Në Kur’anin famëmadh gjenden sinjalizime, këndvështrime dhe fakte shkencore nga shumë lami që i drejtohen intelektit njerëzor dhe që vërtetojnë se Ai është shpallje prej Allahut të lartësuar, mrekulli për të gjitha kohërat dhe brezat që të ngritë besimin e besimtarit dhe t’i tërhequr vërejtjen jobesimtarit mbi saktësinë e këtij libri fisnik, siç bën aluzion verseti Kur’anor:
“Ne do t’u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Fussilet, 53)
Allahu i madhërishëm në Kur’anin fisnik urdhëron e thotë:
“Edhe në tokë ka argumente për ata të bindurit.” (Edh Dharijatë, 20)
“E tokën e kemi shtruar dhe në të kemi vënë kodra dhe kemi bërë që në të të mbijnë bimë të caktuara të të gjitha llojeve.” (El Hixhr, 19)
Është e vështirë që në leximin e parë të kuptosh mesazhin që përmbajnë këto versete. Përshkrimi shkencorë i dhënë në Kur’anin famëmadh për krijimin e tokës, është sfidë për ata që e shohin krijimin e saj si asgjë më tepër se një aksident në gjithësi. Pjerrtësia 23.5 shkallë e boshtit të saj është një çështje njësimi aq delikatë, sa nuk mund të përllogaritet as nga fizika , e as nga filozofia. Në qoftëse kjo pjerrtësi do të ishte 25 shkallë, akulli i poleve do të shkrihej dhe oqeanet do të mbuloheshin prej tij.
Nga ana tjetër po qe se pjerrtësia do të ishte 22 shkallë, akulli i Arktikut do të pushtonte të gjithë Evropën dhe jeta do të ishte e mundur vetëm në zonat ekuatoriale të Tokës.
Allahu i madhërishëm e theksoi këtë zbulim të rëndësishëm në fillim të versetit të cituar, kur bën fjalë për një rregullsi të përkryer që shihet kudo.
Kjo rregullsi e përgjithshme është e lidhur ngushtë edhe me rrotullimin e Tokës rreth bushtit të saj, çdo 24 orë. Nëse ky rrotullim do të kryhej për 30 orë, do të frynin erëra kaq të fuqishme, sa Toka do të bëhej një shkretëtirë e pabanueshme.
Në të kundërtën, në qoftëse Toka do ta bënte rrotullimin e saj për 20 orë, shumë bimë nuk do të ishin në gjendje të kryenin veprimtarinë e tyre biologjike dhe do të thaheshin.
Meqë zinxhiri i jetës është i lidhur në këtë mënyrë është e domosdoshme që përmbajtja e oksigjenit në ajër të mbetet përafërsisht 20%. Ky është momenti më delikatë. I gjithë tymi edhe dioksidi i karbonit që lirohet kthehet nga bimët në oksigjen. Do të duhej një kompjuter për të llogaritur numrin e bimëve që nevojiten për ta mbajtur masën e oksigjenit në ajër në sasinë 20%. Duhet të ekzistonte një kompjuter hyjnor, që të mund të përcaktonte sasinë e bimëve të nevojshme për thithjen e tymrave të oxhaqeve dhe prodhimin e oksigjenit që konsumojnë njerëzit, si dhe për sigurimin oksigjenit të nevojshëm në ajër. Kjo llogaritje e pabesueshme mund të quhet vetëm si një llogaritje hyjnore
Çdo gjë e krijuar në tokë, i është nënshtruar një ekuilibri të saktë, harmonik saqë një punë është e caktuar për pastrimin e atyre çka nxjerr një oxhak tymues ose një makinë.
Një shembull tjetër i ekuilibrit harmonik është sa deri njëqind vjet më parë druri si lëndë djegëse i plotësonte nevojat e njeriut për ngrohje dhe energji. Në qoftëse nuk do të ishte zbuluar qymyrguri, nafta dhe energjia solare, pyjet nuk do të ekzistonin në Tokë. Pra, në momentin e duhur, kompjuteri hyjnor dha qymyrgurin dhe më pas naftën, energjinë solare, të cilat i kishte përgatitur miliona vjet më parë, në sasi të mjaftueshme për njerëzimin.
