Lidhja e njeriut me atdheun dhe vendin e tij është një çështje e rrënjosur thellë në shpirt. Atdheu është vendlindja, është vendi i jetës, vendi i adhurimit, vendi i pasurisë dhe mallit, vendi i krenarisë; aty jeton, aty Allahun e adhuron, prej të mirave të tij jeton, nga uji i Tij etjen e shuan, vatani, me një fjalë, është dhunti e Allahut për individin dhe shoqërinë([1]).
Domethënia e fjalës Vatan dhe sinonimeve të saja
Fjala Vatan, edhe pse e huazuar nga turqishtja në shqipe, në të vërtetë ajo ka origjinë arabe. Sinonimi i saj në gjuhën tonë janë fjalët “Atdhe”, “Mëmëdhe”, etj.
Marrë në përgjithësi, kuptimi i saj, jo në gjuhën shqipe[2] por nga gjuhët prej të cilave buron, në këtë rast arabishtes[3], doemos, nuk përkufizohet vetëm në vendin ku ke lindur a ku jeton. Ajo si term është me gjithëpërfshirëse, kuptim ky që njeriun e bën më njerëzor, më human, më zemërgjerë, gjë që plotësisht përputhet me Islamin[4].
Nga këtu, gjuhëtare dhe juristë islam, kur flasin për Vatanin, e përcjellin atë edhe me mbiemër, sipas të cilit ia japin kuptimin. Kështu, Xhurxhani, fjalën Vatan e ka shpjeguar nga dy këndvështrime kohore:
1. Vatani amtar (indigjen, i lindjes, arab. el-vatan el-aslijj), është vendi ku ka lindur njeriu dhe vendi ku banon-jeton në të.
2. Vatani i përkohshëm (vatanu’l ikameh) është vendi ku njeriu qëndron aty 15 ditë apo edhe më shumë por pa vendosur që të banoj-jetoj në të([5]).
Një sqarim të tillë kanë dhënë edhe disa juristë, të cilët pas kuptimit që i japin Vatanit, e qe sipas tyre është „Vendi i qëndrimit“, sqarojnë se Vatani është disa lloje:
1. Vatan amtar-autokton (Native country) është vendi në të cilin njeriu ka lindur apo vendi në të cilin jeton përgjithmonë.
2. Vatani i qëndrimit-atdhe (Fatherland, point of origin) është vendi në të cilin njeriu qëndron kohë të gjatë që nuk i lejohet shkurtimi i namazit (nuk vlejnë për të lehtësimet juridike për udhëtarin) por je me qëllim të qëndrimit të përhershëm.
3. Vatan i banimit është vendi ku njeriut i lejohet shkurtimi i namazit (dhe lehtësimet tjera juridike fetare për të)([6]).
Me gjithë këto sqarime, duhet pranuar se Vatani apo Atdheu në praktikën e njerëzve dhe terminologjinë e tyre është definuar si: Territori gjeografik të cilit i përket njeriut dhe te cilin e kanë zgjedhur për banim stërgjyshërit e tij…([7])
Dashuria për vatan është instinkt në njeriun
Njeriu është i krijuar që të dojë disa gjëra dhe favorizojë më shumë se të tjerat. Ai e do pasurinë, fëmijët, familjen, të afërmit, shokët, dhe në mesin e shumë gjerave tjera ai e do edhe vatanin e tij. Dashuria për vatan është instinkt i mbjellur në shpirtra, i cili e bën të qete njeriun kur qëndron në të dhe mallëngjehet për të kur është jashtë dhe larg tij. Nëse sulmohet e mbron, nëse përbuzet hidhërohet….
Sado që njeriu të dëshirojë të largohet prej tij dëshira për kthim mbetet përherë e varur në kujtesën e tij. Mu për këtë Ismeiu përmend Hindin të ketë thënë: Tri tipare gjenden tek tri lloje krijesash:
1. Deveja mallëngjehet për vendin e saj edhe nëse ka qëndruar larg tij kohë të gjate.
2. Zogjtë mallëngjehen për foletë e tyre edhe nëse atje është thatësirë e nuk ka ushqim, dhe
3. Njeriu për vatanin e tij edhe nëse tjetri i sjell më shumë dobi([8]).
Këtë instinkt e kishte të mbjellur edhe krijesa më e mirë, Muhammedi, alejhi’s selam, i cili me rastin e migrimit nga Mekkeja në Medinë kishte kthyer kokën edhe njëherë dhe kishte shikuar Mekken e kishte thënë:
“Sa vend i bukur që je, sa e dashur më je! Sikur populli yt të mos më nxirrnin me dhunë prej teje, kurrë nuk do të kisha banuar diku tjetër”. ([9])
Edhe Allahu e ka përshkruar këtë në kaptinën et-Teube, 40:
„Në mos e ndihmofshi atë (Pejgamberin), atë e ka ndihmuar All-llahu; kur ata që nuk besuan e nxorën atë vetë të dytin; kur që të dy ishin në shpellë, kur po i thoshte shokut të vet: "Mos u pikëllo (friko), All-llahu është me ne!"...“.
