përbën një aftësi që mund të fitohet, të paktë janë ata që e zotërojnë natyrshëm."(1)
Një mungesë vetëbesimi çon në aftësi të kufizuara biseduese dhe ankth social. Ndrojtja mund të bëhet armiku me i keq i fëmijës, duke vepruar në mënyrë instinktive e të pamatur, duke krijuar një hendek mes ndërgjegjësimit dhe pasigurisë e, për rrjedhojë, mosbesim te vetja e tyre. Atëherë, le t’i vlerësojmë fëmijët tanë e t'i bëjmë të jene vetëbesues e madje vendimmarrës.

Së treti - zgjedhja e degës në universitet është një tjetër sfidë me të cilën përballen të rinjtë sot. Zgjedhja e profesionit fillon me dëshirën që ata kanë pas përfundimit të maturës. Në këtë sfidë, një rol të rëndësishëm luan prindi, por sa mundet prindi të ndihmojë fëmijën e tij? A duhet të influencojë në zgjedhjet e tij?
Prindi i sotëm është dhe s'është i informuar me ndryshimet e vrullshme të kurrikulave a kritereve, të cilat, si "të vështira" për t'u kuptuar, i kushtëzojnë prindërit të jenë konfuzë dhe në të shumtën e rasteve, të priren drejt Degëve të Mëdha, e jo drejt prirjes së fëmijës. I riu nga ana tjetër, ndikohet edhe nga përzgjedhjet e shoqërisë, duke mos kërkuar prirjen e tij... apo një përballje sfide me vetveten.
- Sa të rinj pyesin veten: A jam i afte të konkurroj, të fitoj dhe të realizoj ëndrrën time?
- Sa janë realisht të qartë për perspektiven e profesionit, ku dëshirojnë të ushtrojnë dijet e tyre profesionale?

Së katërti - diplomimi dhe studimet pasuniversitare, një sfidë tjetër që e ngushton ose e zgjeron marrëdhënien prind- fëmijë. Kjo përballje e re e bën të riun ose ambicioz, ose indiferent. Në rastin e parë kemi një të ri (i cili është i qartë në rrugën e ndërmarrë dhe kërkon me çdo kusht të arrije për plotësimin e kritereve të veta. Në rastin e dyte, ku bëjnë pjesë shumica e të rinjve, duke arritur në shkallët e universitetit mendojnë se ato ngjiten vetë. Kjo i bën ato të çalë në rrugëtimin e tyre akademik dhe për rrjedhoje, të sfiduar nga realiteti i sotëm, i cili kërkon njerëz punëtorë, të aftë dhe kërkues të vazhdueshëm.
Modeli i një të riu në përballje me sfidat e realitetit të sotëm, është sa kompleks, aq edhe një realitet i brishtë, ku herë - herë modelet e përzgjedhura nga vetë ata ... nuk janë prindërit, por shoqëria. Kompleksiteti qëndron pikërisht në përballjen e tyre me sfidat e kohës: provimet e maturës shtetërore, përzgjedhja e degës së studimit, diplomimi, studimet pasuniversitare, punësimi etj., sfida këto jo të lehta për çdo njeri.
Pyetjet e shtruara më sipër, në lidhje me sfidat me të cilat përballen të rinjtë sot, janë pyetje të cilat kërkojnë përgjigje të një serë pyetjeve të tjera: Sa?, Si?, Pse?, të cilat kërkojnë informim të mirë, ndërgjegjësim të të riut, si dhe shumë përgjegjësi për të qenë në kërkim të shfaqjes së dijeve të tij, të marra në vite të shumta shkollimi, si dhe një angazhim për të kërkuar një të ardhme të sigurt për veten e tyre, duke u bere individë të dobishëm e të vlefshëm për shoqërinë.
Vetvetiu, përgjigjja e pyetjeve të mësipërme qëndron në binomin Formim-Vlerësim, të një procesi të mësuari, i cili zgjat gjatë gjithë jetës së njeriut.


1. Gëzim Dibra, Vetëvlerësimi i ulet dhe pasojat psikologjie te njerëzit,
Buletin Shkencor, nr. 58., Shkodër, 2008, f. 101.



Valjeta Bajraktari