Rikujtojmë duke medituar versetin e Kur’anit famëmadh:
“Dhe ai ju dha gjithat që e kërkuat (që kërkoi nevoja juaj) dhe, edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut nuk do të mundë të arrini t’i përkufizoni (në numër). Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës.” (Ibrahim, 34)
Le të shohim tani ekuilibrin e saktë të metaleve që ndodhen në tokë. Ende nuk e dimë raportet e metaleve që përbëjnë bërthamën e qendrës së Tokës, por në sipërfaqen e saj, elementet janë shpërndarë në raporte të tilla saqë duket sikur një komitet shkencor, pasi ka miniaturë numerike raportet e këtyre elementeve ka bërë të mundur prodhimin e tyre në një fabrikë jashtëzakonisht të fuqishme.
Përzierjet e siliciumit, hekurit dhe kalciumit janë lëndët bazë për ndërtimin e banesave. Sikur edhe njëra të mungonte ne nuk do të kishim qytete.
Shkencëtarët duke u mbështetur në analiza spektrografike zbuluan se në diell ka 67 elemente.
Elementet e zbuluara në diell janë edhe në Tokë, siç janë: hidrogjeni, heliumi, karboni, azoti, oksigjeni, fosfori, hekuri etj. Duke marrë parasysh që dielli është një yll që përfaqëson edhe yjet e tjerë, kjo do të thotë që elementet nga të cilat është krijuar gjithësia janë homogjenë.
Nga ana tjetër, shkencëtarët kanë vënë re se meteorët, gurët dhe pluhuri hënor, përmbajnë elemente që janë të njohura në Tokë.
Substanca e gjithësisë , pra, sipas shkencëtarëve është unike dhe kjo paraqet një mrekulli shkencore në Kur’an siç bën aluzion verseti kur’anor në vijim:
“A nuk e dinë ata, të cilët nuk besuan se qiejt e toka ishin të ngjitura, e Ne i ndamë ato të dyja dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi; a nuk besojnë?”
(El Enbija, 30)
A keni menduar ndonjëherë se procesi i avullimit të ujit të detit dhe kthimi përsëri i tij në të me anë të lumenjve ndodh prej miliona vjetësh? Gjatë këtij procesi transportohen nga toka në det substanca të reja dhe megjithatë, përbërja e ujit të detit nuk ndryshon kurrë.
Rikujtojmë duke analizuar me vëmnedje versetin e Kur’anit fisnik:
“Ai është që vetëm Atij i takon sundimi i qiejve dhe i tokës, Ai nuk ka as fëmijë e as nuk ka shok në sundimin e Tij. Ai krijoi çdo gjë, duke e përsosur në mënyrë të qartë e të matur.” (Furkanë, 2)
Vëreni madhështinë e kësaj mrekullie të kompjuterit hyjnor, ndodhin miliona procese dhe megjithatë, ekuilibri harmonik që në saje të ligjeve të Allahut të madhërishëm qëndron në themel të krijimit të gjithçkaje në tokë, nuk ndryshon kurrë, siç bënë aluzion verseti kur’anor:
“(Ky është) Ligji i Allahut edhe ndër ata që ishin më parë, e në ligjin e Allahut nuk mund të gjesh ndryshim.” (Ahzabë, 62)
Një nga mrekullitë më të mëdha të planetit Tonë, në të cilin Allahu i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm e pajisi atë përpara se të krijonte njeriun janë substancat radioaktive që gjinden në sipërfaqen e tokës, në raporte aq të përsosura saqë nuk mund t’i krijojë as shkenca.
Nga njëra anë gjendet uraniumi që siguron energjinë bërthamorë, i padëmshëm në gjendjen natyrore por tejet i rrezikshëm kur pastrohet.
Nga ana tjetër karboni bën të mundur aktivitetin biologjik. Dhe sa të dobishme janë ujërat termale të banjove, të cilat përmbajnë sasina të lejueshme substancash radioaktive dhe kurojnë miliona njerëz në të gjithë botën. Shumë procese biologjike nuk mund të zhvillohen pa praninë e karbonit(14) në atmosferë. Në qoftëse kjo substancë raporti i së cilës është një për një milion do të rritej sado pak do të përbënte një rrezik vdekjeprurës.
Në qoftëse izotopi i natrium (24), do të ishte i pranishëm në ujërat minerale, të lahemi në këto ujëra do të ishte njësoj sikur të ishim të pranishëm në Hiroshimë, ditën kur u hodh bomba atomike.