Mu për këtë, Allahu ka dalluar me shpërblim mekkasit muslimanë, të cilët për hir të Allahut flijuan pasuritë, atdheun dhe çdo gjë që kishin. Thotë Allahu:
„(Ajo pronë) U takon muhaxhirëve të varfër, të cilët u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe prej pasurisë së tyre, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë prej All-llahut, dhe që ndihmojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij, të tillët janë ata të sinqertit“. (el-Hashr, 8)
Dashuria për vendlindje edhe tek profetët tjerë. Allahu përkitazi me Musain, alejhi’s selam thotë:
“E kur Musai e kreu afatin dhe udhëtoi me familjen e vet, e vërejti kah ana e Turit një zjarr, e familjes së vet i tha: "Rrini këtu, unë kam vërejtur një zjarr, ndoshta do t'ju sjell nga ai ndonjë lajm ose ndonjë urë nga zjarri që të ngroheni”. (el-Kasas, 29)
Ka thënë Ibnu’l Arebiu në “Ahkamu’l Kur’an”: “Kanë thënë dijetarët tanë: Kur Musai e përmbushi kontratën, kërkoi të kthehej tek familja. Ishte mallëngjyer për vatan...”.
Se kjo është mbjellur në shpirtin e njeriut vërtetojnë edhe tekste tjera fetare, siç është ky në vijim, që bën me dije se toka është e dhimbshme për njeriun sa është edhe vet jeta e tij. Thotë Allahu:
„Sikur t'i kishim obliguar ata: mbytni vetveten tuaj, apo: dilni prej atdheut tuaj, atë (obligim) nuk do ta zbatonin, me përjashtim të një pakice prej tyre...“. (en-Nisa, 66)
Buhariu përmend se kur Muhammedit, alejhi’s selam i tha Verek b. Neufel në çastet e para të pejgamberllëkut se populli yt do të largojnë, ai, alejhi’s selam, i çuditur pyeti:
“Pse, a do të më nxjerrin me forcë ?”.
Vereka ia ktheu:
“Po, nuk ka ardhë asnjë njeri me këtë që erdhe ti e të mos jetë persekutuar. Nëse më zë dita jote, do të ndihmoj...”.
Ka thënë Suhejliu: Nga ky hadith përfitohet mësimi se ndarja nga vatani është shumë e rëndë ngase kur Muhammedit, alejhi’s selam i tha Vereka se do të keqtrajtohesh, përgënjeshtrohesh e persekutohesh, ai nuk u bezdis shumë por kur ia përmendi largimin nga atdheu, shpirti i tij lëvizi për dashurinë që kishte për vatan dhe tha: Pse a do të më nxjerrin me dhunë prej tij?!
Vatani na përkujton vatanin e përhershëm
Sa here që flasim për vatan dhe mallëngjimin për të, doemos, në mendje na sillet vatani jonë i parë: Xhenneti. Xhenneti është vatani jonë kryesor. Ka thënë Fudejl b. Ijjadi:
“Besimtari në dunja është i brengosur, i pikëlluar. Brenga e tij është si të pajiset me gjëra që i bëjnë dobi kur të kthehet. Prej kur Allahu i Madhëruar e krijoi Ademin, alejhi’s selam dhe e vendosi atë me gruan e tij në Xhennet, për t’i nxjerrë më pas nga aty, iu premtoi se do t’i kthejë prapë në atë vend ata dhe pasardhësit e mirë të tyre. Besimtari përjetë mallëngjehet për vatanin e tij të parë dhe dashuria për vatan është pjesë e besimit”.
Ka thënë Ibnu’l Kajjimi në një poezi të tij:
Eja në Xhenetet Adën
Shtëpitë tua të para, aty ka tenda
Por ne jemi pengje të armikut, a thua vallë
Kthehemi ne vendet tona dhe shpëtojmë
Kështu bukur reciton edhe Ebu Temami:
Barte zemrën tënde ku të duash nëpër hava
Ngase dashuria nuk është vetëm se për të dashurin e parë
Sa shtëpitë i gjen të dashura në tokë njeriu
Por mallëngjimi është për shtëpinë e parë
Ndoshta këtu qëndron sekreti i porosisë së Aliut, Allahu qoftë i kënaqur me të:
“Dynjaja është nisur për të shkuar ndërsa Ahireti për të ardhur. Çdonjëra prej tyre ka ithtarë. Ju bëhuni ithtarë të ahiretit e jo të dynjasë ngase sot punoni pa dhënë llogari ndërsa nesër llogariteni pa mos patur mundësi të punoni më”.
Omer b. Abdu’l Azizi në një hutbe të tij në mes tjerash duke porositur që të mos mashtrohemi me dynjanë kishte thënë:
“… Pajisni ngase pajisja më e mirë është devotshmëria. Nëse dynjaja nuk është vendqëndrim i besimtarit, as atdhe, atëherë gjendja e tij në të duhet të jetë ose:
1. Sikur një i huaj në një vend me qëndrim të përhershëm, ose
2. Sikur një udhëtar që qëndron përkohësisht dhe tërë interesimi i tij është për furnizime sa më të shumta për tu kthyer në vendin e vet. Ai dite e natë ec që të kthehet ne vendqëndrimin e tij (të përhershëm).
Mu për këtë, porosia e Pejgamberit, alejhi’s selam dhënë Ibni Omerit ishte e fokusuar ne këto dy opsione”.