Le ta lexojmë duke medituar me respekt këtë verset të Kur’anit fisnik:
“Madhëroje larg të metave Zotin tënd, më të lartësuarin! I cili krijoi dhe përsosi, Dhe i cili përcaktoi e orientoi,” (El A’ëla, 1-3)
Toka dallohet nga planetet tjera se dendësia e saj e kalon dendësinë e të gjitha planeteve, madje edhe të Diellit dhe se graviteti i saj është mesatar.
Për këtë Allahu i madhërishëm në Kur’anin famëlartë thotë:
“A nuk e bëmë Ne tokën që në gjirin e vet mban, Të gjallë dhe të vdekur?”
(El Murselatë, 25-26)
Fjala “kifat” në gjuhën arabe ka kuptimin e gravitetit, tërheqje, e mbledhur dhe e bashkuar.
Pra, Allahu i plotfuqishëm vendosi në tokë një forcë tërheqëse, me të cilën ruhet ekuilibri dhe baraspesha mbi të duke siguruar një jetë qetë për njeriun.
Për forcën tërheqëse të Tokës, e cila bën që sendet të qëndrojnë mbi tokë, bën aluzion verseti kur’anor në vijim:
“A është Ai që tokën e bëri vendqëndrim e nëpër të rrjedhin lumenj, dhe asaj (tokës) i bëri (male) përforcuese, dhe në mes dy deteve bëri ndarje. A ka përveç Allahu zot tjetër? Jo, por shumica e tyre nuk e dinë.” (En Neml, 61)
Matematicienti dhe fizikanti Isak Njuton zbuloi ligjin e gravitetit i cili thotë: “Çdo send që ka peshë dhe masë tërheqëse çdo send tjetër që ka masë dhe forca e tërheqjes mes tyre rritet në përpjesëtim të drejtë me rritjen e secilës prej masave të tyre.
Forca e tërheqjes mes tyre zvogëlohet me rritjen e largësive në mes dy sendeve.”
Kjo teori pati rëndësi për shkencën pasi me të kuptohet lëvizja dhe rrotullimi i planeteve mes tyre si dhe si i Tokës rreth Diellit.
Shkenca gjithashtu thotë: “Në qoftëse nuk do të ishte forca e gravitetit njeriu do të fluturonte prej Tokës siç ndodh edhe në planetet tjera në të cilat mungon graviteti”.
Kur’ani fisnik përdorë fjalë të përzgjedhura me saktësi e kujdes nga i Urti i Gjithëdijshmi që nuk lë vend për dyshim tek shkencëtarët.
Lexojmë duke medituar me respekt versetin e Kur’anit famëmadh:
“E, i sheh kodrat e mendon se ato janë të palëvizshme, ndërsa ato lëvizin si retë, (kjo është) mjeshtëri e Allahut që përsosi çdo send, e Ai është hollësisht i njohur se çka punoni.” (En Neml, 88)
Ky verset informon se të gjithë trupat që i nënshtrohen forcës së gravitetit të Tokës si malet, detet, atmosfera etj., marrin pjesë me Tokën në rrotullimin e saj të përditshëm rreth vetës dhe në rrotullimin e saj vjetor rreth Diellit.
Gjysma e Tokës është e zhytur në errësirë, ndërsa gjysma tjetër është dritë, si rezultat i rrotullimit të Tokës rreth vetës, por ky rrotullim nuk ndihet me shqisa dhe është njësoj si lëvizja e reve në ajër.
Nga rrotullimi i Tokës ndërrojnë vendet errësira dhe drita apo nata dhe drita, dhe alternohen me njëra-tjetrën me shpejtësi të madhe e cila natyrisht është shpejtësia e Tokës. Ky alterim i shpejtë ka përuljen dhe lakimin e Tokës sferike.
Allahu i madhërishëm në Kur’anin fisnik thotë:
“Ai krijoi qiejt e tokën me qëllim të caktuar; Ai natën mbështjell (vendi të) ditës dhe ditën ia mbështjell natës; Ai nënshtroi diellin dhe hënën, që secili lëviz deri në një afat të caktuar, pra Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi.” (Ez Zumer, 5)
Fjala Tekvir e përdorur në verset do të thotë: mbështjellja e diçkaje mbi një tjetër në formë të rrumbullakët. Kështu, përhapja e dritës së ditës në vend të natës, kryhet në formë të rrumbullakët dhe po kështu përhapja e errësirës mbi ditën. Shkenca e astronomisë ka vërtetuar se boshti i Tokës, në rrotullimin e Tokës rreth vetes dhe rreth Diellit anon mesatarisht vetëm 40 këmbë nga baza e gjatësisë së këtij boshti. Gjatësia e të cilit arrin 40 milion këmbë. Dhe është pikërisht ky anim shkaku i ditës së gjatë dhe i natës së shkurtë në hemisferën veriore. Shkencëtarët thotë: Nëse nuk do të ishte ky anim i boshtit do të mungonin katër stinët në sipërfaqen e rruzullit tokësor.
Këtë na përkujton verseti i Kur’anit fisnik:
“A nuk e di se Allahu e fut (errësirën) natën në ditë dhe e fut (dritën) ditën në natë, dhe Ai i nënshtroi Diellin e Hënën (të lindin e të perëndojnë) dhe secili rrjedh (noton) deri në një afat të caktuar dhe se Allahu hollësisht është i njohur për atë që veproni.” (Llukman, 29)
Sikur pozita e Tokës në krahasim me Diellin të ndryshohej ashtu që orbita e saj të jetë për 4% më e vogël, gjegjësisht 144 milionë kilometra në vend të 150 milion kilometrave, temperatura e Tokës do të rritej gradualisht deri në 450 gradë C. Atëherë i tërë uji do të avullohej dhe jeta do të shuhej si në Venerë. Përkundrazi, sikur pozita e Tokës në krahasim me Diellin të jetë vetëm 1% më e madhe, gjegjësisht 151,5 milion kilometra në vend të 150 milion kilometra, temperatura do të ulej deri në -40 gradë C. Uji në Tokë do të ngrihej dhe jeta në sipërfaqen e saj do të bëhej e pamundur, siç është në planetin Mars.
Pra, pozita e Tokës në krahasim me Diellin nuk është e rastësishme, por përcaktim nga Allahu i Gjithëdijshëm dhe i Plotfuqishëm i cili çdo gjë krijoi dhe rregulloi, siç bën aluzion verseti i Kur’anit fisnik në vijim:
“A nuk e bëmë Ne tokën të përshtatshme (për jetë),” (En Nebe, 6)
Versetet e Kur’anit famëmadh janë përplot nxitje që të ngjallin ndenja nga më sublimet me ritme të ndryshme dhe vezullime valëvitëse të cilat prekin zemrën njerëzore në sfera të ndryshme të thelbit hyjnor. Në këto nxitje të brendshme të thella dhe ndikuese bën pjesë edhe akordi që përsëritet: “Thuaj....thuaj...thuaj...” i cili i drejtohet Pejgamberit a.s. me kërkesë që të përcjellë dhe të paraqesë atë që ia shpallë Zoti.
Atmosfera e Kur’anit fisnik i mundëson njeriut të jetojë, të frymojë, të krijojë, të meditojë dhe të veprojë.
Kur’ani famëmadh për nga forma është një ndërtesë madhështore, harmonike me tekst të komponuar dhe të organizuar në mënyrë të përkryer, ku çdo shkronjë, çdo verset dhe çdo kaptinë ka vendin e vet të caktuar hyjnor në formë dhe me vlerë të pa përshkruar.
Hija është skenë e zakonshme që përsëritet vazhdimisht por në shprehjen kur’anore ajo duket se flet.
T’i analizojmë duke medituar versetet e Kur’anit fisnik në vijim:
“A nuk po shohin ata (keqbërësit) se çdo send që e krijoi Allahu, e sjell hijen e vet djathtas dhe majtas duke iu përulur Allahut (duke i bërë sexhde) dhe duke qenë respektues e përulës (e si e mbajnë veten lart disa njerëz).” (Nahl, 48)
“A nuk e sheh se si Zoti yt e zgjati (andej e këndej) hijen, e sikur të kishte dashur do ta linte në një vend, pastaj diellin e bëmë rrëfyes të saj.
Pastaj Ne atë e tërheqim pak nga pak.” (Furkan, 45-46)
Kur’ani i lavdishëm na tërheq vëmendjen gjithnjë në dukuritë natyrore, na thërret që ta shohim dorën e padukshme Të Krijuesit bile edhe në hijen më të vogël.
Si të shpjegohet kjo “shkurtësi e vogël”? Ndërkaq, ligji i Hazen Dekartit thotë se rrezja e dritës e cila kalon përmes mediumit me dendësi që ndryshon gjithnjë, përshkon vijën e shtrembëruar ekliptike me konkavitet të kthyer nga pikat me dendësi më të madhe. Hija këtu bëhet me të vërtetë më e shkurtër në raport me atë që do të jepet në hapësirën pa reflektim. Prandaj, edhe këtu ka një koincidencë të rëndësishme mes nocionit kur’anor dhe nocionit thjeshtë optik.