Kjo porosia e Muhammedit, alejhi’s selam ishte:
“Bëhu në dunja sikur je i huaj apo udhëtarë”. (Buhariu)
Si të mos mallëngjehemi për Xhennet kur bukuritë e tij janë të papërshkruara. Thotë Allahu:
“Pra, për ata që kanë vepruar, nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim”. (es-Sexhde, 17)
Po ashtu thotë:
“…dhe ishin muslimanë. 70. Hyni në xhennet, ju dhe gratë tuaja, të gëzuar! 71. Atyre u shërbejnë me enë e gastare nga ari, aty do të kenë çka t'u dëshirojë shpirti dhe t'u kënaqet syri. Ju do të jeni aty përgjithmonë. 72. E ky është xhenneti që u është dhënë për atë që keni punuar. 73. Aty keni shumë pemë prej të cilave do të hani”. (ez-Zuhruf, 69-73)
Ndërsa Pejgamberi, alejhi’s selam, ka thënë:
“Vërtetë, në Xhennet, është një pemë, hijen e së cilës nuk mund ta përshkojë kalorësi për njëqind vite”. (Buhariu)
“Kur të hyjnë banorët e Xhennetit në Xhennet thërret një thirrës: Ju do të jetoni përgjithmonë dhe nuk do të vdisni kurrë. Ju do të jeni të shëndoshë përherë dhe nuk do të sëmureni kurrë. Ju do të jeni përherë të rinj dhe nuk do të mplakeni kurrë. Ju do të begatoheni përherë dhe nuk do të ndiheni keq për asgjë asnjëherë”[10].
Kurbeti i vërtetë
Nëse Vatan i vërtetë qenka Xhenneti atëherë kurbet i vërtetë dhe i hidhur është vetëm Xhehennemi. Ndryshe, nëse njeriu merr udhën e kurbetit për fitim të bukës apo mësim, Allahu e ruan dhe e llogarit në mesin e dëshmorëve. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
„...Kush niset rrugës së fitimit të diturisë, All-llahu (për atë) do t'ia lehtësojë rrugën deri në Xhennet....“.
Sa bukur e përshkruan Allahu dynjanë e cila largon njerëzit nga vatani i vërtetë dhe i shpie në humnerën e kurbetit të hidhur.
Thotë Allahu i Madhëruar:
„Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër vetëm se një përjetim e mashtrim. S'ka dyshim se bota tjetër është më e dobishmja për ata që ruhen. A nuk logjikoni?“. (el-En’am, 32)
„Ju njerëz dijeni se jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve, e që është si shembull i një shiu prej të cilit bima i habit bujqit, e pastaj ajo thahet dhe e sheh atë të verdhë, mandej bëhet e thyer, e llomitur, e në botën tjetër është dënimi i rëndë, por edhe falje mëkatesh dhe dhurim i kënaqësisë nga All-llahu; pra jeta e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se përjetim mashtrues“. (el-Hadid, 20)
Megjithatë...
Hadithi i shumëpërfolur nga shumëkush se:
„Dashuria për atdheun është pjesë e besimit“
...është i shpifur.
Ka thënë Albani në es-Silsiletu’d daifah, 1/110: Ky hadith është i shpifur. Domethënia e tij nuk është e drejtë –shton Albani- ngase dashuria për vatan është sikurse dashuria për vetvete, pasurinë, e të ngjashme, gjëra instinkte në njeriun që as nuk lëvdohet për dashurinë e tyre por as nuk janë domosdoshmëri të besimit-imanit. A nuk sheh se si të gjithë njerëzit, besimtarë e pabesimtarë, janë bashkëpjesëmarrës në këtë dashuri?
Edhe San’ani e ka cilësuar të fabrikuar dhe apokrif. Por ajo që e bën të dallojë nga Albani është se ky i fundit hadithin të shpifur e konsideron vetëm në bazë të tekstit dhe senedit të tij të pa transmetuar nga Pejgamberi, alejhi’s selam, ndryshe, domethënia -sipas tij- është e vërtetë, edhe pse el-Kariu e ka kundërshtuar dhe është munduar t’i jap një koment kësaj fjale([11]).
Islami dhe vatani
Nëse dashuria për vatanin është instinkt në njeriun, Islami ka ardhur me parime e norma për kontrollimin dhe përcaktimin e fushës së tij që gjithnjë të jetë transparente([12]). Ibrahimi, alejhi’s selam kur e solli familjen e tij në Mekke, edhe pse vet nuk qëndroi në të, e luti Allahun që ai vend të jetë i bekuar. Po kështu e luti edhe për vendin ku qëndronte vet. Thotë Allahu duke përshkruar lutjet e tij:
„Dhe kur Ibrahimi tha: "Zoti im, bëje këtë një qytet sigurie dhe banorët e tij, që besuan All-llahun dhe jetën tjetër, furnizoi me lloje të frutave"! Ai (All-llahu) tha: "(E furnizoj) Edhe atij që nuk besoi do t'ia mundësoj shfrytëzimin e frutave për një kohë të shkurtër, e pastaj do ta shtyejë në dënimin e zjarrit, e sa përfundim i shëmtuar është ai“. (el-Bekare, 126)
„(Përkujto) Kur Ibrahimi tha: "Zoti im! Bëje këtë qytet të sigurt dhe më mbro mua e bijtë e mi nga adhurimi i idhujve (statuja gurësh)“. (Ibrahim, 35)
Përmendëm më herët dashurinë e Muhammedit, alejhi’s selam për Mekken e Nderuar. Ai pas vendosjes së tij në Medinë, ecte hapave të Ibrahimit, alejhi’s selam, kështu që tërë kontributin e tij e kishte përqendruar në të. E luste Allahun që ta pajisë me dashuri për të siç qëndron tek Buhariu:
“O Allahu ynë! Na e bë Medinën të dashur ashtu siç e duam Mekken, apo edhe më shumë”.