Ndoshta tingëllon çuditshëm, por hija vërtetë flet. Kuptohet, jo drejtpërdrejtë, por nëse e vështrojmë hijen, gjatësinë e saj dhe ndryshimin e gjatësisë së saj gjatë ditës ajo do të zbulojë shumëçka. P.sh. nëse gjendemi në ekuator në mesditë, kur Dielli është në zenit pra pingul në kokën tonë, do ta kërkojmë kot hijen.
Pra në versetin kuranor:
“A nuk e sheh se si Zoti yt e zgjati (andej e këndej) hijen, e sikur të kishte dashur do ta linte në një vend, pastaj diellin e bëmë rrëfyes të saj.” (Furkan, 45)
d.m.th. nuk e sheh fuqinë kreative të Allahut të plotfuqishëm?
Këtu jemi të ftuar që mbi bazë të parabollës së bukur të lëvizjes së dritës dhe hijes, të shohim madhështinë në krijimin e Allahut të Gjithëdijshëm. Nga verseti kur’anor mund të vërehet kuptimi i cili shihet në botën materiale por edhe interpretimi shpirtëror që udhëheqë nëpër meridianet e thella shpirtërore.
Në mëngjes hijet janë të gjata. Ne mund të vërejmë se gjatësia dhe drejtimi i tyre përcaktohet ku ndodhet Dielli. Pra, ato ndryshohen në mënyrë misterioze çdo moment.
Fjala “delil” përdoret në termin “kapiten marinar” i shkolluar, i cili me siguri drejton anijet për në portin detar. Prandaj Dielli është drejtues i hijes, ngase lëvizja e saj varet nga lindja dhe perëndimi i Diellit.
Fenomeni i hijes ka kuptim të dyfishtë:
1. Drita dhe hija janë dy faktorë me rëndësi jetësore për tërë qeniet në Tokë, të cilat janë të renditura me urtësi të madhe dhe tregojnë për mençurinë, fuqinë dhe njësinë e Allahut. Drita dhe hija nuk krijohen as vetvetiu, as me mekanizma të verbër.
2. Në mënyrë figurative mund të lexohet mes rreshtash, d.m.th. hija e mosbesimit dhe idhujtarisë, e cila përhapet shpejt shkurtohet sa më lartë që Dielli ngjitet në zenitin e rrugës së vërtetë.
Teksti i Kur’anit famëmadh dëshiron vetëm të zgjojë zemrën dhe intelektin njerëzor për të medituar dhe gjykuar, në mënyrë që gjatë rrugëtimit t’i ndriçojë këto mrekulli në këtë galeri të madhe, në këtë planet të quajtur Tokë, duke dhuruar kënaqësi dhe lumturi.
Mirëpo në këtë shtegtim, vetëm zemra e sinqertë mbushur me besim të sinqertë mund t’i kuptojë këto mrekulli dhe mund të mahnitet me to, siç përkujton verseti i Kur’anit fisnik:
“Edhe në tokë ka argumente për ata të bindurit.” (Dharijatë, 20)
Pa besim të sinqertë, këto imazhe mbesin të vdekura, të palëvizshme dhe të thata. Shumë njerëz kalojnë symbyllur para kësaj ekspozite Hyjnore. Pastaj vijon mrekullia tjetër e njeriut që ecën nëpër Tokë:
“Po edhe në veten tuaj. A nuk jeni kah e shihni?” (Dharijatë, 21)
Qenia njerëzore është mrekulli si nga konstrukti trupor, ashtu edhe nga fshehtësitë që përmbajnë proceset biokimike, sistemi neurohormonal si dhe nga fshehtësitë shpirtërore.
Sikur njeriu të mendojë për mrekullitë që i mban në vete, ai do të mahnitej. Ndër to së pari është mrekullia e quajtur qelizë, pastaj indet dhe përbërja e organeve, renditja e tyre, funksionimi i tyre, sistemi i resorbimit, sistemi i frymëmarrjes, metabolizmi, qarkullimi i gjakut, sistemi nervor, përbërja dhe dirigjimi i trupit nga ky sistem, gjëndrat endokrine, hormonet dhe lidhja e tyre me zhvillimin e trupit me aktivitetin dhe baraspeshën e tyre, harmonia e përsosur ndërmjet këtyre organeve dhe sistemeve, veprimi i tyre i përbashkët dhe harmonia e përkryer. Në secilin organ dhe në secilin pjesë të organizmit ekziston një mrekulli e re, nga e cila mrekulli ndahet dhe mahnitet mendja e shkencëtarëve eminentë, njohës të këtyre hollësive.
Po fshehtësitë e shpirtit, të menduarit, kujtesa të gjitha informacionet dhe imazhet e renditura me precizitet dhe reproduktimi i tyre?
Pastaj fshehtësitë e lindjes dhe të trashëgimit.
Një qelizë i bart të gjitha karakteristikat e llojit njerëzorë. Ku qëndrojnë këto vija karakteristike në këtë qelizë të vocërr? Ç’është kodi gjenetik? Sa e njohim dhe si e keq(përdorim) për qëllime jo (humane)?
Në këtë muze të jashtëzakonshëm Hyjnor i cili përmban miliona e miliarda njerëz, secili individ është ekzemplar i veçantë, botë unikate, nuk përsëritet, nëpër të cilën qenie kalon tërë ekzistenca në formë të papërsëritshme, siç janë unikatë, dhe të papërsëritshme edhe shenjat e gishtërinjve në çdo periudhë kohore!
Shumë mrekulli të llojit njerëzor janë zbuluar kështu që sytë tonë i shohin:
“Po edhe në veten tuaj. A nuk jeni kah e shihni?” (Dharijatë, 21)
Më këtë metodë, të cilën Kur’ani fisnik e ndjek për ndërtimin e kuptimit të drejtë mbi njohuritë e njeriut, ai i drejtohet natyrës së lashtë njerëzore duke përdorur një gjuhë të veçantë të cilën njerëzit nuk e njohin.
Ai e rrotullon zemrën e njeriut nga të gjitha anët, i afrohet nga të gjitha drejtimet, duke e trajtuar si një ekspert i vërtetë, nga çdo kënd dhe në çdo fshehtësi të tij.
Versetet e Kur’anit famëmadh, në mes të tjerash tregojnë se Allahu i madhërishëm nuk e ka përfunduar ende krijimin. Përkundrazi procesi i krijimit vazhdon ende.
Lexojmë me vëmendje versetet kur’anore në vijim:
“Edhe kuajt (i krijoi), edhe mushkat edhe gomarët, për t’ju hipur atyre dhe si stoli, e Ai krijon (për hipje) çka ju (tash) nuk dini.” (Nahl, 8)
“Allahu krijoi secilën gjallesë prej një uji, e prej tyre ka që ecin rrëshqitas në barkun e vet, ka që ecin në të dy këmbët e edhe asosh që ecin në të katër këmbët. Allahu krijon çka të dojë, pse vërtet Allahu ka mundësi për çdo gjë.” (Nurë, 45)
“(Ai mbetet) Atij i drejtohet me lutje kush është në qiej e në tokë dhe Ai në çdo moment është i angazhuar në çështje të reja (falë mëkate, largon brengosje, jep jetë, jep vdekje, krijon gjendje, zhduk të tjera etj.).” (Rrahman, 29)
Kjo është tejet e rëndësishme nga aspekti i këndvështrimit shkencor sepse ne fillojmë ngadalë t’i shohim dhe t’i kuptojmë fenomenet natyrore të cilat ndodhin ende.
Fakti se natyra ka fuqi kreative dhe se është në gjendje të prodhojë forma dhe struktura progresive të pasura dhe variacione komplekse, paraqet ngacmim të themeleve të shkencës bashkëkohore.
Enigma më e madhe e kosmologjisë, shkruan filozofi i mirënjohur Karl Paper, është se Gjithësia është kreative.
Allahu i madhërishëm në Kur’anin fisnik thotë:
“Ne i dërguam të dërguarit Tonë me dokumente të qarta dhe Ne zbritëm me ata librin dhe drejtësinë që t’i përmbahen njerëzit të së drejtës. Ne e kemi zbritur edhe hekurin që në të ka forcë të fortë dhe dobi për njerëz, e edhe për t’u ditur tek Allahu se kush ndihmon Atë (rrugën e Tij) dhe të dërguarit e Tij duke i besuar të fshehtës. S’ka dyshim se Allahu është i fuqishëm, mbizotërues.” (Hadidë, 25)
Energjia e hershme e sistemit diellor nuk ka qenë e mjaftueshme të prodhojë hekurin elementar. Nga përllogaritja e energjisë së nevojshme për prodhimin e një atomi të hekurit është konstatuar se ajo ka qenë 4 herë më e madhe se energjia e tërë sistemit diellor.