Pejgamberi, alejhi’s selam u lut për Medinën që Allahu ta bekojë dhe ta furnizojë me të mira ashtu siç u lut për Mekken Ibrahimi, alejhi’s selam. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
"Ibrahimi e ka shenjtëruar Mekken dhe e ka siguruar atë ndërsa unë e kam shenjtëruar Medinën kështu që çdo gjë, që është në mes dy vijave (harr'rreve në lindje dhe perëndim) nuk lejohet as të trembet gjahu dhe as të priten ferrat". (Muslimi)
Pejgamberi, alejhi’s selam aq shumë e donte Medinën saqë kur dilte për ndonjë luftë apo udhëtim mallëngjehej për të. Buhariu transmeton nga Enesi se:
Kur Muhammedi, alejhi’s selam kthehej prej ndonjë udhëtimi dhe afrohej afër Medinës saqë shihte rrugët, pemët apo muret e saj, e nxitonte devenë, nëse ishte duke udhëtuar me të apo lëvizte kafshën (mushkë ose kali nëse ishte me të)”.
Harith b. Umejri përmend nga Humejdi shtesën:
E lëvizte nga dashuria që ndiente për të”.
Ka thënë Ibni Haxheri ne El-Fet’h, Ajniu në Umdetu’l karii dhe el-Mubarek Fevri në Tuhfetu’l ahvedhijj se në këtë hadith ka dëshmi për vlerën e Medinës dhe dëshmi për ligjësimin e dashurisë për vatan dhe mallëngjim për të.
Se sa e donte Medinën tregon edhe ky rast, i rrëfyer nga Enesi se derisa Muhammedi, alejhi’s selam po kthehej nga Hajberi dhe e pa Medinën, shikoi kah kodra Uhud dhe tha:
„Kjo është një kodër që na do dhe e duam“. (Buhariu dhe Muslimi)
Si rezultat i këtyre teksteve fetare, vizioni islam për vatanin është jashtë çdo ndikimi racor. Vatanizmi në Islam d.t.th.: dashuria e individit për atdheun dhe vendin e tij si dhe përmbushja e obligimeve dhe detyrave të ligjshme karshi tij…Vatanizmin që Islami e refuzon është ai racor, grupor, i cili ummetin dëshiron ta ndajë në grupe të dobëta, që urrejnë njëra tjetrën dhe shajnë e fyejnë në vend se të ndihmohen e përkrahen. Vatanizmi, që përcakton largimin e fesë nga radhët e tij, duhet urryer. Dashuria për vatanin do të duhej personifikuar në përpjekjet serioze për përhapjen e besimit të vërtetë në mesin e shoqërisë, zhdukjes së shkaqeve që shpijnë në amoralitet, lidhja e vërtetë në mes pjesëtarëve të shtetit duke flakur shkaqet e ndarjes e përçarjes, ruajtjen dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve.
Nga këtu kanë lindur divergjenca tek dijetarët përkitazi me vatanin dhe dashurinë për të. Ata që e lejojnë, e marrin me këtë kuptim që përmendëm. Kurse të tjerët e kuptojnë ndryshe dhe e refuzojnë. Arsyeja e këtij refuzimi është përvoja e hidhur me partitë dhe lëvizjet nacionale apo popullore në vendet e tyre, të cilat kombit ia dhanë vendin e fesë ndërsa fenë e mohuan tërësisht.
Vatanizmi në mes përkrahjes dhe urrejtjes
Ekzistojnë grupe njerëzish që favorizojnë dhe urrejnë vatanizmin. Domethënia dhe perceptimi i vatanit tek ata nuk është i njëjtë.
- Ka njerëz që vatanin e shenjtërojnë; duan për hire të tij dhe urrejnë për hire të tij. Me një fjalë, atij i japin më shumë përparësi se sa fesë saqë lidhja vatanore zëvendëson atë fetare.
- Të tjerë ka që vatanin e mendojnë si një dogmë, ide, program që bie ndesh me fenë. Këta nuk dinë se cilat janë të drejtat e vatanit dhe obligimet e tyre karshi tij, madje disa posa të dëgjojnë këtë fjalë ikin dhe nuk duan ta dëgjojnë e lëre më t’i dinë të drejtat e vatanit dhe obligimet e tyre karshi tij.
- Ka të tjerë që janë munduar të gjejnë një rrugë mesatare, si Dr. Jusuf Kardavi, etj.