Hekuri ka zbritur nga mbeturinat e materieve dhe yjeve që bien.
Artur Bares, në librin e tij “Toka” shkruan: Meteorët ndahen në tri grupe: meteorët hekurorë që përbëhen 98% apo më shumë nga hekuri dhe nikeli, meteorët hekurorë-gurorë, pothuajse gjysma e të cilëve përbëhet nga hekuri, nikeli, ndërsa gjysma tjetër nga një lloj shkëmbi i njohur me emrin olivin, meteorët gurorë.
Ajo që habit është sasia e madhe e atomeve të hekurit , e vërejtur në dëborën e rënë nga qielli veçanërisht në dëborën që bie në veri të Siberisë.
Çdo vit bien mijëra meteor, disa prej të cilave peshojnë mijëra ton. Në vitin 1902 u gjet një meteor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që peshonte 62 ton, dhe përbëhej nga mineralet e hekurit dhe nikelit.
Të gjithë astronomët besojnë se meteorët nuk janë veçse hedhurina kozmike të atomeve me madhësi të ndryshme. Ato përbëhen nga minerali i hekurit dhe minerale të tjera. Për këtë arsye, minerali i hekurit është nga të parat që njeriu njohu mbi sipërfaqen e Tokës, sepse ai bie i pastër nga qielli më formë meteori.
Numri i meteorëve dhe i objekteve tjera që sulmojnë Tokën pareshtur arrin deri në 20 milion në ditë dhe pothuajse shumica e tyre shkrihen e humbasin në atmosferë, duke lënë pas vetës afro 20 mijë ton pluhur. Temperatura e shkrirjes së hekurit është 1535 gradë C
Pra fjala e përdorur nga Kur’ani fisnik:
“Ne i dërguam të dërguarit Tonë me dokumente të qarta dhe Ne zbritëm me ata librin dhe drejtësinë që t’i përmbahen njerëzit të së drejtës. Ne e kemi zbritur edhe hekurin që në të ka forcë të fortë dhe dobi për njerëz, e edhe për t’u ditur tek Allahu se kush ndihmon Atë (rrugën e Tij) dhe të dërguarit e Tij duke i besuar të fshehtës. S’ka dyshim se Allahu është i fuqishëm, mbizotërues.” (Hadidë, 25)
Është një përcaktim i saktë siç vërtetohet nga shkenca bashkëkohore.
*Masa atomike e hekurit është 57 e ky është numri i kaptinës së hekurit. Numri atomik është 26 e ky është verseti 26 që flet për hekurin.*
Deri në shekullin XVIII industria e hekurit ishte shumë pak e zhvilluar. Papritmas industria e drejtoi vëmendjen e njerëzve tek hekuri.
Gjithë bota u vu në garë për zbulimin e mjeteve më të përshtatshme për nxjerrjen e tij dhe shkencëtarët e kuptuan se vërtetë në të ka dobi për njerëzit.
Hekuri ka veçori që e dallojnë nga mineralet dhe elementet e tjera. Ai është më i fortë më i qëndrueshëm ndaj shtypjes dhe forcës. Hekuri përdoret6 në të gjitha fushat e prodhimit si lëndë bazë. Ai përdoret në industrinë ushtarake, si në ndërtimtari, dhe sot është njëra prej lëndëve me shtrirjen më të gjerë. Kështu vërtetohet thënia kur’anore që hekuri ka dobi për njerëzit.
Pra Allahu i madhërishëm është Ai që krijoi qiejt dhe Tokën, që mbizotëron multiuniversin, që sundon me të gjitha shfaqjet në qiej dhe në Tokë. Ai krijon, sundon dhe dirigjon:
”Ai që përsosi krijimin e çdo sendi, e krijimin e njeriut e filloi nga balta.”
(Sexhde, 7)
O Zoti ynë kjo është ajo e vërteta të cilën e vëren natyra, syri, zemra dhe mendja e vërtetë e paraqitur në role të ndryshme reale.
Në natyrën e saj, kjo e vërtetë është unikate e harmonishme, gjithëpërfshirëse në format, aktivitetet dhe dinamikën e saj si dhe në çdo gjë që flet për bukurinë dhe mirësinë nga afër dhe nga larg.
Qoftë i lartësuar Allahu! E tërë kjo është vepër e Tij, gjurmët e të cili vërehen në çdo krijesë. Çdo gjë është dhënë në mënyrë të përkryer dhe proporcionale dhe asgjë nuk e kalon kufirin e bukurisë dhe të harmonisë së detajizuar! Në çdo gjë duke filluar nga atomi më i vogël deri te trupat më gjigantë nga qeliza më e thjeshtë deri te organizmi më i komplikuar, shprehet mirësia dhe përsosmëria.
Secila qenie, secila krijesë është e krijuar që të kryej rolin që i është caktuar për të treguar ekzistencën e gatshme të përgjigjet për rolin e përgatitur dhe të precizuar.
Qeliza, krimbi, peshku, zogu, kërmilli, kafshët, njerëzit, planetët lëvizëse, yjet në qiellin e hapur, universet, botët, tërë këto lëvizje të harmonizuara precize të çuditshme dhe të pakta në tërësi kudo ku arrin shikimi flet për Arkitektin e përkryer dhe Kreatorin e frymëzimit, flet për mirësinë dhe përsosmërinë e Tij.
Argumentet e mirësisë dhe të mrekullisë mbushin çdo gjë që njeriu sheh dhe përjeton në rrugëtimin e gjatë në këtë planet.
Ky është një udhëtim i këndshëm nëpër këtë Ekzistencë, që është krijuar në mënyrë të mrekullueshme dhe vetë është një mrekulli.
Ekzistencë e formuar bukur dhe në mënyrë të mahnitshme për të cilën Kur’ani famëmadh na përkujton që të mendojmë për të, me fjalët:
“Ai që përsosi krijimin e çdo sendi, e krijimin e njeriut e filloi nga balta.” (Sexhde, 7)
Duke zgjuar zemrën dhe intelektin që të përcjellin vendet e bukura dhe bukuritë mahnitëse në këtë multiunivers.
E tërë Gjithësia e vërteton mëshirën e Allahut të plotfuqishëm në të gjitha nivelet dhe në të gjitha hapësirat siç bën aluzion verseti kur’anor në vijim:
“Është fakt se në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon Allahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj dhe përhapë në te nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e tokës, (në të gjitha këto), për një popull që ka mend ka argumente.” (El Bekare, 164)
Kjo metodë kur’anore që paralajmëron shqisat dhe intelektin është shumë e fuqishme dhe bindëse për t’ia hapur sytë dhe zemrën e njeriut lidhur me sekretët që mban dhe njëherazi për ta zgjuar mendjen dhe intelektin për studim dhe hulumtim.
Paraqitja e përhershme e fenomeneve qiellore dhe kozmike para syve tonë, serioziteti i tyre veçantia dhe ngacmimi i zemrës dhe i ndenjës është imperativ i njeriut që ato fenomene të hulumtohen e të zbulohen.
Sa herë sytë dhe zemrat janë të befasuara kur i kanë parë këto skena për herë të parë? Sa herë tronditet dhe habitet mendja e njeriut kur shikon për herë të parë këtë llojllojshmëri enigmatike?
Kjo Gjithësi dhe kjo tokë, këto hapësira, të pafundme, këta trupa të stërmëdhenj qiellorë dhe horizonti mahnitës midis tyre, si dhe pozita e trupave dhe lëvizja e tyre në Gjithësinë e pafund janë fshehtësi të cilat e dehin shpirtin , e tronditin intelektin njerëzor dhe e mbështjellin me velin enigmatik.
Për këto fenomene kozmike, Kur’ani fisnik urdhëron e thotë:
“Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt.” (Ali Imran, 190)
Kur’ani fisnik në këtë verset bën njëherazi një përshkrim të qartë të ndikimeve kozmike në vetëdijen e matur dhe zemrat dhe shikimet e besimtarëve i orienton vazhdimisht në këtë Libër të hapur, faqet e të cilit shfletohen gjithnjë me ëndje.
Të mençurit që kanë intelekt i hapin sytë për t’i pritur shenjat kozmike të Allahut. Ata me tërë qenien e tyre drejtohen me sinqeritet, me zemër duke u përqendruar në këmbë, ulur dhe shtrirë kah Allahu i madhërishëm.
Andaj me plot të drejtë mund të konkludojmë se Kur’ani famëmadh është paraprijës i shkencës, kulturës dhe i civilizimit.
Mesazhi i tij është plot dritë, emancipime dhe kulturë civilizuese për çdo brez, vend dhe hapësirë siç konfirmon verseti kur’anor:
“Ne do t’u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Fussilet, 53)