„Bashkëpjesëmarrja në vatan përcakton një lloj lidhjeje në mes të atyre shtetasve, të cilën mund ta quajmë „vëllazëri vatani“ ngase çdo shtetas është vëlla i tjetrit. Kjo vëllazëri, rrjedhimisht, përcakton ndihmën, përkrahjen dhe solidarizimin ndemjet vete([13])”- pohon Kardavi, gjë për të cilën nuk ka pajtimin e te gjithëve. Disa mendojnë se çdo vëllazëri jashtë vëllazërisë islame është e refuzuar.
I tërë problemi, sipas asaj që perceptova nga qëndrimet dhe argumentimet e tyre, qëndron në keqkuptimin e qëllimeve të njëri tjetrit. Derisa njëra palë synon afërsinë biologjike dhe nuk mohon atë fetare, të cilën madje edhe e favorizon më shumë se këtë të parën, e dyta përkufizohet vetëm në vëllazërinë në baza të lidhjes së besimit.
Dr. Kardavi ka bërë një analizë të thukte dhe shumë të kapshme, që të tjerët ndoshta ia refuzojnë por lexojeni së pari e pastaj gjykoni. „Ne besojmë në një vëllazëri të tillë (në baza fetare), e shohim se është vëllazëria më e sinqertë, sidomos pas realitetit të saj në jetën e sahabeve dhe gjeneratave të para, e dimë se ka tejkaluar në sukses vëllazërinë në baza gjaku,...por themi se kjo vëllazëri nuk ndalon që të ketë edhe vëllazëri në baza tjera, si: ajo kombëtare, njerëzore, etj“ – sqaron Kardavi. Argument për këtë([14]), merr ajetet kur’anore:
„105. Edhe populli i Nuhut gënjeu të dërguarit. 106. Kur vëllai i tyre (nga gjaku), Nuhu u tha: "A nuk jeni kah frikësoheni?“. (esh-Shuara, 106)
„Edhe populli Ad nuk i besoi të dërguarit. 124. Kur vëllai i tyre, Hudi u tha: "A nuk frikësoheni?“. (esh-Shuara, 123-124)
„Edhe kabilja Themud nuk i besoi të dërguarit. 142. Kur vëllai i tyre, Salihu u tha: "A nuk frikësoheni?“. (esh-Shuara, 141-142)
„Populli i Lutit të dërguarit i konsideroi gënjeshtarë. 161. Kur vëllai i tyre, Luti i tha: "A nuk i frikësoheni (All-llahut)?“. (esh-Shuara, 160-161)
Të gjithë këta njerëz përgënjeshtruan dhe nuk besuan në këta profetë, d.t.th.: e shkatërruan vëllazërinë fetare, por megjithëkëtë, Kur’ani lidhjet e tyre me profetët e tyre i quajti vëllazërore. Pame në ajete tek përdorej shprehja „Iu tha vëllai i tyre“, dhe kjo jo për tjetër përveç për faktin se ai vinte prej mesit të tyre. Një gjë që vërteton këtë është se në këtë sure ngjashëm me këta pejgamberë është folur edhe për Shuajbin vetëm se për të nuk është përmendur shprehja „vëlla“ fare. Para se të shohim urtësinë e kësaj të lexojmë së bashku ajetet kur’anore përkatëse:
„Edhe populli i Ejkës të dërguarit i konsideronin gënjeshtarë. 177. Kur Shuajbi atyre u tha: "A nuk ruheni?“. (esh-Shuara, 176-177)
Urtësia se përse Allahu nuk e quajti Shuajbin vëlla të këtij populli qëndron në faktin se Shuajbi, alejhi’s selam, nuk ishte banor i atyre trevave, ishte i huaj për ta; ata ishin banorë të Ejkeh-s ndërsa Shuajbi, alejhi’s selam, ishte nga Medjeni. Mu për këtë, Allahu në kaptinën el-A’rafë kur përmend Shuajbin, alejhi’s selam dhe misionin e tij tek medjenasit e quan atë vëlla të tyre([15]). Thotë Allahu:
„E në Medjen (dërguam) vëllain e tyre Shuajbin...“[16].
Ndërsa të tjerët, që në njëfarë forme i përkrah edhe Dr. Kardavi, mendojnë se ajo duhet refuzuar apriori([17]). Po them i përkrah edhe Kardavi ngase edhe ai refuzon një fanatizëm dhe largim prej parimit fetar siç përshkruan vatanizmin grupi tjetër[18]. Ky tabor vatanizmin e sheh si pjellë e zbehjes së rolit të kishës në Evropë dhe përpjekjes së filozofëve e mendimtarëve që alternativë tjetër, në vend të lidhjes fetare, ta caktojnë këtë. Këta vatanizmin e shohin si rezultat i një sërë procesesh. Pas rënies se kishës, marrëdhëniet në mes liderëve dhe popullit u përcaktuan me një mori rregullash, kanunesh dhe ligjesh të vena nga filozofë e mendimtarë, për të lindur më pas të drejtat e qytetarit-shtetasit (vatandashit)([19]).
Depërtimin e kësaj ideje në shtetet islame e shohin nëpërmjet muslimanëve që janë ushqyer, zhvilluar e rritur me kulturë joislame dhe jofetare. Argumentet e tyre përkitazi me këtë janë:
„S'ka dyshim se besimtarët janë vëllezër...“. (el-Huxhurat, 10)
„...dhe ashtu me dhuntinë e Tij aguat të jeni vëllezër...“. (Ali Imran, 103)
„Muslimani është vëlla i muslimanit“. Muslimi.
Refuzimin e tyre e arsyetojnë edhe me gjurmë negative që jep kjo dukuri, prej të cilave numëruan:
a) Miqësia dhe armiqësia nuk bëhet sipas parimeve fetare por sipas parimeve të vëna nga njeriu, që si pjellë e saj ka lindur edhe maksima famëkeqe: Feja është e Allahut ndërsa vatani i të gjithëve! Madje disa këtë teori e përforcojnë edhe me hadithe të shpifura, siç është ai: „Dashuria për vatanin është pjese e besimit“, siç kemi përmendur edhe në lartë e tij.
b) Botëkuptimi i vatanizmit shpie në nxitjen e urrejtjes dhe mërisë ndërmjet njerëzve. Fanatizmi kombëtar shpie në shkatërrime e luftëra, siç kemi parë e dëgjuar.
c) Vatanizmi zhduk vëllazërinë fetare dhe mu për këtë sot sheh çifutin duke therë muslimanin në Palestinë ndërsa jordanezi shikon punët e veta, sheh amerikanin duke mbytur muslimanin në Afganistan ndërsa pakistanezin duke qeshur matanë kufirit([20]).
Si konkludim, duke mos mbajtur anën e akëcilës palë por duke synuar përputhjen e mendimeve të tyre, themi se:
- Nëse synohet vetëm aspekti gjuhësor apo ai biologjik i fjalës „vëllazëri“, atëherë nuk ka gjë të keqe në këtë emërtim ngase Allahu në Kur’an, duke folur për prindërit jomusliman, tërthorazi e përmendi këtë e tha:
„E nëse ata të dy tentojnë që ti të më përshkruash Mua shok, për çka ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos i respekto ata, po në çështjet e jetës së kësaj bote të keshë mirëkuptim ndaj tyre, e ti ndiqe rrugën e atij që është i kthyer kah Unë, mandej kthimi juaj është tek Unë, e Unë do t'ju njoftoj për atë që keni punuar“. (Llukman, 15)
Allahu i Madhëruar, edhe pse përmendi në ajetet kur’anore me të cilat dëshmoi Dr. Kardavi, lidhjen në baza të gjakut të pejgamberëve në fjalë me popujt e tyre, megjithatë dëftoi edhe urdhrin e Tij për largimin e atyre profetëve nga vendet e tyre për shkak të ndëshkimit të tyre, që d.t.th. se lidhja e parë, ajo biologjike, është tërësisht e varur nga kjo e dyta, fetare.
- Nëse synohet vëllazëria që përcakton dashurinë dhe urrejtjen, bazë e të cilave është besimi, atëherë është e ndaluar një gjë e tillë dhe konsiderimi i një të krishteri si vëlla është tentativë për bashkëdyzimin e Islamit me Krishterimin, gjë e cila nuk mund të ndodhë kurrë. Këto përpjekje përveç që janë të gjykuara për të dështuar qysh në start, ato nëse bëhen me qëllim të tillë, konsiderohen si vepër që njeriun e nxjerr prej feje.
Vatani islam
“Vatani islam”, është bota islame me të gjitha tokat e saja, sado të mëdha apo të vogla të jenë, madje qoftë edhe tërë bota me këtë kuptim ajo është vatan islam([21]).
Shteti islam është shtet ideologjik që formohet në baza të ideologjisë islame dhe të dispozitave e sistemit që burojnë prej tij. Andaj ai nuk është shtet territorial, i kufizuar me kufij tokësor, as shtet etnik i kufizuar me kufij etnik, nacional apo racor. Por ai është shtet ideologjik që shtrihet deri atje ku arrin ideologjia e tij[22].
Bazamenti i vatanizmit në Islam është akideja, kredoja, besimi, e assesi fanatizmi racor a shtetëror([23]).Si rezultat i kësaj, nëse çështja fetare vihet në pikëpyetje qoftë edhe në vet vendin ku ka lindur e ku jeton njeriu, atëherë atij i bëhet e detyrueshme lëshimi i tij. Praktika më e mirë për këtë është hixhreti-migrimi i Muhammedit, alejhi’s selam.
Vatani në Islam përfshin lloje dhe ngjyra të ndryshme njerëzish sikur që ruan dhe merr përsipër sigurinë e feve dhe popujve([24]), dhe këtë bazuar në fjalët e Allahut dhe Muhammedit, alejhi’s selam. Thotë Allahu:
“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s'ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat)...”. (el-Huxhurat, 13)
Thotë Muhammedi, alejhi’s selam:
“Nuk ka vlerë arabi ndaj joarabit përveçse me devotshmëri”. (Ahmedi)
Juristët muslimanë të të gjitha drejtimeve kanë paraparë se jomuslimanët në shoqëritë islame konsiderohen si banorë të vatanit (vatrës) islame. Ata, edhe pse nuk janë pjesëtarë të fesë sonë, janë anëtarë dhe pjesëtarë të shoqërisë sonë([25]).
Në vatanin islam mishërohen racat dhe barazohen të gjithë. Thotë Allahu:
„O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqën) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burrra shumë e gra...“. (en-Nisa, 1)
Islami nuk njeh kufijtë territorial, racor e ngjyror. Toka është e të gjithëve dhe të gjithë kanë të drejtë të dëfrehen me begatitë e saja...Në Islam përkatësia me e çmuar është përkatësia islame. Mu për këtë, vëllazëria në Islam tejkalon kufijtë familjar, kombëtar dhe territorial. Çdo besimtar është vëlla për besimtarin, lidhje nga e cila rrjedh respekti dhe ndihma reciproke, siç na ka mësuar Muhammedi, alejhi’s selam:
„Besimtari për besimtarin është sikurse një ndërtesë, pjesët e së cilës mbajnë njëra tjetrën“. (Transmetim unanim)
„Shembulli i besimtareve ne dashuri, mëshirim dhe butësi (reciproke) është sikurse shembulli i trupit; nëse ankon një gjymtyrë i tërë trupi ankon nga pagjumësia dhe ethet“.(Transmetim unanim)
Përfundim
Në fund të këtij punimi modest, nuk mund të mos e shpreh rezervën që kam pasur qysh në fillim të këtij punimi, për shkaqet në vijim:
1. Askush më parë, në gjuhën shqipe, aq sa di unë, kështu nuk i është qasur kësaj teme.
2. Tek shqiptarët, siç kanë konstatuar dijetarë vendor e të huaj, ana kombëtare është shumë e shprehur. Ky nivel i kësaj dashurie ka arritur deri në atë masë saqë lidhjet tjera janë zbehur para kësaj lidhjeje. Dhe meqë fetarisht, e kundërta duhet të jetë e para, pra lidhja fetare duhet ë jete ajo që luan rolin kyç, kemi qenë në dijeni paraprake se ai edhe do të merret me rezervë nga disa e do të refuzohet nga shumë të tjerë.
Me këtë nuk them se nëse lidhja fetare është prioritare ajo përcakton shkeljen e të drejtave të qytetarëve tjerë me përkatësi fetare tjera. Assesi. Aleanca e Muhammedit, alejhi’s selam me çifutët dhe te krishterët në Mekke, aleance kjo qe historisë i dhuroi kushtetutën e pare shtetërore, është dëshmia më e mirë.
Sido që të jetë, punimi përmbledh rezultate, pjesa më e rëndësishme e të cilave dëshmon për humanitetin dhe universalizmin islam që janë një ofertë për një ardhmëri më stabile dhe më parimore të shoqërive, e në veçanti asaj islame. Ja disa nga ato rezultate:
- Dashuria për vatan është instinkt dhe ndjenjë e mbjellur në njeriun.
- Fjala vatan nuk kufizohet vetëm në vendin ku jeton ani pse më së shumti emërton atë.
- Islam pranon elementin atdhetar të njeriut. Me të, siç sqaron në Kur’an[26], edhe e ka krijuar, vetëm se atë nuk e ka lënë element vlerësimi. Peshojë e vlerës së njeriut nuk janë ngjyra dhe gjuha por devotshmëria dhe edukata e tij.
- “Koprracia” shtetërore, në kuptim të mos dhënies së kontributit edhe në vendin ku jeton e që nuk është vendi yt amtar, është e urryer në Islam. Praktika e Muhammedit, alejhi’s selam në Medinë dhe përpjekjet e tij për mirëqenien e atij vendi dëshmojnë një gjë të tillë.
- Vatan i vërtetë konsiderohet Xhenneti derisa kurbet i vërtetë është Xhehenemi.
- Vatani në Islam nuk është territorial dhe domethënia gjeografike nuk pushton domethënien fetare të vatanit. Ai është i themeluar në baza fetare dhe si i tillë është shumë më i gjerë, edhe në aspektin kuptimor por edhe në atë territorial. Kudo që mundësohet lirshëm praktikimi i fesë për muslimanët, ai konsiderohet vatan i tyre. Ndryshe, nëse edhe në vendin ku të kanë lindur stërgjyshërit, nuk të jepet një mundësi e tillë, atëherë je i urdhëruar ta lëshosh atë vend. Kur’ani shumë qartë e ka sqaruar një gjë të tillë[27].
- Vatani ne Islam nuk urrehet përderisa nuk është shkak ai për urrejtje racore.
- Mallëngjimi për kthim në vatan është natyrshmëri në njeriun vetemse duhet të jetë i motivuar për reforma në çështje shpirtërore, siç veproi Musai, alejhi’s selam i cili ftoi Faraonin në Islam.
- Vatanizmi sot më shumë përdoret si shekullarizëm se sa njohje e së drejtës fetare të njeriut. Partitë nacionaliste dhe popullore ne vendet islame, qe refuzojnë fenë, janë dëshmi e gjallë e këtij realiteti.
- Nuk është e sigurt se një komb i caktuar ka prejardhje të kulluar nga të njëjtit paraardhës, duke marrë parasysh se popullatat kanë migruar në territore të ndryshme, janë martuar me grupe të ndryshme etnike, domethënë janë përzier përmes proceseve të ndryshme. Kjo e bën të vështirë të provohet prejardhja e përbashkët. Njerëzit kanë prejardhje të përzier, kurse imazhet e tyre të imagjinuara që i japin të kaluarës së tyre janë më shumë mite se sa fakte[28]. Nga këtu, ndodhë që paraardhësit e ndonjë vendi të kenë qenë moralprishur kështu që të sotshmit ndihen të nënçmuar nëse iu përmendën ata. Kurejshët ishin pagan dhe sot asnjë musliman që ka lozë kureshite nuk mburret me të, edhe pse ata, edhe si pagan, kishin një nam të madh tek arabët.
Edhe një herë, synimi ynë ka qenë realizmi përkitazi me këtë problematike. Nëse ia kemi qëlluar, pranojmë me respektin më të madh se ajo është prej Allahut të Madhëruar, derisa për gabimet, çfarëdo që të jenë ato, pranoj me modesti se janë lëshime të bëra pa qëllim prej meje dhe harresës së shkaktuar nga djalli.
Përshëndetjet qofshin mbi Muhammedin, ndërsa lutja jonë e parë dhe e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!
________________________________________
[1] http://jmuslim.naseej.com/Detail.asp?InNewsItemID=191259
[2] Fjala Vatan dhe sinonimet e saj në gjuhën shqipe kanë këto kuptime:
a) Vendi (krahina, qyteti a fshati) ku ka lindur e ku banon dikush, vendlindja. (Fjalor i gjuhëve të huaja, Grup autorësh, boton: Rilindja, Prishtinë, 1988, f. 642.)
b) Vendi...ku kanë jetuar të parët tanë, vendi ku banon prej kohësh një popull a një komb, mëmëdhe.
c) Vendi ku lind e zhvillohet diçka për herë të parë, vendi prej nga buron a vjen diçka, vend i përshtatshëm për lulëzimin e diçkaje (Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i gjuhësisë dhe i letërsisë, Tiranë, 1980, f. 67).
[3] Në gjuhën arabe, kjo fjalë, ka këto kuptime:
a) Vatan sh. evtan: Vendqëndrimi i njeriut, lindi apo nuk lindi në të (El-munxhid fi’l lugati ve’l a’lam, Daru’l mashrik, Bejrut, Liban, b. 34, 1994, f.: 906.)
b) Vatani është banesa, vendbanime dhe vendi i njeriut... Thuhet: Evtane fulanun erda kedha (Filani e ka bërë vatan këtë tokë) që ka kuptim: E ka marrë si vendqëndrim dhe banesë, në të cilën qëndron (El-Ajn, El-Halil b. Ahmed pj.2, f. 107.) Ngjashëm me këtë shih edhe: Lisanul arab, Muhammed b. Mukrim b. Mendhur, pj. 13, f. 451. Shih po kështu edhe: El-misbahul munir fi garibi sherhil kebir, pj. 10, f. 389 & Xhemheretul lugah, Ibni Durejd, pj.2, f. 21.
c) Vatan është çdo vend në të cilin njeriu qëndron për ndonjë arsye (edhe nëse jo gjatë) (Tehdhibul lugah, El Ez’herijj, pj.4, f. 424.).
[4] Arsyeja e këtyre sqarimeve gjuhësore është bërë me qëllim të caktuar. Nëpërmjet definicionit gjuhësor tentojmë ta zhdukim urrejtjen në baza racore, gjuhësore, amtare, kombëtare, etj. Ndryshe, përkufizimi i saj në domethënie të ngushtë, pra me kuptim të fanatizmit racor, krahinor, kombëtar, që bie ndesh me parimet fetare, liritë dhe të drejtat e individit, që jeton në atë shtet, qoftë përkohësisht apo përherë por qe nuk është i zanafillës sate kombëtare, është diç që apriori refuzohet. Bazuar në këtë lëvizjet vataniste të shfaqura në botën islame me këto moto janë gjykuar ashpër nga dijetarët islame, siç do të përmendim më poshtë kur do të flasim për fanatizmin racor apo vatanizmin e urryer.
[5] Et-ta’rifat, El-Xhurxhani, pj.1, f.84
[6] Muxhem lugati’l fukaha, pj.1, f. 506
[7] http://www.odabasham.net/show.php?sid=1880
[8] http://www.islamlight.net/index.php?option=content&task=view&id=2541
[9] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani në Sahihu’l xhamii. 7089, e ka cilësuar autentik.
[10] Muslimi, Ahmedi dhe Tirmidhiu. Albani e ka konsideruar Sahih në Sahihut Tergib, vëll:3, f: 275.
[11] http://www.al-eman.com/IslamLib/viewchp.asp?BID=143&CID=31
[12] http://jmuslim.naseej.com/Detail.asp?InNewsItemID=191259
[13]www.qaradawi.net/site/topics/article.asp?cu_no=2&item_no=5517&version=1&template_id=119&parent_id=13
[14]Ibid.
[15]Ibid.
[16] el-A’rafë, 85. Ajeti gjendet edhe në: Hud, 84 dhe el-Ankebut, 36
[17] http://www.motheer.net/dar/uae62175.html
[18] Problematika rreth vatanizmit lind atëherë kur të ekzistoje ndonjëra prej shkaqeve, që ka përmbledhur Dr. Kardavi,